Shqiperia kaq afer aq e panjohur

Shqipëria, kaq afër, aq e panjohur

Përpos ngjarjeve të ndodhura në muajin mars, kjo frymë pozitive vihet re edhe në artikullin e publikuar së fundmi në faqen e të përditshmes gjermane “Die Welt” (Bota). Artikulli nis me një titull që duket sikur do të shfajësojë të gjithë për paragjykimet e asosacionet e gabuara: Shqipëria, kaq afër, aq e panjohur!

“Die Welt” udhëtoi në Shqipëri e tërhequr nga kurioziteti për këtë vend të vogël të Ballkanit që po bëhet pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake, NATO, duke qenë tërheqës jo vetëm sa i përket fushës ushtarake, por dhe turizmit falë plazheve të gjera, natyrës së virgjër dhe qyteteve piktoreske. Në fakt, Shqipëria është bërë e njohur si fillim përmes librave të shkrimtarit Karl Mayer, ekspertit sakson të Ballkanit, i cili kurrë nuk i shkeli këto vise, por që ka ndikuar në përfytyrimin tonë për Shqipërinë si askush tjetër. Për këtë arsye, ne u nisëm në udhëtim nëpër vendin e “skipëtarëve” bashkë me heronjtë e tij trima si Kara Ben Nemsi. Në kujtesën tonë të krijuar dhe kurrë të jetuar kanë ngelur gjithashtu imazhet pak të qarta të vandalëve me mjekra të errëta, kriminelëve të egër me thikat e kërrusura dhe ndjekjet e përgjakshme mbi kuaj nëpër malet e ashpra dhe tatëpjeta shkëmbore. Po Shqipëria sot? Vendi është një prej më të panjohurve dhe plot mistere i të gjithë Evropës. Megjithatë, kush udhëton sot nëpër Shqipëri, nuk ka më shans të takohet me figurat e Karl Mayer-it. Ekzistojnë vërtet malet, nganjëherë pothuajse të pakalueshëm deri në atë pikë sa të ngjallin frikë dhe honet e thepisura. Udhëtohet përmes shtigjesh të vështira vargmalesh masivë, maja e të cilëve vonë në pranverë është akoma e mbuluar nga kapuçi i bardhë i dëborës - një malësi shterpë që shtrihet e pabanuar deri në kufijtë me Greqinë dhe Maqedoninë.

PERGATITI: ALTIN VORPSI/ MARRE NGA “DIE WELT” 
GAZETA STANDARD


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama