Rrefimi i Sinanit Ne kete stadium do te shenoja pa fund

Rrëfimi i Sinanit: Në këtë stadium do të shënoja pa fund

Për një rekordmen golash në kampionatin shqiptar, që një pjesë të karrierës së tij e ka luajtur në terrene jo të përshtatshme, pamja aktuale e stadiumit "Loro Boriçi" e magjeps. Vioresin Sinani e pranon se ndihet pak xheloz që ky brez lojtarësh do të luaj në kushte fantastike.

Vioresin Sinani

Vioresin Sinani

"E them me bindje se nëse do të luaja në një stadium të tillë në Shkodër gjatë viteve që kam qenë pjesë e Vllaznisë, sigurisht që golat do të shënoja më shumë.

Nuk mund të them një shifër, por do t'i kalonin pa diskutim 208 golat që kam realizuar", nis bisedën për "Panorama Sport" legjenda e futbollit shkodran. I kontaktuar dje, Sinani foli për impiantin e rindërtuar, Vllazninë dhe pritshmëritë që ai ka.

Ish-bomberi kuqeblu mendon se "Loro Boriçi" do të mbushet vetëm nëse në sezonin e ri do të jetë një Vllazni, që synon vendet e nderit.

Viori, çfarë përshtypje ju bën stadiumi "Loro Boriçi" i rindërtuar, aty ku ju keni shkruar një pjesë të artë të karrierës?

Kur e mendon se në çfarë kushtesh kemi luajtur deri në fillimin e viteve 2000, natyrshëm ky stadium të magjeps. Vërtet jam i emocionuar kur shoh situatën aktuale dhe mendoj se ky brez lojtarësh, që luajnë sot për Vllazninë, janë me fat që do të shijojnë këtë stadium.

Besoj se e keni vizituar ende pa u inauguruar impiantin?

Po, patjetër që kam shkuar dhe vërtet më ka lënë mbresa. Me plot gojën mund të them se për Shqipërinë është stadiumi më i bukur. Plotëson të gjitha standardet dhe për vendin tonë është një stadium modern.

Duke iu kthyer viteve kur ju keni qenë pjesë e Vllaznisë dhe keni luajtur në një "Loro Boriçi" në nivele modeste, për çfarë ju vjen më shumë keq?

Të them të drejtën, kam menduar se bashkë me shokët e mi në të tilla kushte do të kishim bërë edhe më shumë për Vllazninë. Jam i sigurt se do të dhuronim një futboll më të bukur. Në njëfarë mënyre, i kam zili ata që do ta shijojnë, pasi në këtë stadium të bukur, të gjithë do të kishin pasur dëshirë për të luajtur. Brezi im e ka merituar këtë stadium, pasi Shkodrës i ka dhënë tituj. Megjithatë, çdo gjë ecën me kohën dhe duhet të jemi të kënaqur edhe në të tilla pozita.

Ju keni shënuar shumë gola në këtë stadium, mendoni se shifrat do të ishin më të larta për ju nëse do të luanit në kushtet aktuale?

Po, patjetër. Për këtë jam i bindur që do të shënoja shumë më shumë, por nuk mund të them një shifër. Kemi luajtur në disa vite që stadiumet kanë qenë të amortizuara, qoftë terrenet apo shkallët e tribunave. Gjithsesi, kemi arritur t'i përballojmë më së miri. Për një lojtar, një stadium i bukur dhe i mbushur me tifozë e motivon edhe më shumë, aq më tepër për sulmuesit, nga të cilët priten golat. Përpara vitit 2002, unë si sulmues, përpara se të mendoja lëvizjen që duhet të bëja me top, duhet të llogarisja edhe gropat që kishte fusha. Tashmë këto diskutime nuk ekzistojnë dhe kohët kanë ndryshuar. Për fat të mirë, pas vitit 2003 kemi luajtur në fusha relativisht të mira. Për mua si sulmues ka qenë e vështirë të luaja në stadiume me terrene të pafavorshme. Një fushë jo e mirë favorizonte më shumë mbrojtësit.

FSHF-ja ka vendosur që të inaugurojë stadiumin me një ndeshje të Kombëtares. Për ju është vendim i drejtë, apo do të dëshironit që të luante së pari Vllaznia?

Mendoj se kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ajo që është më kryesore, mbetet fakti që stadiumi u rindërtua.

Tashmë është një përgjegjësi më e madhe për Vllazninë që të rikthejë tifozët në këtë impiant modern?

Patjetër! Edhe tifozët janë të mendimit se skuadra duhet të jetë e mirë për të justifikuar këtë stadium. Në një impiant luksi me një skuadër jo të mirë, sikur nuk kombinon. Unë jam i bindur se Vllaznia do të jetë shumë më mirë se sezonin e kaluar. Megjithatë, këtu në Shkodër duan skuadër për vende të para dhe nuk kënaqen me mbijetesën apo mesin e artë të tabelës. Shpresoj të luftojë për vendet e nderit.

Besoni te Vllaznia e sezonit të ri?

I kam ndjekur lëvizjet që janë bërë dhe të them të drejtën, nuk mund të bëhem optimist për kapjen e vendeve të para. Ndoshta ardhja e ndonjë sulmuesi të mirë do ta kishte ngrohur shumë opinionin në Shkodër. Të presim, ka kohë ende, pasi merkatoja s'ka përfunduar. Për mendimin tim, ekipi aktual ka nevojë për 2-3 lojtarë që bëjnë diferencën. Për lojtarë mesatarë, nuk ka nevojë Vllaznia.

Prisni një stadium të mbushur, apo gjithçka do të varet nga ecuria e Vllaznisë?

Tifozët janë të etur për ta mbushur stadiumin dhe jam i bindur se me një Vllazni të mirë do të mbushet. Nëse ekipi nuk ecën me rezultate, atëherë tifozët do të bëhen kuriozë vetëm për stadiumin në pak javë. Më pas nuk do të vijnë më, pasi shkodranët janë shumë të ndjeshëm. Pra, nëse nuk është një ekip i mirë, stadiumi nuk do jetë plot.

***

208 gola

ka shënuar Vioresin Sinani në kampionatin shqiptar, duke qenë ai rekordmeni. Përveç skuadrës së vendlindjes, Vllaznisë, sulmuesi shkodran ka luajtur me Tiranën dhe Besën e Kavajës.

Jorgis Memo



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama