Shkelzen Maliqi Nje komb kosovar? Tendence absurd intelektuale

Shkelzen Maliqi: Nje komb kosovar? Tendence absurd intelektuale

-A jeni titist ju, z. Maliqi, dhe si do e përshkruanit një titist, jo vetëm në terma politikë?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Tito ka vdekur në vitin 1980. Pasi iku Tito, vepra e tij jetësore, federata e Jugosllavisë, brenda dhjetë viteve është shpërbërë dhe titizmi, nuk mbeti lëvizje e gjallë dhe inspiruese në asnjërin prej shtatë shteteve suksesore. Si titist mund të cilësohen vetëm individët dhe qarqet që kanë nostalgji për Jugosllavinë, por që sot nuk kanë askund influencë relevante. 

 

 

 

Në librin tim që e ka botuar UET në vitin 2011 (përgjigje në pyetjet e Baton Haxhiut), që tani është botuar edhe në Beograd dhe po qarkullon në hapësirat e ish- Jugosllavisë, kam dhënë përgjigje të detajizuara se titist nuk kam qenë as kur Titoja ishte gjallë, e as pasi që ka vdekur. Por në Kosovë titizmi rikthehet si një etiketë gogol për diskualifikim së koti të kundërshtarëve politikë ose të mendimit ndryshe. Mua personalisht më etiketojnë titist sepse ma shohin si “trashëgimi” familjare, pasi që babai im ka qenë pjesë e pushtetit titist. Megjithatë, ka raste kur titizmi nuk është etiketë, por përdoret me konotacione përmbajtësore, kryesisht kur debatohet për të kaluarën, konkretisht gjatë vlerësimeve të procesit të ngritjes së nivelit të autonomisë së Kosovës,ose të angazhimit të titistëve kosovarë në tejkalimin e prapambetjes, organizmin e arsimimit masiv, ndërtimin e institucioneve të gjysmë-mëvehtësisë, kultivimin e frymës kombëtare në kulturë dhe arsim etj. Shembulli i fundit i këtij debatit ka qenë nisma për ngritjen e përmendores Fadil Hoxhës në Gjakovë. Fadili ka qenë kreu i titizmit në Kosovë. Titistët kosovarë arritën që ta bëjnë Kosovën njësi federale të Jugosllavisë, me kompetenca të republikës, por pa e marrë emrin republikë. Ky ishte një kompromis titist (Kushtetuta e vitit 1974), që Titon e rikthen si temë në debatet historike, a ka qenë ai e zeza e Kosovës, apo edhe një faktor emancipues.

 

 

 

-Bijtë, sidomos kur i përkasin jetës publike, ashtu si dhe etërit e tyre tentojnë ose duan ‘t’i vrasin’ etërit. Për të shmangur hijen e tyre, një kompleksim të fëmijërisë etj. A e keni bërë ju këtë, apo keni mundur t’i shpëtoni (edhe pse e pamundur) kësaj përmase të njerëzores që fillon me narrativën mitologjike dhe ‘dekompleksohet’ nga Frojdi…

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Në vitin 1968, unë atëherë i kisha 21 vjet, brezi im bëri rebelimin planetar emancipues që politikisht mbase edhe nuk ka qenë gjithaq i suksesshëm, por kulturalisht bëri një revolucion të shembjes së modeleve të sundimit patriarkal të shoqërisë. Në këtë vit unë e pata përjetuar edhe çlirimin nga kompleksi i babait, sepse nuk iu nënshtrova autoritetit të tij duke protestuar kundër politikës besnik i së cilës ishte ai. Studioja në Beograd në atë kohë dhe u pata lidh me grupet majtiste antitiste, që në të vërtetë kanë qenë një amalgamë anarko-liberale. Nga njëra anë ne kritikonim praktikat burokratike të pushtetit socialist në emër të një “marksizmi me fytyrë njerëzore”, kurse njëkohësisht kishim qëndrime dogmatike rreth eksperimenteve me futjen e tregut të lirë në ekonominë e Jugosllavisë… Kështu që është temë mjaft komplekse kjo atëvrasje simbolike, që edhe atë e kam trajtuar më gjerësisht në librin dialog me Baton Haxhiun.

 

 

 

-Për të vazhduar me ‘atvrasjen’ duket se intelektuali kosovar ende nuk e ‘ka vrarë’ Ibrahim Rugovën, njëfarë ati shpirtëror e themelues i identitetit filozofik, politik e shtetëror të shqiptarit kosovar. Çfarë lipset për këtë?Apo kur të ‘vritet’ Rugova shumëçka ka shkuar mbrapsht?

 

 

 

 Shkëlzen Maliqi: Për vlerësimin objektiv të kontributit të Rugovës mungon distanca historike edhe për faktin se ka disa politika me influencë që mbijetojnë duke u thirrë në trashëgimin dhe duke zhvilluar kultin e tij. Unë e kam shkruar deri sa ai ishte gjallë, në vitin 2000, një libërth kritik për politikën e Rugovës “Pse ka dështuar rezistenca paqësore” që reflekton vitet ’90. I kam analizuar anët pozitive dhe mangësitë e politikës së tij, që kushtëzuan paraqitjen e pashmangshme të rezistencës së armatosur ndaj të cilës Rugova nuk ka pas qëndrim të drejtë, dhe kjo ka lënë pasojë në antagonizmat e pasluftës deri edhe në ndasitë e sotme, se cili krah i rezistencës, paqësori apo i luftës, ka dhënë më shumë kontribut në internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe shpalljen dhe afirmimin e pavarësisë. Sa i përket nevojës së demitizimit të Rugovës, mendoj se kontributi im modest me atë libërth nuk do të duhej të cilësohej si atëvrasje simbolike, por eventualisht sivëllavrasje simbolike, sepse jemi të një brezi dhe kemi bashkëpunuar ngushtë në periudhën 1988-1991, kur ai nga një kritik modest letrar u bë prijës historik në krye të rezistencës paqësore me një përkrahje gati plebishitare, por që pastaj përfundoj me një çarje dhe garën e dy miteve të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit, për primatin historik në mitologjinë shtetformuese kosovare.

 

 

 

-Pra, ka një duel Rugova-Jashari; me anë të monumenteve, narrativës kombëtariste etj., apo Kosova është e dalë nga kryet e njërit e brinjët e tjetrit?

 

 

 

 Shkëlzen Maliqi: Është duel i vazhdueshëm, por që po baraspeshohet në nivelin simbolik, duke bërë monumente për të dy këta heronj. Dhe kjo figurë që e përdorët se ‘Kosova është e dalë nga kryet e njërit dhe brinjët e tjetrit’, më duket si një formulim i mundshëm pajtues i kontestit historiko-mitologjik…

 

 

 

-A ka një padurim në Prishtinë ndaj ardhanakëve, dmth ish-luftëtarëve të UCK dhe shpurave të tyre që ekzekutojnë shumë pushtet aktualisht, dhe a ngjan ky me padurimin e Tiranës ndaj ‘hordhive’ si të 1944 nga Jugu, ashtu dhe të 1991 nga Veriu? A është klasik ky padurim për Tjetrin edhe kur ai është Yti?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Po, ekziston një lloj padurimi, por nuk është se këta ardhacakët e kontrollojnë tërë pushtetin. Nuk dallojnë shumë prej të “egërve” as ata të “butit” kur e kanë pushtetin ekzekutiv, qoftë qendror qoftë lokal,në zhvatjen e pronave publike, sigurimin e privilegjeve, manipulimin e tenderave etj. Pastaj, duke qenë se Kosova nga viti 1999 është edhe në një lloj protektorati, e varur nga fuqitë perëndimore, ka pas edhe periudha të bashkëqeverisjeve të imponuara të të “butëve” me të “egrit”, ku sektorët dhe dikasteret që kontrollonin i mbanin si feude të ndara me logjikën ‘ti gërryej minierën tënde, unë timen dhe jemi në paqe, të përfituar secili nëse bëjmë sherre të mëdha mes veti’. Për më shumë, ka pas edhe kalime nga një kamp në tjetrin, si aktualisht ku Thaçi si fitues relativ i zgjedhjeve, bëhet i paduruar për të gjithë të tjerët dhe mbahet në minorancë, kurse të “butit” dhe të “egrit e tjerë” ia kontestojnë dhe sfidojnë pushtetin me një mazhorancë që mund të bëhet pushtet vetëm nëse përkrahet ose nga Lëvizja Vetëvendosje,- të cilën perëndimorët nuk e duan assesi në pushtet, – ose nga deputetët e Listës serbe që ende kontrollohet nga Beogradi. Për mua pothuajse e gjithë klasa politike në Kosovë është bërë për gjynah dhe është para dështimit.

 

 

 

-A mund ta përshkruani Tiranën e të gjitha herëve që ju e keni vizituar nëpër epoka të ndryshme. Ose më saktë ndryshimet e saj…

 

 

 

 Shkëlzen Maliqi:Tirana po transformohet shpejt në një metropol shqiptare, por edhe qytet të kontradiktave të mëdha. Nga njëra anë je i bindur se po bëhet qytet i hapur dhe i mundësive, kurse nga ana tjetër ndodhin gjërat që tranzicionin e paraqesin si një proces tejet të frikshëm. Unë kam qëlluar vetëm 50 metra larg vendit në momentin kur është vrarë mizorisht Artan Santo. Skena që e kam parë pas disa minutash kur kalova pranë kufomës së tij edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Kam një averzion edhe ndaj konfliktualitetit të përhershëm që po e dikton militantizmi partiak me një delirizëm gati maniakal, e që në të vërtetë nuk po gëzon më përkrahjen e shumicës së njerëzve që duan ritme më normale të zhvillimeve edhe kur ka dallime në interesa dhe mendime.

 

 

 

-Ju jeni këshilltar i kryeministrit Rama për Rajonin? Cila është këshilla kryesore që i keni dhënë: në kuptimin që, cila mendoni se është një çështje që duhet të bëjë pjesë në programatikën kombëtare pavarësisht se kush është në pushtet?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Në fillim të mandatit të tij si kryeministër, Edi Rama e pat mbajtur në Kuvendin e Kosovës një fjalim programatik dhe të inspiruar mbi tejkufijtë, në të cilin e bëri një lidhje logjike mes dëshirës të të gjithë shqiptarëve që të bëhen pjesë e BE-së, dhe domosdosë që integrimit në Evropë t’i paraprijë bashkëpunimi i ngushtë i Shqipërisë me Kosovën. Askush dhe asgjë nuk e pengon këtë bashkëpunim jo vetëm në kulturë por edhe në ekonomi dhe fusha të tjera të jetës. Po ju rikujtoj vetëm një pasus nga ky fjalim ku Rama thotë: “Në vazhdën e bashkëpunimit ekonomik rajonal i cili parapërgatit integrimin tonë në Evropën e bashkuar, s’ka se si bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos jetë më i veçantë. Ndaj duke i dhënë fund peripecive absurde doganore, që sipërmarrje të ndryshme hasin në kufi, një vijë që mund të tejkalohet, por të kthyer në një linjë torture për shumë sipërmarrës, ne jemi të gatshëm të realizojmë bashkimin doganor.”Një seri marrëveshjes është paraparë të realizohen në energjetikë, arsim, kulturë, turizëm etj., etj. Më takimet e përbashkëta të dy qeverive si dhe të ministrive të resurseve që janë përcaktuar si prioritare, ky vizion i Ramës ka filluar të realizohet në gjashtë muajt e parë të mandatit, kurse më pas ritmi është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe vonesës së krijimit të Qeverisë së re në Kosovë. Dhe ky integrim europiançe i dy vendeve nuk do të varet më nga ajo se kush do të jetë në pushtet në vizionin e tejkufijve. Po kështu, korniza e përmbushjes së standardeve evropiane figuron edhe në dëshirën që të kemi një dialog të vazhdueshëm brendashqiptar për të ardhmen europiane, për të cilin jam duke punuar konceptin dhe modalitetet e realizimit. Po ky model vlen edhe për bashkëpunimin me vendet e rajonit.

 

 

 

-A mendoni ju se ekziston një komb kosovar, një narrativë që disa intelektualë të Kosovës e kanë fort për zemër?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Është keqkuptimi dhe keqinterpretimi i nocionit komb që e shkakton konfuzionin. Termi ‘komb’ vërtet është i barasvlershëm me termin në anglisht ‘nation’, ‘nationality’, dhe nënkupton të gjithë ata që jetojnë në një shtet pa marrë parasysh se çfarë është prejardhja e tyre etnike. Në këtë kuptim kombin kosovar do të duhej të përbënin të gjithë ata që janë shtetas të Kosovës, përfshirë këtu pos shqiptarëve etnik, edhe serbët etnikë, turqit, romët etj. Por, në përdorimin e gjatë shekullor me termin komb janë vetëquajtur të gjithë shqiptarët si etni dhe popull, dhe ata e konsiderojnë me të drejtë se janë të një kombi kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë apo në diasporat e shumta.

 

 

 

Sipas logjikës të atyre që thonë: Pasi që Kosova është një shteti ri, duhet të ketë edhe komb të ri kosovar; kombi shqiptar ekziston vetëm në Shqipëri, në Maqedoni shqiptarët do të duhej t’i konsideronim me kombësi maqedonase, ata në Preshevë si serbë dhe kështu me radhë… Ky konfuzion nëse e bëjmë dallimin mes përkatësisë një shteti (shtetësi) dhe përkatësisë një etnie (kombësi) që mund të jetë e shpërndarë në disa shtete. Kosovarët e të gjitha etnive ose kombësive do të pranojnë që të quhen shtetas të Kosovës, por jo edhe që serbit t’i imponohet të ketë kombësi kosovare. Edhe shqiptari i Maqedonisë nuk e kundërshton që të jetë shtetas i Maqedonisë, por jo edhe maqedonas si kombësi. Vetëm se ju në pyetjen tuaj keni të drejtë kur konstatoni se narrativi i disa intelektualëve në Kosovë projekton kombësinë, madje edhe gjuhën kosovare, që do të duhej të veçohej nga trungu shqiptar. Mendoj se kjo është tendencë absurde. Pasi që historia na ka bërë pikë e pesë, ata duan që edhe kultura dhe gjuha të bëhen pikë e pesë.

 

 

 

-Pse mendohet se duhet të ketë një marrëdhënie preferenciale Kosovë-Turqi? A shihni një turqizim të Kosovës?Dhe deri në ç’pikë mund ta dëmtojë Kosovën një penetrim i turkes në kompozitën kombëtare?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi:Turqia e tri dekadave të fundit ka shënuar zhvillim të hovshëm ekonomik dhe është bërë fuqi politike me ndikim të madh në gjithë rajonin, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri. Në kohën kur ndër shtetet perëndimore nuk kemi pasur interesim për investime masive në Kosovë dhe rajon, ose këto investime kanë qenë më selektive, Turqia e ka ngritur një doktrinë të afërsisë historike ose komonuelthit otoman, e cila në termat ekonomike e ka pas interesin e ndërlidhjes më të thellë të një tregu të zgjeruar për mallrat dhe kapitalin e Turqisë, me përmasat që përfshin mbi 250 milion konsumatorë nga Ballkani deri te Taxhikistani dhe Kirgistani, krahët e së cilit shtrihen edhe brigjeve lindore të Mesdheut…Krijuesi i kësaj doktrine neo-otomane, Dautoglu, tani është bërë Kryeministër i Turqisë, pasi që Erdogani është zgjedhur President. Sa i përket raporteve preferenciale të Kosovës dhe Shqipërisë me Turqinë, mendoj se ato mund të janë të dobishme, por duhet të balancohen duke lënë hapësirë edhe për partneritete të tjera strategjike me vendet e zhvilluara, në mënyrë që të evitohet varësia ekonomike dhe politike nga një faktor, Turqia. Unë mendoj se në raportet me Turqinë ekziston edhe një moment tjetër, se preferenca nuk duhet të shihet vetëm si favorizim i populizmit të Erdoganit dhe neo-otomanizmit të Davutoglusë, por duhet të konsiderojnë edhe raportet me opozitën demokratike dhe sekulare në Turqi, e cila është esencialisht më properëndimore dhe më afër orientimeve afatgjate të shqiptarëve. Një element tjetër për përafrimin me properëndimorët në Turqi është se kjo frymë atje i ka rrënjët e thella tek migrantët nga trevat shqiptare dhe përgjithësisht nga Ballkani. Popullsia turke me prejardhje nga Rumelia (pjesa evropiane e ish Perandorisë, përkatësisht Ballkani) konsiderohet si shtresë elite në ekonomi, politikë, kulturë, armatë etj. Pra, nëse raportet me Turqinë duhet të janë preferenciale, le të kemi kujdes se erdoganizmi populist dhe konservator nuk duhet të jetë partneri i vetëm, por se aleat të natyrshëm i kemi edhe demokratët dhe laicistët, të cilët të ardhmen e Turqisë e shohin si pjesë e BE-së.

 

 

 

-Libri juaj ‘Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera’ është përkthyer në serbo-kroatisht dhe botuar në Beograd, duke rënë në sy të Miljenko Jergovic, një intelektuali të spikatur të lindur në Sarajevë dhe që jeton në Zagreb. A mund të konsiderohet ky një hap më shumë i komunikimit kulturor të munguar Kosovë—Serbi?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi:- Jergoviçi është njëri ndër shkrimtarët më të mirë në hapësirat e ish Jugosllavisë, i cili vazhdon frymën e nobelistit Ivo Andriç në format dhe me stil më bashkëkohor. Po kështu është opinionist i shkëlqyer që ndër të parët e kuptoi se lufta mes sllavëve të jugut ka mbaruar dhe se lexuesit e tij janë gjithandej në Kroaci, Bosnje, Serbi dhe Mal të Zi, ku lokal nacionalistët pretendojnë se kombet e tyre flasin gjuhët e veçanta dhe të dallueshme, ndërkaq që ato gjuhë janë thjeshtë variante ose dialekte të një gjuhe, ku të gjithë kuptohen mes veti pa përkthyes. Jergoviçi prandaj edhe shkruan për publikun rreth 20 milionësh, dhe mund të vendos edhe ura të komunikimit të  munguar kulturor edhe mes Serbisë dhe Kosovës…

 

 

 

-Jergoviç vëren diçka shumë interesante në recensë: në Kroaci nuk dihet asgjë për kosovarët: flitet për ta vetëm kur u kundërvihen serbëve. Ndër shqiptarë megjithatë, kroatët shihen si njëfarë aleati. Çfarë e ka ndihmuar këtë keqkuptim, ose të paktën këtë dashamirësi njëkahëshe?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Jergoviçi flet për humbjen e interesit në Kroaci në periudhën aktuale. Më herët, sidomos gjatë 7 dekadave të qenit pjesë e një shteti sigurisht se ka kushtëzuar më shumë kontakte me Kosovën. Madje kontribute ndër më të rëndësishmet për albanologjinë dhe çështjen shqiptare janë ato të historianëve, gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve kroat, si Miroslav Shuflaj, Miroslav Kërlezha dhe Henrik Bariç. Gjatë krizës së Jugosllavisë, intelektualët dhe politikanët kroatë kanë krijuar aleanca me intelektualët dhe politikanët të Kosovës, mbi bazat e kundërshtimit dhe të luftimit të hegjemonisë dhe ekspansionizmit serbomadh. Në vitet ’90, kur në Kosovë mbretëronte terri informativ, Radio Zagrebi çdo mbrëmje jepte lajme në gjuhën shqipe. Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë vende të azilit për një pjese të intelektualëve të përndjekur kosovar. Po kështu, ato kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, Jergoviçi ka të drejtë kur flet për injorancën e sotme kulturore kroate. Vetëm se unë do të shtoja se mungesa dhe injoranca është e dyanshme, pasiqë edhe ne shqiptarët nuk kemi kontakte dhe njohuri të mjaftueshme për kulturën kroate dhe të përgjithësi për kulturën e rajonit.

 

 

 

-Dua të rimarr një pyetje të Jergoviçit: a e ka flijuar Shkëlzen Maliqi lirinë e vet?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi:Që nga viti 1991, kur më ka larguar nga puna e rregullt regjimi i Milosheviçit, unë e kam siguruar ekzistencën dhe mirëqenien e familjes time me shkrime,punë dhe projekte të ndryshme në sektorin e shoqërisë civile, gjithnjë duke qenë me liri të kufizuara dhe të cenuara. Jergoviçi në eseistikën time veçon guximin intelektual dhe stilin, sidomos shkrimet e viteve ’80 dhe ’90, duke më krahasuar me gjeniun e letrave kroato-serbe, Miroslav Kërlezhën. Kjo është një lëvdatë e pabesueshme (mbase jo edhe aq e merituar!), sepse unë në rrëfimin e pranoj se nuk kam qenë i lirë në zhvillimin e talenteve letrare dhe filozofike, duke lejuar që të mobilizohem nga politika dhe angazhimet sociale. Por, ajo që pyet Jergoviçi është a jam i lirë nëse tani jam këshilltar i një Kryeministri. Unë them se mund të mos jesh gjithaq i lirë edhe kur  je në pozitën e “intelektualit të lirë”, kurse si këshilltar nuk është se duhesh të mendosh me kokën e shefit.

 

 

 

-Një pyetje e fundit, dhe ndoshta më e rëndësishmja: A janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, a janë shqiptarët të kërcënuar nga fundamentalizmi islamik? Dhe, a ka një zgjedhje që na çon te një zgjidhje shpëtuese nga kjo murtajë e re?

 

 

 

Shkëlzen Maliqi: Kërcënimi ekziston, por nuk është aq serioz, në kuptimin e paralajmërimeve që u dëgjuan ditëve të fundit, ku thuhej se pas Sirisë do të kemi probleme po aq të mëdha me shqiptarët. Nuk dua të minimizojë prezencën e fundamentalizmit në dritën e zbulimeve të disa dhjetëra, ose edhe disa qindra shqiptarëve që kanë shkuar ta praktikojnë xhihadin në Siri dhe Irak, ose edhe burgosjeve të fundit që u bënë në Kosovë, më herët edhe në Shqipëri, por jam i bindur se islami radikal politik, edhe këta të xhihadit që po luftojnë për shtetin dhe kalifatin islamik, janë grupe margjinale në shoqërinë shqiptare. Për shumicën e shqiptarëve ky radikalizëm deri vonë nuk ka qenë as i dukshëm, sepse nuk e kishte forcën që të bëjë provokime serioze. Skandalet që bënin kanë qenë kryesisht verbale dhe simbolike, p.sh. publikonin pamfletet kundër Nënë Terezës apo Skënderbeut, ose i kundërshtonin dhe përdhosnin përmendoret e tyre. Kanë bërë bujë edhe disa fjalime që imamët ekstremë i publikonin në rrjetet sociale në internet. Por, anketat tregojnë se në Kosovë dhe Shqipëri vetëm çdo i pesti besimtar shkon rregullisht në xhami dhe falet, kurse bindje radikale, që nuk ndjekin tabanin e besimit tradicional në këto treva, shfaqin vetëm rreth 1,5 % të tyre. Diku në këtë shkallë janë edhe ata që deklarohen kundër vlerave perëndimore dhe janë antiamerikanë. Islami radikal në hapësirat shqiptare është në fazat e hershme të indoktrinimit të disa shtresave dhe do të bëhej më i rrezikshëm dhe destabilizues në rast të fillimit të ndonjë fushate terroriste. Grupet e vogla ekstremiste do të mund të bënin plojë me akte terroriste, por kjo do t’ju kthehej si bumerang duke i mobilizuar jo vetëm forcat e rendit por edhe shumicën e popullsisë, përfshirë këtu edhe shumicën e myslimanëve shqiptarë, për të cilët besimi nuk është ideologji që nxit sjellje luftarake dhe krime. Dhe tani është bërë mirë që inteligjenca dhe forcat e sigurisë, pa i paragjykuar rezultatet e hetimeve që janë duke u zhvilluar, i kanë ndërmarrë këto masa të burgosjes të atyre individëve dhe grupeve për të cilët ka dyshime se kanë nxitur dhe organizuar shkuarjen e xhihadistëve në luftërat në Lindjen e afërt, ku këta janë duke vepruar si xhahilët me zakone mesjetare duke i prerë kokat e civilëve në Irak dhe Siri, dhe kërcënojnë se po me aq mizori do të qërojnë hesapet me të gjithë të pafetë dhe të besimeve të “gabuara”.

 

 

 

Tani që ka filluar aksioni, unë jam i pajtimit me ata që thonë se beteja kryesore kundër fundamentalizmit islam do të duhej të zhvillohet nga vetë bashkësitë e fesë islame në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duke i larguar dhe kufizuar ndikimin që kanë imamët predikues të ekstremizmit. Nëse këta imamët izolohem nga shumica dërmuese e besimtarëve që janë pro islamit tradicional dhe tolerant shqiptar, beteja kundër fundamentalizmit dhe terrorizmit praktikisht do të jetë e fituar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama