Rama Tia heqim barren Tomes te lirohet nga kontrata qe ka me PS

Rama: T'ia heqim barren Tomes, te lirohet nga kontrata qe ka me PS

Pas nje jave tensionesh ne seline e socialisteve, per shkak te akuzave dhe paralajmerimeve te Doshit per te bere publike fakte qe, sipas tij, do te trondisnin mazhorancen, Rama propozon largimin e deputetit te Shkodres nga grupi i PS-se. Kryesocialisti Edi Rama shpalli vendimin e prerë në emër të grupit për përjashtimin e deputetit të Shkodrës, duke befasuar jo pak deputetë për këtë vendim. “Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si Kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar. Me akuzat e tij, deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie. Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, ka qenë propozimi i Ramës. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, Kryeministri renditi sfidat e qeverisjes, duke theksuar se është krenar për atë çfarë është arritur deri më tani. “Por jam tejet i keqardhur që nuk mund të them dot të njëjtën gjë, kur qëndrimi i një deputeti bie ndesh me normat më elementare të kontratës së bashkëjetesës sonë dhe kështu bëhet një qëndrim i dënueshëm. Secili prej nesh ka një kontratë bashkëjetese me këtë parti dhe me këtë grup. Në këtë grup, gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cenojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetërore”, theksoi Rama.

Debatet në mbledhje

Tone të ashpra janë përdorur nga deputeti Doshi në drejtim të kreut të partisë gjatë kohës që Rama po lexonte para deputetëve fjalimin e tij. Edhe pse 20 minuta me vonesë pas fillimit të mbledhjes së grupit, Doshi ka dëgjuar vetëm pak minuta fjalimin e Ramës, për ta ndërprerë atë duke iu drejtuar. “Unë ta kam thënë edhe më parë, por meqë jemi në mbledhje të gjithë, po ta përsëris edhe para deputetëve. Je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. T’i kam thënë rastet kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin, por ti s’ke reaguar”, i është drejtuar Doshi – Ramës, i cili ka hasur nga ky i fundit thjesht një vështrim, por asnjë koment, duke e lënë të lirë të vijonte çfarë kishte për të thënë. “Ti je mosmirënjohës, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Më ka thënë Blushi para ca vitesh, ‘si ka mundësi që ti e beson atë’, por unë të besova. Mos mendo që me deputetët që ke atje, mund të hysh në Shkodër, se në 2005 dhe 2009 këta bënin peticione (deputetët e tjerë të Shkodrës) për të të rrëzuar ty”, ka thënë Doshi, ku pas kësaj është larguar nga mbledhja dhe ka lajmëruar i pari në media për përjashtimin e tij. Pas minuta pas tij, janë larguar edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe deputeti i Qarkut të Lezhës, Armando Prenga.

Komunikimi me Lallën dhe 21 janari

Por duket se Rama ka pritur përfundimin e fjalës së Doshit, për t’u thënë deputetëve se asnjë akuzë e bërë nga ai nuk është e vërtetë. “Kam folur personalisht me Kryeprokurorin Lalla dhe ai më ka thënë se nuk është i vërtetë atentati ndaj Doshit. Kjo ka ardhur pas një hetimi ku janë vënë në dispozicion të gjitha strukturat e shtetit që nga Policia e Shtetit e deri te Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga këto hetime nuk ka rezultuar asnjë kërcënim për jetën, të gjitha akuzat janë joreale”, ka qenë reagimi i Ramës, të cilin Doshi nuk e ka dëgjuar. Por, pas kësaj, kreu i qeverisë ka kërkuar nga deputetë që të mos komentohet më në lidhje me këtë diskutim, pasi, sipas tij, “nuk është etike që të diskutohet kur nuk ndodhet personi”. Por Doshi nuk ka ngurruar që t’i përmendë Kryeministrit të vendit edhe 21 janarin, protestën e thirrur nga ish-opozita pas skandalit të publikuar të videos me Ilir Metën. Ai përmendi gjatë mbledhjes edhe kontributet e tij ndër vite në PS, ku e majta në Shkodër, sipas Doshit, ka pasur rol kryesor edhe më 21 janar.

Qëndrimet

Edhe pse u mundua për një negociatë mes deputetit Tom Doshi dhe kreut të partisë, Edi Rama, duket se kjo gjë nuk ka funksionuar për deputetin Koço Kokëdhima, ashtu si në rastin e pajtimit mes Ramës dhe Metës për zgjedhjet e 2013-s. I pyetur nga gazeta “Shqip”, deputeti Kokëdhima tha se “nuk m’u lanë hapësirat për të diskutuar për këtë çështje. Kreu i partisë nuk lejoi të flitej pa praninë e tij”. Ndërkohë që befasues për shumicën e deputetëve ka qenë vendimi për përjashtimin e deputetit Doshi. Të vetmit që kanë folur në mbledhjen e grupit pas përfundimit të fjalës së Ramës dhe largimit të Doshit kanë qenë Ben Blushi dhe Fatmir Xhafaj. Kreu i Komisionit të Ligjeve mësohet të ketë thënë se “deputetët dhe ministrat duhet të reflektojnë pas kësaj situate. Duhet të na shërbejë si një moment reflektimi për problematikat. Të mblidhemi në qarqe me ministrat e deputetët, se janë këta të fundit që mbledhin votat. Dhe nuk përkthehet marrja e votave në mbështetje”. “Ishte diçka e papritur, nuk e kishim menduar që mund të arrihej deri këtu”, ishin fjalë mes diskutimeve të deputetëve socialistë.

Pritja te selia

Edhe pse mbledhja e grupit ishte lajmëruar në orën 13:00, vetë kreu i PS-së, Edi Rama, së bashku me kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, u panë që të hyjnë në selinë e partisë në orën 12:30. Të dy nuk kanë pranuar që të japin një koment në lidhje me pritshmëritë e mbledhjes, ku Rama nuk ka kursyer një buzëqeshje për gazetarët pas pyetjes nëse ndihet i kërcënuar nga shantazhet e bëra nga deputeti Doshi. Pas tij kanë ardhur pothuajse të gjithë deputetë e majtë, të cilët nuk kanë kursyer as batutat me gazetarët. “Pse keni ardhur deri këtu, jeni lodhur kot. Asgjë nuk do të ndodhë mes nesh”, ka thënë Xhafaj. Me ironi është drejtuar nga gazetarët edhe deputeti Braçe. “Paskeni ardhur të gjithë? Po sikur të mos ndodhë asgjë, çfarë do bëni?”. Ndërsa deputeti i Fierit, Armando Subashi, vijoi batutat: “Kemi tri ditë që po shikojmë filxhan se çfarë do të ndodhë. As ne nuk dimë gjë”. “Gjeneral të Shkodrës”, e cilësonin militantët e majtë të mbledhur në seli deputetin Doshi.

FRESSH-i i Shkodrës

Doshi ka qenë pothuajse i fundit që ka hyrë në mbledhje me 20 minuta vonesë, ku pas tij kanë hyrë edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, dhe deputeti Ylli Ziçishti. Gjithsesi, para hyrjes në mbledhjen e grupit, Doshi i ka rezervuar komentet për gazetarët edhe pse vihej re tensioni, duke thënë vetëm shprehjen “Duroni, duroni”. Në ambientin e lokalit të selisë së PS-së rreth një orë para fillimit të mbledhjes janë parë edhe të rinjtë e FRESSH, dega e Shkodrës, ku mes tyre ishte edhe drejtuesja e këtij forumi, Megi Ajtyresa. Të rinjtë prisnin ardhjen e deputetit Doshi, i cili njihet për marrëdhëniet e ngushta me ta. Mes tyre është parë dhe vetë kreu i PS-së në Shkodër, Andi Halluni, njëherësh edhe kreu i OSHEE-së në Shkodër, por gjatë pasdites është mësuar se ai është shkarkuar nga ky post, por vijon ende që të jetë kreu i socialistëve. Pas lajmit të përjashtimit të Doshit nga partia, të rinjtë e FRESSH të Shkodrës janë parë që të mblidhen para selisë rozë, nga ku më pas janë shpërndarë me qetësi nga truprojat para selisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama