Shqiptaret te fiksuar pas celularit harrojne fiksin

Shqiptaret 'te fiksuar' pas celularit, harrojne fiksin
Plot 4.4 milionë abonentë numërojnë tri kompanitë e telefonisë mobile në vend, shifër kjo që shënon një rritje me 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Analiza e fundit e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për shtatëmujorin e parë të këtij viti nxjerr në pah një sërë tendencash interesantë sa i përket orientimit të popullsisë lidhur me mënyrat e komunikimit. AKEP detajon se operatorët celularë në vend zotërojnë 77 për qind të tregut, kanë zgjeruar gamën e shërbimeve të ofruara, është rritur minutazhi mesatar i komunikimit, por në të kundërt të kësaj ka ecur fitimi i kompanive.

"Vihet re një rritje e të ardhurave për operatorët alternativë dhe atë kryesor të telefonisë fikse dhe një rënie e të ardhurave për operatorët celularë", thuhet në analizën e Autoritetit. Ndërkohë, që sa u përket pajtimeve për telefoninë fikse në raport vihet në dukje një rënie e numrit të tyre. "Në shtatëmujorin e parë 2010 ka një reduktim të numrit të pajtimtarëve në 287 mijë krahasuar me 298 mijë që ishin në fund të vitit 2009", thekson AKEP. Pjesa që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e cilëson si një tendencë gjithmonë e në zgjerim është përdorimi i internetit. Vihet re një rritje e konsiderueshme e pajtimeve për internetin. Në shtatë muajt e parë të këtij viti numri i familjeve që kanë marrë internet shkon rreth 100 mijë nga 80 mijë, që ishte deri në fund të vitit 2009.

AKEP vlerëson se është bërë përpjeke për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të internetit dhe kjo ka dhënë efektet e saj. Tendenca që po shfaqet masivisht është se shqiptarët po bëhen gjithmonë e më shumë "të fiksuar" pas internetit, pasi numri i atyre që e përdorin atë nga telefonia celulare shkon në 1 milion.

7-mujori 2010

• 77% të tregut e mbulojnë operatorët celularë
• 92 % e thirrjeve nga celularët brenda grupit
• 110 mijë është numri i pajtimtarëve të internetit
• 950-170 mesatarja e minutave të komunikimit në celular në muaj

4.4 milione

Abonentë numërojnë tri kompanitë e telefonisë celulare në vend, në fund të 7-mujorit 2010. Kjo shifër ka ardhur në rritje me 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama