“Diskriminimi akoma dhemb. Një dukuri që duhet me kohë të ndalohet, në rast se nuk ndodh kjo, atëherë është mirë që të mbrohen viktimat. Nga të dhënat mund të konstatojmë se shumë qytetarë janë të vetëdijshëm se të drejtat e tyre shkelen në baza të ndryshme. Ata ndjehen të përjashtuar apo diskriminuar”, theksoi Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, informon agjencia e lajmeve INA.
Ai nënvizoi se po rritet numri i kërkesave të qytetarëve në adresë të institucionit të tyre, si mekanizëm mbrojtës.
Mehmeti ka theksuar se në raportin vjetor që është në përgatitje e sipër nga Avokati i Popullit, ka kërkesa të qytetarëve për tu mbrojtur nga diskriminimi në bazë të ndryshme, si kombëtare, fetare, gjinore dhe politike, etj. Në Maqedoni është formuar edhe Komision i posaçëm për mbrojtje nga diskriminimi, ku deri tani brenda një periudhe njëvjeçare nga formimi i tij kanë mbërritur 61 ankesa për diskriminim, kryesisht në baza nacionale dhe politike, punësime dhe sfera tjera.











