Rexhep Qosja Ne vitin 1972 Agolli me foli per diktaturen e komunizmit tek hotel Dajti

Rexhep Qosja: Ne vitin 1972, Agolli me foli per diktaturen e komunizmit tek hotel 'Dajti'
Nga “Grand -Hoteli” i Prishtinës, tek Hotel “Dajti” i Tiranës. Kjo ka ndodhur në vitin 1972 pikërisht tek shkallët e hotel “Dajtit”. Biseda është zhvilluar pasi ish kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë kishte pirë disa gota alkooli, ose gati dy shishe me raki, nga vendlindja e tij, të cilat më vonë i kishte përzier me shampanjën që shërbehej në hotel “Dajti”. Ngjarja ka ndodhur pas një takimi për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, ku Dritëro Agolli i ka afruar kokën tek veshi i Rexhep Qoses dhe për herë të parë i ka folur atij për diktaturën e egër në Shqipëri. Natyrisht, në orët e vona dhe më zë tepër të ulët, ku guximin ia dha alkooli, ndërsa besimin ia ushqeu vetë mirësia e Rexhep Qoses. Agolli e kishte të qartë se Rexhep Qoses mund t’i besohej çdo e fshehtë. Por Rexhepi nga ana e tij nuk e harron shikimin e sinqertë të Agollit, atë natë të errët kur spiunët e Sigurimit të Shtetit fotografonin çdo lëvizje. Ja çfarë tregon ai lidhur me këtë takim për lexuesit e gazetës “Sot” 

Deri vonë nuk kam bërë përpjekje ta kuptoj Dritëroin. As ai mua. Kemi menduar se ai nuk më mirëkupton për shkak se nuk kam shkruar asnjëherë për të: mirë apo keq! Ai mund të ketë menduar se nuk e dua, ndoshta, pse ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Dhe, e vërteta mund të ishte kjo: për Dritëro Agollin unë isha një kritik i ashpër, estetizues, kurse për Rexhep Qosjen ai ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i pajtuar me dogmën e realizmit socialist dhe, në atë post i caktuar, për të ruajtur dogmën! Jo, me shumë vonesë jam bindur se ndaj Dritëroit isha i padrejtë!

Të ishte - vetëm ndaj Dritëroit! Dritëroi herët më ka bërë të kuptoj se, si shumica e krijuesve, qoftë edhe e më të mëdhenjve, në kushtet e diktaturës, është i dyfishtë me sjellje dhe me mendimin artistik. Gjatë Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në  vitin 1972, shumë shkrimtarë e krijues të tjerë do të vijnë në hoteli “Dajti”, që të takohen me kosovarët që merrnin pjesë në Kongres. Me Dritëroin do të shihem shpesh. Një mbrëmje Dritëroi do të ndalet me ne deri vonë. Kur po shkonte e unë po e përcillja, do të ndalemi në bisedë nën një bredh në oborrin e Dajtit. Kurrë nuk i kam harruar fjalët, që i kam dëgjuar prej tij atëherë: "Ju e keni më lehtë se ne, - u shpreh ai, ndërsa degët e bredhit i përkulte shiu. - Ne durojmë vuajtje të mëdha! Ne nuk guxojmë as të shkruajmë, as të mendojmë çka duam! Ne jemi të vrarë prej censurës. Ne na mbyti kjo diktaturë!" Pikat e shiut, që binin curril dhe pikat e lotëve, takoheshin në mjekrën e Dritëroit. Këto fjali do të jenë fshehtësi e madhe në jetën time deri në vitin 1992, kur do t'ua tregoja disa miqve në Tiranë, me rastin e përpjekjeve për organizimin e Kuvendit për Pajtim dhe për Bashkim Kombëtar. Kisha ndrojë për fatin e Dritëroit.

Dhe, kështu, unë s'doja ta kuptoja Dritëro Agollin - Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve edhe pse e dija se ai ishte shkrimtari më liridashës, më demokrat në letërsinë dhe në kulturën shqiptare. Dhe, Dritëroi është treguar në gjithë elementin e tij të vërtetë, thelbësor, pas përmbysjes së komunizmit: ai nuk do të bëjë as përpjekjen më të vogël ta ndryshojë, ta përmirësojë jetëshkrimin e vet. Në asnjë pikëpamje. Ka qenë çka ka qenë. Ka bërë çka ka bërë. Ka shkruar çka ka shkruar dhe si ka shkruar. Ka gëzuar privilegjet që ka gëzuar. Ka pësuar vuajtjet që ka pësuar. Ato janë një e kaluar dhe nuk mund të ndryshohen. Mund të provojmë t'i ndryshojmë, t'i përmirësojmë, vetëm duke gënjyer. E shkrimtari i vërtetë vetëm një gjë nuk guxon ta bëjë kurrë në jetën e tij: nuk guxon të gënjejë. Gënjejnë të vegjlit, po jo të mëdhenjtë, burracakët, po jo burrat. Pas përmbysjes së komunizmit, Dritëro Agolli ka shpërthyer në krijimtari si një vullkan që gjatë është përgatitur të shpërthejë. Për dhjetë vjet ai e ka mbushur një jetë krijuese prej shumë dhjeta vjetësh. Edhe përpara, gjatë kohës së komunizmit, ai ka shkruar vepra, disa vepra, që do të qëndrojnë përgjithmonë në historinë e letërsisë shqipe. Tani, pas përmbysjes së komunizmit, me veprat e shkruara dhe me jetën e tij ai është bërë figurë qendrore e historisë së letërsisë shqipe. Dritëroi, shihet, është i lodhur, por mendja e tij është jashtëzakonisht e kthjellët, është, vërtet, diamantore. Dritëroin, në disa gazeta e tribuna politike dhe letrare, tani e sulmojnë. Asgjë e çuditshme! Është kjo, si e thotë Balzaku i madh, "Lufta e egër, e përhershme, që mediokritetet i shpallin njeriut superior"!

Dritëro Agolli e konfirmon: Po kështu ka ndodhur në vitin 1972

Dritëro Agolli e ka konfirmuar ngjarjen e ndodhur rreth 40 vjet më parë, e cila sipas tij, mund të ishte njëra nga ngjarjet që i kanë ndodhur atij, gjatë takimeve me njerëzit e thjeshtë, por që për arsye të ndryshme flenë të gozhduara në kasafortat e kujtesës. Arsyeja e publikimit të këtij fakti ka të bëjë me figurën e intelektualit të madh Rexhep Qoses, i cili nuk mund të mbyllte me çelës për gjithë jetën një dëshmi të tillë. I pyetur nga gazeta “Sot”, në lidhje me këtë ngjarje, Agolli u shpreh se ai nuk dëshironte të fliste gjatë, pasi kjo mund të kuptohej si mburrje, pas 40 vjetësh. “Njerëzit flasin dhe duhet të flasin atëhere kur duhet, duke gjetur mënyrat e tyre, pastaj, kur ikin vitet, nuk ka më vlerë që të marrin pozat e heroit’, u shpreh ai me modesti për veten e tij. Me këtë rast, Agolli e riktheu edhe njëherë në kujtesë atë mbrëmje tek hotel “Dajti”, kur ai pasi e kishte tepruar pak edhe me alkoolin i kishte thënë Rexhep Qoses këto fjalë: “Ju e keni më lehtë se ne. vëlla. Ne durojmë vuajtje të mëdha! Ne nuk guxojmë as të shkruajmë, as të mendojmë çka duam! Ne jemi të vrarë prej censurës. Ne na mbyti kjo diktaturë!

Nga ana tjetër Agolli e pranon gjithashtu, se këto fjali mund të jenë shoqëruar me lot. “Mbaj mend se isha shumë i prekur atë natë dhe doja t’i hapja zemrën mikut tim, Rexhep Qoses”,vërteton Agolli. Gjithashtu i pyetur prej nesh, nëse ai pati ndonjë frikë, apo ndonjë dyshim se mos vallë Rexhep Qosja, për arsye të ndryshme mund të detyrohej ta raportonte, Agolli u përgjigj: “Në ato moment, por edhe më vonë unë nuk dyshova asnjëherë dhe nuk pata kurrë frikë. Sepse e dija që Rexhep Qosja ishte një fisnik dhe derë fisnikësh. Dhe atij njeriu do t’i kisha besuar çdo sekret të botës”, nënvizon ai. Gjithashtu, duke kujtuar këtë periudhë, Agolli e pranon faktin se në komunikimin me vëllezërit kosovarë kishte shumë vështirësi. Por sipas tij, “dashuria vëllazërore dhe fakti se jemi qytetarë të një familjeje të një gjaku, i kapërceu të gjitha, dhe ne mbijetuam”. Tani, detyra kryesore që del përpara kohës është bashkimi i trojeve tona.    

Xhevat Lloshi: Dikur vëllezërit na largoheshin

Një ditë gjatë panairit të librit në Prishtinë, ndërsa grupi i botuesve shqiptarë po akomodohej në mjediset e “Grand Hotelit”, në Prishtinë, profesor Xhevat Lloshi tha: “Dikur, para vitit 90-të, kur vinim me grupet  tona në Prishtinë, disa prej kolegëve vendas na fshiheshin nga frika se mos i ndiqte policia. Më tej, ai vazhdoi duke thënë se nga kjo zonë ku ishim akomoduar ne, nuk kalonte këmbë njeriu prej kolegëve tanë kosovarë, për të pirë kafen e pasdites”, Këtë ai e tha me dëshpërim, por duke e kuptuar qartësisht se ashtu ishte koha. “Gjithçka survejohej prej policisë  së  fshehtë dhe njerëzit ishin bërë me hije në të dy anët e kufirit”, vë në dukje ai. Por nga ana tjetër, të njëjtën gjë kujton edhe poeti Ali Podrimja, për vizitat e tij, në Tiranë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama