Shperthen Salihi Te tjere persona me lane jashte

Shpërthen Salihi: Të tjerë persona më lanë jashtë

Pavarësisht se ka zh villuar një sezon të shkëlqyer me Skënderbeun duke u shpallur kampion i Shqipërisë me bardhekuqtë dhe duke fituar edhe çmimin e golashënuesit më të mirë të kampionatit me 27 gola, Hamdi Salihi nuk është thirrur në Kombëtare për Europianin "Francë 2016". Salihi, Kapllani dhe MavrajGjë e cila e ka lënë të zhgënjyer sulmuesin shkodran që i ka dhënë shumë Kombëtares shqiptare në dhjetë vitet e fundit. Në një prononcim për "Supersport", nga Austria ku ndodhet duke shijuar pushimet e fundsezonit, Hamdi Salihi nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për këtë mungesë grumbullimi nga ajo që ishte ëndrra e tij e kahershme.

Parandjenja

"Diçka të tillë e kisha parandier këto ditët e fundit, pasi duke qenë pjesë e Kombëtares këto 10 vitet e fundit, e di se si funksionojnë gjërat për grumbullimin e lojtarëve. Lojtarët që do të grumbullohen nuk është se presin listën për ta marrë vesh, pasi njoftohen dhe kontaktohen disa ditë më parë për diç- ka të tillë. Unë nuk kisha marrë asnjë lajmërim dhe e kisha parandier pak këtë gjë, megjithëse kam shpresuar deri në momentin e fundit që të isha pjesë e listës, pasi besoj se me sezonin e zhvilluar, i kisha plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për grumbullim", theksoi fillimisht Hamdi Salihi, duke treguar më pas keqardhjen se askush nuk e kishte kontaktuar për t'i shpjeguar përse erdhi kjo mungesë e tij në listën e Kombëtares.

Shpjegimi

"Më vjen shumë keq që nuk kam marrë asnjë lloj mesazhi as nga trajneri dhe as nga stafi i tij, apo nga ndonjë drejtues i Kombëtares. Qoftë të paktën një mesazh falënderimi, apo ndoshta një mesazh ngush- ëllimi të tipit 'më vjen keq, por nuk je në këtë listë'. Por ndoshta një gjë të tillë nuk e kanë bërë, pasi siç duket kanë sikletet e tyre për të kontaktuar me mua. Kjo ishte ëndrra më e madhe e imja dhe më vjen keq se nuk ishin këmbët e mia ato që më lanë jashtë Europianit, por diçka tjetër dhe të tjerë persona", deklaroi Hamdi Salihi në linjë telefonike. Më tej, sulmuesi shkodran i Skënderbeut, golashënues i kampionatit me 32 gola në total që në fillim të edicionit, shpjegoi se kishte bërë gjithçka mirë për të fituar një ftesë në Kombëtare për "Euro 2016".

Kriteret

"Çdo kombëtare ka disa kritere për të grumbulluar lojtarët e vet në një kompeticion dhe besoj se kriteret e nevojshme me sezonin e zhvilluar them se i kam plotësuar. Nuk e di se për çfarë kriteresh e kishte fjalën trajneri kur deklaroi se na duhen lojtarë me tipare specifike dhe me karakteristika të ndryshme nga Salihi. Unë bëra një sezon shumë të mirë me Skënderbeun dhe tregova se isha gati për një ftesë, prandaj nuk më duket aspak normale.

Megjithatë unë i vlerësoj të gjithë lojtarët që janë grumbulluar nga De Biazi në Kombëtare për 'Euro 2016', jam i bindur se të gjithë e meritojnë dhe të gjithë kanë bërë sakrifica për të qenë atje, i uroj të gjithë të dalin mirë në Francë dhe sa më shumë suksese. Besoj se do të kishte qenë më mirë që trajneri apo dikush tjetër nga stafi i Kombëtares të më kontaktonte duke më shpjeguar arsyet e këtij mosgrumbullimi. Një gjë të tillë e meritoja për vetë faktin e asaj çfarë kam dhënë në këtë sezon", përfundoi prononcimin e tij sulmuesi shkodran i Skënderbeut, Hamdi Salihi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama