Historia e vrasjeve
Sipas prokurorisë, 25-vjeçari Enton Shqypi është gjetur i ekzekutuar me plumb pas koke në një rrugicë të lagjes Selitë e Vogël, pak metra nga Liqeni Artificial. Në momentet e para të hetimit, policia e Komisariatit Nr. 2 hodhi dyshime për një konflikt të rastësishëm që i riu kishte pasur gjatë ndjekjes së një ndeshjeje në stadium, por më pas ngjarja e gushtit të vitit 2002 u cilësua atentat me qëllime hakmarrjeje e larje hesapesh, që kishin të bënin me rivalitetin mes dy grupeve, atij të "Rrugës së Kavajës" dhe "Rrugës së Durrësit". Shqypi ishte arrestuar në vitin 1996 për vrasjen e Artur Hoxhatit dhe plagosjen e një tjetri dhe njihej si mik i ngushtë i Ervin Borovës. Ky i fundit ishte pjesëtar i grupit të "Rrugës së Kavajës", i cili u vra gjatë vitit 1999, pranë bar "Rovena", ku dhe u plagos Ilir Bardhi. Borova u arrestua edhe gjatë vitit 1996, si i dyshuar për vrasjen e Artur Hoxhatit, por më pas u dënua Enton Shqypi si ekzekutor. Pas daljes nga burgu, Shqypi u vra e deri më sot ende nuk është zbuluar autori i kësaj vrasjeje.
Si u akuzua Sollaku
Gjatë kohës kur vëmendja e opinionit u drejtua nga ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, u rikujtua edhe vrasja e Shqypit, e cila ishte lënë në harresë prej vitesh. Madje, kjo dosje e pazbardhur u vu në vëmendje të komisionit hetimor "Sollaku", i ngritur në vitin 2006-2007. Përveç krimeve të pazbardhura, që lidheshin me dosjen e "Rrugës së Kavajës" dhe asaj "të Durrësit", ku përfshiheshin persona të cilësuar si anëtarë të grupeve të "Rrugës së Kavajës dhe Durrësit", figuronte ekzekutimi i 25-vjeçarit pranë Kopshtit Botanik në Tiranë. Dosja u bë objekt diskutimi në komision, ku ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku u akuzua se nuk kishte hetuar dhe zbardhur krimin. Megjithëse pati të dyshuar, nuk pati asnjë arrestim. Në materialin e komisionit hetimor thuhet se "është ende e pazbardhur ngjarja dhe i paidentifikuar autori i vrasjes së shtetasit Enton Shqypi, më datë 13 gusht të vitit 2002".











