Shqiptaret qe administrojne qytetin e sulltaneve

Shqiptaret qe administrojne qytetin e sulltaneve

Udhëtojmë drejt Turqisë. Sapo mbërrijmë në Bursa, një qytet shumë i madh pranë Stambollit, qyteti i sulltanëve të Perandorisë Osmane, kuptojmë që na presin shqiptarë. Këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Bursës, Emir Bej, siç e thërrisnin të gjithë na rrëfen se edhe kryetari i këtij qyteti është shqiptar. Edhe në mbrëmje do të na presin shqiptarë. Sepse në Bursa ka shumë shqiptarë. Një lagje e tërë, përpos katër milion banorëve të këtij qyteti ishte me shqiptarë. Na quanin arnautë, por për ta nuk dukeshim të huaj. Sepse mirëpritjen, ngrohtësinë, traditën dhe kulturën shqiptare e ruajnë me xhelozi të madhe.

Traditën e shqiptarëve e gjetëm edhe te shqiptarët e Turqisë, sidomos te shqiptarët e Bursës, një krenari e këndshme që thonë me gojën plot “kemi prejardhje shqiptare”. Një pritje si shqiptarët Na priti në aeroport Emir Bej, të cilit i shkonte shumë emri që kishte. Deri në fund të qëndrimit tonë në Bursa ai ka qenë prezent kudo, për të qenë guida jonë, guida e gazetarëve që kishin mbërritur aty për të kuptuar më shumë për binjakëzimin e dy qyteteve, atë të Tiranës dhe Bursës. Ai ishte një nga ata shqiptarët që e njihnin të gjithë të tjerët, me kostumin, apo pa kostumin zyrtar.

Festonin shqip

Që në ditën e parë të qëndrimit tonë në Bursa, rreth 700 mijë shqiptarë që jetonin aty ishin informuar për ardhjen tonë. Disa prej tyre, pjesë e një shoqate që ruante dhe kultivonte traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare, na pritën në mbrëmje me këngë, valle, muzikë dhe përshëndetje në shqip. Ishin mbledhur të gjithë për të na uruar mirëseardhjen në shqip. U çuditëm, kur edhe fëmijë të vegjël, që ndoshta kurrë nuk kishin qenë në trojet e tyre, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, dinin të kërcenin aq bukur vallet dhe këngët popullore shqiptare. Vallja popullore e kostumi shqiptar ishte aty jo vetëm tek të rriturit, por edhe te fëmijët e tyre që kishin mësuar se të parët e tyre vinin nga trojet e Skënderbeut.

Një ansambël ku gjithë Shqiptaria bëhej një

Vetë Emir Bej u ngrit të kërcente ca këngë, ashtu si nga anët e tij, duke u bashkuar me shqiptarët e tij. Ishte gati të vishte edhe kostumin popullor, por u mjaftua duke hequr xhaketën që t’i kërcente vallet njëlloj si valltar. Një ansambël i tillë që mblidhte bashkë Napolonin, vallen e Osman Takës, vallen e Kukësit, vallet shkupjane dhe ato të Kosovës, vështirë se do ta gjeje edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, sepse ata nuk bënin dallim se prej nga vinin. Ata ishin të gjithë shqiptarë dhe kishin kostume popullore të jashtëzakonshme.

Gjuha shqipe

Në pesë ditë qëndrimi në Bursa thuajse të gjithë na folën shqip. Edhe shitësja, edhe taksisti, edhe pronari i një lokali në qendër të Bursës, sapo merrnin vesh që ne ishim mysafirë nga Shqipëria, na flisnin shqip. Edhe shitësja e një butiku në qendrën tregtare të sheshit Zafer, dinte shqip, edhe pse vetë nuk ishte arnaute. Ishte martuar me arnaut dhe fëmijët e saj që mësonin shqip nga i ati, e kishin bërë të fliste shqip. Ditën tjetër, një e moshuar që sapo hyri në tramvaj e njohu gjuhën tonë teksa flisnim me njëritjetrin. Nuk na tha asgjë, por kur njëra prej gazetareve u ngrit në mënyrë që të ulej e moshuara, kjo e fundit tha me gjuhën shqipe gjysmë të harruar: “Faleminderit”.

Gjatë udhëtimit na tregoi se kishte lindur aty, në Turqi, por prindërit ia kishin mësuar shqipen, që tashmë mezi e fliste, sepse kujtesa bënte të vetëm me kalimin e viteve. Ishte kryesisht një gegërishte e vjetër, e pastër, pa sllavizma dhe e ruajtur me fanatizmin të madh. Kjo gjuhë e vjetër që ruhej prej më se një shekulli hasej në shumë familje shqiptare që jetonin e punonin aty. Kanë kaluar vite, dekada, po edhe shekuj që e kanë lënë atdheun e të parëve, jetojnë me mijëra kilometra larg, por gjuhën shqipe nuk e kanë harruar. Dhe kjo na çuditi shumë. 

Më shumë se 800 mijë shqiptarë jetojnë në Bursa  Numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë më shumë 6 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shifër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve që janë strehuar në shtetin turk zë vendin e parë të emigracionit shqiptar. Dhe llogaria nis që nga fundi i pushtimit osman, kur ishin të shumta familjet që jetonin në Turqi, për të vazhduar më pas me shpërnguljet masivet të shqiptarëve nga serbët. Nga Kosova drejt Turqisë serbët dëbuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Pjesa më e madhe janë vendosur në Stamboll, Bursë, Izmir, Tokat, Ankara, Sakarja dhe Samsun. Vetëm në Bursa dhe rrethinat e saj llogaritet se gjenden më shumë se 800 mijë shqiptarë.

Pjaca e quajtur Zafer, njihej si lagjja e shqiptarëve. Gjendej në qendër të qytetit, ashtu sikurse edhe shumë dyqane apo lokale të cilat administroheshin nga shqiptarë të lindur aty, apo të ardhur më vonë. Po ashtu edhe shoqata e biznesmenëve në Bursa ka në përbërje të saj 70 për qind shqiptarë. Që në takimin e parë me kryebashkiakun, Rexhep Alltepe apo administruesin e qytetit, siç e quanin ata biseduam pë mundësinë e përfitimeve që Tirana mund të ketë nga bashëpunimi me Bursën. Të gjithë të pranishmit, biznesmenët dhe kryetari, u treguan të gatshëm pë të investuar në Tiranë, duke filluar që nga tramvaji, i cili ishte një prodhim i Bursës, e deri tek shkollat shqipe që së shpejti priteshin të hapeshin në Bursa për shkak të kërkesave që ka pasur.

Kur Alltepe na tha se administronte një qytet me afro 4 milion banorë. Disa pëshpërisnin duke pranuar se katër milionë banorë nuk janë pak, por sa e gjithë popullsia e Shqipërisë. Dhe po të mblidhje numrin e shqiptarëve në të gjithë Turqinë mund të lindte edhe ndonjë anektodë tjetër si ajo që dëgjuan në ambientet e redaksie mediatike. Thuhej se, në një takim zyrtar, një kryeministër turk në mes të viteve ‘90 bën shaka me njërin nga udhëheqësit shqiptar që kishte shkuar në Turqi duke i thënë: “Unë drejtoj më shumë shqiptarë sesa ju”. 

Arkitektura, një vend plot xhami 

Bursa ishte kryeqyteti i parë në fillim të vitit 1200 dhe në fund të vitit 1300 të Perandorisë Osmane. Në këtë prizëm kryeqyteti i dikurshëm i Perandorisë Osmane filloi të zhvillohej shumë nga ana arkitetkturës. Sarajet dhe banesat e sulltanëve dhe pasardhësve të tyre gjenden akoma aty dhe janë monumente të mbrojtura. Për shkak të të qenit kryeqyteti i parë osmane, Bursa është shumë e pasur edhe me monumente fetare, afro 1.575 xhami, varre, tyrbes, banja etj. Një nga vendet më të bukura në Bursa është Xhamia Yesil (Green Xhamia), me portë prej mermeri të gdhendur. 

Konsumi 

Gatimi ishte thuajse njëlloj si tek shqiptarët, kjo edhe pasi trojet tona kanë qenë nën tutelën e tyre për gati pesë shekuj. Balkllavaja, kadaifi, mishi, peshku, thuajse të gjitha gatuheshin njëlloj. Gështenjat e ëmbëlsuara janë një specialitet dhe kanë një shije të paharrueshme. Pjeshkët e Bursës janë unike. Në këtë vend, nuk konsumohej thuajse fare alkool.Por nëse dëshironi diçka për të blerë, Bursa është një qendër e tregtisë dhe prodhimit të mëndafshit. 

Iskënderi i Madh 

Heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, shqiptarët e Turqisë dhe vetë turqit e quanin Iskënderin e Madh. Ashtu sikurse të gjithë ata që iu kundërvunë sulltanit, bashkë me jeniçerët, ashtu konsiderohej edhe figura e heroit tonë. Turqit nuk e komentonin figurën e tij me një krenari të madhe. Ata komentonin për të vetëm pjesën e parë të jetës së tij. Ata thonin se Skënderbeun e kishin rritur ata. Ndërsa shqiptarët me plot gojën rrëfenin se ai kishte luftuar për vatanin. Ishte një rrëfim ndryshe, një lloj krenarie që justifikonte çdo veprim apo zgjedhje të heroit tonë të madh. 

Sami Frashëri 

Sami Bej Frashëri, i cili ka lindur në Frashër të Shqipërisë dhe ka vdekur në Stamboll, konsiderohej si një nga figurat e tjera arnauto-turke. Ai ishte rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, sipas tyre. Në literaturën e huaj, Sami Frashëri është njohur me emrin Shemseddin Sami. Dhe kështu njihej edhe në Turqi. Madje, ata që e njihnin më së miri, pra shqiptarët e dinin që ishte shqiptar dhe e pranonin. Turqit nga ana tjetër mendonin se ai ishte shkrimtar turk. E fakti që ai shkroi në të dyja gjuhët na bën t’i pranojmë të dyja versionet, njëlloj sikurse edhe për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama