Shpetoni TIFF-in!

Shpëtoni TIFF-in!

Kineastët: Imazhi i vendit tonë nuk mund të jetë vetëm kontrabanda

“Shpëtoni filmin, shpëtoni festivalin!”. Kjo është thirrja që më shumë se 160 kineastë dhe dashamirës të filmit, shqiptar e të huaj, i drejtojnë ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili ende nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare, 3 javë para se festivali të nisë, kërkesës së organizatorëve të Tirana International Film Festival, për mbështetje financiare. TIFF bën këtë vit edicionin e pestë. Gati pa e kuptuar festivali i filmit me metrazh të shkurtër u kthye në një traditë dhe pjesë e kalendarit kulturor të Tiranës dhe të Ministrisë së Kulturës. Ndodh që pikërisht në këtë 5-vjetor, TIFF nuk gjen mbështetje financiare tek MTKRS, që der më sot ka qenë ndër partnerët kryesorë. Në këto kushte organizatorët e festivalit i dërgojnë një peticion ministrit, Ylli Pango. Ata i kujtojnë edhe një herë historikun e shkurtër të këtij aktiviteti dhe rëndësinë që ka në promovimin e kulturës shqiptare në botë. “Gushtin që shkoi kemi patur një takim me ministrin Pango. Ishte si një monolog me veten. Më tha: “Ke ardhur të marrësh lekë tek unë? Nuk kemi.” Po shkonim për të gjetur partnerë dhe jo për të kërkuar lekë. Në këto 4 vite ministria na ka mbështetur me një fond mesatar prej 4 milionë lekësh. Ministri nuk denjoi të na dëgjojë. Dhe në bazë të rregullores së brendshme të ministrisë duhej të na kthehej një përgjigje zyrtare brenda 30 ditëve, sepse ne e kemi çuar kërkesën tonë po në rrugë zyrtare. Prisnim që projekti ynë të kalonte ashtu si gjithë të tjerët në bordin e projekteve të MTKRS, por përgjigjen e morëm aty për aty nga vetë ministri”, - shpjegon ecurinë e ngjarjeve drejtori i festivalit, Ilir Butka. “Nëse ministri i Kulturës paguan për një spot të turizmit shqiptar në CNN 360 mijë euro, besoj me këtë festival tonin e kemi bërë kundrejt pa kësi shpenzimesh reklamën për vendin tonë. Tani nuk më mbetet veçse të them u dorëzova. U dorëzova, jo u lodha. Lodhja është tjetër gjë. Por ky është ofendim që i bëhet vlerave që kemi sjellë dhe kemi pretenduar të sjellim në këto 4 vite në Shqipëri dhe të japim një imazh me po kaq vlerë të vendit tonë jashtë. Jam i dëshpëruar dhe më vjen keq të them që vitin që vjen nuk do të ketë më një festival ndërkombëtar të filmit të shkurtër të Shqipëri”, - tha dje për “Shekullin” drejtori i TIFF. Se ç’do të thotë të japësh 4 milionë lekë për një festival si ky i referohemi vetëm dy të dhënave: Ministria në fjalë jep 4 milionë lekë për një nga katër-pesë festivalet e teatrit, që mbahen çdo vit në Shqipëri, festivale me plot kuptimin e fjalës lokalë; ndërsa sa për kinemanë i fundit festival shqiptar filmi i bë vitin që shkoi pas më shumë se 6 vite mungesë, ndërsa TIFF është e vetmja ngjarje e përvitshme për kinemanë, pa llogaritur tregun e përditshëm komercial të atyre pak kinemave.

Peticioni drejtuar Pangos është firmosur deri nga dhjetëra kineastë, mes të cilëve mund të përmendet regjisori i njohur anglez, Ken Loach, për të vijuar me Milos Kostovski, Cecilie Bolvinkel, Giulia Ricci, Jaksa Boric, JayField, Flaminia N'Guyen, Mikhail Sebastian, Pedro Touceda, Bertrand Shijaku, Evgeny Ruman, Cecilia Lidin, drejtore artistike e Odense Int. Film Festival, Danimark, Kari Lounela drejtore ekzekutive e edicionit të 38-të të Tampere Film Festival në Finlandë, Ulla Jacobsen, Alexei Dmitriev, Zoltán Füredi drejtor i Dialektus Festival Hungari, Till Passoë, etj, etj. Shumë prej tyre përveçse kanë shënuar emrat, i kanë lëshuar edhe një mesazh personal ministrit shqiptar. Njëri prej tyre është Alexandre Rockëell. “Jam një regjisor i cili beson në rëndësinë ndërkombëtare të Festivaleve të filmave. Pa këtë rrjedhë të mrekullueshme të kinemasë botërore kultura jonë fimike do të vuajë shumë. Një festival ndërkombëtar si ai i Tiranës është një nga shkëmbimet më të rëndësishme mes kulturës shqiptare dhe asaj botërore”.Për të vijuar me Stefan Laudyn: “I dashur ministër, si drejtor i Ëarsaë International Film Festival dhe anëtar bordi i European Film Academy do të doja të shprehja mbështetjen për miqtë tanë të Tirana International Film Festival. Jemi në kontakt prej fillimeve të ekzistencës së TIFF-it dhe mund t’ju them që ata po bëjnë një punë të pamasë, duke prezantuar gjithë kinemanë evropiane e botërore në Shqipëri dhe kulturën shqiptare në Evropë. TIFF është pjesë e familjes filmike evropiane. Festivalet e filmave janë shumë të brishtë dhe pa mbështetjen tuaj bujare ata mund të rreshtin së ekzistuari”. Firmëtarë të tjerë si Robert Aliaj Dragoti, Petro Vasili, Petraq Papa, etj. i bëjnë thirrje ministrit të mos merret vetëm me politikë e propagandë, por të kuptojë se cila është reklama më e mirë për Shqipërinë. Imazhi i vendit tonë nuk mund të jetë vetëm kontrabanda.

Peticion

Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Z. Ylli Pango

Tirana International Film Festival, i krijuar në vitin 2002, bazohet në një trinitet të thjeshtë, kineastët, publiku dhe mbështetësit financiarë të festivalit.

Në këta 5 vjet, TIFF ka menaxhuar rrjetin më të gjerë të krijuar ndonjëherë nga Shqipëria, që ka mbledhur kineastë nga 70 vende të botës dhe ka lehtësuar qarkullimin e më shumë se 4 mijë filmave, shkëmbimin e përvojave, teknikave përkatëse, këndvështrimeve, temave dhe diversitetin e vlerave kulturore.

TIFF duke u mbështetur në pasionin dhe njohuritë e stafit të tij dhe bashkëpunëtorëve, është përpjekur që në këto 5 vjet të promovojë kinemanë shqiptare në botë, përmes shumë aktiviteteve (retrospektiva filmash dhe jo vetëm), duke iu përgjigjur nevojave reale të industrisë filmike dhe audiencës ndërkombëtare. Por ajo që e bën ndryshimin, duke folur në termat e marrëdhënieve njerëzore, janë banorët e qyteteve, ku festivalet e filmave zhvillohen.

Prej reagimit të tyre, prej reagimit të publikut varet së tepërmi suksesi i një festivali filmi. Publiku i Tiranës, publiku i Shqipërisë gjatë viteve të ekzistencës së TIFF ka treguar se International Film Festival është më shumë se një ngjarje e nevojshme në një kryeqytet me zhvillim të shpejtë kulturor. TIFF numëron rreth 3000 spektatorë shqiptarë në vit.

Ndonëse dy shtyllat, kineastët dhe publiku, (njerëzit e festivalit) bëhen gjithnjë e më të fortë, këtë vit, në 5- vjetorin e TIFF, mosangazhimi i pashpjegueshëm dhe i papritur i Ministrië së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që ka qenë mbështetësi financiar më i madh, e ka vendosur TIFF-in në një situatë të vështirë.

Deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare për kërkesën tonë, për të financuar TIFF-in në edicionin e vitit 2007.

Duke parë situatën TIFF ka vendosur të përgjigjet me një reagim publik, përmes këtij peticioni.

Me të vërtetë ne ushqejmë shpresën që Tirana Film Festival të ketë përkrahës më shumë se ç’ka nevojë ekzistenca e TIFF-it, për të mirën e kulturës së Shqipërisë dhe për integrimin tonë përmes kulturës.

KJO ËSHTË ARSYEJA PSE NE JU BËJMË THIRRJE SOT, NJERËZVE TË FESTIVALIT, PËR MBËSHTETJEN TUAJ AKTIVE.

NE JU KËRKOJMË JUVE, TË MBËSHTESNI VEPRIMTARINË E TIFF-IT, DUKE NËNSHKRUAR KËTË PETICION

Sinqerisht

Nënshkruesit

Alma Mile : Gazeta Shelulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama