Seksi shet Historia e trishte e nje artisti brilant

Seksi shet: Historia e trishte e nje artisti brilant

Liu Yiqian, një ish-shofer taksie në Kinë, i kthyer në një miliarder që koleksion vepra arti, bleu një ditë më parë për 170.4 milionë dollarë veprën e artit “Nu Couche” të piktorit Amadeo Modigliani-t. Kjo pikturë është një nga veprat e artit më të shtrenjta në botë. Por historia e autorit të saj është e trishtë

Edhe pse ishte vera e vitit 1917 dhe kulmi i Luftës së Parë Botërore, Parisi ishte i mbushur me turistë.

Amadeo Modigliani u afrohej atyre, në barin e preferuar, Rotonde, dhe u kërkonte që t’u bënte një portret.

“Jam Modigliani, një hebre. Pesë franga”, thoshte gjysmë i dehur.

Ky emër nuk u thoshte shumë turistëve, por për pesë franga, ky ishte një suvenir i mirë.

Sot, emri i tij është shumë i njohur në botë dhe veprat i shiten shumë më tepër se disa teke me alkool.

Jeta e shkurtër dhe e turbullt e piktorit dhe skulptorit italian- e mbushur me alkool, drogë, femra dhe dhunë- është mahnitëse.

Ai lindi në vitin 1884 në qytetin e Livornos në Itali.

Përpara se të lindte, babai i tij, një hebre i njohur për dhënie huash monetare, kishte falimentuar.

Përmbaruesit hynë në shtëpinë e tij, në kohën që mamasë, Eugenie, i kishin nisur dhimbjet e lindjes.

Meqë ligji e lejonte, ata sekuestruan edhe krevatin ku ajo ishte shtrirë për të lindur.

Vogëlushi Modigliani sëmurej shpesh.

Pasi u sëmur disa herë, në një rast edhe me tuberkuloz, mamaja e mori të birin për të udhëtuar.

Ai e quante veten që në atë kohë një piktor, por edhe një joshës i madh femrash.

Kur ishte 16 vjeç, ai çoi në krevat një turiste norvegjeze gjatë një udhëtimi në Kapri me mamanë.

Ishte e para mes shumë syresh.

Deri në fillim të të njëzetave, studioi dhe pikturoi në Itali, por si shumë artistë të tjerë të periudhës, i vetmi vend ku duhej të shkoje, ishte Parisi.

Ai mbërriti atje në vitin 1906.

Mamaja e tij i dërgonte para, por ato nuk i dilnin. Shumë shpejt ai nisi të shijojë kanabisin. Nuk ka dyshim që kishte varësi ndaj drogës, por historianët ndahen përsa i përket ndikimit që kishte në punën e tij.

Një mbrëmje, i bërë dru, ai pikturoi një grua me qafë si të një mjelme.

Shumë shpejt gratë me qafë të gjatë u bënë simbol i punimeve të tij.

Në vitin 1910, në moshën 26 vjeç, nisi një aferë pasionante me një poete ruse, e quajtur Anna Akhmatova.

Martesa me 21-vjeçaren zgjati vetëm një vit.

Çifti recitonte poezi, shëtiste në dritën e hënës, vizitonte galeritë dhe bënte dashuri.

Por Akhmatova nuk e duronte shumë temperamentin e tij dhe ata u ndanë.

Këtu nisi edhe rënia e piktorit. Ai nisi të zhytej në botën e errët të hashashit, absinthit dhe kokainës.

Kjo e bënte jo vetëm të dhunshëm, por edhe i dobësoi trupin ndjeshëm.

Shpesh dilte dhe kërcente i zhveshur në rrugë, në një rast u gjet në një kosh plehrash.

Ai nisi një aferë me një prostitutë ekzotike, të quajtur Elvira.

Çifti mbyllej në studion e tij dhe merrnin kokainë.

Pavarësisht këtij stili jetese, Modigliani arriti të krijonte veprat e tij dhe talenti i tij u pranua edhe nga emra të tillë si Renoir, edhe pse Modigliani nuk u bë kurrë në atë kohë një emër kaq i njohur.

Pasioni i tij mbetën femrat. Një nga të dashurat, poetja angleze Beatrice Hastings thoshte se ai ishte i shëmtuar, i egër dhe lakmitar.

Çifti kishte një marrëdhënie të dhunshme, ndërsa ai në një rast e tërhoqi zvarrë për flokësh.

Dashuria më domethënëse e tij mbetet piktorja e re franceze, Jeanne Hebuterne, të cilën thuhej se e kishte përdhunuar në takimin e parë, kur ajo ishte 21 vjeç.

Pavarësisht kësaj, ata nisën një aferë.

Gjatë kësaj periudhe, ai bëri pikturat më të mira të tij. Madje në vitin 1917 ai bëri edhe kryeveprat e tij nudo.

Në atë kohë u cilësuan si një skandal.

Kur u ekspozua “Reclining Nude”, me të tjera punime nudo, policia e mbylli ekspozitën.

“Këto gra nudo. Ato kanë qime pubike”, tha një polic.

Në nëntor të vitit 1918, Jeanne lindi një vajzë, të cilën e quajtën Jeanne.

Jeta kaotike e çiftit bëri që vajza të jetonte me një kujdestare.

Tragjikisht, ai nuk pati mundësi të njihte vajzën.

Në janar të vitit 1920 nisi të kollitej me gjak dhe u diagnostikua me meningjit tuberkular, një komplikacion i tuberkulozit, që nënkupton se bakteret kanë emigruar në tru.

Sëmundja e vrau më 24 janar, në moshën 35 vjeç.

Jeanne kaloi në dëshpërim dhe kërcënoi se do vetëvritej.

Pavarësisht se miqtë tentuan ta ndalojnë, mëngjesin tjetër ajo u hodh nga dritarja e katit të pestë, duke vrarë veten dhe fëmijën e saj në bark.

Ajo ishte në javët e fundit të shtatzënisë.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama