Ribotohet libri per Migjenin Kadare Pse e kam retushuar

Ribotohet libri per Migjenin, Kadare: Pse e kam retushuar

Rikthehet “Uragani i ndërprerë”. Shkrimtari Ismail Kadare riboton sprovën e tij letrare “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, kushtuar një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, Millosh Gjergj Nikollës, i shuar nga jeta në një moshë fare të re, në vitin 1938.

I Shkruar fillimisht në fundvitet ’80 si parathënie e “Novelave të veriut”, që dolën në Francë, në vitin 1989, ai do të botohej në Shqipëri, në vitin 1991, kur tashmë kishin ndërruar sistemet dhe Kadare ishte zhvendosur në Paris.

E ndoshta kushdo që e ka lexuar atë sprovë është çuditur me terminologjinë e shkuar kohe që përdorte Kadare në librin e tij, por ajo ishte shkruar në një tjetër kohë, kur të flisje për Fishtën a Koliqin nuk mund të mos i shoqëroje me epitetin “reaksionarë”.

Në ribotimin e vitit 2009, të shtëpisë botuese “Onufri”, vetë shkrimtari do ta njihte lexuesin me historikun e kësaj vepre, kohën kur u shkrua, rrethanat, arsyet e më së shumti për disa çështje delikate, siç ishte trajtimi i disa figurave të autorëve të ndaluar, mes të cilëve ai më kryesori, Fishta. Përveç shpjegimeve të nevojshme për një vepër të shkruar në vitet ’80, shkrimtari i madh jep mendimin se si duhen trajtuar figura si At Gjergj Fishta.

“Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të mbetet e hapur në Shqipëri. Dhe kjo është e kuptueshme. Borxhi ndaj tij mbetet gjithmonë i madh, më i madhi borxh ndaj një poeti i ndërgjegjes shqiptare. Ky borxh mund të lehtësohet dhe do të lehtësohet vetëm me dashuri dhe sinqeritet, dhe jo me nervozizëm dhe revansh. Për fat të keq, janë këto dy të fundit që ende ndihen më fort. Dhe është e natyrshme të jetë kështu, përderisa shpeshherë qëllon që në ballë të falangës për kinse mbrojtjen e poetit, shfaqen shpesh fytyra jo fort të besueshme. Është thënë dhe duhet përsëritur prapë se nuk mund ta mbrojnë poetin rrahagjoksat që gjer dje nuk ia përmendnin kurrë emrin, as disidentët e rremë, që kanë shërbyer në policinë e fshehtë komuniste, që kanë denoncuar e futur në burg kolegët, as ata që shquhen ende sot për nostalgjinë ndaj otomanëve, ose që afishohen kundër Gjergj Kastriotit”, shkruan ai në shënimin e vitit 2009.

TRAJTIMI I MIGJENIT


Por arsyeja e këtij botimi është Migjeni, për të cilin Kadare ka një vlerësim të veçantë. Kadare është i shqetësuar për mënyrën se si është trajtuar Migjeni dhe se si vazhdon të trajtohet ai kundrejt autorëve të tjerë. Një histori të trishtë e quan atë Kadare, e cila fatkeqësisht vazhdon edhe pas dy dekadash nga botimi i kësaj sprove.

“Një tjetër problem delikat që, në një mënyrë ose në një tjetër, shtrohet në këtë trajtesë, është raporti midis Migjenit dhe shkrimtarëve të mëdhenj të ndaluar, kryesisht Fishtës. Ky raport as është shtruar e as që mund të shtrohej drejt. Sipas një tradite të keqe të ideologjisë sunduese të kohës, Migjeni cilësohej gatigati si pararendës i realizmit socialist shqiptar, çka ishte një mashtrim i pashembullt. E keqja vazhdoi më pas, kur, në vend që ky mashtrim, bashkë me komunizmin, të rrëzohej, ai vazhdoi të mbrohej, këtë herë nga kampi kundërshtar, nga vetë fishteanët. Migjeni vazhdoi të quhej shkrimtar pothuajse komunist, ndonëse të gjithë e dinin se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se mentori i tij i parë kishte qenë pikërisht Ernest Koliqi, i shquar për antikomunizmin e tij. Pas viteve ’90, në kohën e demokracisë, kundër Migjenit, kinse në emër të antikomunizmit, u përdor dhe ende vazhdon të përdoret një gjuhë mizore, që nuk i lë asgjë mangët traditës staliniste. Kësaj tradite iu shtua zakoni i keq shqiptar, sipas të cilit rikthimi në Panteonin e letrave i një shkrimtari të madh, shoqërohej nga dëbimi prej Panteonit i një tjetri shkrimtari të madh. Kështu u vunë në skajimin më të mbrapshtë të mundur Fishta me Migjenin, thua se nuk mund të rrinin të dy atje ku të dy e kishin vendin në këtë botë: pikërisht në Panteon”, shkruan Kadare.

Por tashmë pas 6 vitesh nga ribotimi i 2009-s, kjo sprovë rikthehet për publikun. Nga sa na njofton vetë autori në shënimin që shoqëron ribotimin, në të janë bërë disa retushime. Nga të 10 kapitujt e librit janë hequr vetëm 40 radhë, ndërsa pjesa tjetër i përket botimit të vitit 1989.

“Kjo e drejtë e autorit, pjesë themelore e së drejtës universale, nuk mund të preket nga askush dhe në asnjë rrethanë. Është autori që e ka bërë gabimin, është ai që e shpall publikisht atë, dhe është përsëri ai dhe askush tjetër, që përpiqet ta ndreqë. Këtij parimi i përmbahet ky botim i fundit i sprovës për Migjenin”, shkruan Kadare.


Kadare : “Pse e kam retushuar sprovën për Migjenin”

ISMAIL KADARE


Ky është sqarimi i dytë, pas atij që ka shoqëruar botimin e kësaj sprove në serinë e “Veprës së plotë” të autorit në vitin 2009. Siç është përmendur në shënimin e parë, tekste të tilla problematike kanë shtruar, dashur pa dashur, një alternativë paradoksale, për të mos thënë, jo fort të logjikshme.

Thelbi i saj lidhej me pyetjen: Ç’do të bëhej me tekste të tilla të krijuara në një rend të vështirë ku liria e shprehjes nuk njihej? Do të botoheshin më pas, ashtu, siç ishin shkruar, pa kurrfarë ndryshimi, apo do të lejohej njëfarë retushimi minimalist, natyrisht i shpallur prej autorit? Me fjalë të tjera, mbi këto tekste do të rëndonte njëri nga dy dënimet: të mbartnin përgjithmonë vulën e së keqes, apo për të shmangur këtë të mos botoheshin më, thënë ndryshe, të shuheshin përgjithmonë?

Çështja e retusheve është shoqëruar me spekulime, nisur nga më banalet, siç është data e krijimit të veprës, gjer te natyra e retushit. Te sqarimi i vitit 2009 – çështja themelore është ajo e datës. Në pamje të parë ngjante e thjeshtë dhe, në thelb, është e tillë. Nuk ka gjë më të vërtetueshme në botë sesa koha e krijimit të një vepre. Megjithatë, në një vend ku spekulimi kthehet në modë, guximi i spekulantëve nuk njeh kufi.

Ndaj dhe sqarime që në rrethana normale s’do të ishin të nevojshme, bëhen të tilla. Në kushtet e ndërrimit dramatik të rendit politik, kur flitet për retushet, është fjala në radhë të parë për ato të natyrës politike. Retushet e tjera janë pjesë e procesit normal të krijimit në çdo kohë e në çdo vend. Kjo marrëveshje për termat është e domosdoshme për të ndërprerë çdo abuzim.

Një tjetër domosdoshmëri është shpallja prej autorit e çdo retushimi bashkë me përgjegjësinë morale që ai merr për të. Domosdoshmëria e tretë, ndër më themeloret, është saktësimi i qartë se në këtë çështje është fjala kryesisht për vepra studimore, sprova e shpalime panoramike, dhe kurrsesi për krijime të mirëfillta artistike.

Retushimet për romane apo drama ku pas rrëzimit të komunizmit, personazhet komunistë kthehen në antikomunistë dhe e kundërta nuk janë veçse sajesa të humorit të kafeneve dhe s’ka pse të merren seriozisht prej askujt.

Për t’u kthyer te pyetja se ç’do të bëhet me krijimet eseistike, te të cilat, pavarësisht seriozitetit, dëshmohen haptas gjurmët shtrënguese të kohës, ose kufizimet e vetë autorit, zgjidhja e problemit nuk është e pamundur.

Qortimi i një mendimi, ndreqja, plotësimi, apo riformulimi i një vizioni, qoftë edhe në rastet delikate, kur arsyet janë politike, janë të njohura. Për tekste të tilla, alternativa ose të botohen ashtu siç kanë qenë, pa as më të paktën ndreqje, ose të zhduken nga faqja e dheut vështirë se mund t’i qëndrojë logjikës normale.

Në rastin e zgjidhjes së dytë, asaj të zhdukjes, vetvetiu do të shtrohej pyetja: Në emër të kujt do të bëhej kjo? Për t’i bërë një nderim të tërthortë epokës që u përmbys? Për të pranuar, gjithmonë tërthorazi, një triumf të mbrapshtë karikaturesk të saj? Me fjalë të tjera, për të mbrojtur si të përjetshme gabimet e diktuara prej saj? Është e drejtë e çdo autori të zgjedhë versionin që i dikton ndërgjegjja e tij.

Aq më tepër për vepra që botohen pa lejen e tij, siç ndodh shpesh në hapësirën shqiptare në Ballkan. Si përfundim, mund të thuhet se përvoja botërore na mëson që, pa qenë kurrsesi i njëjti proces me retushet artistike, ndreqja e gabimeve në procesin e studimeve eseistike, pavarësisht shkakut të zanafillës, është pjesë e zhvillimit dhe emancipimit kulturor. Kjo e drejtë e autorit, pjesë themelore e së drejtës universale, nuk mund të preket nga askush dhe në asnjë rrethanë.

Është autori që e ka bërë gabimin, është ai që e shpall publikisht atë, dhe është përsëri ai dhe askush tjetër, që përpiqet ta ndreqë. Këtij parimi i përmbahet ky botim i fundit i sprovës për Migjenin. Siç ndodh shpesh në raste të tilla, ky nuk është kurrsesi një rishikim i plotë i tekstit. Përkundrazi, retushet janë tepër të rralla e të kursyera.

Si të tilla ato janë të pamjaftueshme për të shmangur keqkuptimet. Janë heqje radhësh dhe paragrafësh dhe asnjëherë shtesë. Ndër dhjetë kapitujt e kësaj sprove, retushe (heqje radhësh) kanë vetëm dy prej tyre: i pesti dhe i gjashti, gjithsej rreth dyzet radhë. Pjesa tjetër e tekstit është e njëjta me atë të vitit 1989.

Verë, 2015


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama