Shqiperia njezet vjet pas renies se komunizmit

Shqiperia njezet vjet pas renies se komunizmit
Reflektime për shtetin dhe demokracinë. Pjesa e fundit e studimit të ISN, që shtjellohet nga ideatori i saj, merret me çështjen diplomatike shqiptare. Si i konceptojnë qytetarët shqiptarë për sa i përket Sigurisë Kombëtare fqinjët e tyre dhe çështjen e të ardhmes së shtetit të ri kosovar Politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nuk ka dyshim se një ndër arritjet më të mëdha të njëzet vjetëve të tranzicionit shqiptar është politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë paskomuniste. Brenda dy dekadash ish-vendi më i izoluar në planet është shndërruar në një partner të besueshëm të Perëndimit dhe përgjithësisht të botës euroatlantike, ndërsa në nivelin rajonal Shqipëria është aktualisht një faktor stabilizues, i rëndësishëm dhe i paneglizhueshëm.

Roli i politikës së jashtme dhe suksesi në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë nuk duhet parë si një qëllim në vetvete, por realisht. I gjithë tranzicioni politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë u mbështet gjerësisht në daljen nga izolimi dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Anëtarësimi në NATO shënon një pikë kulmore në objektivat e politikës së jashtme, ndërsa vijojnë përpjekjet për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, integrim që ka shërbyer dhe vijon të shërbeje si një forcë shtytëse e procesit të ndërtimit të shtetit.

Ndërsa është e kuptueshme se për një vend të vogël si Shqipëria kontributet në politikat ndërkombëtare nuk mund të jenë veçse modeste, roli dhe kontributi në nivelin rajonal ka qenë dhe vijon të jetë me rëndësi të madhe. Në këtë kontekst, ashtu siç nënvizon Gabriel Partosh, një arritje e madhe është zëvendësimi i armiqësisë së mëparshme ndaj vendeve fqinje me marrëdhëniet e mira e shpesh miqësore.

Në rrafshin e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, studimi i ISN-së u përqendrua në dy çështje themelore, të rëndësishme, por edhe të pa vrojtuara më parë: perceptimi i shoqërisë shqiptare për marrëdhëniet me fqinjët dhe brenda marrëdhënieve me fqinjët mendimet dhe perceptimet lidhur me politikën dhe marrëdhëniet me Kosovën. Përqendrimi i studimit në këto dy çështje është mjaft i rëndësishëm të paktën për dy faktorë: së pari, për të parë nëse politika e jashtme zyrtare e Shqipërisë harmonizohet me perceptimin dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët për marrëdhëniet me fqinjët e tyre, kur harta politike e Ballkanit ka ndryshuar pas pavarësisë së Kosovës dhe së dyti, observimin e perceptimeve dhe pritshmërive të shoqërisë shqiptare për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve kundrejt idesë së ekzistencës apo jo të një projekti të ashtuquajtur projekti për Shqipërinë e Madhe.

Italia miku më i mirë..… Greqia kërcënimi i dytë, pas Serbisë?

Studimi i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare konfirmon se publiku shqiptar është mjaft i vëmendshëm ndaj marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje, madje ka një vlerësim të lartë për rëndësinë e këtyre marrëdhënieve.

Pavarësisht nga këmbëngulja dhe përpjekjet e politikës zyrtare të Tiranës për të forcuar marrëdhëniet me Serbinë, qytetarët shqiptarë e perceptojnë Serbinë si kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare të vendit. Sipas sondazhit të ISN-së, 51.6 për qind e të intervistuarve e konsiderojnë Serbinë si kërcënimin më të madh për sigurinë e vendit. Arsyet duhen kërkuar pikësëpari te trashëgimia historike dhe armiqësia që ka dominuar përgjithësisht këto marrëdhënie. Si pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy shoqërive është edhe Kosova, si dhe sjellja tradicionale e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe aktualisht ndaj shtetit të ri të Kosovës. Megjithatë duhen sigurisht studime të mëtejshme për të kuptuar të gjithë faktorët që kanë influencuar dhe vijojnë të influencojnë në perceptimin e shoqërisë shqiptare ndaj Serbisë.

Për shembull, sa realisht ndikon Kosova në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Ose pavarësisht nga vullnetit politik i qeverisë shqiptare, sa janë të gatshëm shqiptarët të mbështesin qeverinë e tyre në forcimin e marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht nga marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Nga ana tjetër, ndoshta jo aq për publikun se sa për hartuesit e politikës dhe vendimmarrësit, sa është e mundshme të zhvillohen marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, nëse Serbia vijon të ruajë statuskuonë e tanishme, madje dhe frymën armiqësore ndaj shtetit të ri të Kosovës?

Duket mjaft çudi që edhe Greqia perceptohet nga publiku shqiptar si një kërcënim për sigurinë kombëtare .Pothuajse në mënyrë të barabartë me Serbinë shqiptarët e mendojnë fqinjin e tyre – një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, - si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Kështu 46,7 për qind e qytetarëve që mendojnë se Shqipëria është e kërcënuar nga fqinjët e renditin Greqinë të dytën, pas Serbisë. Shpjegimi kryesor sigurisht që lidhet me armiqësinë që në një farë mënyre ka qenë jo rrallë e pranishme në trashëgiminë historike të marrëdhënieve midis dy vendeve. Por ndoshta më shumë se sa memoria historike, ky perceptim duhet kërkuar në marrëdhëniet herë-herë konfliktuale dhe mosmarrëveshjet që kohë pas kohe kanë ekzistuar midis dy vendeve gjatë dy dekadave të fundit. Ndërkaq, pavarësisht nga vullneti i qeverive të të dy vendeve për të zhvilluar dhe forcuar marrëdhëniet dypalëshe, një numër çështjes të debatueshme, përfshirë edhe çështjet që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri, duket se mbajnë gjallë, në rastin më të mirë, ndjenjën e dyshimit.

Ka mundësi që perceptimi i Greqisë si një kërcënim për sigurinë kombëtare të jetë motivuar në një masë të konsiderueshme edhe nga një numër incidentesh dhe problematika të viteve të fundit, si marrëveshja për shelfin kontinental, çështja e varrezave të ushtarëve grekë, çështjet e minoritetit apo edhe publikimi i gjesteve flagrante të marshit të ushtrisë greke kundër shqiptarëve, ku është vënë re një gjuhë urrejtjeje, në këngët e kënduara nga reparte të rregullta të ushtrisë greke kundër shqiptarëve, por edhe turqve e maqedonasve.

Megjithëkëtë rezultatet e studimit janë befasuese dhe sugjerojnë ndërmarrjen e studimeve të mëtejshme për të kuptuar, lexuar dhe interpretuar të gjithë faktorët që e inkurajojnë shoqërinë shqiptare ta perceptojë Greqinë si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Po kështu është e rëndësishme të vihet në dukje se, ndonëse Serbia, por edhe Greqia, perceptohen si kërcënime për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë më këtë kërcënim nuk nënkuptojnë një konflikt ta armatosur. Kështu, sipas të njëjtit studim, vetëm 1.6 për qind e shqiptarëve e mendojnë luftën si kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare. Duket se ky perceptim është në përputhje me studimet e mëparshme të ISN-së ku rreziku i një agresioni nga një shtet tjetër, në perceptimi e qytetarëve shqiptarë është pothuajse i paimagjinueshëm.

Analiza dhe interpretimi i gjetjeve, sipas të cilave publiku shqiptar i konsideron në një masë të konsiderueshme Serbinë dhe Greqinë si kërcënime për sigurinë kombëtare, duhet parë edhe në një aspekt tjetër, mjaft të rëndësishëm: marrëdhëniet me këto shtete, sidomos me Greqinë, por në një perspektivë më afatgjatë edhe me Serbinë, janë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë. Madje kjo nuk është vetëm pikëpamja e elitës politike shqiptare apo vetëm e qeverisë dhe shtetit shqiptar. Edhe shoqëria shqiptare i percepton marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, por edhe me Serbinë, si të rëndësishme nga pikëpamja strategjike. Pra, fakti, që pothuajse gjysma e shqiptarëve e shikojnë Greqinë dhe Serbinë si një kërcënim, nuk do të thotë absolutisht se shoqëria shqiptare e refuzon apo nuk e mbështet thellimin e marrëdhënieve me të dy këto vende. Përkundrazi, nga pikëpamja strategjike Greqia, por edhe Serbia janë dy vende të rëndësishme për Shqipërinë, me të cilat qeveria duhet të zhvillojë marrëdhënie. Kështu 79 për qind e shqiptarëve mendojnë se marrëdhëniet me Greqinë janë të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme, kurse 49 për qind e shqiptarëve i mendojnë marrëdhëniet me Serbinë të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme, kundrejt vetëm 15 për qind që mendojnë se këto marrëdhënie nuk janë të rëndësishme dhe se qeveria nuk duhet t’u kushtojë fare vëmendje.

Studime të mëparshme të ISN-së konfirmojnë se shoqëria shqiptare i konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.

Studimi i ISN-së rikonfirmon gjetje të mëparshme të tij lidhur me perceptimin që qytetarët shqiptarë kanë për marrëdhëniet me fqinjin tjetër, anëtar të BE-së, Italinë. Italia perceptohet si shteti që ka më shumë influencë në Shqipëri. Për më shumë se 44 për qind të shqiptarëve Italia është vendi që gjatë dy dekadave më të fundit ka pasur influencën më të madhe në Shqipëri. Greqia perceptohet si shteti i dytë që ka influencuar në Shqipëri në njëzet vjetët e fundit, por ndryshe nga Greqia, për të cilën rreth 46 për qind mendojnë se përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, në rastin e Italisë vetëm 0,5 për qind mendojnë se Italia përbën një kërcënim për Shqipërinë. Një perceptim i tillë për Italinë dhe rolin e saj në Shqipëri është në përputhje me studime të mëparshme, ku Italia për Shqipptarët vlerësohet si një partner strategjik dhe pothuajse i pakonkurrueshëm. Kështu, 93 për qind e qytetarëve shqiptarë i mendojnë marrëdhëniet me Italinë të rëndësishme nga pikëpamja strategjike, ndaj dhe qeveria duhet t’u kushtojë vëmendje parësore

E duam Kosovën, por jo bashkimin

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe perceptimi i publikut për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve përbënte një komponent të rëndësishëm të sondazhit të ISN-së. Studime të mëparshme të ISN-së tregojnë qartë se shoqëria shqiptare i shikon me interes të madh marrëdhëniet me fqinjin më të ri, Kosovën. Kështu 88% e shqiptareve i konsiderojnë marrëdhëniet me Kosovën të rëndësishme nga ana strategjike, kundrejt 93 për qind që mendojnë se Italia është një partner strategjik për Shqipërinë apo kundrejt 94 për qind që mendojnë se Bashkimi Evropian duhet konsideruar si një partner strategjik apo 90 për qind që mendojnë se marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësishme nga ana strategjike.

Gjithsesi, pavarësisht se Italia, Bashkimi Evropian dhe SHBA kuotohen relativisht më lart, Kosova konsiderohet nga publiku shqiptar si një partner të cilit qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje strategjike. Me gjithë mbështetjen e publikut shqiptar për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, pas pavarësisë së kësaj të fundit, në këto marrëdhënie aktualisht ka pak substancë. Shoqëritë, tregjet, ekonomitë, elitat politike dhe jo vetëm politike kanë funksionuar të ndara nga njëra-tjetra. Tregu i Kosovës ka qenë një pjesë e ish-Federatës Jugosllave, një treg që dy dekada pas shpërbërjes së dhunshme duket, ashtu siç vëren Tim Juda i Economist, ka filluar të rishfaqet.

Por ndërsa për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetin e ri të Kosovës s’ka dilemë, publiku shqiptar duket se nuk e mbështetet idenë e unifikimit të Kosovës me Shqipërinë. E ashtuquajtura tezë e Shqipërisë së Madhe duket se nuk është në vëmendjen e publikut shqiptar. Kështu vetëm 9 për qind e shqiptarëve mendojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është pozitiv, kundrejt 35 për qind që besojnë se një bashkim i tillë është negativ apo kundrejt 37 për qind të cilët janë krejtësisht indiferentë ndaj kësaj çështjeje Këto rezultate nuk janë të papritura po të mbajmë parasysh faktin se aktualisht në Shqipëri nuk ekziston asnjë parti politike apo organizatë me influencë, përfshirë edhe qarqet serioze akademike që të mbështesin idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Mirëpo këto rezultate ngrenë pyetje serioze për konkluzionet e sondazheve të dy tre viteve të fundit të Gallup Ballkan Monitor. Sipas sondazhit më të fundit të Gallup Ballkan Monitor shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri mbështesin idenë e Shqipërisë natyrale, Shqipërisë së Madhe. Kështu, sipas Gallupit, kjo ide mbështetet nga 63 për qind e shqiptarëve në Shqipëri, kundrejt 81 për qind në Kosovë dhe 53 për qind në Maqedoni.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama