Realiteti virtual mund ta ktheje boten ne nje videoloje

Realiteti virtual mund ta ktheje boten ne nje videoloje

Gjiganti i internetit Google ka projekte që mund të revolucionarizojnë mënyrën si luajmë dhe se si jetojmë. Duke e vendosur hapësirën e lojës në çdo mjedis të përditshëm ky është një hap para për teknologjinë dhe njerëzimin

 

Realiteti virtual u kthye në një çështje kryesore në konferencën vjetore të Google në San Françisko, ku kompania e internetit shfaqi shumë produkte të reja dhe shërbime për të krijuar një botë dixhitale të pafundme.

 

Disa ditë më parë u shfaq për publikun një teknologji që mund të ndihmojë ambiciet e Google për realitetin virtual.

 

Projekti “Tango” tingëllon si naiv nëse mund të lexoni përshkrimin e Google për iniciativën. Në të shkruhet: “projekti u jep pajisjeve një kuptim të shkallës njerëzore për hapësirën dhe lëvizjen”.

 

Por sapo e përjeton Tangon në realitet, potenciali i tij të bëhet më i qartë. I preferuari im nga dy demot që përjetova përfshinte një tablet të projektit Tango të lidhur me një armë lodër. Në ekran ishte një videolojë në të cilën radhë robotësh marshonin drejt meje.

 

Fillimisht, nuk e kuptova. Po e drejtoja tabletin për të qëlluar, por i kisha përdorur kontrollet e lëvizjes që nga lançimi i Wii në vitin 2007 dhe nuk m’u duk super speciale.

 

Atëherë një punonjës i Google m’u afrua dhe më tha të bëj një hap. Personazhi im në ekran lëvizi gjithashtu. Kjo më befasoi.

 

I kalova gjashtëdhjetë sekondat e ardhshme duke lëvizur nëpër dhomë teksa kërkoja më shumë robotë për të qëlluar.

 

Sensorët në projektin Tango po gjurmonin dhomën rreth meje në kohë reale, që të kuptonin se nga cila anë e kisha kokën dhe ku ndodhej trupi im.

 

Pajisjet e realitetit virtual si Oculus ose HTC Vive ju lejojnë të navigoni botë virtuale, por ato janë të varura në teknologjinë e jashtme. Në rastin e Oculus, pajisja është e lidhur me një kompjuter, ndërsa Vive kërkon stacione speciale të fanarëve që përdorin lazer për të skanuar mjedisin ku ndodheni.

 

Kjo do të thotë se jemi të kufizuar se ku mund ta përdorim teknologjinë.

 

Projekti Tango nuk ka të tilla kufizime. Tango përfshin një seri sensorësh në një tablet: kamera, lazer dhe gjëra të tjera të cilat punonjësi i Google i përshkroi si një lloj sensori të tipit Microsoft Kinect, që e ndihmon të bëjë magjinë që bën.

 

Nuk ka limit për vendin ku mund të shkosh, sepse pajisja e lexon gjithnjë mjedisin. Gjithë ç’ka i nevojitet sistemit të Tangos është brenda në tablet. Unë kam mundësi ta vë këtë në një dhomë hoteli ose kudo tjetër dhe të jem në gjendje të luaj lojën.

 

Hapa të tjerë

 

Demoja tjetër që provova ishte një eksperiencë shumë standarde e realitetit virtual, ku tableti Tango ishte futur në një kuti për ta kthyer atë në një palë kufje moderne. Ishte paksa si Google Cardboard, me një copë plastike në vend të një cope kartoni.

 

Zëdhënësi tha se Tango nuk ishte përshtatur tamam për realitetin virtual – sipas tij kompania nuk mund të nxirrte prej tabletit mjaftueshëm fuqi për ta bërë që t’i procesonte imazhet aq shpejt sa të mos kuptohej diferenca. Për këtë arsye, pajisjet e Oculus Rift dhe HTC Vive kanë performancë më të mirë.

 

Projekti Tango është ende larg daljes në treg. Ai nuk ka dalë përfundimisht prej laboratorit të Projekteve dhe Teknologjisë së Avancuar të Google. Programuesit mund të blejnë një version paraprak të një tableti Tango për 512 dollarë, por nuk dihet se kur dhe si do të jenë në gjendje klientët të përfitojnë nga kjo teknologji e re.

 

Google po i nxit zhvilluesit e programeve të përpiqen të krijojnë aplikacione për Tangon, me shpërblime të kënaqshme. Ka pak gjasa që Projekti Tango të dalë në treg në një tablet, si tani, por sensorët e tij mund të përdoren në një harduer Android.

 

Google po punon me Qualcomm për të bërë një version të Projektit Tango që të përshtatet për një smartfon.

 

Dhe nëse projekti Tango nuk ia del të bëhet një eksperiencë e plotë e realitetit virtual, niveli i përparimit teknologjik që sjell ky projekt qoftë edhe vetëm në një celular ose tablet e gjunjëzon konkurrencën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama