Parisi është sot në Kanë. Pikërisht aty ku në sezonin pasues të verës nis në paqe festivali i filmit!" Eshtë vjeshta e vitit 1946. Kana pret yjet e kinematografisë, pasi gjithçka kish nisur me një dështim. Kjo sepse për herë të parë, siç rrëfen themeluesi i festivalit Filipe Erlanger, në vjeshtën e vitit 1939 ai pat ftuar për një festival në Kanë, pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. "Më parë në festivalin e Venecias kishte grindje. Jozef Gëbels donte t´i fallsifikonte rezultatet dhe ta influenconte jurinë. Gjithçka karakterizohej prej frymës së luftës. Atëherë mua më lindi ideja, që tashmë kishte hapësirë për një tjetër festival filmi, atë të botës së lirë."
Pikërisht për 1 shtatorin 1939 ishte vendosur që festivali të zhvillohej në Kanë. Por me marshimin e gjermanëve në Poloni nisi Lufta e Dytë Botërore dhe festivali i ndërpre. Ai rifilloi në vjeshtë përpara 60 vjetësh, në vitin 1946. Spikeri i radios asokohe: "Festivali i Kanës është një konkurs i elegancës, një festë në bregdet me fitore dhe medalje. 19 kombe marrin pjesë me 120 filma, ndër to 50 me tirazh të gjatë dhe 70 filma të shkurtër."
Gjermania nuk ishte ftuar, e po ashtu as Japonia. Konkurimi zhvillohej nën moton, siç e formuloi asokohe Maurise Besi, shef i gazetës kryesore të kinematogrfisë: "Konkurs ka vetëm mes filmave të kombeve të njëjta. Pra konkurojnë gjashtë filma francezë me njëri-tjetrin, gjashtë filma amerikanë e po ashtu edhe anglezë e sovjetikë. Si të thuash një Oscar për çdo komb!"
Por kjo moto nuk mund të rezistonte gjatë. Festivalit të filmit iu desh të luftojë me probleme. Në vitin 1947 çatia e pallatit të sapo ndërtuar të festivalit fluturoi prej stuhisë dhe për mungesë parashë festivali u ndërpre për dy vjet. Më pas në Croisette, bulevardi mondan përgjatë bregdetit të Kanës, nisën mitet dhe skandalet. Në vitin 1956 u shfaq aktorja thuajse e panjohur deri atëhere Brigitte Bardot, e cila pozonte përpara kamerave meflokët e verdha dhe buzët e kuqe.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë Bardot provokoi thuajse një panik masiv teksa mbërriti në Kanë me burrin e saj, playboy-n Gunther Sachs, kjo në vitin 1967.
Një vit më vonë festivali i filmit sërish mori nota politike. Gjatë trazirave studentore në Paris në vitin 1968 edhe në Kanë dolën në skenë kineastë protestues, si Francois Truffaut apo Jean-Luc Godard: "Festivali ka marrë fund për solidaritet me studentët dhe punëtorët!"
Mbyllet perdja në Kanë. Pesë vjet më vonë, në 1973, ishte filmi i Marco Ferrerit mbi një orgji, që skandalizoi publikun e atëhershëm.
Janë kryesisht damat e mëdha të kinematografisë që do ta bëjnë Kanën të njohur me emra si: Sophia Loren, Gina Lolobrigida, Rita Kayworth, Catherine Deneuve, etj.
Regjisorët gjermanë në Kanë nuk janë dalluar shpesh. Volker Schlöndorff në fund të viteve 70-të u nderua me Palmën e Artë për filmin "Trumpeta prej teneqeje". Ndërsa i fundit në vitin 1984 ka qenë Wim Wenders i sukseshëm me filmin Paris-Tekasas. Sivjet është emëruar për çmim turko-gjermani Fatih Akin. Edhe për Akin vlen ajo që pat deklauar në vitin 1971 italiani Luchino Visconti, që hyri në garën për çmimin e Kanës me filmin "Vrasje në Venecia": "Eshtë si një Grand Prix, garë për çmimin e madh. Unë jam një ndër kuajt e garës në moshën më të mirë. Jam duke pritur sinjalin e startit dhe dua të fitoj!
Angela Ulrih -DW World











