Shkup shtatorja dhe shtepia e Nene Terezes ne nje cep te lagjes maqedonase

Shkup, shtatorja dhe shtepia e Nene Terezes ne nje cep te lagjes maqedonase
Të gjesh shtëpinë ku ka lindur e madhja Nënë Terezë është fare e thjeshtë. Ajo gjendet në qendër të Shkupit, ku sot e kësaj dite dallohen vetëm rrënojat e shtëpisë. Kanë mbetur disa shenja që me sy të lirë nuk dallohen, por dikush duhet të tregojë se aty ka lindur pikërisht humanistja e njohur ndërkombëtare, Nënë Tereza.  Ajo çka e vërteton më së shumti është pllaka memoriale e vendosur aty, ku ka mbishkrime në maqedonisht dhe anglisht.

Të bën përshtypje që gjuha shqipe mungon, edhe pse Nënë Tereza ishte shqiptare dhe Maqedonia është një vend dygjuhësh.  Historianët tregojnë se shqiptarët e atyshëm kanë protestuar  në rrënojat e shtëpisë  së Nënë Terezës, duke u shtrirë gjerë-gjatë mbi rrënoja. Kontradikta ka qenë se autoritetet qeveritare maqedonase kanë dashur të ngrenë  mbi këto rrënoja një kishë, ndërsa vetë shqiptarët në këtë vend kanë dashur që të ngrihet shtëpia muze e Nënë Terezës.

Historiani Skënder Asani tregon: “Jo vetëm kaq, por pasi nuk mundën dot ta përvetësonin figurën e saj, pasi dihet tashmë botërisht se Nënë Tereza është shqiptare, ato deshën të ndërtonin në këtë vend një kishë, si e si të humbnin gjurmët e Nënë Terezës”. Ajo që të bën dhe më shumë përshtypje  është se  shtatorja e Nënë Terezës  mezi gjendet, ashtu e vogël, e vendosur në pozicion të papërshtatshme  për vizitorët e për syrin.

Duhet të kalosh mes përmes sheshit “Maqedonia”, duhet të shohësh të gjitha monumentet e ndërtuara të “heronjve të mëdhenj maqedonas”, për të mbërritur tek një nga rrugicat e shumta  të një lagjeje e populluar në qendër të Shkupit, ku gjendet pikërisht shtatorja e gruas me trup të vogël dhe shpirt të madh.  Vendndodhja është e futur në rrugën “Maqedonia” dhe nëse nuk të drejton dikush për aty, zor se e gjen. Shtatorja ndodhet pranë  shtëpisë muze, një godinë e re  e moderne, me një arkitekturë të çuditshme,  e realizuar nga  një arkitekt maqedonas.

Shtatorja është tepër e vogël dhe duket si një objekt i parëndësishëm, e bërë duke mos i dhënë përmasat e zakonshme të skulpturave të tilla në sheshe e qytete.  Kjo statujë nuk përcjell pothuajse fare përmasat e figurës së kësaj gruaje të madhe, e cila nderoi shqiptarët, por jo pak dhe Maqedoninë si vendi i lindjes së saj. “Vendosja e shtatores së Nënë Terezës në afërsi të së ashtuquajturës  ‘shtëpi e Armatës’, hasi në polemika dhe kundërshti nga shoqëria civile shqiptare, e cila e kundërshtoi me forcë këtë nënçmim të  figurës madhështore që kontribuoi për mbarë njerëzimin.

Propozimi i shoqërisë civile shqiptare në Shkup ishte që shtatorja e Nënë Terezës dhe muzeu ose shtëpia-muze, siç e quajnë ata, të ndërtoheshin në vendin ku kishte lindur, në sheshin kryesor të Maqedonisë , aty ku ndodhen rrënojat e shtëpisë së saj të lindjes.

Historiani Asani thotë:  “Maqedonasit u munduan të fshehin prejardhjen e saj dhe ndërtimi i muzeut  të saj në këtë vend të fshehur është me qëllim që mos të ketë vëmendjen e duhur”.

Ajo që të bën përshtypje, sa futesh në shtëpinë e Nënë Terezës, është një dhomë e mbushur me objekte të saj.  Në një pjesë të dhomës gjendet “krevati i saj” në  Kalkutë,  i cili sipas historianit Asani, nuk është origjinali. Më pas shihen foto gjatë veprimtarive të saj, si dhe  “Çmimi Nobel për Paqen”.

“Siç dhe e shohim këtu janë vendosur objekte jo autentike. Këtu mungojnë dokumentet e rinisë së saj, të kohës përpara se të nisej për në Kalkutë, gjë do të tregonte prejardhjen dhe origjinën e saj. Krevati nuk është i saj.  Mungojnë dokumentet autentike për përkatësinë kombëtare, foto nga rinia e saj, në të cilat është e veshur me veshje tradicionale kombëtare. Mungon deklarata e saj me rastin e marrjes së “Çmimit Nobel”, në të cilën thotë se jam me gjak shqiptari. Mungojnë të dhënat për familjen”, dëshmon historiani Skënder Asani.

Në Shkupin etnik të shqiptarëve

Në qendër të Shkupit, në anën e lagjes së shqiptarëve që quhet “Çarshia e Vjetër”, mund të dallosh qartë memorialin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Memoriali i parë shqiptar i vendosur në qendër të Shkupit, i cili sipas historianëve i takon një cilësie dhe punimi të mirë. I vendosur më 2006 ai qëndron në përmasa jo shumë të mëdha nëse do të krahasohet me “heronjtë e mëdhenj të shkupianëve”, i punuar nga skulptori i njohur Thoma Thomai. Në shesh tani është pak gjendje kauze, për shkak se aty po ndërtohet sheshi më i madh, që do të mbaj emrin e heroit kombëtar.

Të gjitha këto gjenden në pjesën e shqiptarëve, që njihet ndryshe “Çarshia e vjetër”.  “Çarshia” është destinacioni më i afërt, pavarësisht nga cila anë mund të hysh në qytetin e  Shkupit. E shtrirë në zemër të kryeqytetit, kjo lagje kufizohet me pjesën e maqedonasve nga lumi Vardar, nëpërmjet një urë të ndërtuar me gurë, të rikonstruktuar vitet e fundit në të njëjtin stil antik.  Kjo lagje e vjetër, për të cilën me të drejtë krenohet çdo shqiptar në Maqedoni, ka mundur t’i mbijetojë shumë luftërave që janë zhvilluar aty. Rrugët e saj autentike, të shtruara me kalldrëm, vijojnë të ruajnë ende atë stil shekullor. Baret dhe ndërtesat vijojnë të kenë po atë stil arkitekturor, të ndërtuara në gurë dhe dru, kryesisht në nuanca të ngjyrës kafe.

Sapo vë këmbën në Çarshinë e vjetër sheh të gërshetuar kultura dhe tradita të ndryshme, gjë që pohojnë më së miri për funksionimin e një shoqëri multietnike. Në të gërshetohen rryma të ndryshme artistike, nga klasikja, antikja dhe deri tek modernia. Të dhënat historike tregojnë se Çarshia e Shkupit është krijuar në shekujt XI e XII dhe ngjan si e ndërtuar dje. Muret rrethuese të lagjes janë të rikonstruktuara pa e prishur atë stil ekzistues. E shtrirë në kryeqytetin e një shteti evropian, Çarshia e vjetër dëshmon për një kulturë orientale, të zhvilluar dhe të kultivuar nga banorët e Shkupit. “Çarshia” e vjetër është pjesa më e vjetër e qytetit të Shkupit dhe është pjesë e pandashme nga Kalaja e Shkupit. Në qendër të saj ndodhet busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, vendosur aty që në 2006. Shesh nga ku mund të futesh në rrugicat kryesore të kësaj pjese, e që aktualisht është në ndërtim e sipër për të ndërtuar një shëtitore të madhe, që do të mbajë sërish emrin e heroit të madh të shqiptarëve.

Ç’gjejnë turistët e huaj në “Çarshinë” e Shkupit

“Çarshia e vjetër” është pjesa më antike e qytetit të Shkupit, e cila është pjesë e pandashme nga Kalaja e Shkupit, e me të drejtë turistët e huaj kërkojnë me çdo kusht të ndalen aty. Historiani shkupian, Skënder Asani, nuk lodhet duke na përshkruar deri detaje të këtij qyteti. Madje me të drejtë ai mund të quhet cicëroni ynë i udhëtimit.

“Shkupi ka qenë dhe është qytet me shumë xhami. Dikur ka pasur 133 xhami, por pas braktisjes së osmanllinjve dhe pasi ra nën pushtimin serb shumica e xhamive u rrënuan. Në pjesën e vjetër të Shkupit më të njohura janë: Xhamia e Mustafa Pashës, Xhamia e Isak Beut, Xhamia e Isah-Beut, Xhamia e Jahja Pashës, Xhamia e Murat Pashës, Xhamia e Sulltan Muratit, ku pranë saj gjendet edhe Sahati,  Kulla e Shkupit, e para në Ballkan.

Shkupi është i njohur dhe për hamamet e tij. “Hamami i Daut Pashës”, banjoja e ndërtuar nga turqit është gjithashtu me shumë famë. Ajo ka funksionuar deri në vitet ‘50, por pas tërmetit në vitin 1963 ajo u rrënua. Pasi u rindërtua sot shërben si galeri arti dhe për manifestime kulturore.

Kalaja e Shkupit

Është një tjetër monument që ia vlen ta vizitosh. E ndërtuar në kohën neolite dhe në kohën e bronzit, ajo është rindërtuar gjatë sundimit të Perandorit Justijani I . Në vitin 518 ka pasur  një tërmet i cili e ka dëmtuar rëndë, duke u rindërtuar më vonë.

“Memoriali i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut” është vendosur aty në vitin 2006 pas konfliktit në vitin 2001. Sipas marrëveshjes se Ohrit, ku u formua komuna e Çairit, ky monument u ndërtua dhe u vendos në vitin 2006. I punuar nga skulptori shqiptar Thoma Thomai, “Skënderbeu” arriti në Shkup gjatë një manifestimi madhështor më 28 nëntor 2006, gjatë festës kombëtare të flamurit shqiptar, nën patronazhin e komunës së Çairit. Shtatorja është e punuar në  bronx me lartësinë e saj mbi 4 metra. Paraqet monumentin më të lartë historik në Maqedoni. Ndërsa pas tij, po në këtë qytet u ndërtua shtëpia e humanistes së madhe  “Nënë Tereza” dhe përmendorja e saj në Rrugën “Maqedonia”.

Historia

“Çarshia” mbetet lagjja më antike e Shkupit, që është kryeqyteti i Maqedonisë, dhe qëndron në 254 m lartësi mbi nivelin e detit dhe që banorët e saj e vlerësojnë për një klimë të ngrohtë. Në jug të Shkupit gjendet mali Vodno, i cili arrin lartësinë 1066 m. Menjëherë pas tij gjenden malet e Jakupicës dhe Karagjicës me malin e tyre më të lartë Maja e Sollunit 2540 m. Shkupi mbahet për një qytet modern, me të kaluar historike dhe të begatshme. Qyteti është i njohur qysh në kohën e lashtë nga romakët me emrin Skupi ( në përkthim do të thotë strehë). Kronikat tregojnë se ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shkupit janë shënuar në vitin 518. Qytetit i janë vërsulur barbarët. Edhe është rrënuar nga një termet i madh në atë kohë. Pas këtij tërmeti një tjetër qytet disa kilometra më larg nga vendi i përparshëm është ndërtuar një qytet tjetër në afërsi të lumit Vardar, i cili u emërua Shkupi (Uskub, Skopie, Skoplje). Në vitin 1963 Shkupin e kapi një tjetër tërmet i madh, që rrënoi 80 % të qytetit, e ku humbën jetën më shumë se 1.000 vetë. Shkupi u rindërtua shpejt dhe si monument historik për këtë tërmet u ruajt ora e Stacionit Hekurudhor. Moment ky që u përdor nga politika titiste për çshqiptarizimin masiv të qytetit të Shkupit. Shqiptarët u përzunë nga qyteti i Shkupit me të gjitha mjetet e metodat nga ato të dhunës fizike e deri tek ato psikologjike.

Shqiptari që drejton komunën multietnike

Pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni,  në vitin 2004 u bë ndarja territoriale e të gjitha bashkive në këtë territor. Shumë komuna apo bashki  udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë. Që nga viti 2006, qyteti i vjetër i Shkupit, ‘komuna Çair’, udhëhiqet nga shqiptari Izet Metishti,  i cili shquhet për bashkimin e të gjitha etnive drejt integrimit të një komune multietnike, edhe pse shqiptarët kanë numrin më të madh të popullsisë, çka do të thotë se shqiptarët gëzojnë qeverisjen lokale prej shqiptarëve. “Nëse flasim për të kaluarën, lagjet shqiptare kanë qenë të diskriminuara për sa i përket shpërndarjes së fondeve, por tani ka një ndryshim të skajshëm në lidhje me këtë, ngaqë tatimet që mblidhen tani nga shqiptarët kthehen me projekte në lagjet tona. Kemi për shembull projektet e mëdha si: rruga kontinentale, e cila ka kushtuar 3 milion euro, rruga Bit Pazar, 1 milion euro,  ndriçimi në Çarshi, 500.000 euro, Ura në komunën Saraj, 1 milion euro, si dhe shumë projekte të tjera. Duhet thënë se ne, shqiptarët, ende nuk e kemi arritur barazinë në trajtimin e lagjeve në qoftë se krahasohemi me lagjet maqedonase në komunat apo bashkitë maqedonase. Ne besojmë në punën dhe vullnetin tone, urojmë që në të ardhmen e afërt edhe këto trazira të marrin dimension tjetër”, shpjegon Metishti në një prononcim të tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama