Rasti Bleona- Delina Fico Po i lame kriminelet rehat pasojat do i vuajme te gjithe

Rasti 'Bleona'- Delina Fico: Po i lame kriminelet rehat, pasojat do i vuajme te gjithe

“Ne si shoqëri kemi dështuar deri më tash ta mbrojmë Bleonën apo për të dënuar ata që e larguan nga jeta e saj prej fëmije. Kur mendoj rastin e Bleonës, pyes veten: “Po mirë, këta policë, prokurorë, gjykatës, por edhe politikanë, a e mendojnë se në një mjedis të tillë janë në rrezik edhe fëmijët e tyre?”

 Katër vjet pas zhdukjes pa gjurmë të Bleona Matës, përfaqësues të shoqërisë civile bashkohen në një pikë: kur një fëmijë nuk mbrohet, dështojmë të gjithë si shoqëri. Ky është edhe shqetësimi i Delina Ficos, e cila në një intervistë për MAPO-n pohon se në rastin e Bleonës ka dështuar sistemi i sigurisë dhe drejtësisë. “Kur mendoj dështime të tilla të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë, si ky në rastin e Bleonës, pyes veten: “Po mirë, këta policë, prokurorë, gjykatës, por edhe politikanë, a e mendojnë se, po qe se nuk kemi një mjedis të sigurt, po qe se nuk dimë  si t’i kapim e dënojmë kriminelët, janë në rrezik edhe familjet e fëmijët e tyre? Krimi nuk bën dallim”, – pohon ajo, duke shtuar se me kriminelët të lirë, pasojat do t’i vuajmë të gjithë.

Zonja Fico, katër vjet nga zhdukja e Bleona Matës, ende nuk ka asnjë gjurmë të saj apo përpjekje të autoriteteve për ta gjetur. Si një aktiviste për të Drejtat e Njeriut, si e cilësoni rastin në fjalë?

Zhdukja e Bleona Matës është një kapitull tjetër i trishtueshëm në historinë e fëmijëve që janë keqtrajtuar apo zhdukur në Shqipëri. Është shumë rëndë kur një fëmijë bie viktimë e dhunës, sepse çdo shoqëri ka për detyrë që, në radhë të parë e mbi të gjitha, të ofrojë një jetë dhe mjedis të sigurt për ata që nuk e kanë aftësinë ta bëjnë vetë këtë gjë dhe këta janë, në radhë të parë, fëmijët. Ne si shoqëri kemi dështuar deri më tash ta mbrojmë Bleonën apo për të dënuar ata që e larguan nga jeta e saj prej fëmije.

Një gjykim për punën e institucioneve ligjzbatuese…A mendoni se ata kanë bërë mjaftueshëm për gjetjen e Bleonës, por edhe për çështje të tjera që kanë qenë në fokusin e punës suaj?

Nuk i njoh në detaje hetimet që janë bërë për rastin e Bleonës, por, pa dyshim, të gjithë do të donim që ato të kishin përfunduar me sukses: domethënë, që Bleona të ishte gjetur e të ishte tani në shtëpi të saj. Fatkeqësisht, ky rast i shtohet rasteve të tjera të rënda të pazgjidhura nga organet e drejtësisë, siç janë, për shembull, rastet e disa grave të zhdukura ose të gjetura të vrara, për të cilat dyshohet se janë vrarë nga burrat e tyre. Kemi të drejtën të kërkojmë që policia, prokurorët dhe gjykatësit të punojnë më shumë dhe më profesionalisht për t’i zgjidhur këto çështje e të mos t’i trajtojnë si çështje rutinë, sepse raste të tilla të dhunës ekstreme – të humbjes së jetës-, nga njëra anë, janë shumë të rënda për viktimat e familjet e tyre, dhe, nga ana tjetër, krijojnë një ndjesi pasigurie tek të tjerët dhe nuk dërgojnë sinjalet e duhura tek kriminelët që kryejnë krime të tilla.

Ka një perceptim të përgjithshëm se në Shqipëri ka një politizim të skajshëm të të gjitha problemeve, e në fund të ditës, njerëzit mbeten të vetëm në hallin e tyre. Në këtë linjë, si e gjykoni situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në vend?

Politizimi i skajshëm, pa dyshim që dëmton rritjen e shkallës së profesionalizmit të organeve të sigurisë e drejtësisë. Kur mendoj dështime të tilla të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë, si ky në rastin e Bleonës, pyes veten: “Po mirë, këta policë, prokurorë, gjykatës, por edhe politikanë, a e mendojnë se, po qe se nuk kemi një mjedis të sigurt, po qe se nuk dimë  si t’i kapim e dënojmë kriminelët, janë në rrezik edhe familjet e fëmijët e tyre?” Krimi nuk bën dallim. Këtë e dimë mirë edhe nga përvoja e vendeve të tjera. Ndaj, të flirtosh me idenë e përdorimit të çështjeve të rendit e të drejtësisë për qëllime politike është një politikë krejtësisht qorre, sepse qofsh në pushtet apo në opozitë, jetojmë të gjithë në këtë vend dhe, po i lamë kriminelët të ndihen rehat, pasojat i vuajmë të gjithë e jo vetëm ata ‘të tjerët’ që nuk janë nga ana jonë politike.

Çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri dhe autoritetet që kjo situatë të ndryshojë për mirë?

Në një plan të gjerë politik, kemi nevojë që seriozisht të heqim dorë nga qëndrimi sikur jemi dy palë armike që jetojmë në të njëjtin vend, dhe të veprojmë duke mbajtur parasysh se jemi një shoqëri dhe se të gjithë duam të jetojmë në një vend ku ndihemi të sigurt duke pasur një polici, prokurori e sistem drejtësie që na mbron të gjithëve njëlloj dhe me profesionalizëm. Si qytetarë, duhet të përkrahim politikanë e drejtues që ngjallin frymën e bashkëpunimit për sigurinë e përbashkët dhe të ndëshkojmë politikanë që ngjallin përçarjen mes nesh. Në një plan institucional, duhet të përkrahim punën e policisë, prokurorisë, avokatëve e gjykatave, por edhe t’i monitorojmë ato për t’u siguruar që po bëjnë më të mirën e mundshme dhe po punojnë në shërbim të interesit publik. Në nivel të individit e komunitetit, duhet të rrisim ndërgjegjësimin se çdonjëri nga ne ka detyrë e mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë dhe të respektimit të të drejtave të çdo qytetari.

Historia e Bleonës, vajzës që mbeti vetëm 6 vjeç

Bleona Mata u zhduk në rrethana ende të mistershme më 22 maj të vitit 2010, në fshatin Zapod të Kukësit. Bleona ishte vetëm 6 vjeçe, kur u zhduk pa lënë gjurmë në zonën e Zapodit të Kukësit. Nëna e vajzës,  Bukurie Mata akuzon shtetin se nuk po bën maksimumin në gjetjen e së bijës, ndërsa vazhdon të akuzojë hallën e vogëlushes se ka gisht në zhdukje. “Dhimbje e paduruar. Tragjedi shumë e madhe. Pasi shteti nuk mori masat e duhura për gjetjen e Bleonës. Pasi dëshmitare ishin 5 vajza dhe nuk ishin minorene. Dyshimi im nuk më hiqet derisa të vdes. Ngjarja ndodhi më 22 maj të vitit 2010, ditë e shtunë. Ishte marrë nga Qamilja dhe e çoi në majën e Pikëllimës dhe nuk u kthye më. Akuzoj 5 vajzat dhe më shumë Qamilen, autoren e ngjarjes. E dinë ato çfarë kanë bërë. Ato e dinë…Por shteti nuk ka marrë asnjë masë paraprake, as tortura, as paraburgim. Nga ana ime nuk i ka munguar asgjë Bleonës”, – tha pak javë më parë Bukuria. Nëna e Bleonës thotë se nuk ka lënë vend pa shkelur, me qëllim gjetjen e vogëlushes së saj, ndërsa nuk beson se Bleona është në Shqipëri. “Rreth e qark botës e kam kërkuar, në çdo shkollë. Në Gjermani, Francë, Frankfurt… nuk kam lënë vend pa shkelur për atë fëmijë. Kam frikë se Bleona ka mbetur viktimë e 5 vajzave. Është kohë e gjatë dhe nuk ma merr mendja se ndodhet në Shqipëri. E kam festuar ditëlindjen me moshatarët e Bleonës, pasi Bleona ka munguar në ditën më të bukur të ditëlindjes së saj”, – tha Bukurie Mata. Nga ana tjetër, gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, i cili jeton me kujtimet e mbesës, thotë se nuk i ka humbur shpresat për gjetjen e saj, teksa u bën apel organeve të Prokurorisë të zbardhin ngjarjen, për të vërtetuar se nuk kanë gisht në zhdukjen e Bleonës. “Ndihemi keq… në vend që të festojmë ditëlindjen, e përkujtojmë. Në vend që të dëgjojmë këngët dhe recitimet e Bleonës, ne e kujtojmë. Ndihemi të pikëlluar. Tani kemi mbetur unë dhe plaka. Gjithë natën dhe gjithë ditën mendjen dhe zemrën e kemi atje. Ku shkoi, tek shkoi. Na mungon shpirti, e ardhmja dhe shpresa për jetën”. Ai ka hedhur dyshime mbi punën e organeve hetimore, edhe pse nuk ka pasur akuza direkte për ndokënd. “Organet e hetimit duhet të jenë më korrekte në hetim”, deklaroi Zenel Mata, teksa i pyetur në lidhje me akuzat që Bukurie Mata ka ndaj hallës së Bleonës, ai theksoi se përgjegjësia e parë bie mbi nënën, pastaj te vajzat që shoqëruan vogëlushen në mal. Bleona u zhduk pa gjurmë pasditen e 22 majit të vitit 2010. Që prej asaj dite, edhe pse sinjalet kanë qenë të shumta, nuk dihet asgjë për fatin e vajzës nga Zapodi i Kukësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama