Rrogat rritja shtyhet ne shtator

Shtesat për të gjithë pagat në administratë nuk janë dhënë në muajin gusht, por mbeten për në shtator

Rritja e pagës për arsimin mbetet e reduktuar vetëm në pagën bazë që është 11 mijë lekë

Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave i nxjerrë në fletore zyrtare vetëm pak ditë më parë, ka bërë që rritja e pagave që fillon që në datën 1 korrik do të mund të merret vetëm në shtator. Edhe këtë muaj qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për të gjitha shpenzimet e rritura si pasojë e kostos së inflacionit. Nga ana tjetër, për një pjesë të madhe të buxhetorëve rritja është e paqartë pasi paga që ata marrin llogaritet mbi bazën e shumë përbërësve nga të cilët një pjesë nuk përfiton rritje.

Zbehet rritja

Mënyra se si llogariten pagat në vend mbetet e ndarë në shumë kategori ku në një pjesë të madhe të tyre, paga është e ndarë në disa pjesë ku përfshihet paga bazë, paga për pozicion, vjetërsia në punë, specializimi etj. Por rritja që ndërmerr qeveria nuk i përfshin të gjitha këto përbërës, duke bërë një lëmsh shifrash dhe në fund buxhetorëve i vjen rritja më pak se llogaritë. Pavarësisht se për një pjesë të madhe të kategorive të buxhetorëve, ku përfshihen infermierët dhe mësuesit, rritja në paga është llogaritur 14 për qind, në të vërtetë ajo nuk kalon 10 për qind.

Rriten taksat

Pagat e mësuesve në një pjesë të madhe të kategorive i kanë kaluar paksa nivelin e 40 mijë lekëshit, duke i hequr në këtë mënyrë që një pjesë të madhe të rritjes. Kështu një mësues i shkollës së mesme me përvojë të plotë pune dhe specializim merr një pagë bruto që llogaritet 47, 200 lekë dhe një pagë neto prej 37.200 lekësh. Vendosja e taksës së sheshtë ka bërë që për pagat e nivelit të ulët të paguhet një nivel i lartë taksë. Në këtë rast paguhet 10 mijë lekë taksa dhe sigurime shoqërore, duke e lënë pagën reale në nivele të ulëta.

Pagat e larta, mungon rritja reale

Zyrtarët e lartë të shtetit, përfshirë ministrat dhe deputetët, pritet të humbasin si pasojë e vendimit të djeshëm, pjesën më të madhe të rritjes së pagës prej 4.2% që morën me buxhetin suplementar. Zyrtarët e lartë përfituan një shtesë page bruto nga 4500 lekë në 10 mijë lekë. Por rritja e pagës maksimale për efekt të sigurimeve, do t’u heqë të gjithëve nga 2800 lekë. Për zyrtarët e administratës së lartë që kanë paga nga 100 mijë në 140 mijë, indeksimi ulet në më pak se 2% për këtë vit. Kategoria tjetër e më të penalizuarve nga vendimi i djeshëm, janë zyrtarët e lartë të sektorit privat.

Teorikisht, sigurimet shoqërore janë një lloj skeme kursimi, ku të punësuarit depozitojnë një pjesë të pagës së tyre për ta marrë kur të dalin në pension. Teorikisht, paratë e grumbulluara nga kontribuuesit, investohen dhe prodhojnë interesa. Në fund, skema duhet t’i japë kontribuuesve pension në raport me kontributet e derdhura. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, sepse sasia e pensionit që shqiptarët marrin, ose u takon me ligj, është disa herë më e ulët sesa sasia e kontributeve që u kërkohet të paguajnë.

Rriten pagat, ulet fuqia blerëse

Çmimet super të larta dhe pagat e ulëta, rendisin Shqipërinë të fundit në rajon

Shqipëria mbetet vendi me të ardhura më të pakta dhe çmime më të larta në Europë. Raporti i Instituti Europian të Statistikave (EUROSTAT) merr në studim 37 vende të Europës, nga të cilat 27 vendet e Bashkimit Europian dhe 10 vende që janë jashtë zonës së BE-së. Krahasimi i bërë midis fuqisë blerëse që ka një shqiptar dhe asaj që ka një qytetar i Bashkimit Europian, na nxjerr në vend të fundit jo vetëm për sa i përket vendeve të BE-së, por edhe atyre të rajonit tonë. Treguesi i nxjerrë nga EUROSTAT bazohet në Produktin e Brendshëm Bruto të një vendi, i matur me fuqinë e tij blerëse.

Pra, me anë të këtij treguesi maten të ardhurat për frymë të çdo qytetari të këtyre 37 vendeve, duke i krahasuar ato me të ardhurat mesatare të vendeve të Bashkimit Europian. Për çdo vend nxirret se sa peshë zënë të ardhurat e tij për banor matur me fuqinë blerëse në raport me të ardhurat mesatare të një qytetari të BE-së. Në 37 vendet e marra në studim, 27 prej tyre janë anëtaret e BE-së, 3 janë kandidatët për t\'u bërë pjesë e BE-së, ku bën pjesë Kroacia, Maqedonia dhe Turqia, 3 vende të EFTA-s, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra, 4 vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Shqipëria rendit pikërisht në vend të fundit, duke pasur të ardhura për frymë matur me fuqinë blerëse sa 21% e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.

Pra, nëse një europian i ka të ardhurat për frymë të matura me fuqinë blerëse 10 mijë Euro, atëherë një shqiptar zotëron një fuqi blerëse prej 2 100 euro. Shqipëria jo vetëm që rezulton me një nivel tepër të ulët të të ardhurave për frymë matur me fuqinë blerëse, por edhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, niveli mbetet tepër i ulët.

Rritja e pagës për mësuesit mbetet e cunguar, nuk përfshihet vjetërsia dhe specializimi

Mësuesit, rritja e pagës vetëm 10%

Ende nuk dihet saktë ose duhet të jetë kaq e komplikuar llogaritja e pagës për arsimtarët. Nëse i referohesh mënyrës se si ajo llogaritet, përbërja e pagës ka si shtylla kryesore 4 komponentë. E para është paga e grupit që për mësuesit e shkollës së mesme është 11 mijë lekë në muaj sipas vendimit të ri. Mbi këtë pagë llogaritet shtesa për vjetërsi pune që është 2% për vit dhe shtesa për kualifikime që për një mësues të kategorisë së parë është 35% mbi pagën e grupit. Por nuk mjafton me kaq, në llogaritjen e pagës është edhe paga e pozicionit që me borderonë e re për mësuesit e shkollës së mesme është 28 500 lekë. Të gjitha këto përbërës bëjnë që edhe rritja e re prej 14 përqindësh të jetë e vështirë që të besohet.

Pagat e reja për mësuesit

Paga e mësuesit të shkollës 9-vjeçare nëse i referohemi tabelës së mëposhtme shkon në 44 .300 lekë. Kjo është paga bruto për mësuesin e kategorisë së parë që ka edhe një eksperiencë pune më shumë se 25 vite. Paga neto për këtë kategori të mësuesve me përvojë të shkollës 9-vjeçare mbetet 35 mijë lekë. Nëse i referohemi pagave që kjo kategori merr aktualisht, atëherë del se rritja në total nuk është 14 për qind saç është edhe premtuar nga qeveria. E njëjta situatë është edhe për sa i përket pagave të mësuesve të shkollës së mesme. Një mësues i shkollës së mesme me një përvojë të plotë pune dhe i kategorisë së parë merr një pagë bruto nga shtatori prej 47, 200 lekë dhe një pagë neto prej 37.200 lekë. Edhe për këtë kategori rritja nuk është më e madhe se 10 për qind.

Lëmshi i llogarive

Nuk dihet pse është bërë një llogari kaq e ngatërruar për vlerësimin e pagave të arsimtarëve. Duke patur në këtë llogaritje kaq shumë tregues edhe manipulimet me shifrat për efekt të politikave të votave janë më të mëdha. Politikanët flasin me paga bruto dhe nga njëra anë shtojnë taksat, ndërsa nga ana tjetër edhe rritja reale një pjesë të pagës e përfshin, ndërsa pjesën tjetër e lë në harresë. Duke premtuar rritje pa fund një mësues aktualisht nuk mund që të marrë më shumë se 1 mijë lekë dita ose 35 mijë lekë muaji dhe flitet për ata punonjës që kanë në këtë profesion më shumë se 25 vite punë. Ndërsa një mësues i ri nuk merr më shumë se 25 mijë lekë në muaj.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama