Shqiperia barazim pa gola me Kamerunin

Shqiperia, barazim pa gola me Kamerunin
0-0 përfundoi ndeshja miqësore Shqipëri-Kamerun, por më shumë se sa rezultati, ajo që na gëzon më shumë ishte paraqitja mjaft e mirë e kombëtares sonë, e cila ishte e përbërë nga lojtarë të rinj, duke përfshirë këtu edhe ata nga kampionati shqiptar.

“Jam shumë i kënaqur nga loja e sotme dhe për më shumë për lojtarët, të cilët bënë atë që u kërkova. Në bazë të asaj që dhamë në fushë, ne duhet të dilnim me fitore, por gjithsesi kjo miqësore më shërbeu për të parë lojtarët e rinj. Tani varet nga ata, nëse do të duan të jenë sërish në këtë skuadër. Dera jonë është e hapur, por ata duhet të më tregojnë se vlejnë për të qenë këtu”, tha pas ndeshjes tekniku italian i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi.

Në minutat e para, falë edhe eksperiencës së madhe, Kameruni vuri diktatin në fushë, ndërkohë që kuqezinjtë tanë morën kohën e duhur për t’u mësuar me ritmin e lojës së tyre.

Me kalimin e minutave, kombëtarja shqiptare rriti ritmin e lojës, e cila filloi të barazpeshohej. Pjesa e dytë ishte ndryshe nga e para, pasi ishin kuqezinjtë ata që morën çelësat e lojës në dorë. Rastet e rrezikshme para portës kamerunase ndiqnin njëra-tjetrën, por as Bulku dhe as Çani nuk arritën të zhbllokonin rezultatin.Në pjesën e dytë patën në dispozicion edhe dy lojtarët e kombëtares Shpresa, Bala dhe Vajushi, të cilët edhe pse nuk arritën të shënonin, treguan se janë të vlefshëm për këtë kombëtare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama