Shqiptaret dhe kryengritja clirimtare greke

Me shembjen e Pashallëkut të Janinës u duk sikur politika e reformave centralizuese u kufizua me asgjësimin e shtëpisë së fuqishme feudale të tepelenasve. Duke i dhënë Omer pashë Vrionit gradën e vezirit dhe qeverisjen e sanxhakëve të Janinës, të Delvinës dhe të Vlorës, Porta e Lartë synonte të provonte se po e vinte përsëri qeverisjen e Shqipërisë Jugore në duart e feudalëve vendas. Por kjo qe një dukuri e përkohshme, sepse sulltani pasi ia arriti qëllimit të tij të parë me asgjësimin e pushtetit krahinor të Ali Pashës, nuk hoqi dorë nga synimi i tij kryesor për të rrënjosur, jo vetëm në Shqipërinë Jugore, por në të gjithë Shqipërinë, sundimin e vet të tërëfuqishëm. Për këtë dëshmoi edhe fakti që nga fundi i vitit 1822 sulltani i hoqi Mustafa pashë Bushatlliut sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit.
Nevoja për të përdorur të gjithë potencialin ushtarak të Shqipërisë Jugore për të shtypur kryengritjen greke ishte shkaku që detyroi Mahmudin II të sillte në pushtet Omer pashë Vrionin dhe të mbante përkohësisht premtimet për të mos cenuar privilegjet e feudalëve toskë. Porta e Lartë kërkonte të grumbullonte rreth 40 000 ushtarë shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria Jugore, që do të viheshin nën komandën e përgjithshme të Hurshid Pashës kundër kryengritjes nacionalçlirimtare greke. Për këtë, qysh në muajin mars 1822, u shpall në të gjithë Shqipërinë fermani për mobilizimin e një burri për shtëpi.
Mirëpo ky mobilizim ndeshi në dy pengesa të mëdha: së pari, popullsia e sanxhakëve të Shqipërisë Jugore ishte dëmtuar rëndë nga fatkeqësitë që i kishin rënë mbi shpatulla gjatë pushtimit osman. Si rrjedhim, e mërzitur nga lufta popullsia nuk donte të jepte ushtarë. Përveç kësaj, pa i vënë rëndësi të posaçme fesë, shqiptarët toskë, shumica e të cilëve ishin myslimanë, dëshironin të mbanin marrëdhënie miqësore me grekët, me vllahët etj., me të cilët i afronte bashkëjetesa paqësore shumëshekullore, njohja e ndërsjelltë dhe bashkëpunimi si fqinjë, si dhe mjaft zakone që i kishin të ngjashme e të përbashkëta, si popuj fqinjë e si ballkanas. Së dyti, bejlerët shqiptarë, të dëshpëruar nga humbja e pushtetit pas vrasjes së Ali Pashës (të cilin e varrosën me nderime të mëdha), nuk ia vunë veshin thirrjes për mobilizim, megjithëse Hurshid Pasha nuk ngurroi të ofronte paga të larta për çdo ushtar.
Ky qëndrim bëri që planet luftarake të Hurshid Pashës për të shtypur kryengritjen greke ende të dobët, të dështonin njëri pas tjetrit; edhe ata ushtarë shqiptarë, që detyroheshin të shkonin për të shërbyer, shpesh herë hynin në grindje me ushtarët e komandantët osmanë, duke hapur atë plagë të madhe që karakterizoi ushtritë osmane gjatë viteve të kryengritjes greke, dezertimin në masë. Si rrjedhim i qëndrimit të ftohtë e mospërfillës që shqiptarët shfaqën qysh në vitin 1822, Stambollit iu deshën të paktën 6 muaj që të grumbullonte një ushtri për fushatën ndëshkimore kundër kryengritjes greke. Por edhe kjo ushtri ishte shumë më e vogël nga sa pritej. Kjo vonesë në mobilizimin e ushtrisë ishte një ndihmë për kryengritjen greke, sepse u dha mundësi e kohë krerëve të saj të grumbullonin forca të mjaftueshme, madje të arrinin edhe epërsi numerike ndaj ushtrive osmane. Por kjo epërsi nuk solli rezultatet që priteshin, sepse midis udhëheqësve grekë filloi grindja, ndërsa synimet shoviniste të krerëve fanariotë ndaj Shqipërisë Jugore e paralizuan ndihmën e atyre forcave shqiptare, të cilat u bashkuan atëherë me suliotët dhe bënë që të dështonte plani i nënshtrimit të malësisë së Sulit nga divizioni osman, i komanduar nga Mehmet Reshit Pasha.
Këto ngjarje i dhanë dorë Hurshid Pashës që të vinte theksin te rreziku grek për Shqipërinë, të shpallte faljen e dezertorëve dhe të grumbullonte forca të mjaftueshme për të ndërmarrë ekspeditën ndëshkimore të vitit 1822. Në muajin shtator, ushtria e komanduar prej tij mundi të depërtonte në More ku ishte vatra e kryengritjes greke, kurse ai vetë me një ushtri tjetër, arriti suksesin e parë kundër mbrojtësve të Termopileve. Kjo i dha shpresë se do të mund të nënshtronte Morenë, ku gjendej e robëruar edhe familja e tij. Ky rrezik i detyroi krerët grekë të hidhnin prapa krahëve grindjen dhe t’u kushtoheshin luftimeve. Ata korrën suksese, sidomos duke bllokuar ushtritë osmane në More. Por një rol të dorës së parë luajtën edhe shqiptarët. Një pjesë e tyre, u morën vesh me kapedanët grekë për t’u hapur rrugën dhe dezertuan, ndërsa pjesa tjetër, që kishte mbetur në garnizonet e kështjellave të Moresë si dhe në ushtrinë e komanduar nga vetë Hurshid Pasha, u rebelua për shkak të pagave të prapambetura dhe paralizoi gjithçka. Kështu kryengritësit grekë mundën të ndërprisnin lidhjet midis kryekomandantit në Larisa dhe Omer pashë Vrionit e Mehmet Reshid pashës në Prevezë e në Artë, dhe e bënë të pamundur hyrjen e tyre në Akarnani. Mirëpo ky sukses nuk dha fryt, sepse kapedan Varuskioti tradhtoi e kaloi në anën e dy pashallarëve. Tradhtia e tij bëri të mundur sulmin e forcave të Omer Pashës e të Mehmet Reshid pashës drejt Akarnanisë e sidomos drejt qytetit të Misolongjit.
Më 3 nëntor 1822 artileria osmane filloi të godiste forcat greke të mbyllura në Misolongji. Por osmanët nuk ndërmorën atëherë sulmin e përgjithshëm, i cili filloi vetëm më 6 janar 1823. Ndërkaq të rrethuarve u erdhën ndihma nga deti, me të cilat u përgatitën për të përballuar sulmin e 6 janarit. Sulmi i përgjithshëm dështoi dhe pas një jave, më 12 janar filloi tërheqja. Gjatë largimit Mehmet Reshid pasha ndërmori një fushatë terrori duke grabitur fshatrat përgjatë rrugës. Por edhe grekët masakruan gjithë myslimanët që u ranë në dorë. Shqiptarët, të mërzitur nga këto veprime, dezertuan në masë dhe u morën vesh me kapedanët grekë që u hapën rrugët. Kështu nga 12 000 ushtarë që u nisën nga Preveza, mbetën në ushtri vetëm 1 500.
Përgjegjësia e dështimit të ekspeditës iu ngarkua Hurshid Pashës, i cili u dënua me vdekje me helmim. Sulltani e ruajti Omer pashë Vrionin me shpresë se ai do të mund të grumbullonte forca të reja. Këto ngjarje treguan se përkrahja e kryengritjes greke nga shqiptarët qe një faktor i rëndësishëm në dështimin e ekspeditës së vitit 1822 kundër kryengritjes greke, që në atë kohë ishte ende e dobët.
Pa përfunduar mirë ekspeditën e parë, Porta vendosi të organizonte një të dytë, por këtë herë duke shpresuar në mobilizimin në masë të shqiptarëve me ndihmën e krerëve të tyre feudalë. Kjo detyrë iu ngarkua së pari Omer pashë Vrionit.
Ky vezir u bëri thirrje shqiptarëve që në “emër të fesë dhe të sulltanit” të hynin me forcat e tyre në radhët e ushtrisë osmane për të nënshtruar Akarnaninë. Mirëpo krerët shqiptarë të mbledhur në kuvend vendosën të mos dërgonin forcat e tyre jashtë sanxhakëve shqiptarë dhe të rrëmbenin armët vetëm po qe se trojet e tyre do të sulmoheshin prej grekëve. Në fakt synime të tilla shoviniste ndaj trojeve shqiptare u shfaqën atëherë në udhëheqjen greke, të kryesuar nga princi Dh. Ipsilanti. Përveç kësaj në sanxhakun e Vlorës ziente lufta për pushtet midis shtëpisë së madhe feudale të Vlorajve, të kryesuar nga Ismail Beu, që kërkonte marrjen e pushtetit nga Sulejman Pasha, të birit të vezir Ibrahim Pashës, dhe shtëpisë së Vrionasve, partizanët e së cilës pretendonin që pushteti i sanxhakut të vihej në duart e Hasan Beut, vëllait të vezirit të tre sanxhakëve. Në janar 1823, para se të mbërrinte në Berat thirrja e Omer Pashës, Hasan Beun e dëbuan nga qyteti. Kjo tregoi se bejlerët shqiptarë nuk e përfillën autoritetin e vezirit dhe se mobilizimi nuk do të kishte sukses.
Meqenëse thirrja e Omer Pashës nuk dha rezultatet e pritura, sulltan Mahmudi II kërkoi nga krerët shqiptarë të paraqiteshin me forcat e tyre në Larisë, ku do të grumbullohej ushtria perandorake. Fermani iu drejtua Iljaz Podës, Ismail bej Vlorës, Shahin bej Delvinës, Haxhi Ismail Pronjës, Tahir e Mehmet Çaparit dhe Abdyl bej Kokës. Në mars të vitit 1823 sulltani, pasi ia kishte kthyer përsëri sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit vezir Mustafa pashë Bushatlliut, e urdhëroi edhe këtë të nisej me forcat e Gegërisë për të nënshtruar Akarnaninë. Me përjashtim të Iljaz Podës, që kishte dalë fitimtar në grindjen me Taho Podën, ungjin e vet, dhe që druhej nga ndëshkimi i Omer Pashës, deri në muajin maj asnjë feudal toskë, lab apo çam, nuk shkoi në Larisë. Disa prej tyre, duke përfituar nga fakti se Portës së Lartë i mungonin të hollat, vunë si kusht për pjesëmarrjen në ushtri akordimin e një paradhënieje për disa muaj dhe të një page mujore prej 100 piastrash për çdo ushtar. Sidoqoftë pas Iljaz Podës u paraqitën në Larisë disa bejlerë të tjerë toskë e gegë, por edhe pas kësaj në radhët e reparteve të ushtrisë që u grumbulluan në Larisë ndodhi diçka e paparë. Ushtarët, meqë nuk u paguan rrogat, ngritën krye, rrahën komandantët e tyre, kurse kryekomandanti Ahmet Pasha mezi shpëtoi kokën duke dalë nga dritarja prapa shtëpisë.
Pas përfundimit të paqes me Persinë, Porta e Lartë në mesin e vitit 1823 arriti të gjente fonde dhe të dërgonte edhe ushtarë turq. Kështu ajo formoi ushtrinë e vet në Larisë, që do të hynte në veprim menjëherë pas Bajramit. Por edhe në gjirin e saj, përveç mungesës së disiplinës, u shtua edhe urrejtja e ndërsjelltë midis shqiptarëve dhe turqve që shiheshin si të huaj e armiq.
Kur ushtria osmane e grumbulluar në Larisë, por përgatitej të fillonte veprimet luftarake, u nis nga Shkodra për në Akarnani edhe ushtria e vezirit të Shkodrës. Ndërkohë, në Prevezë u formua prej Jusuf Pashës së Patrasit edhe një ushtri tjetër mercenare prej 6 000 vetash, e cila pasi të bashkohej me atë të Mustafa pashë Bushatlliut, do të sulmonte Akarnaninë. Hyrjen e këtyre dy ushtrive në Akarnani ishin ngarkuar ta ndalnin kapedanët kryengritës grekë, që ishin caktuar të mbronin krahinën. Në të vërtetë, atë e ndalën shqiptarët e rekrutuar nën komandën e Jusuf Pashës. Pasi u morën vesh me kapedanët grekë, ata dezertuan në masë dhe u ndanë në dy pjesë nga 3 000 veta secila. Kështu kjo ushtri u shkri dhe komandanti i saj, i mbetur vetëm, u detyrua të hipte në një barkë e të strehohej në një anije të flotës osmane që të shpëtonte kokën dhe të mos binte në duart e grekëve. Ky dezertim, i paparë ndonjëherë, siç shkruante konsulli francez në Korfuz, dë Shantal, vërtetoi plotësisht “se shqiptarët myslimanë nuk deshën të luftonin kundër grekëve”. Kështu, shqiptarët ndihmuan edhe një herë kryengritjen greke.
Pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, forcat e kapedanëve grekë shkuan nga Akarnania në rrethin e Agrafës që të pengonin marshimin e forcave të vezirit të Shkodrës për në Akarnani. Por këto orvatje të kapedanëve grekë dështuan. Ushtria e vezirit shkodran, e cila me qëllim të paramenduar nuk u nxitua të arrinte në Akarnani dhe nuk përdori dhunën gjatë rrugës së vet derisa u sulmua në Karpenisi, mbërriti përpara Misolongjit pa ndonjë pengesë tjetër. Me këtë ushtri u bashkua edhe një forcë prej 3-4 mijë vetash që solli aty Omer pashë Vrioni. Por, këto reparte shqiptare të prirura për të mos luftuar kundër kryengritësve grekë, vazhduan të mbanin qëndrim pasiv, ashtu si edhe ushtria shkodrane dhe, pasi u plotësua afati gjashtëmujor i pajtimit të ushtarëve me pagë, filluan të tërhiqeshin dhe të ktheheshin në vendlindje. “Heqja e rrethimit të Misolongjit, - shkruante konsulli dë Shantal - nga pashai i Shkodrës së Shqipërisë, nuk është aspak rezultat i ndonjë luftimi ushtarak të grekëve. Kjo ngjarje është vetëm fryt i tërheqjes së trupave të pashait në fjalë, të cilat ... vendosën të kthehen secila në shtëpi të vet”.
Qëndrimi i forcave shqiptare që u endën rrugëve ose që nuk ndërmorën thuajse asnjë veprim serioz luftarak si gjatë marshimit, ashtu dhe gjatë “rrethimit” të Misolongjit, minoi ekspeditën e vitit 1823.
Me dështim të plotë përfundoi edhe ekspedita e vitit 1824 kundër kryengritjes greke që iu ngarkua Dervish pashë Pejës, i cili sulmoi nga ana e Larisës, dhe Omer pashë Vrionit që u hodh në anën e Akarnanisë. Ajo dështoi në radhë të parë, ngaqë Mustafa pashë Bushatlliu dhe krerët kryesorë të Shqipërisë Jugore kundërshtuan të merrnin pjesë në të. Përveç kësaj, masakrimi i 300 shqiptarëve nga komanda osmane në Eube (Negropont), shkaktoi dezertimin e më shumë se 300 luftëtarëve shqiptarë të grumbulluar nga veziri Vrionas. Pas kësaj hemorragjie, ky vezir nuk paraqiste më ndonjë rrezik për forcat greke. Duke u përqendruar kundër Dervish Pashës, ato e thyen edhe atë. Kështu, për shkak të qëndrimit dashamirës të shqiptarëve ndaj kryengritjes greke, përfundoi me dështim edhe kjo fushatë ndëshkimore osmane.
Qëndrimi i shqiptarëve, që me të drejtë u konsiderua si shkaku kryesor, i cili bëri që “ushtritë e Rumelisë nuk kryen asnjë shërbim të frytshëm”, u kthye në një “problem shqiptar”, të cilin Porta e Lartë e shtroi për zgjidhje. Stambolli vendosi atëherë që Omer pashë Vrioni të hiqej si i paaftë nga posti që mbante në Shqipërinë Jugore dhe të transferohej në sanxhakun e Selanikut; qeverisja e sanxhakut të Vlorës ku kishte ndikim më të fortë shtëpia e vjetër e Vlorajve, t’i jepej Sulejman pashë Vlorës, kurse derbendët t’i jepeshin Iljaz bej Pashës. Sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës si dhe posti i valiut të Rumelisë e kryekomanda e ekspeditave kundër Greqisë, t’i jepeshin Mehmet Reshid pashës.
Me këto masa, që përbënin hapin e parë drejt rivendosjes së funksionarëve osmanë në Shqipërinë Jugore, u pajtuan shumica e krerëve të Shqipërisë. Kështu, Mehmed Reshid pasha, ngriti një ushtri prej 15 000 vetash, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Por, kur kjo ushtri hyri në Akarnani dhe rrethoi Misolongjin, shqiptarët u trajtuan keq prej kryekomandantit osman. Në këto rrethana ata filluan përsëri të dezertonin dhe kundërshtuan të merrnin pjesë në sulmin e përgjithshëm që u ndërmor në shtator 1824. Atëherë Mehmet Reshid pasha, të cilit sulltani i kishte kërkuar ose Misolongjin ose kokën, dërgoi Haxhi bej Gegën, Veli bej Jaçen dhe Banush aga Sevranin të merreshin vesh me kapedanët suliotë për t’i bindur që të dorëzonin qytetin me të mirë, sa pa ardhur i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, i cili kishte zbarkuar në More. Mirëpo, në vend që t’u mbushnin mendjen mbrojtësve të Misolongjit për të dorëzuar qytetin, anëtarët e delegacionit u thanë kapedanëve suliotë të vazhdonin të qëndronin, pasi ashtu si Mehmet Reshid pasha, do të dështonte edhe Ibrahim pasha i Egjiptit. Atëherë kryekomandanti osman urdhëroi arrestimin e Haxhi bej Gegës. Me këtë masë e acaroi gjendjen dhe shpejtoi dezertimin. Ushtarët gegë u rebeluan, nxorën nga burgu komandantin e tyre dhe u larguan. Kështu bënë edhe të tjerët e sidomos Sulejman pashë Vlora, i cili mësoi se ndërkohë ishte shkarkuar nga qeverisja e sanxhakut, i cili i ishte dhënë Ismail pashë Plasës.
I mbetur me një ushtri të pakët në numër, Mehmet Reshid pasha e hoqi rrethimin e Misolongjit, u tërhoq në pozita të tjera dhe e njoftoi Mahmudin II për disfatën e ekspeditës, dhe se kishte vendosur të dimëronte aty dhe do të priste përforcime nga qendra.
Masat që u morën për likuidimin e “çështjes shqiptare” nuk dhanë rezultat. Feudalët shqiptarë, siç kishte thënë Sulejman pashë Vlora në komisionin që shqyrtoi këtë çështje vitin e kaluar, kërkonin ta qeverisnin vetë vendin e tyre si në kohën e Ali pashë Tepelenës. Veprimet e Stambollit u treguan atyre se sjellja në fuqi e Mehmet Reshid pashës në sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës ishte një hap i madh kundër vetëqeverisjes së vendit nga shqiptarët. Por kjo u duk më qartë kur në qershor të vitit 1826 filloi reforma ushtarake, me asgjësimin e korpusit të jeniçerëve.
Porta e Lartë mbajti një qëndrim të veçantë ndaj shqiptarëve, të cilët treguan se ishin kundër sistemit të ri ushtarak të quajtur nizami xhedid (nizam-i cedid). Ajo e ndaloi Mehmet Reshid pashën të përdorte dhunën për të zbatuar reformën ushtarake në Shqipëri dhe urdhëroi ta shtynte atë për më vonë. Sulltani theksonte atëherë se “më parë duhej zgjidhur problemi grek, prandaj detyra kryesore ishte të nxirreshin sa më shumë trupa shqiptare për t’i hedhur në Greqi”. Pas pushtimit e shkatërrimit në prill 1826 të qytetit të Misolongjit nga trupat egjiptiane-osmane, Stambolli shtroi si synim të nënshtronte pjesën tjetër të Greqisë e në radhë të parë kështjellën e Akropolit të Athinës, për të hapur rrugën drejt Moresë. Në këto rrethana Mehmet Reshit pasha e ndryshoi qëndrimin ndaj feudalëve shqiptarë e sidomos ndaj Iljaz Podës, komandantit të derbendëve, të cilit filloi t’i paguante rregullisht rrogat e ushtarëve. Përveç kësaj, Porta e Lartë emëroi si myteselim të sanxhakut të Janinës Ismail bej Tepelenën, nipin e Ali Pashës. Qëllimi ishte që t’u krijohej përshtypje shqiptarëve se synimet e tyre për vetëqeverisjen e Shqipërisë Jugore po realizoheshin. Këtë bindje pati formuar edhe Iljaz Poda, i cili e festoi me gëzim të madh lajmin e emërimit të Ismail bej Tepelenës në Janinë.
Luftimet për pushtimin e kështjellës së Akropolit, që filluan në muajin gusht 1826, përfunduan në qershorin e vitit 1827. Nën komandën e gjeneralit anglez Kurç, mbrojtësit e jashtëm të kështjellës luftuan pa zell, bënë gabime të rënda dhe humbën betejën e 6 majit me dëme të shumta. Ndërkaq edhe ushtria e Mehmet Reshid pashës nga 18 000 ushtarë që kishte në fillim, tani ishte katandisur me 8 000 veta, për shkak të dezertimeve të shqiptarëve. Në pamundësi të vazhdonte mbrojtjen, garnizoni grek i kështjellës kapitulloi dhe ia dorëzoi atë Mehmet Reshid pashës.
Pas kësaj fitoreje ky ngriti zërin kundër silahdar Iljaz Podës, të cilin e akuzoi se nuk kishte zbrazur asnjë pushkë kundër kryengritësve grekë, madje, i kishte ndihmuar ata fshehurazi. Ai nuk i kishte shkuar në ndihmë as Ismail bej Tepelenës kur ky ishte rrethuar në Salona, dhe as Musa bej Qafëzezit në Rahovë të Livadhisë ku edhe u vra. Iljaz Poda kishte liruar pengjet e zonave të Agrafës e të Patërxhikut.
Krerët shqiptarë iu vunë punës për të diskredituar e hequr Mehmet Reshid pashën nga pushteti i Shqipërisë Jugore dhe për ta detyruar sulltanin që t’u linte atyre vetëqeverisjen e vendit. Këto veprime lehtësuan kryengritësit grekë. Qëndrimi i krerëve shqiptarë dhe dezertimet e ushtarëve e penguan kryekomandantin anadollak të vazhdonte marshimin për në More. Meqë i mbetën pak forca, ai ra moralisht deri në atë shkallë sa kërkoi dorëheqjen nga postet e tij.
Për të kapërcyer këtë gjendje të vështirë që u krijua në Shqipërinë e Jugut, Porta e Lartë i propozoi sulltanit, që Iljaz Poda të gradohej pashë dhe t’i jepej qeverisja e sanxhakut të Tërhallës, ndërsa Omer pashë Vrionit t’i jepej qeverisja e tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, por me kusht që të dy të siguronin bashkimin e feudalëve të tre sanxhakëve shqiptarë rreth tyre për të sulmuar Greqinë dhe të zbatonin reformën ushtarake. Silahdar Iljaz Poda, si çdo feudal tjetër shqiptar, autoriteti i të cilit mbështetej në radhë të parë në forcat ushtarake me rrogë, nuk e pranoi detyrën e re. Ai propozoi që sanxhaku i Tërhallës t’i jepej Omer pashë Vrionit, kurse ai vetë do të shërbente nën urdhrat e tij. Nga ana tjetër, ai e njoftoi Portën e Lartë, me anë të përfaqësuesit të vet që dërgoi në Stamboll, se feudalët shqiptarë nuk mund të bashkoheshin për të shkuar kundër grekëve. Këtë nuk mund ta bënin jo vetëm pse ishin kundër zbatimit të reformës ushtarake, por edhe sepse ky bashkim konsiderohej thuajse i pamundur në kohën kur Fuqitë e Mëdha, me protokollin e 4 prillit 1827, kishin vendosur të përkrahnin çështjen greke. Ai i bëri të qartë Portës së Lartë se në këto kushte nuk duhej të shpresonte në pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën kundër Greqisë.
Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha evropiane që kishin kërkuar pezullimin e veprimeve luftarake të Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Moresë dhe Hidrës, më 19 tetor 1827 shkatërruan flotën osmane në gjirin e Navarinit.
Porta e Lartë refuzoi kushtet e Fuqive të Mëdha për të njohur pavarësinë e popullit grek, dhe, duke shpresuar se do të gjente përkrahje nga shtetasit e vet myslimanë, nga kleri dhe feudalët, filloi përgatitjet për të kundërvepruar. Për të tërhequr feudalët shqiptarë, sulltani emëroi Omer pashë Vrionin në krye të sanxhakut të Tërhallës, mirëpo qeverisjen e Shqipërisë Jugore, duke përfshirë edhe sanxhakun e Vlorës, ia la përsëri Mehmet Reshid pashës. Ky vazhdoi të ngulte këmbë që Shqipëria Jugore të mos binte në duart e feudalëve vendas. Pas kësaj, shumica e krerëve shqiptarë nuk u bashkua me Portën. Pakënaqësinë e tyre ata e shfaqën hapur, veçanërisht gjatë luftës ruso-turke që u shpall më 14 mars 1828.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama