Shllaku Tri net festival dhe kosto pambarim ne kosh plehrash

Shllaku: Tri net festival dhe kosto pambarim, ne kosh plehrash

Kompozitori Aldo Shllaku tregon për “Shekulli”-n se si ka lindur bashkëpunimi me këngëtaren Elhaida Danin. Ai sqaron se ajo çka thuhet se kënga fituese e Festivalit 53 të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar është realizuar në momentin e fundit, vetëm sa për t’u shpallur fituese, nuk është e vërtetë, pasi përgatitjet për këtë këngë kishin nisur qysh në shkurt të vitit 2014, 1 vit më parë nga momenti i kërkesës së tërheqjes së Shllakut, shkurt 2015. Ndërsa përsa i përket negocimit për vijim e bashkëpunimit me drejtorin e RTSH-së, Marin Leka, ai shprehet se të drejtat e autorit janë të panegocioeshme për asnjë lloj motivi për të. “Ka qenë praktikë pune në RTSH në të gjitha vitet e pjesëmarrjes në Eurosong, që autorët të realizojnë adaptimin e këngës, sipas rregullave të Eurosong-ut, që shkurtimisht konsistojnë në shkurtim të këngës në 3 minuta, dhe dërgimi i të gjithë materialit brenda datave të caktuara të përcaktuara nga vetë EBU-ja, organizatori i Eurosong-ut. Kështu ka ndodhur kur fitues ka qenë z. Shpëtim Saraçi / znj. Aurela Gaçe dhe z. Florent Boshnjaku / znj.Rona Nishliu, raste të cilat i njoh shumë mirë, sepse këto këngë janë prodhuar nga unë në Los Angeles. Është jonormale që të devijohet nga një praktikë e qartë dhe autorët e këngës (kompozitor /poet /orkestrues) të mos shihen më si të nevojshëm, kur kënga do pësojë një përshtatje”, thotë tjera Shllaku.

Zoti Shllaku, së fundmi është folur edhe së kënga e Danit, ka qenë përgatitur shumë pak kohë para Festivalit 53 të Këngës, krahasuar me të tjerat. Ajo që do donim të dinim është se realisht, si lindi ky bashkëpunim, edhe a ka diçka për të cilën duhet sqaruar edhe publiku?

Ideja për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së ka qenë që vite më parë, dhe si ftesë ka ardhur nga z.Shpëtim Saraçi. Nga bisedat, ai e ka ditur se nëse do paraqitesha në Shqipëri njëherë si kompozitor, kjo do ishte në Festivalin e Këngës. Arsyeja pse nuk ka ndodhur më parë është fakti se përpara disa vitesh kam qenë në Jurinë e Festivalit, kur doli fituese kënga e Florent Boshnjakut / Rona Nishliut, dhe kam dashur të mënjanoj çdo keqinterpretim për një pjesëmarrje të mundshme. Si anëtar jurie pata rastin të njoh Elhaidën, konkurruese atë vit. Njohja me të u zhvillua më tej gjatë vitit 2014, vit në të cilin kam qenë vazhdimisht në Shqipëri për arsye private. Kemi shprehur dëshirën për një bashkëpunim për në Festivalin e Këngës dhe kështu lindi kjo këngë. Me këngën është punuar që nga shkurti i vitit 2014, deri me 5 shkurt të vitit 2015, ditë kur zyrtarisht kam paraqitur kërkesën për tërheqje. Nuk jam në dijeni se sa kohë kanë marrë këngët e tjera për realizimin e tyre, por secila këngë dhe secili krijues është i veçantë në këtë aspekt.

Duke patur parasysh se “mënjanimi” juaj si kompozitor i këngës fituese në Festivalin e Këngës RTSH u bë, pa ju lajmëruar juve, derisa më pas nga drejtori Martin Leka, u bë publik fakti se ju jeni tërhequr për “banalitete”, sikurse e koncepton ai, të drejtën e autorit. Ajo që do donim të dinim është nëse juve u është thënë diçka konkrete për ndryshimin e këngës, sipas rregullave të Eurovizionit, paraprakisht?

Për mua të drejtat e autorit janë të panegociueshme, është çështje parimi, që njihet universalisht. Nëse në Tiranë konsiderohet 'banalitet' atëherë ky është një problem lokal. Ka qenë praktikë pune në RTSH në të gjitha vitet e pjesëmarrjes në Eurosong, që autorët të realizojnë adaptimin e këngës, sipas rregullave të Eurosong-ut, që shkurtimisht konsistojnë në shkurtim të këngës në 3 minuta, dhe dërgimi i të gjithë materialit brenda datave të caktuara të përcaktuara nga vetë EBU-ja, organizatori i Eurosong-ut. Kështu ka ndodhur kur fitues ka qenë z. Saraçi / znj. Gaçe dhe z. Boshnjaku / znj. Nishliu, raste të cilat i njoh shumë mirë, sepse këto kënge janë prodhuar nga unë në Los Angeles. Është jonormale që të devijohet nga një praktik e qartë dhe autorët e këngës (kompozitor / poet / orkestrës) të mos shihen më si të nevojshëm kur kënga do pësojë një përshtatje. Çdo përshtatje nënkupton ndryshime në elemente të ndryshme të krijimit, dhe me pas çdo ndryshim i paautorizuar, nënkupton shkelje të të drejtave të autorëve. Këtu nuk po elaboroj etikën dhe respektin profesional, koncepte inegzistente në këtë rast. Më është thënë se RTSH-ja ka plane të tjera dhe kontrata jonë si autorë me ta ka mbaruar më 28 Dhjetor 2014, nata e mbarimit të Festivalit. Jo normal ky përjashtim, por e drejtë e tyre të bëjnë dhe anormalitete.

Nga ana ime i është shpjeguar se për ndryshime në krijim duhet aprovimi i krijuesve në radhë të parë, dhe është çudi se si mund të konceptohet punë pa krijuesit, pjesë e grupit të punës. Më tej, jam informuar nga z. Leka se vartësit e tij i kanë sugjeruar që kënga të realizohet në Itali, meqenëse këngëtarja jeton atje dhe kemi interes të takojmë dhe Riccardo Cocciante-n. Megjithëse nuk ka logjikë të diskutohet Italia, kur unë jetoj dhe punoj në Los Angeles, pasi aksesi që do i jepej kësaj kënge do ishte i jashtëzakonshëm për faktin se jam vetë krijuesi, kam qenë i hapur për sugjerimin e tyre dhe të më informonin se në cilën studio, me cilët muzikantë, me cilin inxhinier regjistrimi kanë planifikuar që unë të punoj. I kam parashtruar gjithashtu zgjidhjen teknike se, nëse këngëtarja nuk ka dëshirë të udhëtojë për në Los Ageles, atëherë zëri mund të incizohet diku tjetër, proces ky tepër i thjeshtë, i cili nuk ka se si të komprometojë të gjithë produksionin e këngës. Informacioni i kërkuar nga RTSH-ja akoma dhe sot nuk bëhet i ditur.

Përgatitjet për këngën

Bisedat që ka bërë Aldo Shllaku me Martin Lekën edhe Klert Duraj për të negociuar rreth realizimit të këngës që do të prezantohej në Eurosong, përpara se kompozitori të tërhiqej nuk kanë qenë të pakta.

Përsa i përket anës profesionale, ju e konceptuat si më të drejtë që kjo lënie në hije, të pasohej nga mospjesëmarrja juaj në këtë garë... Realisht a ka patur tentativa nga zoti Leka, apo nga Kleart Duraj (kryetari i deleguar i Shqipërisë për në Eurosong), që ju të vazhdonit konkurrimin?

Nuk flitet për lënie në hije, këtu flitet për një përjashtim dhe lënie në errësirë totale të krijuesve nga çdo vendimmarrje mbi këngën nga 28 Dhjetori e mbrapa. Më 2 Janar kam kontaktuar z. Leka, më drejtoi te Drejtori Artistik i Festivalit. Më 5 Janar kam kontaktuar z. Saraçi, më drejtoi te Drejtori i Projekteve pranë RTSH-së. Më 5 Janar kam kontaktuar z. Duraj, me është përgjigjur më 19 Janar. Kam komunikuar me z. Leka, duke i shprehur shqetësimet e mia profesionale për këto vonesa dhe mosdhënie informacioni. Ndërkohë, puna me këngën po vazhdonte në Los Angeles, nga përkthimi në anglisht deri te planifikimi i studiove, i rreth 50 muzikantëve, të angazhimit të inxhinierit (12 herë fitues i çmimit Grammy), planifikimi për masterizimin etj. Sapo dërgova lajmin e mirë te RTSH / poet / këngëtarë, pra të gjithë të interesuarit, që një inxhinier i njohur (12 herë fitues i çmimit Grammy) është tashmë pjesë e grupit të punës, informohem nga z. Duraj më 19 Janar, që të mos planifikoj dhe mbyll asnjë gjë pa rënë dakord me RTSH-në fillimisht.

Unë kam qenë dakord me RTSH-në, njërën nga kontratat ia dërgova, sepse s'ka patur dyshim në perceptimin tim, një përjashtim i autorëve nga ky proces, duke ditur gjithashtu se 2 rastet paraardhëse të prodhuara në Los Angeles flasin vetë. Ishte e qartë tashmë që RTSH-ja i kishte planifikuar gjërat ndryshe, duke refuzuar të japë informacion, dhe duke më thënë, nënshkruaj të gjitha kontratat njëherë, pastaj do vendosim si t'a shohim të arsyeshme ne. Çdo përgatitje dhe planifikim nga ana ime duhej të anulohej, moment ky kur i jam shprehur RTSH-së, se nuk ka më kohë për të bërë gjëra të tilla, sepse për të riplanifikuar çdo gjë kërkon kohë. Mungesë serioziteti e tillë mund të mos jetë problem në Tiranë, por këtu ku punoj është një ndër faktorët që definojnë një profesionist. U vazhdua me mospërfillje të shqetësimeve profesionale dhe më pas duke parë se ishte komplet e pamundur të realizohej në kohë ajo që kisha planifikuar u detyrova t'i parashtroj kërkesën për tërheqje më datën 5 shkurt. Për këtë vendim, dhe se si u arrit deri te ky vendim, kanë qenë në dijeni të gjithë, përfshi këngëtaren, menaxheren e saj, RTSH-ja, poetët dhe EBU-ja.

“Ky është një “cirk absurd” ku nuk merren parasysh as rregullat”

Ajo çka ndodhi me këngën fituese të Elhaida Danit, konsiderohet nga artistët një rast i paprecedent. Por edhe sipas Shllakut, me këtë situatë që është krijuar mes palëve, Festivali është kompromentuar seriozisht. Ai e shikon si një realitet që është krijuar nga vetë ata që duhet ta mbronin në radhë të parë.

Si e konsideroni vazhdimin e kësaj gare, në një mënyrë të cilën, nuk e përmban Statuti i Festivalit?

Vendimi më i fundit i RTSH-së ka qenë dhe më i çuditshëm se sa i pari. Dalja jashtë Festivalit dëmton vetë Festivalin në radhë të parë. Për sa kohë ka pasur një proces të caktuar qartë se si veprohet dhe kush gëzon të drejta të caktuara. Ky është një “cirk absurd” ku nuk merren parasysh as rregullat, të cilat i kanë përcaktuar vetë. Për më tepër e besojnë si një 'mesele' e thjeshtë. Tri net festival, juri profesionale, 3 këngë fituese, energji dhe kosto pambarim, të gjitha në kosh plehrash. Kur ka anormalitet në vazhdimësi, anormaliteti kthehet në normalitet.

Nëse ju u tërhoqët për të mbrojtur atë çka quhet e shenjtë për karrierën tuaj profesionale, fakti se konkurrimi në Eurosong do të vijojë, me të njëjtën këngëtare, bën që te ky festival të zbehet edhe besimi i artistëve të tjerë...

Mendoj se me këto dy precedente është kompromentuar seriozisht Festivali. Fatkeqësisht, është realitet tashmë i krijuar nga ata që duhet t'a mbronin vetë atë në radhë të parë. Pjesë e asaj që duhet të përfaqësojë Festivali është dhe respektimi i të drejtave të autorëve, pa të cilët nuk do të ishte i mundshëm ky Festival dhe të gjithë që vijnë pas tij…

Ju personalisht a do të bashkëpunoni sërish me Festivalin e Këngës?

Një herë anëtar Jurie, dy herë prodhues i këngëve fituese të Festivalit për versionin e Eurosong-ut dhe njëherë pjesëmarrës në këtë Festival janë të mjaftueshme përsa i përket bashkëpunimeve në Shqipëri.

Dhe së fundmi, aktualisht me se jeni duke u marrë, përsa i përket anës profesionale?

Sapo ka dalë në shitje filmi “Lupin 3”, prodhimi me buxhetin më të madh në Japoni për vitin 2014 ($10 milionë), kam në dorë 2 filma (muzikën) dhe gjithashtu një album me këngë për Krishtlindjet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama