Shqiptarja qe shoqeroi RAI-n ne Shqiperi dhe Cameri

Shqiptarja qe shoqeroi RAI-n ne Shqiperi dhe Cameri

Ajo quhet Sonila Alushi, është nënë e dy fëmijëve dhe sipërmarrëse bashkë me të shoqin në Itali. Në emigrim, tashmë prej 17 vjetësh, Alushi nuk e ka harruar aspak vendlindjen e saj, përkundrazi, gjatë gjithë këtyre viteve ajo ka mbajtur dhe ruajtur lidhjet dhe marrëdhëniet e saj me Shqipërinë duke u informuar mbi të, por edhe duke e vizituar shpesh. Ajo ka lindur në Tiranë në vitin 1979, por rrënjët e saj janë në Çamëri, aty ku kanë lindur të katër gjyshërit e saj. Sonila, bashkë me familjen e saj, përbën një nga ato raste të shumta të suksesshme të emigracionit, që me shumë punë dhe pa zhurmë, përpiqet të arrijë larg.

Pikërisht për këtë arsye Sonila dhe familja e saj janë bërë objekt i një dokumentari që ka për qëllim njohjen e rasteve të suksesshme të emigrimit. Emisioni titullohet “Rrënjët, faqja tjetër e emigracionit” dhe mban firmën e të njohurit Davide Demichelis, i cili, në bashkëpunim me gazetarin dhe kameramanin Alessandro Rocca, po punojnë në këtë drejtim prej 4 vjetësh. Protagonistët e programit vijnë nga shumë vende të botës dhe gazetarët në fjalë i shoqërojnë ata në vendin e origjinës, pra, drejt rrënjëve të tyre, për të treguar dhe për të zbuluar bashkë me ta se nga cili mjedis vijnë, cilës kulturë e cilave tradita u përkasin, por dhe si jetojnë ata në Itali? Si janë integruar?

Cilat janë vendet që frekuentojnë dhe ku punojnë? Kështu, Sonila shoqëroi “RAI 3”-shin për emisionin “Rrënjët” jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në Çamëri, në tokën e të parëve të saj, ku policia greke u ndërpreu xhirimet, duke i shoqëruar në polici. Kjo intervistë me Sonilën, protagonisten shqiptare në emisionin e radhës në televizionin italian përmban të dhëna mbi jetën e saj, mbi këtë dokumentar dhe incidentin në tokën greke.

Sakrificat e shqiptarëve emigrantë në botë janë të shumta. Sonila, cila është sakrifica juaj?

Unë mendoj që sakrificat e emigrantëve në botë janë shumë të ngjashme. Pothuaj të gjithë jemi nisur me pritshmëri të mëdha, me idenë se do të gjenim nëpër botë lirinë e plotë, ndjeshmërinë, dashurinë dhe bollëkun, por shumë shpejt kuptuam se asnjë vend i botës nuk është perfekt e që duhej të bënim llogaritë të përballeshim me racizmin, vështirësitë për të gjetur punë, për t’u përshtatur e integruar.

Historitë tona janë të ngjashme se pothuaj të gjithë ne kemi ikur nga vendlindja për të njëjtat arsye dhe kemi jetuar e përballuar jashtë vendit po të njëjtat vështirësi. Ndaj historia ime nis si ajo e shumë të rinjve shqiptarë që u larguan nga Shqipëria pas trazirave të ’97-ës. Klima e rëndë prej luftës që u krijua ato vite më fiku shpresat për një të ardhme me siguri dhe qetësi. Rol të rëndësishëm tek unë luajti edhe mentaliteti tepër maskilist që mbizotëronte në vendin tonë. E përjetoja shumë keq padrejtësinë e të mosqenit të barabartë në shoqëri, si gratë, edhe burrat.

Sa e vështirë ka qenë për ty përshtatja në një vend të huaj, aq më tepër e vetme?

Nga ana kulturore, nuk pata vështirësi të mëdha, sepse Italinë e njihja disi edhe prej televizionit italian nga i cili mësova edhe gjuhën që fëmijë. Por nga ana praktike, e të jetuarit, shumë shpejt u gjenda vetëm, duke përballuar shumë e re vështirësitë ekonomike dhe paragjykimet. Kam hasur shumë vështirësi gjatë atyre viteve. Kronika e zezë e mediave italiane ishte plot (sidomos) me raste shqiptare prostitucioni dhe unë si femër e re, kam vuajtur pikërisht paragjykimin e këtij lloji, i cili është vërtet shumë i rëndë për t’u mbajtur.

Batutave të shëmtuara rreth kësaj çështjeje u përgjigjesha me shumë forcë dhe nuk e jepja veten, por në shtëpi gëlltisja lotët. Sakrifica më e madhe që kam bërë është të hequrit dorë nga ëndrra ime e vetme. Dëshiroja të bëhesha gazetare, por në Itali ishte e pamundur në atë kohë, me ato vështirësi ekonomike që kisha unë dhe familja ime. Ndaj m’u desh të punoja pa pushim, duke hequr kështu dorë nga investimi në fushën e gazetarisë. Kam filluar këto vitet e fundit t’i rikthehem ëndrrës sime, duke shkruar për Albania News, në italisht. Nuk është kurrë vonë për t’i dhënë jetë farës sonë, natyrës së gjithsekujt prej nesh.

Vendlindja

Sa e fortë është lidhja me vendlindjen? Sa të gjalla ishin kujtimet gjatë kthimit pas?

Jam shumë e lidhur me vendin tim. Kam shumë mall për të, prandaj dhe vij shpesh. Kam mbajtur të gjalla marrëdhëniet me miqtë e mi, me familjarët dhe me tokën time, pra, me Tiranën, qytetin ku kam lindur e jam rritur. Kur kthehem në Shqipëri, rijetoj fëmijërinë dhe adoleshencën, sepse kujtimet më shfaqen, sapo zbres nga avioni. Fëmijët mund t’i sjellim një herë në vit dhe kohën e shpenzojmë së bashku, duke vizituar të gjithë të afërmit tanë nga veriu në jug, duke njohur kështu edhe më shumë Shqipërinë. Ata e duan shumë vendlindjen e mamit dhe babit, ashtu siç duan gjuhën shqipe, ndaj janë gjithmonë të gëzuar kur vijmë atje.

Në ç’mënyrë spikati historia juaj për emisionin e një televizioni italian?

“RAI 3” njihet në Itali për sensibilitetin e veçantë ndaj këtyre temave. Bashkëpunimi lindi shumë thjesht. Alessandro Rocca ishte në kërkim të shembullit shqiptar dhe për këtë kontaktoi disa miq të tij shqiptarë. Të gjithë këshilluan dikë dhe dikush këshilloi emrin tim. Pas disa intervistave që m’u bënë personalisht nga Davide Demichelis, trupa e emisionit “Radici” zgjodhi historinë time që zhvillohet midis Tiranës, Vlorës, Peshkopisë, Italisë dhe Çamërisë. Por kemi vizituar edhe qytete të tjera dhe imazhet janë të mrekullueshme, se të mrekullueshëm e kemi vendin.

Çfarë mund të na thoni rreth realizimit të dokumentarit?

“(Radici) Rrënjët, faqja tjetër e emigracionit” që në titull shpjegon shumë, por megjithatë ju falënderoj për këtë pyetje, sepse mendoj që duhet sqaruar më mirë. Dokumentari nuk është politik, pra, nuk ka për qëllim të treguarit apo të denoncuarit e padrejtësive të një vendi apo populli. “Radici…” nuk heton mbi faktet historike që na penalizuan rëndë ne shqiptarët, por tregon historinë time personale ku temat si politika, racizmi, Çamëria, varfëria etj, preken personalisht prej meje dhe kështu janë relative.

“Radici...” nuk ka për qëllim të drejtojë gishtin diku, duke akuzuar dhe hetuar. Ky dokumentar ka për qëllim promovimin e shembujve pozitivë, atyre që janë dhe më të shumtët në Itali, për të luftuar paragjykimet, duke njohur më mirë rastet konkrete të integrimit dhe njohurinë mbi vendet nga ku vijnë emigrantët. Për të bërë këtë, udhëtuam bashkë në Shqipëri, ku unë udhëhoqa grupin e  televizionit “RAI 3” drejt rrënjëve të mia, drejt familjes sime dhe miqve të mi, duke treguar pa hezituar dhe me krenari se cila është origjina ime, jeta ime dhe zgjedhjet e mia. Dokumentari do të transmetohet, pra, në “RAI 3”, të dielën më datë 28 qershor në orën 12:30 dhe të premten, datë 24 korrik në orën 23:00.

Dokumentari dhe diskriminimi në Greqi

Çfarë ndodhi me policinë greke në Çamëri dhe si reaguat ju? Çfarë do të tregojë dokumentari për këtë sjellje?

Sapo kishim realizuar xhirimet e para dhe për fat kishim mbaruar intervistën time, një makinë e bardhë civile na zuri rrugën. Drejtuesi i saj doli nga makina i nxehur, duke na kërkuar llogari në një anglishte të pakuptueshme mirë dhe pa u identifikuar! Më pas tha që ishte polic e se ne duhej ta shoqëronim në polici. Kështu vepruam dhe zotëria atje insistoi të na merrte në pyetje vetëm ne, dy shtetasit shqiptarë, mua dhe shoferin tonë. Ndërsa shtetasve italianë u ofroi kafe dhe i ftoi të dilnin jashtë nga zyra.

Normalisht, që grupi nuk ishte dakord për sjelljen diskriminuese evidente, ndaj neve, shqiptarëve, por nga ana tjetër nuk kishim zgjidhje tjetër, kështu që na u desh të përballonim pyetësorin dhe situatën, të cilën e menaxhuam me shumë qetësi. Në dokumentar do të flitet patjetër për Çamërinë, por s’duhet harruar që tema e tij nuk është Çamëria. Megjithëkëtë, kam mbështetjen e të gjithë grupit për ta dëshmuar ndodhinë dhe disa filmime që e vërtetojnë këtë ngjarje. Për mua nuk mbaron këtu.

Po thoni që do të vazhdoni duke informuar mediat rreth kësaj historie?

Absolutisht, po! Do të mundohem ta tregoj këtë ngjarje të padrejtë dhe raciste ndaj nesh, kudo të mundem. Stafi i televizionit “RAI 3” më mbështet në këtë drejtim dhe më kanë dhënë mbështetjen të dëshmojmë së bashku, kudo të ketë interes për ta dëgjuar.

Nostalgjia për Shqipërinë dhe planet për të ardhmen

Sa ka ndryshuar Shqipëria që nga koha që e keni lënë?

Shqipëria ka ndryshuar shumë këta 17 vjet dhe këtu nuk po flas vetëm për nga pamja. Unë gjej çdo herë një mentalitet më të zbutur, më të hapur, më modern. Mendoj që të udhëtuarit jashtë kufijve të saj të një pjese të mirë të shoqërisë sonë, ka influencuar shumë pozitivisht. Po ashtu, eksperiencat e studimit dhe të punës jashtë vendit, kanë kontribuar shumë në këtë ndryshim. Që rruga është ende e gjatë, këtë, besoj, e dimë mirë të gjithë, por ne jemi popull energjik dhe inteligjent dhe si të tillë, kam besim që ndryshime edhe më të mira do të realizojmë.

A e keni menduar ndonjëherë kthimin në Tiranë?

Po, ka qenë një periudhë, kur prisnim fëmijën e parë dhe bashkë me tim shoq e menduam dhe e vlerësuam mirë kthimin në Shqipëri, por kushtet na bënë të vendosnim për qëndrimin në Itali. Kemi ndërtuar diçka këtu, kemi tri ndërmarrje për të cilat puna nuk mungon dhe, siç e dimë mirë të gjithë, puna është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, e sidomos kur po ndërton apo ke ndërtuar familje. Tashmë kemi ndërtuar një çerdhe në një qytet, të cilin e njohim dhe e duam shumë, me gjithë defektet e tij. Vendi perfekt nuk ekziston. Tashmë ndihemi në shtëpi, edhe në Bergamo, ndaj një ndryshim tjetër, një fillim tjetër nga zeroja, nuk e shohim të arsyeshme ta përballojmë sot. Nesër nuk e dimë, së nesërmes asnjëherë nuk i dihet. Shqipëria është dhe do të mbetet gjithmonë vendi ynë, shtëpia jonë e parë, kudo qofshim. Dhe për të do të bëjmë çdo gjë që do të mundemi.

Pra, ju ndiheni pjesë e Tiranës, e Bergamos, por edhe e Çamërisë! Si e jetoni, si e ndjeni këtë realitet të trefishtë brenda jush?

Po e përshkruaj me pak fjalë, të cilat i kam shprehur herën e parë që vizitova tokën çame bashkë me familjen time. Kur isha atje, para shtëpive të rrënuara e të braktisura, ndjeva të shprehem kështu: Italia ka shijen e bukës, mbi të gjitha atë të bukës së fëmijëve të mi. Tirana është e ëmbël si bakllavaja e mamit, e ëmbël si fëmijëria ime. Çamëria është e hidhur si ullinjtë, si kafeja e gjyshes, si dhimbja e saj!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama