Rrjedhimet e luftes dhe te pushtimit osman ne Shqiperi

Lufta më se njëshekullore e Perandorisë Osmane për pushtimin e trojeve shqiptare dhe vendosja e pushtetit osman, sollën rrjedhime të thella në të drejtat e pronësisë, në veprimtarinë ekonomiko-shoqërore, në jetën politike dhe në atë fetare-kulturore të shqiptarëve.
Veprimtaria e pavarur politiko-shoqërore e botës shqiptare ishte arritja më e rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës. Që në shek. XII dhe në shekujt që vijuan, deri me pushtimin osman, në viset shqiptare lindën formacione shtetërore të pavarura, të cilat ndikuan fuqishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore dhe, në tërësi, për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në kuadrin e këtyre formacioneve shtetërore lindi dhe u fuqizua aristokracia vendase dhe tradita shqiptare e drejtimit dhe e aparatit administrativ shtetëror.
Elita drejtuese shqiptare, si ajo laike ashtu edhe fetare, pati një rol të madh historik për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ishte meritë e saj ndryshimi i orientimit të lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e larguar atë gjithnjë e më shumë prej Perandorisë Bizantine e vendeve të tjera fqinje e të prapambetura të Ballkanit dhe duke e afruar Shqipërinë me vendet e përparuara të Evropës Perëndimore. Lidhjet politike, tregtare-ekonomike dhe fetare-kulturore me Italinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore ndikuan që në të gjitha këto fusha të përshpejtoheshin ritmet e zhvillimit.
Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike e shtetërore të shqiptarëve dhe i mbylli rrugët zhvillimeve të mësipërme, ndërpreu lidhjet intensive të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore dhe i kaloi ato në drejtim të Lindjes. Këto rrjedhime negative u shfaqën në Shqipëri jo vetëm gjatë viteve të luftës, por ato vepruan fuqishëm edhe gjatë gjithë periudhës së gjatë të sundimit osman.
Pushtimi osman i tokave shqiptare u bë gradualisht, duke nisur me fundin e shek. XIV, me marrjen prej osmanëve të qendrave kryesore të viseve lindore, dhe duke vijuar në fillim të shek. XV me pushtimin e disa qyteteve e kështjellave të viseve perëndimore shqiptare. Pas këtyre pushtimeve dhe veçanërisht me periudhën e luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe deri në rënien e kështjellave në fund të viteve 70 të shek. XV, një pjesë e rëndësishme e viseve qendrore e veriore shqiptare u gjend në kushtet e një lufte të gjatë e të vazhdueshme.
Që me pushtimet e para të fundit të shek. XIV të qendrave të tilla si Nishi, Shkupi, Manastiri, Ohri, Kosturi etj., u dëmtuan rëndë marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndryshme ekonomike e tregtare ndërmjet viseve lindore me ato perëndimore, aq të domosdoshme e jetike për banorët e tyre. Ekspeditat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane dhe luftimet e vazhdueshme e të ashpra, që ato zhvilluan me forcat shqiptare, dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit. Gjatë ekspeditave ushtarake dhe luftimeve të shumta për të dobësuar qëndresën shqiptare dhe burimet ekonomike, aq të domosdoshme për vazhdimin e saj, ushtritë osmane rrënonin të mbjellat, dëmtonin objektet ekonomike, rrëmbenin bagëtinë.
Vështirësitë e shumta ekonomike dhe zjarri i luftës detyruan me mijëra e mijëra vetë të braktisnin vendin dhe kështu bashkë me të vrarët në luftë pakësuan ndjeshëm numrin e banorëve, por edhe dëmtuan jetën ekonomike, sepse ishin nga forcat më aktive të shoqërisë shqiptare.
Në kushtet e luftës dhe të pushtimit osman, ekonomia fshatare u bë edhe më e mbyllur dhe përkohësisht i dobësoi lidhjet me qytetin, aq të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Qytetet shqiptare, gjatë shekujve të mesjetës kishin njohur të gjitha tiparet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e organizativ të qyteteve të pellgut të Mesdheut, që ishte rajoni më i zhvilluar i Evropës, kurse me pushtimin osman pësuan ndryshime. Që me sulmet e para osmane filluan të largohen banorët nga qytetet dhe disa prej tyre u shndërruan në qendra të vogla administrative e ushtarake. Pjesa më e madhe e banorëve në disa qytete iu kushtuan kryesisht ekonomisë bujqësore, dobësuan lidhjet me zonat fshatare dhe thuajse i ndërprenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare e kulturore me Evropën Perëndimore. Rrjedhimisht, qytetet shqiptare në përgjithësi u shndërruan gradualisht në qendra administrative ekonomike dhe fetare-kulturore të tipit lindor, osman. Nga qytetet nisi dhe u përhap procesi i islamizmit, i cili jo vetëm solli ndryshime të rëndësishme në besimin fetar të shqiptarëve, por edhe ndikoi dukshëm përgjithësisht në botëkuptimin e mënyrën e jetesës së tyre. Me ndryshimet e mësipërme Shqipëria nga një vend që kishte tërhequr vëmendjen e Evropës Perëndimore, gradualisht u shndërrua në një vend thuajse të harruar prej saj.
Ndonëse pushtimi osman i dha fund copëtimit politik dhe anarkisë që ekzistonte në Ballkan dhe në Shqipëri, prapambetja ekonomike që i karakterizoi vendet ballkanike më pas e kishte burimin e vet në ndryshimin në fushën e pronësisë që solli ai pushtim. E drejta feudale mbi tokën në Shqipëri, në prag të pushtimit osman, ishte në fazën e zhvilluar edhe pse aty-këtu mund të shfaqeshin mbeturina të formave arkaike të saj. Në zonat fushore të Shqipërisë kishte mbizotëruar prona e madhe feudale dhe e drejta e pakufizuar e shitblerjes së tokës. Pushtimi osman ligjërisht i dha fund kësaj forme feudale të përparuar të pronësisë mbi tokën, zhduku pronën e madhe e zotëruesit e saj, që përbënin shtresën drejtuese të vendit. Ai vendosi pronën feudale ushtarake osmane, sistemin e timarit, që në thelb ishte rivendosje e pronies bizantine, një formë pronësie që përgjithësisht ishte kapërcyer nga vetë zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare. Sistemi i timarit, i vendosur dhe i mbajtur në këmbë me dhunë për shekuj të tërë, konsideronte si pronar të tokës shtetin, ua kufizoi fshatarëve pronarë deri diku të drejtat mbi tokën dhe feudalët e rinj (timarlinjtë apo spahinjtë) konsideroheshin si zotërues të një pjese të rentës feudale, por jo pronarë të tokës me të drejtën e shitblerjes së saj. Do të kalonin shekuj që në Shqipëri ligjërisht të njiheshin pronat e mëdha feudale dhe zotëruesit e tyre. Kurse në Evropën Perëndimore ndërkohë ishin shkatërruar marrëdhëniet feudale dhe atje lulëzonte prona kapitaliste. Pozicioni gjeografik periferik (në kuadrin e Perandorisë Osmane) i pjesës më të madhe të viseve shqiptare ndikoi negativisht për zhvillimin e tyre. Shqipëria u gjend kështu disa shekuj larg Evropës Perëndimore jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama