Përpara syve të 38 043 shikuesve të pranishëm në stadium, sulmuesi i ri shqiptar festoi si njeriu i ndeshjes dhe për këtë arsyet ishin të shumta. Goli i tij i parë në Bundesligë erdhi pas vetëm 99 sekondash lojë, në një ndeshje ku sapo ishte futur si zëvendësues, kjo bëri që 20-vjeçari të festonte si i çmendur. “Pas golit ai ishte në një tjetër botë për të paktën 5 minutat që pasuan, mendon trajneri i Këlnit, Solbaken, dhe qesh. Fitorja ishte më se e merituar”. “Një çmenduri e plotë”, shkruan gazeta e madhe gjermane “Bild”: “Roshi hyri në lojë vetëm dy minuta më para. Vendim i drejtë gjithashtu edhe nga trajneri Solbaken”. Po ashtu të kënaqur janë shprehur pas kësaj fitoreje të rëndësishme edhe shokët e skuadrës.
Një ndër ta, Milivoje Novakoviç, theksoi se “ne ia bëmë vetes shumë të vështirë punën, por nuk u dorëzuam kurrë dhe luftuam deri në minutën e 90. Falë Zotit Roshi shënoi golin që na dha një fitore të rëndësishme për besimin tonë. Kjo ka kënaqur pa masë të gjithë skuadrën, por edhe tifozët tanë”. Menjëherë pasi shënoi golin e tij të parë në Bundesligë, Roshi ka dhënë edhe një intervistë për faqen zyrtare të Këlnit. Ai deklaroi se e ndiente se do të shënonte dhe synon më shumë gola, pasi këtij kundër Kaizerslauternit, i cili do të mbetet shumë i veçantë në kujtimet e tij.
Odise Roshi, shënuat golin tuaj të parë në Bundesligë për fitoren 1-0 ndaj Kaizerslauternit. Si ndiheni?
Jam i shumë lumtur që arritëm të fitonim tri pikët ndaj Kaizerslauternit dhe pas kaq shumë kohësh ne mundëm të fitonim në ‘Betzenberg’. Ishim shumë të ndërgjegjshëm se ndeshja ishte e rëndësishme për ne. Jam kënaqur shumë kur kam shënuar gola në Shqipëri, por të dielën isha natyrisht shumë i lumtur që shënova golin e fitores për skuadrën time.
A morët shumë përgëzime?
Po, mora shumë telefonata dhe përgëzime nga familja dhe miqtë e mi. Kjo më bëri të ndihesha i kënaqur.
Pas golit ju vrapuat dhe u përqafuat me Frank Almshtetin. Përse?
Ia kisha premtuar që do ta përqafoja pas golit tim të parë në Bundesligë, pasi ai më ka nxitur shumë. E ndieja që para se të hyja në fushë se do të shënoja. Të dy u gëzuam shumë për golin, por gjithashtu e gjithë skuadra u gëzua.
Pak para se të shënonit, patët një rast të mirë për gol…
Unë u përpoqa që të gjuaja sa më mirë, në mënyrë që topi të përfundonte në rrjetë, por portieri e grushtoi topin shumë mirë. Kur u ekzekutua goditja e këndit unë u ndodha i lirë dhe vrapova për të gjuajtur. Për fat, e shënova golin.
Cili është qëllimi juaj për të ardhmen?
Unë dua që të shënoj shumë më tepër.











