Rinovimi i rrugeve ne Shqiperi do te nxise rritjen ekonomike dhe turizmin

Rinovimi i rrugëve në Shqipëri do të nxisë rritjen ekonomike dhe turizmin

Shqipëria është bërë një vend ndërtimi. Vendi ballkanik po bën një shtytje të madhe për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, pas dekadash izolimi dhe një periudhe të gjatë tranzicioni. Regjimi i mëparshëm komunist e la atë me një sistem të varfër rrugësh e udhëshpejtash. Në 17 vjet që kur është vendosur demokracia, infrastruktura ende nuk është sjellë në standardet evropiane. Me vendin që aspiron të bashkohet me BE, kjo duhet të ndryshojë.

Në tërësi Shqipëria ka përafërsisht 18,000 km rrugë nga të cilat 3,636 km janë rrugë kombëtare. Gjatë disa viteve të fundit, qeveria ka investuar në udhëshpejtat kombëtare që shkojnë lindje-perëndim dhe veri-jug. Sipas ministrit të financave Ridvan Bode, nga 800 milion $ të ndara për investimet publike vitin e ardhshëm, shumica do të shkojë për përmirësimin e rrugëve.

Një nga projektet kryesore që është në proces, është ndërtimi i udhëshpejtës Durrës-Kukës-Morinë. Ajo nis në Durrës, porti kryesor i Shqipërisë dhe përfundon në Morinë, më tepër se 200 km në verilindje të kryeqytetit. Projekti, i cili përfshin gjithashtu një tunel 7 km, po zbatohet nga konsorciumi turk-SHBA Bechtel-Enka.

Tani duhen deri gjashtë orë të arrish Kukësin nga Durrësi. Rruga e re 170 km do të jetë një pikë lidhje me Kosovën. Pasi të të përfundojë ajo, koha e udhëtimit do të jetë vetëm dy orë.

"Objektivi është të përmirësohet rrjedha e trafikut, të reduktohen kostot e transportit dhe të kontribuohet në reduktimin e normës së aksidenteve," thonë burime të ministrisë së transportit.

Në shtator, megjithatë, projekti e gjeti veten në qendër të një debati të nxehtë politik, pasi disa zyrtarë të lartë lidhur me të u arrestuan për akuza korrupsioni. Zëvendës ministri i transportit Nikolin Jaka, drejtori i përgjithshëm i rrugëve Bashkim Kamberi dhe zyrtarë më të vegjël të ministrisë së transportit janë akuzuar për manipulim të tenderave.

Shumica e të arrestuarve i përkasin Partisë Demokristiane, një partnere e vogël e koalicionit qeverisës të kryeministrit Sali Berisha. Me prokurorët që thonë se duan gjithashtu të marrin në pyetje ministrin e jashtëm Lulzim Basha, posti i mëparshëm i të cilit ishte në ministrinë e komunikacionit, skandali mund të arrijë nivelet më të larta të administratës aktuale.

Skandali nuk e ka ndalur ndërtimin dhe udhëshpejta pritet ende të përfundohet deri në 2009.

Më parë këtë muaj, Berisha ishte në Shtetet e Bashkuara ku mori zotime të freskëta të mbështetjes së Bankës Botërore. Në veçanti, Banka ka premtuar të mbështesë në skemën që vjen të rrugëve dytësore, si edhe në udhëshpejtën Durrës-Morinë.

"Ne e shohim këtë projekt [Durrës-Morinë] si shumë të rëndësishëm si për Shqipërinë dhe për Kosovën," tha drejtoresha e Bankës Botërore për njësinë vendore të Evropës Juglindore, Orsalia Kalantzopulos.

Një tjetër përparësi është seksioni i Shqipërisë i korridorit 8, një nga dhjetë korridoret trans-evropiane që kanë qëllim të lehtësojnë shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve të tjera me energji midis BE, vendeve të Ballkanit dhe Azisë qendrore. Përveç nxitjes ekonomike dhe zhvillimit komercial, shpresohet që këto korridore do të ndihmojnë përmirësimin e stabilitetit në një rajon që për një kohë të gjatë ka pasur telashe.

Korridori 8 lidh detet Adriatik e të Zi . Ai nis në portet italiane të Barit e Brindizit dhe përfundon në Burgas dhe Varna, në Bullgari. Gjatë rrugës, ai kalon nëpër Durrës, Tiranë, Shkup dhe Sofje. Tre seksione janë tani në ndërtim në Shqipëri: Librazhd-Qafë Thanë, Lushnje-Fier dhe Levan-Vlorë.

Qeveria ka gjithashtu ndërmend të shkojë përpara me një udhëshpejtë veri-jug. Ndonjëherë refereruar si udhëshpejta Adriatike-Ioniane, ajo do të formojë pjesë të një udhëshpejte më të madhe rajonale që lidh Kroacinë me Greqinë, nëpërmjet bregdeteve. Shqipëria po ndërton tre segmente: Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër dhe Shkodër-Hani i Hotit.

"Këto janë segmentet që do të kenë fondet kryesore nga buxheti. Me një strategji të re ne synojmë të shpejtojmë ritmin e investimeve për periudhën 2007-2008," tha Bode.

Zyrtarët thonë se projektet e mëdha Durrës-Morinë, korridori 8 dhe udhëshpejta Adriatike-Ioniane më së shumti do të kompletohen deri në 2010. Në atë kohë, Shqipëria do të ketë afërsisht 759 km udhëshpejta që e lidhin me fqinjët.

Përveç Bankës Botërore, donatorët ndërkombëtarë të përfshirë në rehabilitimin e rrjetit rrugor të Shqipërisë përfshijnë BE, EBRD, Nismën Qendrore Evropiane, qeveritë italiane, shqiptare, amerikane e greke, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën e Kuvaitit.

Rrugët nuk janë çështjet e vetme të mëdha infrastrukturore me të cilat ndeshet Shqipëria. Shqiptarët do të donin ta shihnin atë të bëhej një destinacion turistik dhe të kapitalizojnë potencialin e saj si një nga vendet e pazbuluara të Evropës. Megjithatë, kjo kërkon një përtëritje të shërbimeve. Elektriciteti është i luhatshëm dhe hotelet kanë pak peshë.

Vizitorët në vend marrin së paku një mirseardhje përshtypjelënëse. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës e rimodeluar krejtësisht përfundoi në mars. Terminali i ri, me modelin e vet të sofistikuar arkitektonik, ka kapacitet të përpunojë më tepër se një milion pasagjerë në vit. Terminali jo vetëm që vendos një standard të ri lidhur me punën dhe funksionalitetin, por edhe lidhur me arkitekturën në Shqipëri dhe përfaqëson një kontribut të veçantë në rinovimin urban të qytetit.

Aeroporti i Kukësit pritet të hapet në krye të vitit 2008, duke e bërë atë aeroportin e dytë civil në Shqipëri. Më parë këtë vit, qeveria italiane premtoi se do të ndihmonte me rindërtimin e aeroportit në Gjirokastër. Aeroporti do të funksionojë me aftësinë civile e ushtarake.

Aktualisht janë dy projekte realizueshmërie që po kryhen për aeroportet në Vlorë dhe Korçë. Një plan për një aeroport në Sarandë është kompletuar por deri tani nuk ka dale ndonjë investitor që do të vendosë aty paratë.

Sipas Globe and Mail të Torontos, Shqipëria llogaritet për vetëm 0.1% të turizmit në Evropë. Mund të duhen vite përpara se vendi mund të përmirësojë ndjeshëm atë shifër, ndonse hapat e duhura më së fundi janë marrë. Ndërkohë, ata që vijnë po shohim thesare që një ditë mund të bëhen të njohur më gjerësisht.

Erlis Selimaj : Setimes.com


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama