Shqiperia e Lazaratit gjakmarrjes dhe e rrugeve te keqija

Shqiperia e Lazaratit, gjakmarrjes dhe e rrugeve te keqija

Shqipëria në dy pamje; Programi ‘Reizen Waes’ në televizionin publik belg përballë intervistës së kryeministrit në La 7. Uroj të mos kenë qenë të shumtë belgët që kanë vendosur të shohin emisionin ‘Reizen Waes’ në televizionin publik VRT 1 (e diel 22 Shkurt, 20.30-21.10), i cili kishte përgatitur një reportazh mbi Shqipërinë. Duhet thënë se gazetari Tom Waes dhe emisioni i tij janë ndër më të ndjekurit në Belgjikë. Programi zgjat rreth 40 minuta, gjatë të cilave, autori i programit, përshkruan udhëtimin e tij në një vend jo shumë të njohur për publikun (përpara Shqipërisë, gazetari ka udhëtuar në vende si Bhutani, Kolumbia, Turkmenistani, Sudani i Jugut, Abkhazia etj). Programi fillon me zbritjen në Rinas, ku gazetari i fton shikuesit të mësojnë më shumë rreth Shqipërisë, një vend të cilin shumica e belgëve e lidh “me mafian dhe vjedhjen e makinave” (fjali që përdoret nga gazetari në program). Sapo arrin në Tiranë fillon të numërojë Mercedezët e parkuar në rrugë: 1,2,3,4,5, ngado kamera hedh shikimin ka vetëm Mercedezë. Gazetari vendos të blejë një të tillë dhe të vazhdojë udhëtimin e tij. Përshkrimi për Tiranën përmbledh shkurt lokalet, Piramidën, pamje të Tiranës.

 

Pas kësaj, niset së bashku me udhërrëfyesin e tij (një shqiptar me anglishte të çalë) drejt Durrësit. Në pamjet e plazhit të Durrësit kamera fokuset tek një ari që bën xhiro në plazh, së bashku me të zotin e tij, uji jo shumë i pastër i plazhit dhe shumë njerëz që lahen aty. Gazetari e mbyll këtë pjesë të përshkrimit me fjalët: Nëse vizitoni Shqipërinë, mos ejani të bëni plazh në Durrës! Më pas niset drejt Vlorës. Aty ngjitet me makinën e tij në një rrugë të pashtruar (makina prishet) dhe arrin në majën e një kodre mbi qytetin e Vlorës (Kaninë?) nga ku shijon një eksperiencë hedhjeje me parashutë, por i gjithë përshkrimi i saj zgjat vetëm 1 minutë. Pas kësaj, niset në plazhet e bukur të jugut (edhe këto i kalon shumë shpejt) duke u habitur se si njerëzit nuk vijnë këtu për të bërë plazh. Kamera i shfaq ato të shkreta, pa njerëz.


Destinacioni i rradhës është Lazarati, pas ndërhyrjes së policisë. Hyrja në Lazarat fokusohet tek muret e lartë të çdo shtëpie, ku gazetari pyet si ka mundësi që qeveria për 20 vjet nuk e dinte që një gjë e tillë po ndodhte. Udhërrëfyesi shqiptar ia shuan këtë kuriozitet me përgjigjen: Të gjithë e dinim! ‘Një gjë e tillë nuk mendohet të ndodhë në asnjë vend të BE-së’- thotë gazetari. Më pas, një banor i fshatit me zellshmerinë e tij i shpjegon gazetarit se si mbillej marijuana, si fshatarët ishin të gjithë të përfshirë në këtë aktivitet dhe madje e fton të vizitojnë një shtëpi të braktisur që dikur shërbente si pikë përpunimi e drogës. Futen në bodrumin e shtëpisë dhe banori i tregon pajisjet që kanë mbetur aty. Në dysheme ka ende mbetje të mëdha marijuane të përpunuar dhe banori i Lazaratit e fton gazetarin ta marrë e ta provojë, sepse është akoma e freskët. ‘Gati për t’u përdorur’. E pabesueshme- përgjigjet gazetari.


Më pas përfundojnë në Dardhë të Pukës, ku gazetari me një libër të Kanunit në dorë shpjegon se si këtu janë shkruar rregullat që zbatoheshin si ligje në Shqipëri. Familja ku e kanë ftuar mundohet ta mirëpresë sa më ngrohtë dhe për ta respektuar, i thonë se në Kanun është e shkruar që mikut i jepet koka e kecit të gatuar në hell, ndaj ata do e respektojnë siç e kërkon tradita. Kamera fokusohet tek koka me gjak e kecit të sapotherrur dhe në momentin që ia ofrojnë gazetarit, ky patjetër nuk pranon ta hajë dhe ia ‘dhuron’ atë udhërrëfyesit shqiptar, i cili shfaqet shumë i gëzuar nga nderi që sapo iu bë. Destinacioni i rradhës është vizita në një familje në gjakmarrje. Mbi portë, në një dërrasë të vjetër, kamera fokuson një kryq të madh me ngjyrë të verdhë. Pamjet brenda shtëpisë tregojnë për një varfëri ekstreme. Kryefamiljari, i cili është edhe personi në gjak, tregon se si familja me të cilën janë në konflikt i ka ‘therur’ vëllanë dhe tani është rradha e tij për t’u ‘therur’ (kjo është fjala që përdor). Ai tregon se nuk i lejohet të dalë as në oborr dhe 20 vitet e fundit i ka kaluar brenda në këtë dhomë. Pas bisedës, gazetari shfaqet dukë psherëtirë, në gjendje të trazuar emocionale dhe që i drejtohet kamerës duke thënë ‘ Nuk duhet të kisha ardhur këtu, nuk ishte ide e mirë, f..cking Albania!’. Personi në gjakmarrje tregon se nuk e ka problem jetën e tij, por ka frikë për fëmijët. Pyetjes së gazetarit së çfarë pret tani nga jeta, ai i përgjigjet: Vetëm të vdes! Kthimi në Tiranë dhe tentativat për të rishitur makinën tregohen me nota humori dhe se si personi që do t’ua blejë, bën pazar duke u cituar: po ti thuaji njëherë 1500 euro se mos e ha! Pranojnë që makinën ta rishesin për 1900 euro. Lekët e marra prej shitjes, gazetari vendos t’ia dhurojë personit në gjak që kishin takuar pak më parë. Kthimi në shtëpinë e izoluar nga gjakmarrja tregohet me një dhuratë që gazetari i kishte blerë fëmijës së vogël të shtëpisë. Hapja e dhuratës shoqërohet me fjalët ‘është hera e parë që dikush i bën një dhuratë këtij fëmije’. Vajza është rreth 10 vjeç. Më pas lekët i dorëzohen të zotit të shtëpisë dhe ky shumë mirënjohës tregon se askush më parë nuk ka bërë diçka të tillë për të, as qeveria, as të afërmit, askush. Gazetari largohet nga Shqipëria dhe e falenderon udhërrëfyesin e tij, duke i rikujtuar se ne kemi një vend të bukur.

Pasi ke parë këtë program, është e vështirë të besosh se kryeministri i Shqipërisë, në intervistën e tij në La 7 dhe gazetari i VRT-së belge folën për të njëjtin vend, Shqipërinë. Shumica e shqiptarëve nuk e gjejnë veten as tek përshkrimi i gazetarit belg për shqiptarët si kultivues droge, të izoluar nga gjakmarrja apo shitës Mercedezash dhe as në përshkrimin e kryeministrit për shqiptarët, si njerëz që po jetojnë në një vend të begatë, mes të mirave pa fund. Shumica e shqiptarëve gjenden mes dy imazheve ekstreme që media krijon për ta, të papërfaqësuar nga asnjëri prej tyre. Si një studiues i medias nuk e kam aspak të vështirë të kuptoj se manipulimi mediatik në kërkim të sensacionit është një fenomen që konsiderohet normal në logjikën fitimprurëse të medias dhe politikës, në garën për audiencë apo vota. Por ky fenomen bëhet i rrezikshëm dhe i dëmshëm kur përdoret nga një kryeministër apo nga televizioni publik i një vendi të BE-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama