Traviata rivjen ne TOB

'Traviata' rivjen ne TOB
Teatri i Kombëtar i Operës dhe Baletit ringjit në skenë, në datat 2,3, 4 dhe 5 prill, ora 19:00, operën “Traviata” të Verdit nën dirigjimin e italianit Peter Tiboris. Historia tragjike e dashurisë së Violetës me Alfredon do të këndohet këtë herë nga 100 artistë. Opera e vënë në skenë në vitin 2002 nga regjisori Nikolin Gurakuqi risillet këtë radhë po nga i njëjti regjisor me ndryshime në masën 90 për qind në aspektin regjisorial. Violeta do të interpretohet nga emrat më të mirë të skenës operistike shqiptare, ndërsa roli i Alfredos i është besuar një tenori italian. “Traviata” e Verdit sjell në skenë tre Violeta, Mariana Lekën, Eva Golemin dhe Ramona Tullumani, të cilat janë emra që kanë shijuar me kohë suksesin artistik.

Më tej kastës së artistëve i shtohen edhe emra të tjerë si Flora-Sofika Kola, Lindita Kola, Anina- Enkelejda Zepishta, Alfredo-Fabio Andreotti, Zhermont-Ylber Gjini, Gastoni-Erlind Zeraliu, Denis Skura, Baroni-Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Markezi-Edvin Kastrati, Doktori-Sokol Hidersha, Xhuzepe-Ardian Kamberi, shërbëtori i Florës-Fatmir Cara, komisionari- Pandush Koko. Për herë të parë “Traviata” është vënë në skenë në Shqipëri më shumë se 50 vjetëve më parë. Violeta e parë shqiptare ka qenë e madhja Marie Kraja. E njëjta opera është shfaqur pastaj në 1972 si dhe në 1983. Në 83-shin është sopranoja Edit Mihali që risolli në jetë Violetën e harruar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Mihali do të ruhej në kujtesë si e fundit Violetë mbi skenën e TOB-it deri në vitin 2002.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama