Sherri per nje femer tre te rinj plagosin rende vellain e prokurorit

Sherri për një femër, tre të rinj plagosin rëndë vëllain e prokurorit
Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të ditës së djeshme në lokalin "Mai Tai" në Lundër të Tiranës. Në këtë lokal, Taulant Spahiu, bashkë me të dashurën, Mesida Ll., si dhe dy shokët, Olsi Mema e Dervin Logu, të gjithë të moshës 22-vjeçare, kanë qenë duke darkuar dhe kishin konsumuar shumë alkool. Në një tavolinë tjetër ndodhej Sokoli, vëllai i një prokurori të njohur në Tiranë. Vajza që shoqëronte Taulantin është ankuar se Sokoli nuk ia ndante sytë. Por, pa kaluar shumë kohë ai është ngritur dhe ka kaluar pranë tavolinës me katër veta. Në ato momente, Taulanti i ka tërhequr vëmendjen për të dashurën.

Por Sokoli nuk ia ka vënë veshin dhe ka vazhduar rrugën. Në kthim, pa folur asnjë fjalë, Taulanti ka marrë gotën e verës dhe e ka goditur 22-vjeçarin në fytyrë. Të gjithë të pranishmit në lokal janë shtangur, kanë kthyer kokën nga vinte zhurma dhe kanë parë të shtrirë në tokë të riun, fytyra e të cilit ishte mbuluar me gjak, ndërsa Taulant Spahiu vazhdonte të qëllonte me shqelma dhe grushte të riun, i cili ka mbetur pa ndjenja. Kamerierët e lokalit treguan se dëshmitarët u afruan për t‘i ndarë dhe në atë moment të katër personat u larguan me shpejtësi, ndërkohë që një klient ka telefonuar policinë, e cila nuk ka vonuar për të mbërritur në vendin e ngjarjes. Policia ka identifikuar autorët në një kohë rekord dhe shumë shpejt uniformat blu kanë shkuar në banesën e Taulantit, por nuk e kanë gjetur. Pas disa orësh ai është gjetur në banesën e njërit prej shokëve, ndërkohë që policia i ka shoqëruar të tre djemtë, bashkë me vajzën. Sipas policisë, Taulant Spahiu u arrestua për plagosje të rëndë, ndërsa Olsi Mema e Dervin Logu, për përkrahje të autorit.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama