Sherret trajneri Sormani shkund lojtaret para stervitjes

Sherret, trajneri Sormani shkund lojtarët para stërvitjes

Miqësorja e së mërkurës me Kamzën nuk ka lënë shije të mirë te trajneri italian, jo për faktin se Partizani u mund 2-1, por për shkeljen e disiplinës nga lojtarët. Përplasja e mesfushorit Batha me trajnerin e Kamzës, Bledar Devolli, është bërë objekt diskutimi para fillimit të seancës së mbrëmshme stërvitore të Partizanit në Pezë.

sormani partizani

Trajneri Sormani, para fillimit të përgatitjeve, ka bërë një mbledhje me lojtarët dhe u ka kërkuar që sherret e ndodhura në miqë- soren me Kamzën nuk duhen përsëritur në vazhdimësi. Italiani i ka paralajmëruar lojtarët se nëse ky rast përsëritet ndaj shkaktarëve do të merren masa ndëshkuese nga klubi, gjë e cila lë të kuptosh se nuk do të ketë penalitete për përplasjen e Bathës me trajnerin e Kamzës.

"Ngjarje si ajo e takimit me Kamzën nuk dua që të përsëritet më në ekip. Asnjëri prej jush nuk ka punë me trajnerët apo lojtarët kundërshtarë si dhe gjyqtarët. Duhet të përqendroheni vetëm te detyrat e ngarkuara dhe jo të bini pre e provokimeve apo replikave me kundërshtarët. Ndodhi të tilla, si ajo e së mërkurës, nuk do t'i toleroj më, prandaj ky rasti le të mbetet i fundit".

partizani stervitje

Kështu mësohet se u është drejtuar trajneri Sormani lojtarëve para nisjes së përgatitjeve të djeshme. Në këtë analizë nuk kanë munguar edhe kritikat për lojën që zhvilloi ekipi, gjë e cila solli edhe pësimin e dy golave. Realdo Fili është kthyer nga grumbullimi me Kombëtaren U-21, por vetëm sot do të bashkohet me grupin.

Formacioni, dilema para transfertës së Krasnodarit

Trajneri Sormani ka disa dilema për formacionin që do të hedhë në fushë, më 18 gusht, ndaj Krasnodarit. Renaldo Klari do të mungojë edhe në këtë takim, pasi UEFA ia ka shtuar edhe me një ndeshje pezullimin që mori nga kartoni i kuq ndaj Salzburgut. Në pikëpyetje mbetet edhe përfshirja e Ibrahimit dhe Ramadanit, që kanë probleme me pajisjen me viza.

sormani

Në këto kushte, trajnerit i duhet të gjejë alternativat e duhura për mbrojtjen, kryesisht nga krahët. Mbetet për t'u parë se kush do të luajë i majtë, pasi Kalari është i pezulluar, Hakaj i dëmtuar, ndërsa Atanda nuk bindi ndaj Salburgut. Mundësitë janë tre: spostimi i Arapit në rolin e tij, ose tërheqja prapa e Trashit, skemë e përdorur edhe më parë.

Nëse Ibrahimi pajiset me vizë, ai mund të luajë në të majtë ose qendër dhe Fejzullahu të kthehet titullar në të djathtë të mbrojtjes. Për shkak të mungesave, Bertoni mund ta nisë si titullar në mesfushë, ndërsa sulmi pritet të jetë i njëjtë si në ndeshjen e fundit të Champions-it ndaj Salzburgut.

ILIR CARA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama