Shqiperia ne kembe per Kosoven

Shqipëria, në këmbë për Kosovën

16/11/2007

Një tubim i madh është zhvilluar dje në Tiranë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Shqipëria është ngritur në këmbë jo vetëm në kuadrin institucional dhe atë politik për të përkrahur popullin e Kosovës në vullnetin e tyre të shprehur qartë për një Kosovë-shtet i pavarur dhe pjesë e Evropës së Bashkuar. Një nismë qytetare, e cila ka marrë një përkrahje shumë të gjerë është finalizuar dje, pikërisht dy ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Kosovës, si dhe një muaj para datës së përfundimit të negociatave shtesë për statusin. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, është theksuar me fuqi të ambifikuar "PO"-ja e shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të Kosovës, që koha nuk pret më dhe duhet shpallur menjëherë pavarësia e saj.

Tubimi

Një tubim i madh festiv u zhvillua dje në kryeqytetin shqiptar nën moton "Të gjithë për pavarësinë e Kosovës". Shoqëria civile dhe e gjithë politika shqiptare organizuan mbajtjen e këtij manifestimi në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet, për të shprehur fuqishëm zërin e shqiptarëve pro pavarësisë së Kosovës. Grupi organizator i protestës, i cili përbëhet nga përfaqësues të disa organizatave joqeveritare dhe të gjitha partive politike në vend, ka lëshuar një deklaratë, ku theksohet se "Dëshirojmë t‘ju njoftojmë se shqetësimi i shkaktuar nga zvarritja e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe tensionimi i situatës që vjen si rrjedhojë, na ka nxitur ne, një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile dhe forumeve rinore të partive politike të të gjitha drejtimeve, që të organizojmë manifestimin për pavarësinë e Kosovës. Me anë të këtij manifestimi, ne duam t‘u bëjmë thirrje aktorëve ndërkombëtarë që të njohin pavarësinë e Kosovës, duke respektuar vullnetin e shumicës së popullsisë së saj dhe duke garantuar stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Organizatorë të "Marshimit për Kosovën", janë katër organizata të shoqërisë civile: Lëvizja "Mjaft", Instituti Liberal Shqiptar, Tifozat Kuq e Zi dhe Forumi i Mendimit të Lirë, si dhe Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Demokrate e Re.

Peticioni

Pjesë e kësaj nisme është edhe nënshkrimi i një peticioni që i drejtohet OKB-së dhe treshes negociatore, SHBA, BE, Rusi. Në tekstin e peticionit, i cili është firmosur nga qytetarët me vullnetin e lirë të tyre theksohet: "Ne, nënshkruesit e këtij peticioni, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me vonimin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe shprehim mbështetjen tonë për njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne besojmë se një Kosovë e pavarur dhe demokratike garanton të drejtat dhe prosperitetin e gjithë qytetarëve të vetë, pa dallim përkatësie kombëtare, fetare apo racore dhe është e domosdoshme për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Si rrjedhojë, me anën e këtij peticioni, i bëjmë thirrje OKB-së dhe trojkës negociatore, që t‘i japë fund negociatave dhe të zbatojë planin "Ahtisaari", i cili e çon Kosovën drejt pavarësisë, siguron një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ballkan dhe përshpejton integrimin evropian të rajonit". Tubimin e mbrëmshëm e kanë mbështetur organizata nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga diaspora. Në një deklaratë të tij, edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) përgëzon nismën dhe përshëndet pjesëmarrjen për herë të parë të grupeve të ndryshme rinore nga shoqëria civile dhe të gjitha grupeve politike për të mbështetur këtë çështje kaq të rëndësishme për shqiptarët dhe Ballkanin në përgjithësi.

"Fushata serbe për pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 rezultoi në më tepër se 12,000 të vrarë, 1.3 milionë refugjatë si dhe shkatërrimin e 65% të pronave. Më shumë se 600,000 refugjatë kosovarë arritën të arratiseshin përmes kufirit në Shqipëri. Gjatë 78 ditëve të bombardimit nga NATO-ja për të ndaluar gjenocidin, familjet në të gjithë Shqipërinë hapën dyert për kosovarët, duke u dhënë atyre bukë, strehë dhe përkujdesje", thuhet në deklaratën e Këshillit Shqiptaro-Amerikan.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama