Rrefimi i Halim Kosoves Rama me ka bere oferta per poste te rendesishme

Rrefimi i Halim Kosoves: Rama me ka bere oferta per poste te rendesishme

Kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë Halim Kosova ka rrëfyer sot në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në emisioni “Opinion”, jetën, momentet e vështira, hyrjen në politikë dhe vendimin për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.

 Ai ka treguar momentin kur ka mësuar për vendimin që PD kishte marrë për kandidimin e tij. Ndërsa me nostalgji ka rrëfyer edhe vitet e tij në mjekësi si gjinekolog, karrierën në këtë profesion që sipas tij, “ka disa te papritura qe te mbeten ne mendje dhe nuk te hiqen gjate gjithe jetes”.

 

Ja intervista e plotë:

Kam përshtypjen që keni një jetë aq të gjatë dhe intensive, sepse dhe ju vetë e keni thënë, e vështirë, pa ditë dhe natë, telefoni që bie ne çdo kohë, duhet t’u gjendesh afër njerzve..çfarë është më e vështirë, të jesh mjek, apo të kandidosh e të garosh në një fushatë elektorale?

-Që të dyja mund ti shohësh nga një këndvështrim i përbashkët. Ajo që ti je në shërbim të njerëzve, qofshin këta pacientë apo qytetarë. Kjo është e përbashkëta mes këtyre dy zanateve.

Kur je mësuar për një kohë të gjatë duke qëndruar në martenitet, duke u marrë me raste të vështira, ku shpeshherë sillet një jetë e re, por shpeshherë vihet në rrezik një tjetër. A ju duket tani që fushata dhe dalja në publik, ku je më i ekspozuar me telekamera, kur nga ana tjetër, keni punuar në sallën e martenitetit i rrethuar vetëm me bashkpuntorët tuaj të afërm, ndërsa tani jeni në qendër të vëmendjes të të gjithëve..Ju krijon ndonjë lloj shqetësimi kjo gjë?

-Absolutisht Blendi, sepse si 35 vite më pare në shëndetësi ashtu edhe tani, me këtë mundësi që Partia Demokratike më ofron për të qënë në shërbim të qytetarëve, nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, por shoh një shans që të jap një kontribut për shumë e shumë probleme që po shoh në këto ditë, duke takuar njerëzit, duke pritur sugjerimet e tyre, duke i dëgjuar me vëmendje. Me fjalë të tjera, vazhdoj të jem në shërbim të qytetarit.

Zakonisht njerëzit e kanë më të vështirë të flasin për jetën e tyre, dhe më të lehtë për karrierën, por unë do ta nis me një nga pyetjet standart të këtyre intervistave. Ju keni lindur në Tiranë. Cila ka qënë familja juaj?

-Unë kam lindur në një famile ku mamanë e kam me origjinë nga Dibra e Madhe, ndëra gjyshi me origjinë nga Kosova..

Çfarë donte gjyshi nga Kosova në Tiranë?

-Asnjë njeri nuk e lë tokën dhe vendin e tij pa arsye. Ka qënë eksodi i Kosovarëve në vitin 1913, të detyruar nga raprezaljet serbe ndaj tyre. Po të njëjtën arsye ka pasur edhe familja e mamasë sime, dhe siç tregojnë e duke marrë më tepër informacione, diku në Elbasan, nuk kanë ndaluar dot, për shumë arsye, ndërsa në Tiranë ju kanë hapur derën dhe i kanë mirëpritur. Për këtë arsye u vendosën në Tiranë.

Në fakt Tirana, përveç tiranasve autoktonë,deri disa vjet më parë, 25-30 vjet më parë,  i konsideronte po aq autoktonë edhe dibranët e ardhur herët në Tiranë, për arsye se ata kishin më shumë ose gati një shekull të vendosur këtu. Pra, trashëgimtari i një familjeje të ardhur nga Kosova, i një familjeje nga Dibra, jetuat në Tiranë. Ju keni lindur në Tiranë. Në cilën zonë të Tiranës?

-Unë kam lindur diku te rruga “Myslym Shyri”.

E cila në atë kohë ka qënë shumë më e qetë sesa tani…

-Unë nuk e mbaj mend se kam qënë i porsalindur, po pastaj familja ime është transferuar diku mbrapa, përballë shkollës “Sami Frashëri”, te ajo rruga aty, madje tani gjatë fushatës kalova. Aty kishim një banesë shumë modeste, madje po e shihja tani para disa ditësh ishin bërë disa ndryshime, por prapë më kujtoheshin nga fëmijëria shumë hollësi të asaj shtëpie dhe kur unë kam qënë në moshën 6-7 vjeç, jemi transferuar diku përballë shkollës “11 Janari” deri sa unë kalova në vitin e parë të Fakultetit të Mjekësisë, më pas diku aty afër Stadiumit “Dinamo”.

Cila është shkolla që keni ndjekur në Tiranë z.Kosova?

-Unë kam filluar te shkolla: “11 Janari”, te “Petro Nini” filloren se ka qënë atje fillorja, pastaj u bënë disa modifikime dhe na çuan te “Dëshmorët e Lirisë” për të përfunduar gjimnazin në shkollën “Petro Nini”.

Pra keni mbaruar ato që mund të quheshin shkollat më të mira të Tiranës së asaj kohe. Përse zgjodhët mjekësinë? Ishte vendim i juaji personal, ishte shtysë e familjes, çfarë iu lidhte me mjekësinë?

-Blendi fillimisht unë kisha si qëllim, ngaqë duart më zinin çdo gjë, isha përqendruar te inxhinieritë dhe i kisha shumë qejf. Gjithmonë kisha qejf të ndërtoja diçka, të bëja diçka.

Pra, në njëfarë mënyre ëndrra që kishit ishte inxhinieria…

-Po, mirëpo në fund të maturës, ose tamam në fund të maturës gjyshja bën një hemoragji cerebrale, pësoi një paralizë të pjesshme, dhe pas spitalit duhej që në shtëpi të tregohej një kujdes i caktuar, në një dhomë ku nuk hynte e nuk dilte njeri, dhe çdo ditë në orën 5 vinte mjeku personal që e kishte ndjekur në spital, vinte, ishte diku afër me shtëpi, vinte dhe e vizitonte gjyshen dhe i shihte parametrat kryesorë. Akoma i kam mbresat sesi e prisnim mjekun, tezet, dajat ne të gjithë bashkë, edhe kur vinte ai rregullohej shtëpia se po vjen ora, bëhuni gati e kshu, e shihnim si Zotin me një fjalë. Duke mos patur asnjë person në rrethin familjar në mjekësi, ky ishte kontakti i parë nga afër me..

Dhe ju u sugjestiunuat nga respekti që fitonte figura e mjekut…

-E pashë sa e vlefshme dhe çfarë ndihme ti kishe mundësi ti jepje njerëzve. Që në atë moment vendosa dhe thashë se mjeku qenka shumë i domosdoshëm, se kur je në atë moshë nuk mendon se një ditë mund të kesh probleme, vetëm futboll, luaj, vrapo…Kështu që thashë do të jem i vlefshëm për prindërit, do të kem farefisin, do iu jap një dorë gjithsesi, do kem një shtyllë në mjekësi, mjekësia qenka profesion shumë i mirë, shumë human. Që atëherë unë vendosa dhe në minutën e fundit madje kam kaluar në mjekësi.

Z.Kosova ndërkohë shkuat në Fakultetin e Mjekësisë që e ndoqët për disa vjet. Përse u specializuat në “Gjineokologji”?

-Gjinekologjia, për hir të së vërtetës nuk është se e kam pasë në mendje, bilez jemi dy shokë të ngushtë që kemi qënë që 15 vjeç në klasë, ai gjithmonë thoshte do bëhem gjinekolog, une gjithmonë e ngacmoja pa e ditur se edhe unë një ditë do bëhesha. Mirëpo të them të drejtën Blendi kur erdhi puna për të zgjedhur, sipas kërkesave që Sistemi Shëndetësor i Tiranës kishte atëherë, kishte vetëm dy mundësi: Ose pediatri ose obstetric-gjinekologji. Në atë kohë, ndër të dyja si me më shumë hapësira pune mu duk gjinekologjia, ose obstetria sepse thashë ka kirurgji, ka lindje, ka pediatrinë brenda, ka nënën, ka fëmijën..

Jeni penduar që e zgjodhët këtë, pasi në atë kohë nuk e dinit që mund të kishit një karrierë kaq të gjatë dhe kaq të suksesshme në këtë degë?

-Blendi të të them një diçka që s’kam pse të ta mbaj të fshehtë. Puna është shumë e bukur, zanati është shumë i bukur, por ka edhe disa të papritura që ty të ngelin në mendje gjithë jetën e jetës dhe nuk të shqiten edhe sikur në çdo moment të më ngacmosh unë kam për borxh të ti them me hollësi.
Çdo me thënë me këtë?

 -Ka raste që nuk përfundojnë siç ke dëshirë ti dhe siç ka dëshirë familjari sepse e tille është mjeksia, të tilla janë të panjohurat që janë brenda saj, dhe ajo që mund ta shtjellojmë dhe pak më vonë është që këtu mungon një sistem mbikëqyerje për të gjithë në mënyrë që të evitojmë problemet, se nga eksperienca jo gjithmonë ti mund të kapësh çdo gjë. Janë dhe një sërë analizash të domosdoshme dhe këtu fatkeqësisht në këto institucione nuk kryhen.

Mjeku është 24 orë në punë dhe nuk dihet se kur i bie telefoni ose e kap urgjenca..

-Unë kam pasur një specifikë të veçantë për shumë vite nga që u specializova në një degë pak më të hollë në zanatin tim, siç ishte ekografia. Që në mengjez mblidheshin njerëzit sepse një eko ishte në të gjithë Shqipërinë dhe unë duhet të filloja punën se s’bën në 8 të mëngjezit deri në 7 të mbasdites dhe bëja afersisht 150 vizita në ditë.

150 vizita në ditë?

-Po! Për 7-8 vite rrjesht. Sepse isha vetëm një  njeri dhe kishim vetëm një ekografi.

Keni qenë tip sportive në rini?

-Aboslutisht po.

Cilat  ishin pasionet më të mëdha që kishit në  këtë drejtim?

-Futbolli ka qënë i pari, dhe kur bënim ndeshje te Fakulteti i Mjekësisë me  “Shkollën e Bashkuar” kishte rëndësinë e një ndeshje ndërkombëtare.

Në cilin vit erdhët në krye të maternitetit të Tiraneë, që ju e quajtët Materniteti Mbreteresha Xheraldina. Unë kam disa pamje të maternitetit të viteve 1990 dhe fillimi i viteve 1991 që janë të frikshme z.Kosova. Që tregojnë që kushtet ishin realisht të frikshme. Janë pamje të një televizioni gjerman i cili ia ka mbrritur për të filmuar.

-Nuk më besohet që kemi punuar në ato kushte të cilat dhe erdhen duke u përkeqesuar. Nuk është se rregullohen menjëhere dhe nuk eshte se ishin vetem kushtet e këqia por me e rëndesishme ishte humbja e shpresës. Humbi shpresa dha dëshira për të  bërë diçka në ato vite. Aty gjithmonë e më shumë mendoja që njerëzit duhet të bëjnë diçka. Duhet të drejtojnë aty ku duhet. Duhet dikush ta marrë këtë përgjegjësi. Atëherë ka qënë momenti kur unë pas insistimit të z.Solis, shkova një dite dhe i thashë, shko ma shëno pak emrin. Ik ore me tha se ben shaka ti. Jo jo i thashe ma shëno emrin dhe kam për ta bërë. Ishte 23 tetori i vitit 1998-es.

Si ishte transformimi maternitetit, një nga gjërat që ju njihet më shumë, një nga gjërat që për ju është folur më shumë, madje kam dëgjuar z.Rama që ju ka vlerësuar në vitin 2007që u quajti model të Tiranës. Si ishte realisht  transformimi, sa i vështirë?

-E nisëm nga fillimi. Së pari me me repartin e fëmijëvë të abandonuar që  quhej, me kujdesin e disa grave amerikane që kishin bashkëshortët këtu me punë në Tiranë, ato bënë një shoqatë edhe e morën nën mbikqyrje dhe investimi parë i imi si drejtor ka qënë pikërisht në repartin e fëmijëve të abandonuar, me ndihmën e ambasadës Amerikane që ofroi një shumë prej 15 000 dollarë dhe unë mbasi bëra llogaritë se çfarë mund të bëhet te reparti i fëmijëvë të abandonuar që e quajtëm Djepi i Engjejve, i bëra një kërkesë amerikanëve, u thashë po sikur me këto lekë të bëj edhe dy punë të tjera, a ka mundesi që mos të mi merrni? Ata qeshën, po ca pune do të bësh ti? Ja ku janë fotot zyrat, si ishin e si u bënë. Salla e operacionit. Nuk është puna te ngjyrat, puna është se materiali që është vënë në sallën e operacionit është kundër bakterieve, kundër infeksioneve. Dhe tjetër gjë që bëra është ndërtesa, që është shumë e vjetër, që po ta shohësh nuk do ta besosh dot që për 40 ditë, ne ia ndërruam faqen dhe ky ishte një fillim i mbarë…

Po më pas cilët ishin donatorët që u ofruan në maternitet?

–Fillimisht unë gjeta një projekt nga BE, programi Eko quhej dhe bëra maximumin që efektshmëria e atyre investimeve të ishte maksimale për spitalin. Nuk ka rëndësi vetëm rikonstruksioni, po janë dhe trainimet shumë të rëndësishme dhe për pacientët dhe për personelin. Disa grupe kanë ikur, staf amerikan ka ardhur në maternitet dhe kemi bashkëpunuar. Në vitin 2000 arritëm të krijonim një model, Qëndra e Shëndetit të Gruas. Ajo ekziston dhe sot dhe ofroi kushte shumë komode se si gratë të vizitoheshin, të viheshin nën mbikëqyrje, të skedoheshin kur vinin, pra t’i kishin të dhënat aty, e kështu me rradhë. Edhe sot në maternitet ekzistojnë dokumenta se si bëhej tenderi në kohën që drejtoja maternitetin. Dhe ishte 260 milion lekë të vjetra buxheti dhe pas tenderit në tavolinë ngelnin 95-96 milion lekë të vjetra deri në 85 milion. Kjo ka qenë, gati 30% na mbetej dhe me këto blinim gjëra të tjera. Blenim si në shtëpi, linim një fond rezervë për çdo lloj rasti të rralë që ne mund të na duhej diçka. Dmth kishim një arkë kursimi të vogël .

Pse u përfshitë në politikë? Pse e latë punën dhe pasionin për tu përfshirë në politikë? Pse zgjodhet Partinë Demokratike?

-Nuk është rastësisht që shkova te Partia Demokratike, unë me Prof.Berishen njihemi prej kohesh.

Kur e keni njohur për herë të parë Berishen?

-Në fakultetin e mjeksisë, ka qënë pedagogu im, jo vetëm ka qënë pedagog, por një njeri që lë gjurmë.

Keni ruajtur raport miqësor më pas?

-Sigurisht që po.

Emri juaj është përmendur si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës në vitin 2003, në vitin 2007. Madje në vitin 2007 jeni përmendur si kandidat i mundshëm për President. Ishin ftesa , ishin njerez që flisinin? Si dilte kjo gjë?

-Gjithmonë kam thënë kështu, e ndjej veten shumë të kënaqur kur të tjerët të vlerësojnë punën tënde dhe besojnë tek ty, por pasioni që kam pasur për shëndetin e nënës dhe fëmijëve më kanë bërë që mos të largohem asnjëherë nga ky profesion.

Pse përflitej emri juaj? Lidhej me mënyren se si kishit administruar maternitetin, me suksesin që lidhej me emrin tuaj me mënyren e administrimit të këtij istitucioni? Pse?

-Unë mendoj se kontaktet e mia me njerëz të gjitha kategorive, të gjitha llojeve  të gjitha shtresave me bëri më shumë transparent më të komunikueshëm më të gjithë, kështu që nga të gjitha anët kishin mundësi të më njihnin për gadishmerinë dhe profesionalizmin, qoftë për përkushtimin karshi pacientit. Kurrë në jeten time nuk kam pranuar lek nën dorë, as mbi dorë. Anjë pacient nuk ka arritur të më shpërbleje për punën që kam bërë, pavarësisht rezultateve, edhe kur kam qendruar gjithë natën në operacion, kurrë asnjë herë skam pranuar.

Kur vendoset për të lënë maternitetin për të ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësis? Ishte dr.Berisha që ua propozoi? Mbasi i kishit thënë disa her jo, pse pranuat në 2013? Cfarë ndryshoi?

-Nuk ishte njëlloj si në 2005 kur ishin në vijë punët për Partinë Demokratike. Berisha më tha; Halim e di si është puna, unë kam menduar se sistemi shëndetësor e do një dorë, se ka probleme, dhe unë i thashë shkruaje emrin dhe fillojmë nesër nga puna.

Ju menduat se mund ta jepni në aq pak kohë?

-Unë e kam dhënë, se cfarë mund të arrishë në një sistem shëndetsor vetëm në pak kohë, vetëm duke përdohur transparencen. Në 6 muaj nga 10.5 milion euro që ishte fondi për ilaçet, i kemi marrë 2.8 milion më lirë, dhe me ato lekë blemë prapë gjëra të tjera, prapë bëmë punë, prapë blemë gjera të tjera. I lamë diçka QSUT-së, i lamë gati 500 milion lekë të vjetra në arkë.

 Përse vendosët të kandidonit për Bashkinë e Tiranës dhe kush ishte oa propozoi? Si erdhën tek emri juaj?

-Kuptohet që kur fillon dhe qarkullon emri ti ndjen një kënaqësi dhe unë e kam thënë dhe e them prap dhe sikur një nga të njëqintët të isha në listë do ishte vlerësim shumë i madh sepse je një ndër njerzit që partia jote dhe qytetarët mendojnë qe mund ti drejtosh në rrugën e duhur.

Si ju erdhi propozimi dhe me ç’mbi kërkesë u nisën për tju bërë kandidat

-Unë isha në dijeni që qarkullonte emri im dhe e dija që partia kishte mënyrat e veta se si po testonte po nuk kisha ndonjë informacion më të hollësishëm. Unë e kam mamanë e paralizuar të sëmurë prej tre vjetësh, sa herë mbaroj punë se sbën do shkoj pranë saj, edhe pse nuk bën shumë muhabet, e shoh që më qesh dhe në këtë moment ra telefoni e pash numrin e z.Basha i cili më tha; Halim kam një diçka me të thënë a mund të vish pak në zyrë. Ishte ora 22:00. Kurrë nuk kam për ta harruar gëzimin që pash në sytë e z.Basha kur më tha se në 95%-96% anëtarët e PD janë të mendimit që ti mund të bësh më të mirën për qytetin e Tiranës.

Mendoni se në administrimin e qytetit jepni më shumë se thjeshtë …

-Unë jam njeri i aksionit, që në të 100-ën e sekondit ke për të vendosur këtej apo andej, një fije e ndan njeriun apo fëmijën këtej apo andej për një fije, nga jeta dhe nga vdekja. Pra unë jam mësuar e më pëlqen që direkt të marr vendime, të marr përgjegjësi e të bëj dicka.

Ju thatë qe jeni mjek që merrni vendime, mjek urgjence ndërkohë unë dëgjova z.Rama që duke ju krahasuar me z.Berisha ka thënë se jeni një mjek i lodhur, u ndjetë i fyer?

-Unë nuk e kam dëgjuar, e kam mbyllur në rrethin tim familjar çdo lloj mundësie që të më vijnë fjalë, pse? Sepse në fjalët e fushatës çdokush do kapë diçka e do thotë diçka, por unë nuk i marr parasysh. Fjalët e fushatës janë fjalë të thëna nga halli, nuk janë të qëndrueshme, unë vlerësoj ato që janë thënë për mua para fushatës dhe do të të them nje sekret?…

Sa sekrete të duash…

-Kam pas telefonata nga Partia Socialiste duke më thënë “ca na bërë se kishim llogaritur që 8 vite ta çonim shëndetësinë përpara me ty

Cilat kanë qënë marrëdhëniet me z. Rama?

-E para çdo Kryeministër që merr mandatin nga vota popullore është dhe Kryeministri im, pavarësisht se ku e hedh votën. Unë kam qënë në SHBA afërsisht para një viti e ca dhe isha para një takimi shumë të rëndësishëm. Ky që më shoqëronte më tha, mos ke ndërmënd ta ofendosh Ramën? Jo vetëm për kaq, por edhe 300 vite të kishte Kryeminister, ai është Kryeministri im dhe unë nuk kam se si ta shaj.

Ai ju ka vlerësuar në vitin 2007, po në përgjithësi si kanë qënë raportet tuaja?

-Nuk kemi patur ndonjë here miqësi por ai ka pasur dhe ka konsideratë për mua dhe madje disa herë më ka bërë oferta që rrallë herë të vijnë në jetë.

Çfarë ofertash?

-Për poste shumë të rëndësishme, skam pse ta fsheh dhe i jam mirënjohës

Z.Kosova, cilat kanë qënë momentet më të vështira në jetën tuaj qoftë dhe në karrierën si mjek?

-Për çdo familje momentet më të vështira janë kur njërit prej anëtarëve të familjes i rrezikohet jeta dhe unë kam pas një situatë të tillë me bashkëshorten ku për një moment mendova se si mund të të shkatërrohen planet nga një pakujdesi apo një sëmundje e papritur. Për fat e kaluam atë situatë dhe s’ka më asnjë problem.

Cila është familja juaj dmth gruaja dhe sa fëmijë?

-Kam një grua dhe dy fëmijë.

Z.Kosova, të jesh mjek, të marresh vendime të vështira dhe të dalësh në fushatë e të bësh premtime, çfarë është më e vështirë?

-Unë nuk kam premtuar asgje, por duke ardhur në këtë pikë, kam një sekret shumë të thjeshtë, komunikimi me atë që ka hall. E di ti qe numri im për 15 vite ka qënë në cdo cep.

Qëllonte që ju binte natën telefoni?

-Naten? Pafundësisht, dhe po mos të binte me thoshte Elsa shiko se duhet të të jëtë prishur telefoni. Madje në fillim përbënte shqetësim, me thoshte “more ti flet fhe me zë të lartë!” pastaj erdhi puna që zgjohesha dhe dy herë natën e nuk merrte vesh gjë nusja. Dhe në mengjes më thoshte ‘shyqyr që mbrëmë nuk të kanë zgjuar!” “si nuk më kanë zgjuar, kam qënë dy herë në punë, vajta-erdha, vajta-erdha”. Kjo mund të ketë ndodhur dhe një javë rresht.

Pra ju nuk premtoni?

-Jo Blendi, jam ne fazën që dëgjoj dhe realisht situata është shumë më e rëndë se çmund ta kisha imagjinuar përpara se ti futesha kësaj rruge. Sa më shumë takoj njerëz aq më shumë halle dëgjoj por ta thashë, jam për të rikthyer besimin e shpresën. Le ta fillojmë të bëjmë diçka që të rilindë shpresa po lindi shpresa ecin punët dhe i ke të gjithë nga pas.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama