Shfaqja populiste e kryebashkiakut Veliaj duke shkelur ligjin

Shfaqja populiste e kryebashkiakut Veliaj duke shkelur ligjin

Në rrjetet sociale dje, u denoncua rasti i një zonje e cila humbi ndjenjat pasi katër inspektorë të Policisë Bashkiake i sekuestruan karrocerinë e kokoshkave. Inspektorët e njoftuan zonjën se ajo duhet të paguajë 5 mijë lekë për ta rimarrë karrocën dhe se nuk mund të shesë më nëpër rrugët e Tiranës pasi ka zënë hapësirat publike të qytetit.

Reagimi i qytetarëve që e quanin ngjarjen si çnjerëzore e tregues të luftës së shtetit ndaj të varfërve ishte i menjëhershëm; ndoshta dhe për faktin se zonja rrëfeu se shitja e kokoshkave ishte burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e saj e se këto ditë paratë e fituara nga kokoshkat po i ruante për të blerë ilaçet.

Sot, Bashkia e Tiranës njoftoi pezullimin e katër inspektorëve. Në njoftim zyrtar të Bashkisë shkruhej:

"Pas publikimit në media të një videoje, ku disa punonjës të Policisë Bashkiake shfaqen duke I sekuestruar karrocën një shitëseje ambulante, Kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës ka pezulluar menjëherë nga detyra 4 inspektorët që ishin në detyrë, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes në fjalë."

Nuk dihet ende nëse inspektorët janë pezualluar sepse nuk kanë respektuar ligjin, apo për shkak të bujës në rrjetet sociale.

Nisma e Kryebashkiakut Veliaj për të liruar hapësirat publike nga shitësit ambulantë, nisur që prej gushtit 2015, ka sjellë gjoba e sekuestrime të mallit të shitësve ambulantë në më shumë se 3500 raste, por asnjë punonjës bashkiak nuk është pezulluar. Në 3500 raste inspektorët e bashkisë kanë qenë punonjës të mirë, ata thjeshtë kanë zbatuar vendimin e Zotit Veliaj.

Në rastin e 3501, inspektorët pezullohen pa asnjë shpjegim, me shumë gjasa duke shkelur ligjin.

Duket se nisma e kryebashkiakut për të "kuruar" imazhin e qytetit, ndalet sa herë ka një denoncim publik. Kryebashkiaku pezullon punonjësit pse zbatuan urdhërin e tij kur qytetarët thonë se këto veprime janë çnjerëzore, pa dashur të kuptojë se në fakt është nisma e tij ajo që në më të shumtën e rasteve është çnjerëzore.

Si gjithmonë, bëhen "kurban" punonjësit e jo ai që ka marrë vendimin politik. Ky i fundit del gjithnjë si babaxhani që u prek nga ndodhia dhe dha ndëshkimin për autorët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama