Sa paguhet ekstra per makinat qe do te shiten brenda vendit

Sa paguhet ekstra per makinat qe do te shiten brenda vendit

Makinat që do të shiten në tregun vendas, pavarësisht doganës së paguar, dy, tre apo dhjetë vjet më parë, do të llogariten me një tjetër taksë ekstra. Një muaj, para se të hynte ligji i ri në fuqi, në vendin tonë paguhej vetëm për çmimin që ofrohej për makinën, ku brenda saj ishte edhe taksa e importit, që mund të ishte shlyer nga individi apo tregtari në momentin e zhdoganimit.

Me ndryshimet ligjore, pavarësisht detyrimit të paguar (në doganë), në rast se autovetura është përdorur për një kohë të caktuar, do të duhet shlyer sërish taksë. Kështu, në rast se dikush kërkon të shesë një makinë të përdorur, të cilës ia ka paguar taksën e importit 4 vjet më parë (në 2006-n), ai sërish duhet të paguajë detyrim, për aq vite sa e ka përdorur.

Një vit përdorimi ka koeficient 0.5 dhe shumëzohet me fuqinë motorike, dhe taksën e karburantit, që është 20 lekë për benzinën dhe 25 lekë për naftën. Detyrimet ekstra që lindin me ligjin e ri, sjellin shtrenjtimin e makinave, në nivele që varet nga periudha e përdorimit dhe fuqia motorike. Megjithatë, duhet pasur parasysh se makinat që do të shiten sipas ligjit të ri, të cilave u është paguar një herë dogana me ligjin e vjetër, do të ketë zbritje të shumës, midis dy vlerave.

Gazeta “Shqip”, ka llogaritur kostot shtesë për dy lloje automjetesh më të përdorura në Shqipëri, çmimin final të tyre, sa rriten, në varësi të vitit të përdorimit dhe kapacitetit motorik, pra cilindrata. Duhet të kihet parasysh se me taksat e reja, shitësi i makinës është i detyruar të rrisë çmimin, që me përllogaritjet e bëra, rezulton nga 5 deri në 20 për qind më i lartë, nga sa ishte një muaj më parë.

Çdokush që kërkon të blejë makinë duhet të ketë parasysh vitet e përdorimit të mjetit në Shqipëri, duke i shumëzuar me koeficient 0.5, e më pas me cilindratën e motorit dhe taksën e karburantit. 

Si shembull kemi marrë markat “Benz” dhe “Golf 4”, që aktualisht kanë interes për tregun shqiptar. Për të gjitha këto makina, detyrimi doganor është paguar në çastin e importit, por pas një periudhe të caktuar përdorimi në tregun vendas, do të shiten, sikurse vepron çdo person që kërkon të ndërrojë mjetin.

Formula e paraqitur më sipër mund të përdoret edhe për makinat që nuk e kanë paguar ende doganën, edhe pse kanë dy apo tre vjet që përdoren në Shqipëri. Në këtë rast detyrimi për t’u paguar përfshin të gjitha periudhat që nga viti i prodhimit të mjetit, dhe jo nga koha kur ka hyrë në Shqipëri.

Rezultatet e llogaritjes së taksave në çmimin final të autoveturave dalin me përfundimin se sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë kushton ajo në çastin e shitjes. Kështu, p.sh, për autoveturat “Benz”, me vit prodhimi 1995, me naftë dhe motor 2, që i është paguar dogana në vitin 1999, sot kushtojnë rreth 25 për qind më shtrenjtë sesa një muaj më parë, ose gati 2000 euro më shtrenjtë. Sikurse ka makinë “Benz”, me 5 vjet përdorimi, motor 2.2, naftë, që sot në treg e gjen 10 për qind më shtrenjtë, ose gati 1 mijë euro më shumë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama