Reagim manover per te hequr pergjegjesite ja ku deshtoi federata

Reagim manovër për të hequr përgjegjësitë, ja ku dështoi federata

FSHF-ja dënon dhunën e ndodhur në derbi, duke e cilësuar të rëndë sherrin masiv që ndodhi në mes të kryeqytetit. Sipas "qeverisë" së futbollit tonë, gjithçka ngjau nuk ka lidhje me këtë sport dhe është shumë larg rregullave të "fair play"-it.

Untitled-4Për këtë motiv ata u tërhoqën vëmendjen klubeve për të marrë masa, që ngjarje të tilla mos përsëriten më. Nga ana tjetër, ky institucion u bën thirrje të hapur komisioneve përkatëse, në këtë rast Disiplinës, që ta zbatojë me përpikëri rregulloren.

Ata presin që të dënohen shkaktarët e ngjarjeve të tilla. Megjithatë, ky reagim i vet FSHF-së duket tejet i thatë. Si organizatore e garës, detyrimisht veç fajit që kanë të dy klubet, mbi të gjitha ekipi pritës, përgjegjësia më e madhe bie mbi vetë federatën.

Deklarata e postuar dje në faqen zyrtare të këtij organi dukej më shumë se një manovër për të shmangur përgjegjësinë. Gjithçka ndodhi ishte para syve të vet zyrtarëve të ndeshjes.

Veç neglizhencës së policisë, e cila e shoqëroi me sy përleshjen dhe dhunën masive, pjesë në këtë situatë të krijuar ka edhe vetë delegati i ndeshjes, që në këtë rast është fuqiplotë.

Është e pakuptimtë që afro 20 minuta pasi ishte mbyllur ndeshja, në fushën e "Selman Stërmasi"- t kishte me dhjetëra persona të paautorizuar për të qëndruar aty. Dhe sigurisht që këtu faji është i vetë federatës, që në kësi situatash duhet të jetë më strikte.

Në rast se do t'u ishin mbyllur dyert personave në fjalë, atëherë gjithçka do të ishte shmangur. Vetë pamjet dëshmojnë se në pistë kanë qenë të shumtë njerëzit që nuk kishin fare lidhje me klubet, të cilët duhet të ishin larguar me kohë nga ky impiant.

DEKLARATA

FSHF-ja reagon për dhunën: Të zbatojnë rregulloren

"Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar pas përfundimit të ndeshjes së javës së 33-të të kampionatit kombëtar të Superligës, Tirana-Partizani, e zhvilluar mbrëmë në stadiumin 'Selman Stërmasi'. Duke e konsideruar të rëndë një ngjarje të tillë, e cila nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e 'fairplay'- it, ajo iu tërheq vëmendjen klubeve për të marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Gjithashtu, ajo kërkon të sensibilizojë opinionin futbolldashës shqiptar se acarimi i situatës përpara ndeshjeve të rëndësishme (sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje derbi) krijon tension dhe mund të prodhojë akte të dhunshme, ashtu siç ndodhi dje në mbrëmje (të mërkurën).

Federata Shqiptare e Futbollit u kërkon komisioneve përkatëse që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren për shkaktarët e ngjarjeve të tilla, që s'kanë lidhje me futbollin. Nga ana e tyre, vetë klubet duhet të punojnë sa më shumë me tifozëritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Dhe kjo nuk bëhet në një ditë, por duke bashkëpunuar vazhdimisht", shkruante FSHF-ja në reagimin e saj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama