Ruzhdie armiku eshte pertej gardhit

Ruzhdie, 'armiku' është përtej gardhit
Zona është krejtësisht e shkretë dhe ndihesh i sigurt në rrugëtim vetëm nëse ke një makinë tip foristradë. Rruga e vetme që lidh komunën me mbi tre mijë banorë, që jetojnë në pesë fshtra, është krejtësisht e shkatërruar. Ndaj nuk është aq çudi që në Ruzhdie gjen njerëz që kurrë nuk u ka zbritur këmba në qytet. Ato 20 kilometra që gjarpërojnën mes kodrave të larta i bëjmë për rreth 45 minuta, dhe përgjatë rrugëtimit nuk hasim askënd, qoftë edhe për të pyetur ku është komuna që është bërë e njohur për shkak të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. E kur mbërrijmë aty, nuk gjejmë gjë tjetër veçse fitimtar që kapërdisen në mes të fshatit pa ua bërë syri tërr për ligjin apo dhe debatet që kanë përfshirë poltikën shqiptare.
***
Me të mbërritur në Komunën e Ruzhdies tërheqim menjëherë vëmendjen e burrave që ndodhen në qendër të fshatit. Të ulur në kafenën e vetme duket se ende nuk u është shuar ngazëllimi i fitores së zgjedhjeve parlamentare, ku për herë të parë e djathta ka mundur të nxjerrë një deputet. 2200 votuesit e kësaj komune kanë pasur jo pak ndikim në këtë rezultat. Këtë e thotë edhe kryetari i komunës, Pajtim Gllava, por që sipas tij fitorja e së djathtës ka ardhur më së shumti si rezultat i bashkimit partive të djathata dhe jo për shak të manipulimit të zgjedhjve. Kryetari të thotë se historikisht jo vetëm komuna por edhe zona elektorale, ajo e Roskovecit ku përfshihet komuna e Ruzhdies, ka nxjerrë deputet të majtë. Në tre legjislaturat e fundit është zgjedhur i ndjeri Fatmir Xhindi, ndërsa në zgjedhjet elektorale të vitit 2009 fitues është shpallur, ministri i Trasporteve, Sokol Olldashi. E ndoshta ky rezultat nuk do ishte i diskutueshëm nëse ditën e zgjedhjeve, situata nuk do të ishte acaruar aq shumë saqë vetëm largimi i komisionerëve të majtë ka mënjanuar gjakderdhjen. Kjo nuk shqetëson askënd në Ruzhdie. Të paktën jo ata burra që mblidhen në zyrën e kryetarit të komunës apo dhe rrinë tërë kapadai në kafenë shi në mes të fshatit. Këta janë fitimtarët. Në fakt, për nga varfëria në Ruzhdie nuk ka dallim mes të djathtëve dhe të majtëve. Të tërë jetojnë në një skamje të plotë. Banesat janë të rrënuara e fëmijët i çojnë në një shkollë ku bashkë me librat mbajnë në duar dhe një rezistencë ngrohjeje. Shkolla ka 350 nxënës por vetëm një syresh shumë e vogël mund të ndjekin arsimimin e mesëm. Të tjerët, pasi mbarojnë tetëvjeçaren, të ardhme kanë Greqinë ose rrugët e fshatit për t'u përfshirë më pas në listat kontigjent të policisë së shtetit. Për një fshat me 300 banorë, numri i vjedhjeve, konflikteve ordinere apo edhe arrestimeve është i lartë. Në Ruzhdie vjedhja është e vetmja mënyrë për ti shpëtuar skamjes. Ndaj vetëm në këtë fshat ndodh që të arrestohen njerëz që vjedhin një kullë vrojtimi siç është rasti i Edmond Myrtaj bashkë me kushëririn e tij. Por nën flamurin blu fitimtarët janë të lumtur.
***
Kryetari i Komunës, Pajtim Gllava përpiqet të na bindë se shteti ka kthyer sytë nga Ruzhdija. Me të ardhurat e komunës, pasi granti i qeverisë ka mbetur i pandryshueshëm, 75 milion lekë të vjetra, kryetari të thotë se ka ndërtuar rrugë apo dhe ka hapur puse uji. Ndërkohë që projekti i rrugës së vetme që lidh fshatin me qytezën më të afërt të Patosit është ende në pritje të miratimit të fondeve të qeverisë. Ndërsa kryetari e sheh Ruzhdien drejt ndryshimit, Lavdosh Karaji pret që të marrë arratinë nga fshati i tij. Për të mbajtur familjen është i detyruar të emigrojë, kjo do ti siguronte jo vetëm mbijetesën por edhe do ti ndryshonte të ardhmen. 20 vjeçari e di fort mirë se ditët nuk sosin kurrë, ndërkohë që e nesërmja i përngjan të djeshmes si dy pika uji. Sikur mos të mjaftonte kjo politika i ka përçarë njerëzit deri në palcë. Kush nuk është me ta është armiku i tyre, paçka se i ndan vetëm një gardh apo dhe ajo rrugë e shkatërruar kur një zot e di se kur do të çelen fondet. Të majtët në këtë fshat, që i është qepur rrëzës së kodrës, identifikohen si delja e zezë. Kanë mbetur pa punë e ulin kryet për të mënjanuar çdo konflikt të mundshëm. Këtë e di i madh dhe i vogël në Ruzhdie. Ndaj kush nuk është në reshtin e fitimtarve nuk bën zë, përndryshe duhet të marrë arratinë nga fshati. Të vendosësh mbi fatin e bashkëfshatarit tënd do të thotë të kesh fituar zgjedhjet në Ruzhdie. Sa u përket drejtuesve të shtetit, ata as kanë shkelur dhe as kanë për të shkelur këmbë në këtë anën tjetër të botës. Ata detyrën e tyre e kryen me 28 qershor 2009. Ndaj dhe janë lënë të lirë sundojnë në atë zonë, që bëhet e rëndësishme vetëm kur duhet të zgjidhet një deputet më shumë.


Nga :Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama