Ruli Nuk na lejohet te dalim vete nga Fshati Olimpik

Ruli: Nuk na lejohet të dalim vetë nga Fshati Olimpik

Precedentët e fundit të pengmarrjeve apo vjedhjeve në Rio de Zhaneiro, qyteti që do të presë nga datat 5-21 gusht Lojërat Olimpike Verore, kanë shtuar alarmin për sigurinë e delegacioneve olimpike. Një fakt të tillë e zbuloi për gazetën "Panorama Sport" dje shefi i Misionit Olimpik kuqezi, Gjergj Ruli. Edhe pse, sipas tij, brenda ambienteve të Fshatit Olimpik çdo gjë është OK, jashtë tyre u është kërkuar nga organizatorët të tregohen të vëmendshëm.

shqiperia Koksh

"Brenda kampit është çdo gjë OK, ndërsa jashtë na kanë rekomanduar të dalim në grup. Madje, të mos kemi me vete gjëra me vlerë", u shpreh fillimisht kreu i Misionit shqiptar, Gjergj Ruli. Gjithashtu si president i Federatës Shqiptare të Atletikës, Ruli ka përfituar nga rasti t'i urojë nga Rio atleten Luiza Gega dhe trajnerin Taulant Stërmasi pas përgjigjes në favor të kontrollit antidoping.

shqiperia koksh

"Ne jemi sistemuar shumë mirë. Skuadra jonë e vogël olimpike ka filluar të ndjekë programin stërvitor. Koha është e freskët. Ndërkohë e gjithë skuadra u gëzua pasi publikova lajmin zyrtar për Luiza Gegën, që është modeli më i mirë për sportin e bukur dhe të vështirë.

E uroj nga Rio Luizën dhe Taulantin për suksesin historik. Sporti i ka të gjitha mundësitë për të shkëlqyer, vetëm duhet pak kujdes dhe interes. Ndërkohë, presim me padurim që t'i bashkohet skuadrës olimpike Gega dhe Stërmasi", deklaroi zëvendëspresidenti i KOKSH-it, Gjergj Ruli.

shqiperia koksh

Sakaq, në një postim në rrjetin social "Facebook", KOKSH-i deklaroi se ekipi shqiptar po fillon të përshtatet me jetën sociale të Fshatit Olimpik. "Fshati Olimpik në Rio është duke mirëpritur sportistët dhe zyrtarët e 205 Komiteteve Olimpike pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike 'Rio 2016'.

Edhe ekipi shqiptar është akomoduar dhe po fillon të përshtatet me jetën sociale të fshatit, i cili dita-ditës bëhet më dinamik dhe më i populluar. Ndërkohë, sportistët Izmir Smajlaj, Nikol Merizaj dhe Briken Calja kanë filluar stërvitjet e tyre nëpër qendrat stërvitore të vëna në dispozicion nga Komiteti Organizator. Në ditët në vijim, pritet t'i bashkohen ekipit sportistët Sidni Hoxha dhe Luiza Gega".

OLGERT SERANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama