Shqiptari qe refuzoi betimin e Musolinit

Shqiptari qe refuzoi betimin e Musolinit
Një vrasje e shëmtuar tronditi në 26 majin e vitit 1939 rrugën Trastevere në Romë. Një i ri shqiptar, me emrin Shahin Toçi, i sapodiplomuar në Akademinë Ushtarake, u gjend i vdekur nga autoritetet italiane. Shumë hipoteza do të hidheshin për shkakun e vdekjes, shumë pikëpyetje qëndronin rreth shkakut të saj, por e vërteta mbeti e pazbuluar. Shteti italian e arshivoi dosjen Toçi, ndoshta për të fshehur atë që kishte ndodhur realisht, e që kishte lidhje me aktin e madh patriotik të këtij shqiptari nga Mati.

Dy javë para se të gjendej i vrarë, Shahin Toçi kreu një gjest i cili sot, në distancën e 70 vjetëve, rrezaton patriotizëm dhe burrëri të spikatur. Është pikërisht ai qëndrim i fortë prej shqiptari patriot, i cili ndoshta i kushtoi jetën, në mesin e një Italie të pushtuar nga ethet e fashizmit dhe të dominuar nga këmishat e zeza. Megjithatë, para se të komentojmë vdekjen e tij, le të shohim cili qe dhe çfarë përfqësonte ky djalosh i ri 21 vjeçar.

I lindur në 30 tetor 1918, Shahini do të shquhej shpejt për cilësitë e tij Jeta e Shahin Toçit, peripecitë e studimeve në Itali dhe përgjithësisht egzistenca e tij në pjesën e fundit të jetës, kanë qenë një dramë e vërtetë, e cila zhvillohej larg atdheut dhe që përfshinte dinamikën e ngjarjeve të turbullta për Shqipërinë, në vitin 1939. I rreshtuar, edhe për shkak të prejardhjes, në krah të Mbretit Zog, Shahin Toçi do të provonte një dilemë të fortë të brendshme, në ditët kur Italia do të pushtonte vendin tonë dhe kur i gjithë sistemi shqiptar i vlerave tradicionale do të hynte në krizë. Në debatet mes studentëve shqiptarë, veçanërisht të ndezura në ato momente, ai tregohej gjithnjë i kujdesshëm, për të mos i lënë vend intepretimeve të lehta e sipërfaqësore. Ishte i bindur se mes propogandës fashiste dhe në një largësi aq të madhe nga vendi, ngjarjet, faktet dhe e vërteta e pushtimit vinin të shtrembëruara, emotive dhe subjektive.

Megjithatë Shahini qe ndër të parët që hodhën idenë e organizimit të studentëve, për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të luftuar për çlirimin e vendit. “Këta që flasin me fjalë të bukura dhe që e mbajnë veten të qytetëruar, në fakt justifikojnë robërinë e popujve”, shprehej ato ditë Shahin Toçi. “S’ka mbetur rrugë tjetër, veçse të hedhim armët dhe rroben fashiste, e të kthehemi në atdheun tonë. Atje s’ka humbur besa, as burrëria. Atje mund të organizohemi edhe më mirë, për të hedhur tutje robërinë”. Me këto fjalë në gojë, ai debatonte papushim me studentët e tjerë, të cilët i bindeshin pa shumë rezistencë ideve fashiste.

Shahin Toçi do të shihte gjithë dëshpërim momentin kur kurora mbretërore shqiptare do të dorëzohej në Romë nga garda kombëtare, çka do të përjetohej nga ai si një tragjedi e brendshme. Megjithatë, Shahin Toçi diti të qëndrojë si një shqiptar i fortë edhe në ato ditë të vështira, edhe larg vendit të tij.

Më fillim të majit 1939, studentët shqiptarë në Akademinë Ushtarake i mbledhin në një sallë të madhe, për të bërë betimin. Komandanti i Akademisë, si u foli studentëve për lidhjet e reja mes Italisë dhe Shqipërisë, i ftoi ata që të bënin betimin fashist, ku angazhoheshin se do të ishin në shërbim të plotë të Romës. Sipas programit, betimi do të bëhej në një nga sheshet e kryeqytetit italian, në datën 13 maj 1939.

Ditën e betimit, në një ceremoni të blinduar nga trupat italiane, ku merrte pjesë dhe nënsekretari i luftës Pariani, studenti Shahin Toçi u paraqit me një shirit kuq e zi, mbi uniformën ushtarake italiane. Ky simbol krijoi pështjellim të dukshëm tek oficerët e lartë që ishin prezent në ceremoni, të cilët i kërkuan të riut nga Shqipëria të hiqte menjëherë shiritin kuq e zi. Ishte gjeneral Pariani, ai që u habit më shumë nga ky gjest. “Ç’vlerë ka kjo uniformë, mbreti juaj ka rënë”, iu drejtua ai Toçit.

“Edhe mbretërit mund të bien”, u përgjigj Shahin Toçi, “edhe uniformat mund të ndërrohen, por ky shirit mbetet”. Dëshmitarët e atij momenti tensioni thonë se gjenerali italian heshti pas replikës së të riut. Në të kundërt, studentëve shqiptarë iu kërkua që të nesërmen të rreshtoheshin sërish, për të recituar formulën e betimit fashist. Kur oficeri nisi të lexonte me zë të lartë tekstin, ajo që pasoi ishte një heshtje e thellë. U kujtua se studentët nuk kuptonin shqip, por në atë çast Shahin Toçi doli nga rreshti dhe forli me zë të lartë: Zoti gjeneral, ne jemi shqiptarë dhe betohemi vetëm para flamurit tonë kuq e zi!

Është e tepërt të thuhet se ceremonia u prish për herë të dytë. Aq sa të nesërmen, studentëve iu kërkua të paraqiteshin para një komisioni në Ministrinë e Luftës, për të firmosur (dhe jo thënë me zë të lartë), tekstin e betimit ushtarak fashist. Një dorë e kujdesshme e mbajti larg me forcë studentin Shahin Toçi tek dera e hyrjes: E dimë qëndrimin tuaj arrogant, ju nuk pranoheni këtu, iu tha atij në portat e ministrisë së Luftës.
Në këto kushte studenti kurajoz kishte vetëm një ide fikse në kokë; të kthehej sa më parë në Shqipëri.

Por nuk do ta realizonte dot dëshirën e tij. Një dorë e padukshme i mori jetën një natë të fund-majit 1939, në bujtinën ku banonte në rrugën Trastevere. Është pak ta quash një vdekje të dyshimtë, për nga mënyra sesi u konsumua dhe për nga mesazhi frikësues që mban brenda. Gjithsesi, humbja e Shahin Toçit ato ditë të para pas pushtimit fashist, shënon një ngjarje deri dje pak të njohur, e cila na tregon sesa shumëformëshe dhe komplekse ka qenë rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtimit të vendit.

Shahin Toçi është shpallur dëshmor i atdheut në vitin 2004 dhe ka marrë Urdhërin e Flamurit të klasit të parë në vitin 1994.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama