Sa te pasur jane kryetaret e Gjykatave

Sa të pasur janë kryetarët e Gjykatave


Albert Meça
Kryetar i Gjykatës së Tiranës

Në vitin 2003, Albert Meça ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Faktit në Kryeqytet. Ai ka deklaruar si pasuri të vetën: Një veturë, tip "Golf", me vlerë 250 mijë lekë, si dhe shumën prej 80 mijë lekësh të ardhura nga kursimet. Gjatë këtij viti, paga e tij ka qenë 73 mijë lekë, ndërsa detyrimet fiskale 12 mijë lekë. Paga e bashkëshortes, e cila në atë kohë punonte në administratën e Këshillit të Ministrave ka qenë 83 mijë lekë, ndërsa detyrimet e saj fiskale 16 mijë lekë.

Në vitin 2004, Meça sërish në pozicionin e gjyqtarit, ka blerë një apartament banimi me sipërfaqe 105 m2, me vlerë 45 mijë euro, të cilin e ka në pronësi me bashkëshorten. Po në këtë vit, ai ka deklaruar likuiditete të pagës së bashkëshortes së tij në një bankë me vlerën e 100 mijë lekëve, si dhe likuiditete në një tjetër bankë për shlyerje kredie në vlerën 319 euro. Kredia e marrë në këtë bankë për blerjen e apartamentit ka qenë 20 mijë euro dhe deri në fund të vitit 2004, ai kishte shlyer prej saj 1938 euro. Po për blerjen e apartamentit, Meça ka marrë një hua prej të vëllait me vlerën e 10 mijë eurove, 4 mijë prej të cilave i kishte shlyer deri në fund të 2004-ës. Të ardhurat vjetore nga paga dhe shpërblimet e Meçës ka qenë në vlerën e 762 mijë lekëve, ndërsa ato të bashkëshortes së tij 1.204.886 lekë dhe 2100 euro. Këto të fundit duket se janë rritur ndjeshëm, për shkak të punësimit të bashkëshortes në Kryeministri, Qendrën e Publikimeve Zyrtare dhe Këshillin e Evropës. Po ashtu, ai ka deklaruar se ka marrë 600 mijë lekë dhuratë nga prindërit e tij dhe ata të bashkëshortes.

Në vitin 2005, sërish si gjyqtar pranë gjykatës së Tiranës, Albert Meça ka deklaruar një llogari rrjedhëse në një bankë prej 200 mijë lekësh, si dhe një shumë prej 200 mijë lekësh në para të thata. Gjatë këtij viti, ai ka shlyer edhe 3900 euro nga kredia që kishte marrë për blerjen e apartamentit dhe po ashtu ka shlyer tërësisht huan e marrë prej të vëllait, pjesa e mbetur e të cilës ishte 600 euro. Për sa u përket të ardhurave nga pagat dhe shpërblimet, ato kanë qenë pothuajse të njëjta me një vit më parë. Vetë Meça ka fituar 762 mijë lekë, ndërsa bashkëshortja 1.115.200 lekë. Ai kishte fituar 3300 euro nga aktivitetet dhe trajnimet jashtë vendit gjatë 2005-ës.

Në vitin 2006, Albert Meça emërohet kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Gjatë këtij viti, ai ka shitur veturën e tij kundrejt një çmimi prej 210 mijë lekësh, ndërkohë që dy llogari bankare të tij, si rrjedhim i tepricave të të ardhurave të tij dhe bashkëshortes, kanë shkuar në 350 mijë dhe 720 mijë lekë. Gjatë këtij viti, ai ka shlyer edhe 3900 euro detyrim për kredinë e marrë tre vjet më parë. Për sa u përket të ardhurave personale, ato janë rritur si rrjedhim i pagesave nga disa aktivitete si mësimdhënie apo anëtar i një bordi drejtues, duke shkuar në 1.168.086 lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes kanë qenë 1.010.00 si dhe 850 euro.

Viti 2007. Llogaritë bankare janë rritur. Kështu Albert Meça ka deklaruar tre llogari bankare, e para 370 mijë lekë, e dyta 395 mijë lekë dhe e treta 46.800 lekë. Gjithashtu, ai ka deklaruar edhe një llogari prej 1 milion lekësh, të cilat janë bono thesari në emrin e bashkëshortes së tij. Meça ka vijuar të paguajë edhe gjatë këtij viti 3900 euro për shlyerjen e kredisë. Të ardhurat janë rritur edhe më tepër, për shkak të dy angazhimeve të tjera të tij, si ekspert i kontraktuar nga Ministria e Integrimit dhe ambasada angleze. Ai ka qenë gjithashtu gjatë këtij viti pedagog i jashtëm në një fakultet privat dhe anëtar i një bordi drejtues. Të ardhurat në total 1.616.766 lekë dhe 2150 euro. Të ardhurat e bashkëshortes 1.115.000 lekë nga paga dhe 64.000 nga interesat e bonove të thesarit.

Valbona Durraj
Kryetare e Gjykatës së Shkodrës

Në vitin 2003, Valbona Durraj ka qenë gjykatëse pranë Gjykatës së Shkodrës. Në këtë vit, ajo ka deklaruar si pasuri: 1 apartament 71 m2, të përfituar nga privatizimi; 1 apartament 61 m2 të blerë nga kursimet me vlerë 2 milionë lekë; 1 dyqan tregtimi 46 m2 të blerë me vlerë 30 mijë euro; 1 veturë dhe 30 mijë lekë kursime. Bashkëshorti i saj ka pasur të ardhura si biznesmen.

Në vitin 2004, Valbona Durraj ka deklaruar një apartament banimi 130 m2 në Tiranë, me vlerë 78 mijë euro, në bashkëpronësi me bashkëshortin, një veturë tip "Benz", me vlerë 600 mijë lekë dhe një shumë prej 300 mijë lekësh të fituara nga shitja e një furgoni. Gjatë 2004-ës, Durraj ka shlyer 12 mijë euro nga detyrimi për apartamentin e blerë, ndërsa i ka mbetur borxh 33 mijë euro investitorit të pallatit. Po ashtu, ajo ka marrë hua 10 mijë euro. Të ardhurat nga paga kanë qenë 775 mijë lekë dhe nga aktiviteti privat (dyqani) 1.200.000 lekë. Durraj ka shitur apartamentin 61 m2, prej të cilit ka fituar 3.500.000 lekë.

Në vitin 2006, në pozicionin e kryetares së Gjykatës së Rrethit Shkodër, Valbona Durraj, përveç pasurive që kishte pasur, ka blerë edhe një pjesë magazine me sipërfaqe 10 m2, kundrejt vleftës prej 500 mijë lekësh. Ajo ka shlyer gjatë këtij viti 9 mijë euro nga detyrimi që ka pasur për apartamentin e blerë në vitin 2004, dhe ka mbartur huan prej 10 mijë eurosh që kishte marrë për të njëjtin qëllim. Të ardhurat e saj nga paga si gjyqtare dhe më pas kryegjyqtare kapin shifrën e 1.015.100 lekëve. Të ardhurat nga biznesi i bashkëshortit 1.300.000 lekë, ndërsa ka fituar edhe 3600 euro në muaj prej dhënies me qira të një apartamenti banimi në kryeqytet.

Në vitin 2007, Durraj ka pasur të ardhura në shumën e 933.964 lekësh nga paga si kryetare Gjykate; 1.200.000 lekë nga aktiviteti i biznesit së të shoqit; 4800 euro të qiraja e një shtëpie dhe 250.000 lekë nga shitja e një automjeti. Ajo ka shlyer detyrimin e fundit prej 9 mijë eurosh, pjesë e kontratës për blerjen e apartamentit, si dhe ka mbartur sërish huan prej 10 mijë eurosh. Në të gjitha vitet, ajo ka deklaruar shlyerjen e rregullt konform ligjeve të të gjitha detyrimeve fiskale që rridhnin nga biznesi i bashkëshortit.

Artur Malaj
Kryetar i Gjykatës së Vlorës

Në vitin 2003, Artur Malaj ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë. Gjatë këtij viti, ai ka deklaruar si pasuri të tijën: 3500 m2 tokë të përfituar në bazë të ligjit 7501 dhe Ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave"; 1000 m2 tokë të përfituar në të njëjtën mënyrë. Të dyja sipërfaqet kanë qenë në Llakatund të Vlorës. Malaj ka deklaruar 1 veturë me vlerë 450.000 lekë, të blerë me kursimet personale dhe një shumë prej 300.000 lekësh të ardhura nga kursimet. Të ardhurat e tij nga paga si gjyqtar dhe nga shpërblimet si pedagog i jashtëm në Universitetin "Ismail Qemali", kanë qenë 86 mijë lekë dhe 100 mijë lekë në vit.

Në vitin 2004, Artur Malaj emërohet kryetar i Gjykatës së Vlorës. Të ardhurat personale prej pagës dhe shpërblimeve si pedagog i jashtëm, pagës së bashkëshortes dhe pensionit të tezes së tij kapin shifrën e 243.560 lekëve në muaj. Po ashtu, ai ka fituar 260 mijë lekë nga shitja e veturës tip "Benz".

Në vitin 2005, Malaj ka prenotuar një apartament banimi me sipërfaqe 102 m2 me vlerë 55 mijë euro, në Tiranë. Ai ka paguar fillimisht vetëm një shumë prej 5.000.000 lekësh. Këtë shumë për blerjen e apartamentin ai ka marrë në formë kredie bankare me interes 12%. Sipas deklarimit të tij, 3% të interesit do të paguheshin nga i interesuari dhe 9% nga shteti. Afati për shlyerjen e kredisë ka qenë 24 vjet. Të ardhurat nga paga e tij, ajo e bashkëshortes dhe pensioni i tezes kapin shifrën e 2.104.000 lekëve.

Në vitin 2006, ka shlyer 292.505 lekë për llogari të kredisë së marrë për blerjen e apartamentit. Gjatë këtij viti, Malaj ka deklaruar dy llogari bankare me vlerat e 10.500 eurove dhe 192.500 lekëve të fituara nga puna e bashkëshortes si notere në rrethin e Vlorës. Të ardhurat nga puna në Gjykatë, nga mësimdhënia në Universitet dhe nga pjesëmarrja në bordin drejtues të Shkollës së Magjistraturës kapin vlerën e 1.100.850 lekëve.

Në vitin 2007 kryetari i Gjykatës së Vlorës ka deklaruar tre llogari rrjedhëse të fituara nga puna e bashkëshortes si notere. Përkatësisht me vlerat e 4000 eurove, 12,178 eurove dhe 80.000 lekëve. Gjatë këtij viti, ai ka vijuar të shlyejë kredinë e marrë për blerjen e apartamentit të banimit, duke paguar 292.505 lekë. Të ardhurat personale nga puna në gjykatë, mësimdhënia në universitet dhe pjesëmarrja në bordin drejtues të Shkollës së Magjistraturës kapin vlerën e 1.197.010 lekëve.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama