Harta e pazbuluar e kësaj gjeografie objektesh të kultit shtrihet përtej Voskopojës, aty ku me mijëra turistë në vit, i shohin si perla ato pak objekte që kanë mbetur të gjalla nga vitet nëpër të cilat ka kaluar historia e ecjes së tyre. Për shkak të zonave të thella malore ku ndodhen disa nga këto objekte me vlera të lashta të kulturës dhe trashëgimisë, ato duket se janë lënë në mëshirë të fatit, kur edhe banorët që më parë mund të interesoheshin për mirëmbajtjen e tyre. Shtrirja e tyre kalon nga Kolonja në Moglicë e në Lashovë. Përtej Vithkuqit të largët e Mborjes së afërt, në kodrat e Boboshticës dhe në Dardhë dhe deri në ishullin e Maligradit në Liqenas, janë me dhjetëra objekte të tilla kulti që janë të vulosura nga shekujt e kaluar të historisë që kanë. Shumë nga objektet e kultit që janë të rralla edhe në Ballkan jetojnë në Korçë. Aty ku në fshatin Mborje qëndron e ngritur kisha e Ristozit, e cila pavarësisht nga dëmtimet në pikturat e rralla murale të afreskeve kur gjatë periudhës komuniste përdorej si depo, ka qenë nën ruajtjen e komunitetit të zonës që ka përkushtuar ditët për të ruajtur këtë pasuri. Por ndërsa numërohen 63 objekte që sot janë monumente të kulturës, lëvizja demografike e zonave të thella ka lënë pas vulës së lashtësisë së këtyre objekteve vulën e braktisjes. Në zonat e thella të Kolonjës atje ku këmba nuk ka shkelur për të vizituar objekte të rralla të kultit ndodhen kisha të shumta që edhe pse kanë objekte të shekujve XV-XVII nuk mund të shikohen për shkak të terrenit të vështirë. Ashtu dhe në Moglicën e shumë banorëve të ikur dhe në Lashovë, ku këto objekte nuk kanë asnjë kujdestar. Ndërsa në shumë nga zonat e pasura vetë banorët janë kthyer në rojtarë të këtyre objekteve në të tjera zona ato janë bosh, pa një kujdestar dhe një roje dhe për më tepër pa turistë e vizitorë. Të gjitha i kanë rezistuar kohës dhe janë në gjendje të vizitueshme, por vetëm ato që janë shkelur deri më sot dhe janë eksploruar e vëzhguar nga mijëra njerëz, kanë marrë edhe më shumë vëmendje për të pasur një çati të mirë, mure e afreske të rifreskuara e të ringjallura. Të tjerat edhe pse janë pjesë e hartës së kësaj pasurie, janë shumë larg për të pasur sigurinë, mbrojtjen, tërheqjen dhe deri te përkushtimi për t‘i mirëmbajtur për të respektuar lashtësinë e tyre.
"Të vizitueshme nuk janë vetëm kishat e Voskopojës ku numërohen aktualisht 6 të tilla që nga shekulli XIV dhe me afreske të ikonografëve të shquar shqiptarë si vëllezërit Zeografi, me piktura të Onufrit, të Shparakut etj. Kisha e Ristozit në fshatin Mborje është një nga perlat e Ballkanit. Ky objekt është ndërtuar në vitin 1389. Ajo që ende mbetet risi dhe thith një numër të konsiderueshëm vizitorësh është fakti se pavarësisht nga historia, nga dëmtimet e periudhës komuniste dhe gërvishtjet në mure, ruhen afresket e asaj periudhe të gjalla deri më sot", tregon drejtori i monumenteve të kulturës, Dhori Theodhori.
Për vitin e ardhshëm, pasi kanë përfunduar ndërhyrjet në 21 objekte të kultit fetar, të cilat janë të gjitha të vizitueshme në Dardhë, Boboshtivë, Voskopojë, Vithkuq etj., do të kthehet vëmendja edhe nga ato objekte monumente të kulturës, të cilat janë të hershme, mbajnë pasurinë dhe trashëgiminë tonë historike dhe kulturore. Këto janë objekte të cilat do të kthehen në interesin e të qenit tashmë të vizitueshme dhe është parashikuar që të kryhen në to restaurime. Bëhet fjalë për kishat e Lashovës, ato të Moglicës, dhe të zonave të thella të Kolonjës, të cilat nuk kanë përfituar asnjëherë nga ndërhyrjet.
Kisha e Shën Mërisë në Maligrad që daton që nga shekulli i XIV me piktura murale që ende ruhen të pacenuara, është një nga objektet që këtë vit ka thithur edhe vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. Kjo kishë ka qenë më parë jashtë syrit të turistëve, pasi teksa vizitonin ishullin në zonën e Liqenasit më tepër tërhiqnin vëmendjen shpellat, natyra, por më së fundi janë kryer edhe studime nga ku janë zbuluar për të parën herë edhe piktura shkëmbore, të cilat mendohet se janë vijimësi e pjesës ikonografike dhe të kishës në afërsi të tyre. Kisha e Ristozit më e vjetra në Ballkan që është ndërtuar që në vitin 1389 për shkak të afërsisë me qytetin këtë vit ka marrë më shumë turistë se zonat e tjera. Kjo për vetë historinë e saj dhe arkitekturën e veçantë, me piktura murale dhe afreske të rralla. Këtë vit janë kthyer në objekte të vizitueshme edhe shumë objekte të tjera. Theodhori tregon për rritjen e numrit të turistëve në zona si Liqenasi, Vithkuqi, edhe pse rekordin deri më tani e ka fshati Voskopojë. Xhamia më e vjetër e Ballkanit ndodhet në Korçë. Ajo u ndërtua në vitin 1648 dhe edhe sot e kësaj dite është më e frekuentuara dhe si monument i kulturës ka përfituar nga restaurimet. Por për ta bërë këtë objekt kulti edhe më atraktiv vitin e ardhshëm do të rindërtohet minareja. Këtë vit, specialistë vendas dhe të huaj, këta të fundit të specializuar dhe njohës të mirë të teknikës së ndërtimit të këtyre objekteve, kanë parë nga afër xhaminë e vjetër.
Në vitet e fundit, ashtu siç kanë tërhequr turistë të shumtë, këto objekte janë lakmuar edhe nga grabitësit, të cilët gjithnjë mbeten të paidentifikuar, edhe pse mendohet se bëhet fjalë për njohës të këtyre vlerave dhe jo thjesht trafikantë të tyre. Shumë nga objektet e kultit në zonën juglindore të vendit nuk i kanë më objektet e rralla dhe kjo për faktin se janë vjedhur gjatë natës, kur me thyerje kanë marrë dhe janë hequr jo vetëm ikona, por edhe pjesë të tjerë, ikonostase e punime të gdhendura në dru. Të paktën 13 objekte monumente të kulturës janë vjedhur dhe deri më tani nuk dihet se ku kanë përfunduar objektet. Tri herë është vjedhur e njëjta kishë në Voskopojë, ndërsa është hequr krejt ikonostasi me 13 ikona të zhdukura tashmë që janë në kërkim ndërkombëtar. Çdo vit në juglindje bëhet apel për ruajtjen e tyre, apel i cili bie gjithnjë në vesh të shurdhët.
Marre nga : Gazeta Shqip











