S’duam zanate do behemi mjeke dhe juriste!!

S’duam zanate, do behemi mjeke dhe juriste!!
Nevoja për shkollat profesionale duket se nuk është më imperative në Pukë, pasi të gjithë të rinjtë duan shkolla mjekësie dhe jurisprudence... Një kërkesë e drejtuar pak vite më parë për shkollë profesionale nga drejtoria arsimore e rrethit -Ministrisë së Arsimit në Tiranë, kushedi se ku fle, ndërsa të rinjtë e familjeve të varfra, u mbeten vetëm dy mundësi: emigracionin ose gjimnazin e qytetit. Por të dyja drejtimi i çon t’i largohen qytetit të bukur, i cili po vdes pak nga pak nga harresa e burokratëve të Tiranës...dhe nga keqdrejtimi i karrierës

Furgoni i fshatit lë pak tym, që përzihet me ajrin e pastër, kurse tre të rinj brenda tij ngacmohen gëzueshëm me njëri-tjetrin. Nga Qerreti duhen 15 minuta për të zbritur në qytetin e Pukës dhe kaq mjaftojnë që djemtë të ndajnë të rejat. Anipse, nga ku po vijnë, të rejat janë më pikatore. E pamat është ajo që i pret. Sot, fillojnë gjimnazin. Dy janë në vit të dytë, kur më “i vogli”, sapo e fillon. Sa më shumë largohen nga fshati aq edhe më të lirë ndihen. Nga pas i ndjek vështrimi i lodhur i njerëzve të tyre, që kthehen drejt fushave të pakta dhe fillojnë ditën, njësoj si e djeshmja dhe kjo që po vjen...Duhet të bëjnë punët vjeshtore dhe të përgatiten për dimrin bajagi të gjatë...
...
“Na turpëroi dikush në përvjetorin e Migjenit, na thotë Përparim Laçi. Se ç’iu shkrep të nxirrte se Migjeni kish pasur një lidhje dashurore...”. Po njeri ka qenë dhe ai, ia presim. “Po, mor burrë. Por Migjeni ka qenë shumë i përkushtum dhe mendjen e kish vetëm te shkolla”. Biseda zgjatet, por i japim disi të drejtë ish-sportistit të njohur të skive. I përkushtuar ndaj fëmijëve të varfër, nga ku i doli edhe muza për krijimet që e bënë aq të njohur, Migjeni ëndërronte më të mirën për ta. Anipse fëmijët e sotëm janë larg përfytyrimit të tij. Vërtetë s’ka skamnorë në dukje.

Të gjithë baresin të qetë nëpër qytet në ditën e parë të shkollës dhe mbipopullojnë klubet në rrugën e vetme kryesore të qytetit. Tre djem ecin si të ndërkryer. Është pak si çudi, pasi Puka të duket sikur je në ndonjë qytet zviceran, ku gjërat shkojnë fjollë. Qetësinë e paqtë e prish ndonjë buri, kurse nga sipër udhës së qytetit, një burrë i veshur jo mirë tërheq nga pas vajzën e vet dhe ndalet. Ka vendosur t’ia besojë drejtoreshës së Konviktit?! “Kam vetëm këtë. Na pastron. Na i ban të gjitha. Po ç’të bëj. Duhet me pas dhe kjo fatin e vet.

Du me ia besu asaj grues së Konviktit”, i thotë dikujt që vetëm aprovon, pak minuta më vonë. Nuk e kuptojmë aq mirë se çfarë po flet, por pak minuta më vonë, miku i vet më shpjegon se ai është një nga fshatarët e shumtë të varfër të Pukës dhe, vajza, bashkë me të ëmën, janë ato që i mbajnë shtëpinë, kur ai punon me djemtë për dru ose pak më tutje në minierë. Përkushtimi i vajzës i ka bërë të mendojnë që ta shkollojë, që t’i dalë fat i mbarë. Pse jo, ndonjë shkollë profesionale?, - i them burrit. “Eh, po i ikën larg sysh dhe qyteti asht i egër”, ma pret burri. “Ç’ka po i lyp zanati para nderit?”
 
Nëpër Pukë

Befas, e ndërpret bisedën, sepse tre djem na pyesin për diçka koti dhe vazhdojnë pastaj si të habitur në trotuar. Janë shumë të vendosur. Gjatësi e njëjtë. Krehur gati njësoj. Shpërndajnë vështrime, si gjithë adoleshentët. Kanë veshjen tradicionale së të rinjve lokalë: t-shirte, ku mund të gjesh të gjitha mbishkrimet e marra me mënd. Nga përreth moshatarë të tyre bisedojnë gati me impenjimin e të rriturve në kafenetë e ndryshme. Të tre djemtë s’e kanë aq shumë këtë luks, ndaj baresin në qytetin që në ditën e parë të shkollës është mizëruar me fëmijë.

Puka ka një konvikt, shkolla të mesme dhe shkolla nëntëvjeçare, që mbledhin veç fëmijëve të qytetit dhe ata nga fshatrat deri më të largëta. I ndalojmë. Ronaldo, Arditi, Fatjoni, kanë zbritur që herët në qytet. Dy janë më të rritur, ndërsa Ronaldo, si i hutuar u ka ardhur nga pas. I ritakoj mu në cep të qytetit. Të tjerët kanë ikur herët sot dhe e kanë mbyllur herët shkollën. Ndërrojmë ca biseda. Pse keni ardhur këtu i pyes? Pse nuk shkoni dikund tjetër ndonjë shkollë profesionale? “Kush do me ia dit tani për mekanik, elektricist dhe hidraulik, - ma presin”. Më tregojnë për udhën se si vinë dhe ajgaret që bëjnë. Pak minuta më vonë më shmangen. Bëj lidhjen, janë djemtë që ecnin si të ndërkryer në qytet.

Kanë ardhur nga Qerreti dhe si bashkëfshatarë rrinë vetëm bashkë. Janë ende të frikësuar nga qyteti. Dy janë më të rritur dhe njëri më i vogël. Do të bëhet jurist, kurse njëri prej tyre syresh (ka varëse që e lë të duket) më thotë se ka qejf të pikturojë dhe i pëlqejnë shkencat, kurse Arditi, më i vogël, s’ka ende ndonjë preferencë...Janë si të papërqendruar. Ndonjë bukuroshe duhet të jetë përreth. Mbetet vetëm Fatjoni nëse nuk gaboj. Pak më tutje, Endrisi 17 vjeçar, i biri i drejtorit të shkollës së mesme, është më i përqendruar. Do të bëhet mjek ose inxhinier dhe pastaj do vazhdojë për shkenca politike!! Po pse jo ndonjë degë profesionale. “Ç’t’i duash. Kush i fut duart në llaç dhe graso...”, më thotë një gjimnazist tjetër, që dëgjon bisedën. Kur bëhen disa i fokusoj. Fotografohen, por nuk rrinë të qetë si të gjithë adoleshentët...
 
Drejtori

Drejtorin, që e takojmë pak më vonë më bën evidencat dhe flet qartë. I rrethuar nga mësuesit e shkollës më thotë shqetësimin, se pse nuk i frekuentojnë më shkollat profesionale dhe se si dikur kishte aq shumë. “Pjesa dërrmuese e shkollës së mesme plotësojnë formularët për shkollën e lartë. Këtë vit plotësuan 115 formularë: 90 për shkolla dite dhe të tjerë të prapambetur. Kemi pasur 114 maturantë. Do thoni a fitojnë të gjithë? Të themi se 60-70 fëmijë fitojnë dhe nga degët më të kërkuarat mbeten inxhinieria, mjekësia dhe juridiku”. Atëherë s’kthehen më dhe e duan si largim, ia pres. “Nuk e quaj largim. Është prirje për tu shkolluar. Ikin në Shkodër, Durrës, Elbasan, Universitetin e Tiranës. Qëllimi dhe prirja është të shkollohen. Megjithatë, për mua do ishte mirë vazhdimi i shkollave profesionale që në klasën e 10...

Por s’ka mundësi”. E shikon që shumë nga nxënësit e dobët është e tepërt të mbahen në gjimnaz, kur mund të mësonin ndonjë zanat dhe t’i kushtoheshin më shumë punës praktike, që të dilnin si duhet në jetë. “Ndoshta që në shkollën 9 vjeçare duhet bërë diçka për karrierën dhe prirjet më të specializuara. Megjithëse ka një modul që t’i orientoj në drejtim të shkollave profesionale, ai duket i pamjaftueshëm. Këtu bahet një punë përgatitore për formularin A1 dhe A2. Ka një lëndë aftësim për jetën dhe është globale”. Burri simpatik na flet për varfërinë e madhe dhe se si prindërit bëjnë të pamundurën për shkollimin. Puka ka një numër të madh familjesh me ndihmë ekonomike. Por kur shikojnë shkollimin…Po pse bëjnë shkollë që s’u duhet, i them dhe i kujtoj papunësinë e madhe në rreth me gati 40%.

Argumenti është i thjeshtë. Me shkollë merresh më parë në punë sesa pa shkollë. Kuptohet se pjesa më e madhe e të rinjve, për të mos thënë mbi 90%, nuk kthehet më në qytet dhe shkolla është grepi i vetëm për t’u larguar nga ‘tutela’ e prindërve dhe për të dalë në Jetë. Që pas vitit ’90, s’ka më eksperienca për shkolla profesionale, por edhe nuk duhen më në kushtet e mungesës totale të investimeve në qytet. Bashkia po mbart borxhet e dikurshme dhe e ka të pamundur të investojë. Sa për arsimin, më shpjegon Hazbi Tërbuni, drejtori i shkollës së mesme, dikur “kishim shkolla profesionale gjeologjike, minerare dhe bujqësore jo të mirëfilli, por kishte një shkollë profesionale për drurin dhe nga ajo kanë dalë të gjithë teknikët që punojnë dhe sot e kësaj dite”...Kurse sot s’ka më asgjë.
 
Konvikti

Djemtë, po më presin jashtë. U bëj një fotografi, por e kanë të vështirë të përqendrohen. Tani janë bërë edhe disa të tjerë. Vjen Eriksoni, Erioni dhe pak të tjerë me emra lojtarësh, artistësh dhe kush e merr vesh. Të pamësuar para diktofonit, flasin me kinse dhe mbetet e vështirë t’u marrësh një opinion se si duhet të jetë apo si e presin të ardhmen. Kuptohet, dhe ata janë të veshur mirë dhe dy syresh më thonë se vijnë nga fshatra më të thellë të Pukës. Të gjithë në grup duan të bëhen mjekë dhe juristë. Kush do punojë? - i them njërit syresh. “Kinezët janë për punë. Pse kot po harxhohemi në shkollë”, ma presin shkurt me tallje. Largohen, dhe tek stolat para shkollës tetëvjeçare, ku është edhe konvikti, bashkohen me pjesën tjetër të rinjve. Vajzat rrinë veç.

Të gjithë të mbledhur mbi celularë dhe vetëm shkruhen të përqëndruar si para një ekuacioni të gradës së katërt. Ikim. Zenepe Laçi, drejtoresha e Konviktit, më ka lënë takim pak më parë. Do të më tregojë konviktin dhe është shumë e prerë. Sapo i është larguar ai burri, që pak më parë ia ka besuar të bijën. “Kur dëgjoj hallet e njerëzve kam filluar të bëhem e lodhur me pamundësinë. Nuk ta them dot çfarë sakrifica bëjnë njerëzit këtu”. Më ritregon historinë e burrit me vajzën, që kemi takuar pak më parë rastësisht.

Do ende garanci të lerë vajzën, ma pret ish-mësuesja e biokimisë. Ndërsa shëtisim në konvikt e ajo më shënjon hartat e lagështirës, më tregon se si shumica s’kanë as pizhame dhe kanë vetëm nga një palë rroba. Po çfarë presin? Pse vinë këtu? Pse nuk bëjnë ndonjë shkollë profesionale? “Nuk ka shkolla profesionale dhe duan të mbarojnë këtë shkollë mos gjejnë ndonjë shkollë të lartë apo ndonjë gjë tjetër që të ikin”. Një djalë afrohet dhe i thotë: Zysh du me marr librat që kam lën tek ty. Du me e provu njëherë sot. Shqipe e rëndë dhe fare pa etikë! Çfarë do provojë? - pyes gruan. “Do iki e do të vi nga fshati. Është 2 orë larg dhe kështu kursen. Dhe, ky është shqetësimi që përball konvikti 30 vjeçar. Shumica vinë nga fshatrat e largët. Kthehen një herë në gjashtë muaj përveç festave. Gjendja është relativisht e vështirë. Ka prindër që investojnë për fëmijën duke shitur bagëtinë e vetme.

Regjistrimi është 3.000 lek, kurse 2.06 lek është dita. Ajo që më shqetëson është lagështira në katin e dytë dhe të tretë dhe në kuzhinë dhe magazinë, soba e gatimit dhe enët me të cilat ushqehen. Kam aplikuar për ndihmë tek Kisha dhe Myftinia. Nga pushteti kam interesim dhe më kanë premtuar se do ndërhynë, por bashkia është vetë në borxh”. Konvikti është shumë i pastër, kurse vajzat gati pa gojë rrotullohen heshtazi. Kuzhinieret më tregojnë pjatat e vjetra prej plastmasi dhe një stufë disa dekadike. Pse ndjekin këtë udhë dhe nuk ikin në shkolla që u duhen, i them sërish drejtoreshës. Prindërit nuk mund t’i çojnë dhe më larg se kaq, ma pret...
 
Drejtori i Arsimit

Treqind metra më tutje, Vladimir Kola, drejtori i arsimit të rrethit, na pret në këmbë. Shqetësimet e tij janë më globale dhe më duket se do gjej arsyen e vërtetë se pse fëmijët nuk ikin në shkolla profesionale, por ndjekin vetëm arsimin e përgjithshëm. “Në të vërtetë, kam bërë kërkesë për shkollë profesionale. Donim të bënim një shkollë në Fushë Arrëz, që lidhej me drurin ose  qeramikën. Njëherë, para dy tre vjetësh, u premtua më shumë dhe nga deputeti, por nga Ministria e Arsimit shikohet e pamundur të bëhet një shkollë, pasi kontingjenti këtu është i pamjaftueshëm për shkollë profesionale…

Nga ana tjetër kanë frikë t’i lenë jashtë qytetit. Megjithëse, prej sensibilizimit që po bëhet, dimë se kanë ikur fëmijë këtë vit në këto shkolla”. Më flet se si po flet me bashkinë për të liruar një shteg, që shkon mes përmes shkollës së mesme dhe rrethimin e shkollës. Është optimist se këtë vit 6 nxënës të rrethit kanë dalë ndër gjashtë më të mirët në shkallë republike. Mjafton, e pyesim. Është mirë si prirje, na e pret, - paçka varfërisë së njerëzve!
...
Në sistemin shkollor në Pukë janë 2850 nxënës, nga të cilët 550 ndjekin arsimin fillor dhe 990 në arsimin e mesëm. I gjithë kontingjenti i shkollës nëntëvjeçare shkon direkt në shkollën e mesme të përgjithshme të qytetit, sepse e kanë të pamundur prej varfërisë, mosdijes dhe kushteve të tjera të largohen për shkollim më të mirë. Puka s’mund të mbetet vakum, pretendojnë autoritetet e Pukës, por pa ditur se shteti që po premton të lirojë varfërinë e brezave, duhet të tregojë kujdes të madh e të veçantë për të trajnuar fëmijët ardhur nga familjet e varfra.

Një raport i UNICEF-it pak kohë më parë ka nxjerrë se problematika e varfërisë së madhe në vend kushtëzonte dhe arsimimin profesional të shumicës së fëmijëve të periferisë, përveç arsimimit bazë. “Në përgjigje të trendeve në ekonomi, tregun e vendeve të punës, prioriteti është edukimi profesional në rrjetin e zhvillimit të arsimit para-universitar.

Qeveria duhet të hapë një seri shkollash profesionale, kryesisht për agrobiznesin me qëllimin që të përfshijë fëmijët. Kjo është mënyra  e vetme të dalin nga varfëria”, thuhej në një nga raportet. Fjalë të bukura, por që kalojnë si gjithnjë në eter për politikanët shqiptarë, që investimin për shkollat profesionale e flasin thjesht për propagandë. Si për ironi, kur kujtoj këtë, e has të drobitur në një stol burrin me vajzën, që po mendon ende ta lerë apo jo t’bijën në konvikt. Dilema e “Mendimtarit” të Ogist Roden. Për të, sepse në Pukë dilema vetë është utopi, kur të gjithë duan të bëhen mjekë dhe inxhinierë... Të paktën, këtë më thanë Ronaldo, Arditi, Fatjoni, Eriksoni etj...që tashmë mbase presin makinën t’i rikthejë në fshat.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama