Shpenzimi i energjise elektrike 10 menyrat per te kursyer

Shpenzimi i energjise elektrike, 10 menyrat per te kursyer
Një stres më vete është edhe fatura e energjisë elektrike në fund të muajit. Një faturë e cila shpeshherë ka rënduar së tepërmi xhepin e shqiptarëve. Diku ankesa është për një pagesë prej mbi 10 000 lekësh në muaj, diku për mbi 7 000 lekë. Por, gjithsesi, ka një mënyrë që të mënjanohet kursimi i parave tek fatura e fundmuajit. Një kursim, i cili sigurisht është i ligjshëm, dhe jo një nga mënyrat e padrejta që ndalin numërimin e matësit apo që lidhin linjën e shtëpisë me atë të shkallës në mënyrë që faturën tënde ta paguajnë komshinjtë dhe jo ti.

1. Teknologjia “Kursimtar”

Nëse i hedh një sy broshurave të kompanive të elektroshtëpiakeve mund të shikosh që në krye të produktit të ofruar nuk qëndron çmimi apo emri, por një shenjë e cila tregon klasin e produktit. Klasi A është klasi më i lartë i kursimit të energjisë elektrike dhe rrjedhimisht të parave të çdokujt. Nëse vendosni të blini një elektroshtëpiake, atëherë pas plotësimit të kritereve të paracaktuara si madhësia, lloji etj, çdokush duhet që të shohë edhe konsumin që ka kjo pajisje elektroshtëpiake dhe klasin që mbart. Klaset janë të ndryshme: nga A në G, ku në klasin G konsumi është shumë më i lartë se në klasin A. Ndërkohë, pajisjet të cilat qëndrojnë gjatë gjithë kohës të lidhura me rrjetin elektrik, si për shembull karikuesët e telefonave apo pajisje të tjera elektrike, duhet parë konsumi që ato kanë në të dhënat specifike të produktit në broshurën e tyre informuese.

2. Frigoriferi i Klasit A+++

Frigoriferët janë një nga pajisjet elektroshtëpiake jetike për cilindo. Ky elektroshtëpiak gjendet lehtë në shtëpinë e kujtdo dhe është në prizë dhe funksion gjatë gjithë ditës dhe kursimi në këtë pajisje do të ishte vërtet tepër i rëndësishëm. Në vitin 2004, Bashkimi Evropian në klasin A të kësaj pajisjeje ka bërë një nënndarje më të detajuar, duke specifikuar në A+, A++ dhe A+++. Ky i fundit ofron një kursim në vlerën katër herë më pak se klasi G i këtij produkti. Për shembull, një kondicioner i mbajtur me dyer mbyllur gjatë gjithë kohës në kushte laboratori për një vit, klasi G do të konsumonte mbi 781 kËh. Ndërkohë një frigorifer i klasit A do të konsumonte më pak se 300 kËh dhe ai i klasit A+++ do të konsumonte më pak se 188 kËh në vit. Por, gjithashtu, edhe vendosja e tyre në një pozicion të caktuar në shtëpi ka tepër rëndësi. Frigoriferi duhet vendosur në një ambient sa më të freskët në mënyrë që edhe puna e tij të jetë më e lehtë. Pasi në çdo gradë mbi 20°C konsumi i tij rritet me 6%. Frigoriferi siguron një ruajtje të ushqimeve në një temperaturë deri në +5°C dhe në zonën ku është ngrirja deri në – 18 °C. Por, gjithashtu, edhe vjetërsia e frigoriferit tuaj ndikon së tepërmi në harxhimin e energjisë elektrike. Një frigorifer, i cili ka më shumë se 10 vite që përdoret, harxhon më tepër energji me kalimin e viteve të përdorimit.

3. Larja e rrobave

Jo detyrimisht mund të kursesh para në detergjentin e përdorur gjatë larjes së rrobave. Por edhe me përdorimin apo me llojin e pajisjes mund të kursehet. Edhe këtu klasi A sjell një kursim në konsum thuajse dy herë më pak. Ku në një makinë larëse, e cila punon dy herë në javë, (104 larje në një vit) me 5 kilogram rroba pambuku në temperaturën 60°C do të konsumonte: në klasin G mbi 507 kËh dhe në klasin A më pak se 247 kËh. Gjithashtu, programet e paralarjes në çdo makineri harxhojnë shumë energji, ndaj edhe larja në temperatura të larta apo paralarje kur nuk është nevoja, shpesh duhet mënjanuar. Por gjithashtu edhe tipi i detergjentit mund të ndihmojë në konsum.

4. Gatimi pa shpenzime elektrike

Këshilla e parë sigurisht do të ishte kursimi me anë të përdorimit të bombulave të gazit. Sigurisht, këto lloje sobash sjellin një kursim të mirë të energjisë elektrike, por problemi qëndron edhe tek furra. Edhe këtu teknologjia ofron klasin A, e cila sjell një kursim i cili llogaritet mbi 2 herë, nga njëri ekstrem i klasit në tjetrin. Ndërkohë kompania CEZ në këshillat e saj për konsumatorin tregon se: një sobë me pllaka qelq-qeramike është më efikase, pasi konsumon më pak energji, ashtu sikurse një furrë me rezistenca, e cila do t’ju kursente deri në 40% energji elektrike.

5. Kondicioneri, sa i nevojshëm aq edhe i kushtueshëm

Ndoshta këtë shprehje mund ta dëgjosh shpeshherë. Çmimi i këtyre elektroshtëpiakeve është relativisht i ulët në treg, por konsumi i tyre shpesh tremb së tepërmi konsumatorët. Është e vërtetë që ky produkt ka një harxhim të lartë të energjisë elektrike, por përdorimi i tij dhe vendosja ka një rëndësi të madhe në kursim. Edhe këtu klasi A sërish bën dallimin. Kondicionerët klasi A janë një shkallë më poshtë se klasi AA, i cili i ofron konsumatorit një kursim thuajse 0.3 herë më shumë se klasi G. Një kondicioner me fuqi ftohëse 5.7 kËh, i përdorur 500 orë në një vit, do të konsumonte në klasin AA më pak se 734-890 kËh dhe në klasin G më shumë se 1295 kËh. Ndërkohë, gjatë ngrohjes kondicioneri harxhon më shumë energji se gjatë ftohjes. Por kur ai përdoret për ngrohje, përdoruesi duhet fillimisht të rregullojë temperaturën në ambientin e shtëpisë me termostat. Kjo pasi çdo gradë temperature më e ulët nënkupton 6% energji të kursyer. Gjithashtu, duhet pasur parasysh edhe izolimi i mirë i shtëpisë.

6. Problemi i boljerit

Ky është një problem për thuajse të gjitha familjet. Janë të shumta ato familje të cilat nuk e mbajnë boljerin në prizë për shkak se harxhon shumë energji elektrike. Por edhe kjo pajisje tepër e rëndësishme për ngrohjen e ujit, ka dy mënyra se si mund të kursesh: njëra është në varësi të vendosjes, ku sa më pranë pikës së konsumit aq më mirë është, pasi ndalon humbjen e energjisë gjatë linjës. Më pas boljeri duhet graduar në 55-60 °C. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që përdorimi i dushit konsumon tri herë më pak energji sesa përdorimi i vaskës.

7. Lavastovilja

Është mjeti më i mirë për të larguar stresin e larjes së enëve, por megjithatë ajo mund të kthehet në një stres për faturën e fundmuajit që duhet paguar për energjinë elektrike të shpenzuar. Teknologjia e klasit A, na sjell një konsum më të ulët të energjisë. Ku për 220 larje në vit, klasi A do të konsumonte më pak se 232 kËh në vit dhe klasi G450 kËh, në vit.

8. Televizori

Ndoshta është një pajisje e cila konsumon shumë pak energji elektrike, por gjithsesi është disi ndikues në faturën e fundmuajit. Sot teknologjia LED nuk i referohet ekranit të televizionit si dy teknologjitë e mëparshme të LCD-së dhe Plazmës, por i referohet pikërisht konsumit të ulët dhe cilësisë brilant të imazhit nën një konsum minimal të energjisë. Ai përdor gjysmën e rrymës elektrike që përdor ekrani LCD dhe në të njëjtën kohë arrin të japë një cilësi të njëjtë me të.

9. Pajisjet non stop në prizë

Pajisjet e tjera elektrike, të cilat qëndrojnë përgjatë gjithë kohës në prizë, konsumojnë energji elektrike edhe kur nuk janë të lidhura me njësinë kryesore. Rasti më konkret janë karikuesit e celularëve, të cilët qëndrojnë për inerci të vendosur në prizë përgjatë gjithë ditës, duke konsumuar energji elektrike. Një televizion, nëse qëndron në prizë gjatë gjithë vitit do të konsumojë afërsisht 73 kËh në vit.

10. Llambat fluoreshente

Janë ato grepi i shpëtimit për kursimtarët, të cilët “parapëlqejnë” errësirën vetëm për shkak të frikës së faturës së fundmuajit. Këto llamba ndryshe njihen edhe me emrin “llamba ekonomike”. Ata ofrojnë një kursim deri në 80% në krahasim me llambat inkandeshente. Por duhet përmendur edhe fakti se nëse zgjidhni llambat inkandeshente, kujdes në llojin e tyre, pasi ato e kanë të përcaktuar konsumin që kanë.

Lavdie Vucaj, menaxhere turizmi

“E kursej shumë energjinë elektrike, edhe dritat në shtëpi i mbaj të fikura. Për të gatuar gatuaj me gaz, ndërsa për t’u ngrohur herë me gaz e herë poshtë batanijes. Paguaj rreth 40 mijë lekë në muaj, pavarësisht se bëj të pamundurën për të kursyer. Vetëm dushin nuk e heq asnjëherë nga priza, është i domosdoshëm për mua dhe familjen time. Si në dimër, ashtu edhe në verë harxhoj njëlloj. Është e njëjta situatë. Nuk do ngrohesh, por do të shpenzosh për freskim po me kondicionerin dhe dushin.” Lavdia është pothuajse gjithë ditën në punë dhe fëmijët në shkollë. Fal kursimit shpenzon vetëm 40 mijë lekë në muaj për energjinë elektrike.

Albana Alku, infermiere

“Familja ime përbëhet nga katër persona, kështu që edhe energji nuk shpenzojmë shumë. Paguajmë rreth 120 mijë lekë në muaj, të përballueshme. Gatuaj dhe ngrohem me gaz, por dushin nuk e heq asnjëherë nga puna dhe lavatriçen e përdor sa herë që është e nevojshme, pa kursime. Nuk lë asgjë jo të domosdoshme në prizë, si karikuesit e telefonave, dritat, që i mbaj të fikura, me përjashtim të kuzhinës. Gjatë ditëve të ftohta të dimrit ngroheshim edhe me shishe me ujë të ngrohtë, një mënyrë shumë e mirë kjo. Për të kursyer energji më ndihmon shumë edhe fakti që pjesën më të madhe të kohës nuk ka njeri në shtëpi, fëmijët janë në shkollë, ndërsa unë dhe burri në punë.”

Eva Vatoci, studente

“Nuk shpenzoj shumë energji, sepse gatuaj dhe ngrohem me dru gjatë dimrit, ndërsa në verë gatuaj me gaz. Dushin nuk e heq nga puna asnjëherë dhe lavatriçen e përdor vazhdimisht. Dritat që nuk duhen i mbaj të fikura, nuk lë në prizë asnjë karikues telefoni. Harxhoj shumë edhe me hekurin e rrobave, sepse çdo gjë e dua të hekurosur. Tharësja e flokëve dhe pjastra kanë kontributin e tyre në faturën e energjisë. Fatura e energjisë nuk lëviz shumë. Është e njëjtë si në dimër, si në verë, me pluse apo minuse të vogla. Pjesën më të madhe të ditës të gjithë jemi në punë dhe nuk ka njeri në shtëpi. Faturat vinë aty tek 60 mijë lekë në muaj.”

Përse ia vlen të kursesh energjinë elektrike?

Nëse mendoni se do t’i bënit një nder vetëm xhepit tuaj, duke kursyer energji elektrike, atëherë e keni gabim. Ju do t’i bënit nder edhe kompanisë e cila ofron energjinë elektrike. Këshillat e CEZ Shpërndarje theksojnë: “Eficenca e konsumit te energjisë është një faktor shumë i rëndësishëm, që përkrah kursimit dhe ruajtjes së energjisë, ndikon edhe në çmimin e energjisë. Pra, nëse eficenca e konsumit të energjisë elektrike në vendin tonë do të ishte më e mirë, çka nënkupton se humbjet e energjisë elektrike, teknike dhe joteknike do të ishin më të vogla, atëherë si pasojë e prodhimit me kosto më të ulët të energjisë elektrike nga burimet hidro edhe çmimet e energjisë elektrike do te ishin më të ulëta”.

Ndryshimet midis sezoneve

Ndryshimet e mëdha në vlerat e fuqisë aktive, që i referohen konsumatorëve komunalë, vihen re kryesisht nga ngrohja elektrike. Ngarkesat maksimale realizohen në muajt e dimrit: dhjetor dhe janar. Ndërsa minimalet në muajt e verës: qershor, korrik dhe gusht. Ngarkesat maksimale të verës përbëjnë 75-80% të ngarkesave maksimale të dimrit. Përveç kësaj, në verë, kur zgjatja e ditës është më e madhe, maksimumi i darkës është rreth orës 21, ndërsa në dimër ky maksimumi shfaqet rreth orëve 18-19. Sigurisht ky grafik na jep një pamje të qartë se kursimi i parave në energjinë elektrike është më i madh në sezonin e verës, se sa në atë të dimrit, pasi edhe konsumi i energjisë është më i ulët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama