Saranda ku betoni nuk ka te sosur

Saranda, ku betoni nuk ka të sosur
Distanca e fundit, që të afron në qytetin e Sarandës, pas një qafe shumë gjarpëruese është shkurajuese. Po. Fatkeqësisht. Dhe, kur zbret dhe kthesën e fundit dhe futesh në qytetin më skajor të Shqipërisë, një masë bojë hiri me profile të ndryshme të zë kudo frymën. Beton. Skela. Armatura. Kurse një zhurmë e rëndë matrapikësh i merr ngadalë hapësirën shkëmbinjve. Kështu, vazhdon. E kudo ndërtohet. Qyteti, në dimër, është hija e largët e qytetit dhjetëra-mijërash që gjallnon në verë. Punohet. Betoni nuk ia merr dot ende bukurinë detit dhe mjedisit përreth, por e ka përçudnuar pak qytetin. Ende nuk e ka mposhtur natyrën, por pak nga pak e ka gjunjëzuar. Saranda në shikim të parë është një qytet pa identitet. Të njëjtën ndjej nga shprehja e dy burrave, të cilët do i takoj tri ditë rresht në të njëjtin vend. Në krye të herës u kërkoj një të njohur, që më kanë thënë se ka kaluar aty pari. Me një gegnishte allasoj, nuk u kuptoj asgjë. Dhe më thonë troç se as nuk ia kanë idenë. “Nga jeni?” - i pyes. “Bjeshkë”, më thonë lakonikisht.

Në qytet
Të dy burrave nuk u bën përshtypje koha, por këtu u duket njësoj si në Greqi. “Ani, ktu flet shqip, të paktën”, ma pret njëri një ditë më vonë, kur ndërrojmë pak fjalë. Marrin deri në 1000 lekë dita dhe janë të kënaqur. Dy shokë të tyre, më ‘hileqarët’, kanë filluar të mbledhin agrume fshatrave të braktisur. Qeshin me njëri-tjetrin, sepse nuk i thonë mirë emrat e fshatrave. “Turqit!, ma pret një sarandjot. Na kanë mbytur. Kudo i ke”. Turqit, për ortodoksët ultrasë të jugut shqiptar - mund të jenë dhe katolikët tanë...?!
Sikur të mos ishin temperaturat e dimrit dhe rruga e largët, qyteti i Sarandës do ishte non-stop i frekuentueshëm. Nga turistët... dhe skamnorët. Të paktën, për shqiptarët e këtej dhe andej kufirit. Këtë e vërteton fundjava, që megjithatë, e mësynë shumë syresh. Madje, edhe turistë të huaj. Ata aklimatizohen qetë me qytetin, ndërsa sarandjotët janë bërë gjithmonë e më shumë indiferentë me të ardhurit. Kjo është shenja më e dukshme e qytetërimit të këtij vendi. Butrinti, Finiqi, i kanë dhënë mbarë njohje qytetit. Sikur të mos mjaftonin shumë nga gjërat kulturore që e qarkojnë qytetin, bazilika paleokristiane, që është në qytet - tash supozohet se është sinagogë. Një arkeologe e re, Etleva Nallbani, e ka konfirmuar bashkë me një kolegen e saj të huaj. Si ndodh rëndom, grupe hebrenjsh kanë ardhur të shikojnë një nga gjërat e tyre më të vyera të kultit në Evropë. “A ke menduar, - e pyesim kryetarin e Bashkisë - se kjo pikë tërheqje, mund të ketë dhe sikletin terrorist”. Kthjellohet. “Po. Jo... - belbëzon. Është pak siklet...”. Ajjj, kujdes bre...”, më thotë një tjetër me aksent verior, ndërsa shtyhem pas teksa fotografoj objektin e hebrejve. Sinagoga është punuar dhe një tërësi qelash, kriptesh, të bën të ndalosh. Një planshet tregues i Bashkisë e identifikon me parametrat e duhur. Nëse do të aprovohet një mbështetje nga qeveria, dhe për të cilën kryetari simpatik i Sarandës, Gjoka, ka marrë premtime, atëherë punimet e Sinagogës do vazhdojnë deri në rrugë. Si për mbrojtje, i bën hije një minare, kurse mes tyre (për ironi) një pallat i stërmadh ka ngritur kokë. Kjo ndodh rëndom në qytet. Shumëkatëshit të mbysin. Tek kioskat, që janë pas Bashkisë, mblidhen tash të gjithë punëtorët sezonalë. Ata që i ngrenë. Vendasit i këqyrin, por pak u flasin. Aty është edhe i gjithë grumbullimi i qytetit. Shërbimi urban është futur në qytet dhe shumë elementë të tjerë e bëjnë qytetin disi interesant. Duhet thënë se ai tashmë përdoret edhe nga të huajt. Ka shumë shitore, por që shesin pak a shumë të njëjtat gjëra. Lokalet e verës, që rrinë për inerci hapur, janë krejt bosh. Nuk ka tërheqje kulturore dhe qyteti, veç pastërtisë në akset kryesore, nuk të afron asgjë. Përveç një shëtitje të stërgjatë buzë detit, në një mini-lulishte, që nuk është shkatërruar për fat. Në fundin e vjeshtës, dimër dhe fillimin e pranverës, qyteti tret dhjamin e vet. Të rinjtë largohen. Në qytet mbeten studentët dhe të rinjtë, që nuk janë bërë gati për emigracion. Pleqtë bëjnë ritualin. Flasin. Një pazar të thjeshtë dhe pak domino. Dy pensionistë, përballë Palmës, gatuajnë bashkë në një si tip mejhane, por tepër pastër. E vjetra, me një fytyrë të përhumbur vdes të dëgjojë ndonjë thashetheme. Të rinjtë e paktë në qytet zdërhallen në llotot e pakta dhe këqyrin të huajt në qytet. “Në dimër ikim, bëjmë ndonjë evro. Në verë kthehemi. Bëjmë sërish para, por tash si pronarë”, më thotë një i ri 26 vjeç, që shet përballë Limanit. Një shoku i tij, që afrohet, më tregon se ka një shtëpi dhe e lëshon me qira. Një shoku i tij, që ka një hotel në pjesën tjetër të qytetit, ku dikur kanë qenë katërkatëshit, gjuan ndonjë myshteri. Dhe shumë refugjatë, që strehohen andej-këndej. Saranda është vend ku punohet... dhe jetohet për refugjatët...

Atraksioni
Dikur qyteti, veç të tjerave, i prishte punë dhe një propagandë jo e mirë, që mbërrinte nga vendi përballë. Turistët zbarkonin në mol nga Korfuzi, shkonin në Butrint, hanin një drekë në qytet dhe sërish ktheheshin pas. Si një mallkim për qytetin, ata vinin për të ikur. Me këtë rast, vendi fqinj tregonte edhe supremacinë e padiskutueshme. Turistët vinin dhe iknin, vite pas viti. Pas linin kujtimin e lypësve, që u viheshin karvan pas. Në këtë vit, më pak se gjysma e të huajve që kanë ardhur në qytet kanë qëndruar. Një propagandë e mirë në qytet, u ka treguar se veç Butrintit, Saranda ka edhe tërheqje të tjera, dhe pothuaj po aq interesante sa qyteti i Eneas. Ka një sinagogë; më tej qyteti i Pirros, Foinike; sipër manastiri i 40 shenjtorëve, që i dha emër qytetit... Është Kakome, një vend i ardhur si nga Antikiteti i hershëm dhe kudo Onhezmi...etj.
Burrin që e kam hasur, kur bëja foto, e has sërish. Këtë herë në një mëngjes. E pyes për diçka, por nënqesh me disa dhëmbë të bardha, duke më thënë se nuk mundet të më tregojë më shumë. Ka të drejtë. Është jabanxhi, njësoj si unë. Por, në qytet, mund të ushqehesh, të paktën, mirë. Aq sa bindesh se tradita e ushqimit në këtë vend nuk do t’i lerë kurrë në baltë njerëzit. Bëjnë shumë mirë restorantet familjare. Sa për shitoret e tjera janë njësoj. Një version popullor i Mapos së dikurshme, por tashmë me mallra miks greke dhe më pak italiane...
Që Saranda është bërë si manjet, dihet, por nuk e është menduar që do kishte kaq të ardhur veriorë. Pak përshtypje u bën turizmi. Pak u bëjnë përshtypje edhe pikat e ndryshme kulturore dhe arkeologjike, që vizitohen aq shumë dhe janë aq të dashura. Të shushatur para turistëve, që shikojnë manastiret, shkojnë te 40 shenjtorët, apo që lavdërojnë çmimet, shërbimin. Mrekullia e tyre...është ëndrra e skamnorëve. ..
Kryetari i Bashkisë më rendit dhe marrëdhënien me ministrin e Kulturës, Pango; dhe që banorët janë shumë mikpritës, një element, që nuk e realizoj dot lehtë në terren. Në fakt, këtu janë të mësuar me këtë pelegrinazh, që i ndihmon të gjithë njerëzit, dhe shtuar edhe me një shkollë turizmi të mesme që ata duan ta kthejmë rajonale, duket se është shumë atraktive. “Përshtypja që u lenë banorët është shumë e mirë dhe turistët marrin gjithmonë e më shumë përshtypje të mira”, më sqaron një intelektual. Saranda nuk duhet parë si zhvillim në vetvete, por si pjesë e Gjirokastrës, Ksamilit, Butrintit, Delvinës e më gjerë”. Deri në Vlorë ka ecur dhe projekti i Bankës Botërore për zhvillimin e integruar dhe kjo nuk është vetëm për qytetin e Sarandës, por edhe për të gjithë këtë zonë. Me sa duket nuk është e largët dita kur Ksamili, Gjirokastra, Bregdeti dhe Saranda duhen parë në zhvillimin integral të gjithë rajonit, ku aeroporti do të jetë një eveniment ajo fillon më 2008... Por, kur dëgjon lajmet me batërdinë e Ksamilit me rrugën, optimizmi të mbetet. Dy burra te “Limani”, dëgjojnë një të tretë, që u thotë se është ftuar të vendosë një pjesë në Teatrin Kombëtar. Kthejmë instinktivisht sytë dhe shikojmë njëri-tjetrin. Nuk e kemi njohur këtë artist... Por, provinca mbetet provincë edhe përrallat thuhen si të vërteta.

Ndërtimet dhe betoni
Të paktën, situata është më e mirë. Po të mos përmendej betoni, kuptohet. Dy burrat që i takoj të paktën tri herë në ditë- më shpjegojnë për qytetin, me një vështrim shumë pragmatist. Këtu do ndërtohet, sepse ndërton i forti dhe shteti e do këtë Sarandë, më sqarojnë. “Kjo ka qenë një histori se ka pasur treg dhe Saranda ka një treg të mirë ndërtimesh, por ne e kemi amortizuar tani, sepse është ndërgjegjësuar qyteti. Në bashkëpunim dhe me qeverinë qendrore shumë ndërtime po i disiplinojmë. Po hartojmë planin e përgjithshëm urbanistik të qytetit, sepse nga kjo ka vuajtur qyteti dhe ne kemi vënë atë që do realizojmë dhe ka filluar përmirësimi i imazhit. Me një investim të Fondit shqiptar kemi bërë një investim për fasadat e jashtme dhe ka filluar biznesi. Për vitin pasardhës do riparohen të gjitha”, më thotë Gjoka.... Të nesërmen, burrin e fotove e gjej të errësuar. Sipër një makine përshkon rrugët e Sarandës bashkë me dy të tjerë. Dikush i merr si bagëti për punë. Instinktivisht, në mëndje, më vjen në mëndje plani i vjetër urbanistik, ku qyteti, dallgë-dallgë, ngjitej në kodër, pa këto shpifaturat e betonit. Kur makina zhduket, e harroj burrin. Nuk do e shikoj më. Edhe pse për Sarandën është bërë shumë propagandë, duket se është tejet larg puna për të realizuar atë që duhet në të vërtetë. Këto ndërtime e kanë prishur qytetin - dhe mund të shikosh realisht sesa të zotë janë shqiptarët që të prishin gjithçka. Në qytet çmimet mbesin jo shumë larg Tiranës, pavarësisht se mirëqenia nuk mungon... Ata, të paktë, që punojnë presin të marrin skalpin. Për një rrugë, një taksist të mat kokën me pe... dhe të merr pa mëshirë dyfishin e asaj që ke llogaritur normal....
....
Sarandën mund ta lësh nga tri rrugë. Nga bregdeti, po të kesh një stomak anormal; nga deti-larg qoftë, dhe andej nga erdhëm. Më mirë këtej. Ndahem me dy burrat e veriut. Qeshin sërish, kot. Janë në botën e tyre. Në botën e betonit turistik.


Turistët tani rrinë në qytet
Intervista/ Flet kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka. Si ka punuar qyteti i njohur i turizmit dhe si po mbipopullohet për vit e më shumë

Pas një sezoni të suksesshëm, si e shikoni sezonin e ri?
“Këtë vit ishte një sezon i rrallë dhe si rrallëherë në historinë turistike të këtij qyteti. E kanë mësyrë turistët! Kishte mbi 200.000 turistë, ku 40 për qind e tyre ishin turistë të huaj. Këtë herë ndryshimi ishte se të huajt që vinin ishin rezidentë dhe jo kalimtarë, si ka ndodhur deri më tani. Për më shumë, ata iknin të mrekulluar dhe me sensin që do ktheheshin”.

Si e vlerësoni numrin dhe përshtypjet e tyre?
“Kemi strukturat përkatëse, ku përveç atyre tonave kemi shumë agjentë të turizmit dhe bizneseve tona dhe, po ashtu, marrim informacione dhe nga komisariati dhe inspektorati i qarkullimit të mjeteve dhe regjistrimeve të pikave doganore...për turistët në qytet”.

Ku e shikoni progresin?
“E rëndësishme është se ka ndryshuar filozofia e qytetarëve. Është përmirësuar biznesi. Vetë, banorët, janë ndërgjegjësuar se e ardhmja e turizmit varet prej tyre. Ndaj kanë bërë investime të mëdha në bizneset, hotelet e tyre, dhe kanë përmirësuar shërbimet e tyre. Punonjësit i dërgojnë për eksperiencë, qoftë brenda, por edhe jashtë vendit. Ajo që ka qenë njollë ishin çmimet e larta. Këtë vit, vetë qyteti i Sarandës ka pasur një ndërgjegjësim të gjithë biznesit, ndaj edhe ka pasur një ulje çmimi 30-40%. Çuditërisht edhe skeptikët çuditeshin me idenë e mbartur se këtu kishte çmime të larta dhe kjo është pozitive, sepse u hoq ideja se këtu ka çmime të larta. Tjetër është edhe investimet e mëdha. Janë rregulluar rrugë të rëndësishme në qytet. Është edhe universiteti që përbën një imazh për qytetin. Ajo përbën një kulturë, por mbi të gjitha dhe një biznes. Sot janë 200 studentë. Shkurt, është rritur imazhi i qytetit dhe gjithçka që ka lidhje me të”.

Ben Andoni : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama