Revolta e Spacit vuajtesit e Aushvicit shqiptar ende pa muzeum

Revolta e Spacit, vuajtesit e 'Aushvicit shqiptar' ende pa muzeum

41-vjetori i revoltës së famshme të Spaçit dhe pushkatimi i katër të burgosurve politikë u përkujtua nga ish-vuajtësit dhe disa pushtetarë vendorë. Tri ditë të majit të vitit 1973, 21, 22 dhe 23 maj, janë pa diskutim tri ditët më tragjike dhe ndoshta të vetmet e këtij lloji të kundërshtimit të regjimit komunist. Goditja i erdhi regjimit famëkeq aty ku ai e priste më pak, në mes të maleve të Spaçit, ku këmba e regjimit ishte më e rëndë se kund tjetër në vend. Një revoltë antikomuniste e ngritur nga vuajtësit më të mëdhenj të sistemit komunist, që nisi si një betejë e frymëzuar nga shpirti me bastin e humbur që në nisje me regjimin. Qindra të burgosur politikë të trajtuar në mënyrën më çnjerëzore në këtë kamp, duke mos pasur asgjë tjetër për të humbur, por duke fituar dinjitetin u ngritën kundër regjimit më të egër në Evropën Juglindore.

Fatkeqësisht, 41 vite më pas ata nuk kanë akoma një memorial ku të përkujtohet lufta e tyre, nuk kanë një vëmendje politike dhe nderim për atë revoltë dhe nuk kanë arritur akoma të plotësojnë kërkesën e kahershme për ta kthyer këtë vend famëkeq në një muze të kujtesës për brezat e ardhshëm.



Në përkujtimin e 41-vjetorit të revoltës dje në Spaç ishin vetëm disa ish të burgosur politikë, të afërm të tyre dhe pushtetarë vendorë të Mirditës dhe Shkodrës. Ata u rikthyen në vendin e vuajtjes duke vizituar qelitë ku kaluan vitet e tyre të rinisë, vizitë të cilën e finalizuan me krijimin e shoqatës “Muzeumi i Burgut të Spaçit”. Në mungesë të një muzeu, të cilin politika e ka premtuar po nuk e ka realizuar deri më sot, kjo shoqatë tenton që ta ruajë këtë objekt që mos të degradojë më tej.



Kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë në Shkodër, Zenel Drangu sjell në kujtesë torturat dhe vuajtjet që kanë kaluar me qindra të dënuar në këtë burg. “Revolta erdhi si rezultat i trajtimit çnjerëzor, puna e rëndë dhe ushqimi shumë i keq i komandës së asaj kohe për të burgosurit. Tri ditë këtu nuk ka hyrë këmbë polici dhe për çudinë më të madhe, në Evropën Juglindore të asaj kohe kjo revoltë ka tronditur sistemin komunist”, – shprehet ai për “Ora News”.



Kryetari i Komunës Orosh, Aleksandër Lala dhe kreu i Shoqatës “Muzeumi i burgut të Spaçit”, Luigj Milla, i kanë bërë thirrje qeverisë që të kthejë vëmendjen nga ky ferr i së kaluarës, që sipas tyre duhet të shërbejë për t’u sjellë në kujtesë edhe brezave që do të vijnë atë çfarë është përjetuar në këtë burg.



Përgjegjësi i Monumenteve të Kulturës në Qarkun e Lezhës, Paulin Zefi, ka garantuar se shumë shpejt do të ndërhyhet për ndërtimin e një muzeu. “Ky vend është me të vërtetë një Aushvic në miniaturë, siç ka qenë Aushvici i Polonisë. Në emër të Qendrës së Monumenteve të Kulturës, Shkodër, do gjejmë formën që meriton ky vend për të nderuar dhimbjet dhe vuajtjet e atyre mijërave njerëzve që kanë vuajtur në këtë kamp”, – thotë ai.



Revolta e shpresës në ferr, që përfundoi me katër të pushkatuar



Ajo çfarë ndodhi në tri ditët e fundmajit 1973 në vitet kur regjimi komunist ndihej më i fortë se kurrë, është shënuar tashmë në historinë e Shqipërisë si një nga revoltat më të guximshme e kuptimplotë të asaj çfarë regjimi komunist po bënte ndaj popullit të tij.


Më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit politikë të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë. Revolta nisi më 21 maj 1973, në fillim si një kundërshtim i rregullave dhe i kushteve në të cilat trajtoheshin të burgosurit dhe përfundoi si një kundërshtim i vërtetë politik.


Parullat e hedhura nga të burgosurit politikë të asaj kohe ishin;  “Ja vdekje, ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”. Kundërshtimi vazhdoi për mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan nga mbi 4500 trupa ushtarakë nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët.


Të burgosurit, të dhunuar fizikisht e të pangrënë, në shenjë simbolike të kundërshtimit të regjimit komunist valëvitën në tarracën e burgut një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist.



Shtypja e kësaj revolte ku të burgosurit po luanin me jetën e tyre, u shtyp me dhunë dhe përfundoi me gjakun e derdhur të guximtarëve. Katër nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.  Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama