Rama Prova te pakontestueshme droge me avione ne qeverine e Berishes

Rama: Prova te pakontestueshme, droge me avione ne qeverine e Berishes

Për më shumë se dy orë, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Sokol Balla në emisionin “Top Story”, në “Top Channel”. Edi Rama u shpreh se komisioni hetimor për drogën po merr informacione të rëndësishme ku ka konstatuar se trafiku ajror nëpërmjet linjave ajrore ka ekzistuar para se socialistët të merrnin pushtetin, pra gjatë qeverisjes së Berishës. Ai mohoi që ky trafik të ketë ndodhur gjatë muajve ku qeverisin socialistët. “Nuk kam thënë që janë avionë që mbysin mushkonjat, kam reaguar ndaj një idiotësie në Kuvend kur thanë që çdo natë në orën 8 ngrihen avionë me drogë në Divjakë dhe unë kam thënë që me siguri ato janë mushkonjat. Kësaj deklarate i qëndroj”, u shpreh Rama.

Do ta mbani premtimi që të mos merreni më me Berishën në Kuvend? Të replikosh me Bashën është normale…

Një njeri për fat të keq mban peng Kuvendin dhe PD-në. Pavarësisht se ka shumë gjëra të rëndësishme për të diskutuar, është vërtet për t’u ndier jo mirë kur përfshihesh në atë vorbull. Është për fat të keq një personazh i degraduar që udhëheq procesin e degradimit të Parlamentit. Parlamenti duhet të jetë pasqyra e zgjedhjes së bërë nga populli. Unë jam i bindur se shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe që PD në Parlament nuk përfaqëson asgjë nga interesat e atyre që e kanë votuar, por vetëm ato të një grushti njerëzish që nuk u ka dalë ende pija nga vdekja e një pushteti. Ajo sallë është e dënuar të bëhet hapësira e debatit që po na imponohet në mënyrë të vazhdueshme nga një njeri që fatmirësisht nuk po mban më peng vendin, por tani mban peng PD-në dhe opozitën. Njerëzit presin që Parlamenti të jetë një sallë idesh dhe opsionesh të vjen keq kur pa dashje përfshihesh në atë vorbull. Është e domosdoshme që ne mos ta pësojmë si ata të mençurit, që hidhen në lumë pas gurit të budallait. Për sa më përket mua e konsideroj të mbyllur replikën me liderin e opozitës, është një personazh i degraduar që udhëheq opozitën. Besoj se me të drejtë Kryetari i Kuvendit ka zgjedhur ta lejë të flasë pa limit dhe unë jam i bindur se shqiptarët, por edhe demokratët e thjeshtë dinë ta bëjnë dallimin që PD sot nuk po përfaqëson më interesat e tyre, por të një grushti njerëzish që nuk u ka dalë pija nga lënia e pushtetit, sepse e përdorën keq pushtetin e dhënë. E refuzoj kategorikisht që unë kundërpërgjigjem si ai, pavarësisht se mund të ketë pas momente të vështira në politikë dhe kemi rënë në nivel të ulët politik, nuk ka asnjë gjë që të na bëjë të ngjashëm me të dhe as qeveritë tona.

Kjo reflekton dhe te deputetët. Pamë një rrahje live…

Është një proces degradimi i thellë i debatit në Kuvend që udhëhiqet nga Berisha me qëllim të qartë për të degraduar marrëdhënien që duhet të ketë mes palëve. Por ai gjithashtu nuk ka ditur të bëjë asnjëherë ndonjë gjë më të mirë se kaq dhe kjo ndikon dhe në përfshirjen në këtë vorbull të njerëzve tanë. Këto janë grahmat e një llahtarie të brendshme të një grupi që ka humbur gjithçka dhe sot përjeton një frikë nga e shkuara dhe rezistencë ndaj fijeve me aktiviteteve të paligjshme, ndaj shumë zinxhirësh me lidhje me elemente për krijimin e pasurive të paligjshme dhe nga pushteti ku një grusht njerëzish fitoi shumë, por humbi Shqipëria. Unë e respektoj çdo aspekt të detyrës time. Unë në Parlament nuk jam për të bërë batuta për të humbur kohë, por për të respektuar atë pjesë që populli ka zgjedhur për ta përfaqësuar në Parlament. Detyra ime vazhdon shtatë ditë në javë, pa të shtunë dhe të diel pushim dhe këto situata na tërheqin vëmendjen nga puna e vërtetë që duhet bërë për këtë Shqipëri që na e lanë copë-copë. Punën tonë po e tregojnë rezultatet në të gjithë sektorët. Por p.sh sot nuk mund të kërkohet shëndetësia falas, sepse kjo do kohën e vetë dhe do realizohet brenda këtij mandati. Po bëjmë legalizimet falas dhe po u japim në dorë njerëzve tapitë e tokës.

Akuzat e opozitës i krahasuat me mushkonjat…

Unë kam reaguar ndaj një idiotësie se, në Divjakë çdo natë në ora 8 ngriheshin avionët. Dhe unë thashë se, mbase janë mushkonjat që duken si avionët. Kjo ka qenë ajo që unë kam thënë dhe i qëndroj akoma.

U qëndroni deklaratave që keni thënë se në Divjakë fluturojnë vetëm avionë?

Nuk kam thënë që janë avionë që mbysin mushkonjat, kam reaguar ndaj një idiotësie në Kuvend kur thanë që çdo natë në orën 8 ngrihen avionë me drogë në Divjakë dhe unë kam thënë që me siguri ato janë mushkonjat. Kësaj deklarate i qëndroj.

Çfarë po ndodh sot në Divjakë?

Ne i kemi qëndruar plotësisht besnik zotimit se nuk kemi ardhur në qeveri për të gënjyer njerëzit, apo për të përsëritur gabimet e paraardhësve. Kur kemi thënë se nuk zotërojmë prova për trafik droge përmes ajrit, kemi qenë korrektë. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë ka konfirmuar dhe shërbimi sekret duke bërë një deklaratë publike për këtë çështje. Por nga hetimi që po zhvillohet po dalin dhe prova të reja që i përkasin kësaj veprimtarie, ku duket se një gjë e tillë është kryer. Me sa duket e kanë bërë vetë këtë trafik kur kanë qenë në pushtet. Ditët në vijim do të zbulohen faktet dhe po hetohet nga komisioni që drejtohet nga zonja Felaj, e cila ka një eksperiencë të thellë si prokurore dhe është magjistrate e shkëlqyer. Por ne nuk duhet të habitemi në rast se ndodhi një gjë e tillë si ngjarja e Divjakës. Nuk është fundi i botës kjo formë trafiku, sepse lufta me trafikun e drogës është një luftë që zhvillohet nga të gjitha vendet e botës në mënyrë të vazhdueshme. Ato nuk janë struktura lokale, por globale, ka një krim të organizuar ndërkombëtar sot.

A janë strukturat shtetërore të lidhura me ngjarjet e tentativave për trafik droge nga ajri?

Kryetarja e komisionit hetimor më ka përcjellë një raport konfidencial. Ky është i pari komision që do të dalë me prova konkrete sesi ka ndodhur më parë. Dua të shtoj këtu se është bërë një spekulim në lidhje me ministren e Mbrojtjes mbi një informacion të klasifikuar që nuk mund të ndahet me publikun. Ai doli në publik dhe u përdor si provë ndaj ministres së Mbrojtjes. Unë kam qenë në dijeni të këtij informacioni të klasifikuar, kur kam folur për mushkonjat, ka qenë dhe ministri i Brendshëm në trajtim të këtyre informacioneve. Kemi qenë të gjithë të ngritur dhe alertuar për ta ndjekur këtë çështje, nëse këto dyshime kishin të bënin me prova konkrete. Strukturat përkatëse kanë qenë në alert, kanë qenë një muaj më parë në atë zonë për të kuptuar ç’po ndodhte, por nuk e kanë pritur një gjë të tillë të ajrit.

Ju keni prova për përfshirje të qeverive në këtë trafik?

Unë nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga zj. Felaj përpara se të bëhen konkluzionet publike, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj që sot me zell të madh bëjnë denoncimet. Kjo ka ndodhur dhe ka ndodhur në periudhën kur qeverisin zotërinjtë e tjerë. Dua të them gjithashtu diçka për njerëzit që na ndjekin: Sot jam më i bindur se herë tjetër se Berisha gjen mënyrat më të pajustifikueshme për të sulmuar, sepse i gjen ato te fakti i thjeshtë se gjërat që shpik për të tjerët i ka bërë vetë. Fatkeqësisht dhe siguria se bëhet trafik droge nga ajri i vjen se e di. Ish-ministri i Brendshëm i tij ka thënë një të vërtetë, që të ndodhë ky trafik duhet të jetë në dijeni dhe Kryeministri dhe me sa duket Kryeministri ka qenë në dijeni.

Çfarë di qeveria më shumë për ngjarjen e Divjakës, nisur dhe nga dyshimet që ju keni hedhur herë pas herë që ajo ishte inskenim?

Kjo qenë një periudhë e vështirë për ne, se jemi përballur me sulme aspak normale nga ana e opozitës, për të përbaltur sa më shpejt e sa më shumë në një periudhë delikate, ku Shqipëria pret dhe meriton statusin e vendit kandidat. Në këtë situatë jemi në kontakt me partnerët tanë, marrim inkurajim dhe nuk shohin asnjë çast këto pseudoprobleme që ngre opozita. Marrim përgëzime për punën me drogën dhe gjithçka tjetër. Po goditen baza dhe burime të garantuara nga ata që kishin mbështetje dhe ndërkaq dëgjojnë këtë lukuni që është turrur pas qeverisë për diçka që nuk ka asnjë bazë.

Po akuzoni ata që kanë qenë më parë në pushtet…

Disponojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Mbledhja e forcave të policisë rreth plazhit të Divjakës ishte para se të rrëzohej avioni dhe planifikohej të kapej pjesa në tokë, jo avioni.

Çfarë mund të thoni për artikujt e gazetarit të RD për këtë çështje, Telnis Skuqit?

Ato që thotë gazetari i RD nuk janë të vërteta, pas interesimit të drejtpërdrejtë të strukturave, por madje dyshohet se ky është inskenim i tij. Jam dakord që është e patolerueshme që një gazetar të kërcënohet, ndaj jemi interesuar menjëherë, por ai nuk jep asnjë provë konkrete. Edhe numrat që ai pretendon nga ka marrë mesazhe kërcënuese nuk u përkasin njerëzve konkretë.

Pra ju thoni që ka pasur trafik ajror të rregullt për drogën nga Shqipëria?

Unë nuk thashë që ka pasur trafik ajror të rregullt, thashë që zotërojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Me sa duket, kjo ka gjë ka ndodhur edhe më parë, jo në periudhën kur kemi qeverisur ne, s’kemi asnjë provë për këtë, ndaj e përjashtoj si mundësi. Berisha nuk provon dot asnjë nga akuzat që lëshon, sot ka mbetur shija e hidhur që ai e ka dërguar këtë vend. Sot PD është katandisur në partinë e Sali Berishës dhe Kastriot Islamit. Ata flasin për Enverin dhe e kanë aty enveristin e fundit, Islamin, njeriun që do t’u thyente kafkat të tjerëve në emër të Enverit. Ndaj është detyra jonë t’i lënë dhe tani përpara sfidën që të mos zhytemi më pas gurit të budallait.

Ç’mund të na thoni për qëndrimin e LSI-së dhe Metës në lidhje me këtë çështje?

Ne jemi qeveria e parë që punon si skuadër, nuk ka asnjë dallim, të gjithë ministrat janë si skuadër dhe kjo ka qenë problematike  në të shkuarën. Por detyrat janë të ndara, z. Meta është Kryetari i Kuvendit dhe ai po bën një punë të admirueshme në këtë drejtim, duke qenë neutral në një kohë kur ka përpara një degradim të përjavshëm. Edhe kur ka pasur ndonjë debat krejt normal brenda shumicës, nuk ka pasur asnjë nga pickimet që kemi parë në të shkuarën brenda mazhorancës. Mund të them që sinergjia është e plotë.

Si i shikoni grevat aktuale të organizuara në vend, nisur dhe nga fakti se ju vetë si parti keni zhvilluar disa të tilla?

Greva është në kuadrin e farsës, nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me ato të tonat, pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ato janë të pabazuara dhe instrumentalizuara, nuk ndodh askund që një qeveri që ka mbushur viti të përballet me këtë valë protestash thjesht për marrëzinë e lidershipit të kësaj partie. Është e çuditshme që njerëz që kanë rrënuar vendin po vihen në krye të asaj që e quajnë lëvizje shpëtimtare. Ata e lanë vendin në rrënim, buxhetin biznesin dhe gjithçka tjetër. Në protestën e tyre morën pjesë më pak njerëz se në grevat e Gëzim Kalasë, jam i keqardhur për Partinë Demokratike që lindi si partia e parë në pluralizëm antikomuniste. Në grevë urie futen atë që paraqesin kërkesa dhe që mbështesin një kauzë, por si ta ndërtojmë dialogun me njerëz që janë hequr nga puna dhe duhet të kthehen në punë, ndërkohë që sot janë me mijëra njerëz që janë hequr nga puna nga 2005 deri në 2013, kanë marrë vendimin e gjykatës dhe nuk kanë gjetur zgjidhje. Ata kanë gjetur dhe njerëz që i kanë mal vërejtjet nga njerëzit e PD-së dhe i kanë mal dosjet me korrupsionin, sepse vetëm ata njerëz mund t’i përgjigjen kësaj thirrjeje. Nuk kemi çfarë përgjigjeje të kthejmë.

Protestojnë se i keni hequr nga puna. Një gjë s’e kuptoj përse nuk shkoni të dialogoni me ta?

Mos i ngatërro gjërat që po them. Unë fola për protestën e PD. Vijmë te grevat. Greva e parë. Me siguri që do kisha shkuar dhe do të kisha takuar grevistët e urisë nëse do të paraqesin një platformë, një numër kërkesash dhe mbështesin një kauzë. Por çfarë dialogu të bësh me njerëz, të cilët janë aty për faktin që janë hequr nga puna dhe që duan të kthehen në punë? Kjo s’ndodh. Një pjesë e tyre kanë humbur në gjykatë dhe ndërkohë që sot janë në Shqipëri janë me mijëra njerëz që janë hequr nga puna nga 2005 e deri sot. Kam qenë i befasuar nga fakti që nuk janë kujdesur që të gjejnë njerëz me integritet. Sigurisht, në këtë proces mund të ketë njerëz që janë larguar me të padrejtë. Mund të ketë ndodhur, por si është e mundur që nuk mund të zgjedhin disa njerëz që do të ishin shembuj e që do të na vinin edhe ne në vështirësi, por kanë zgjedhur njerëz që kanë dosjet mal me vërejtje, që kanë probleme të rënda me korrupsionin dhe janë drejtues të PD.

Pra nuk do të dialogoni, nuk do të merreni me ta?

Po për grevën e ish të përndjekurve?

Më vjen keq, por kur drejtuesi i grevës si i përndjekur pa bërë asnjë ditë burg ka marrë gjatë kësaj periudhe treçerekun e asaj godinës ku janë të përndjekurit dhe e ka kthyer në pronë të vetën… Me këtë të dialogojmë ne? Ai drejtues duhet të largohet nga greva, të hapë rrugën dhe të flasim me ata që janë realisht të përndjekur. Kjo qeveri ka nëntë muaj dhe ka arritur të japë për 1 mijë të përndjekur këstin e parë që u takon. Flasim për të përndjekur që janë rreth 80 vjeç që në 23 vjet nuk kanë parë asnjë lek me sy. 1 mijë të tjerë që nuk kanë prekur 1 qindarkë do të marrin këstin e parë deri në fund të verës dhe gjithë kjo në një kohë krize.

Kur do të kthehet në një fshat normal Lazarati?

Di të them që në 7 muaj janë goditur 807 raste dhe nuk impresionohem nga ata që i shohin nga larg gjërat dhe as nga aksionet simbolike. Ne kemi një plan të qartë. Do të transformojmë shtetin dhe policinë e tij. Ne do të çrrënjosim drogën si një simbol negativ për Shqipërinë edhe pse lufta kundër drogës nuk ka përfunduar gjëkundi dhe s’do përfundojë as në Shqipëri. Do të jetë një luftë e vazhdueshme. Çfarë prisni që të ndodhte më shumë brenda këtyre pak muajve, ndërkohë që Policinë e Shtetit e morëm në dorëzim si një turmë të tradhtuar me një kupolë të inkriminuar dhe këtë e thoshte raporti i DASH për lidhjet e krimit me zyrtarët e Policisë së Shtetit? Një polici e cila ishte lënë mënjanë edhe nga partnerët. Një nga arsyet pse po kapet kaq shumë drogë është fakti që jemi rilidhur me partnerët dhe nuk po luftojmë më vetëm. Lidhjet u prenë, sepse operacionet që normalisht bëhen në bashkëpunim në më shumë se një rast u dështuan nga fakti se ata që duhet të binin në rrjetën e policive u ndaluan përpara nga kupola e Policisë së Shtetit dhe kur vendet e tjera panë që ishte e pamundur të bëhej bashkëpunim, u shkëputën.

Këto ditë po përflitet për akuza për marrëveshjen e detit kur Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm. Përse tani ndaj Bashës? Duket si kundërsulm.

Unë e di shumë mirë çfarë shqiptarët sot përjetojnë negativisht në raport me ne; faktin që nuk ka ende para drejtësisë përgjegjës të peshës së rëndë.

Jo vetëm kaq, por në 2008 akuzonit Fazlliç, dhe në dhjetor i dhatë interkonjeksionin…

Kjo është gënjeshtër dhe unë e refuzoj gënjeshtrën. Sa i përket ndëshkimit vazhdoj të shpresoj që prokuroria do të çojë përpara një sërë çështjesh të ndjeshme që janë bërë publike dhe që nuk janë bërë publike. Bëhet fjalë për çështje të rënda implikimesh që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe sigurisë kombëtare. Prokuroria ka në tryezë jo një, por shumë çështje të rënda që implikojnë drejtpërdrejt ish-ministra dhe zyrtarë të lartë. Ne mund të bëjmë çdo gjë, por s’mund të marrim përsipër të bëjmë edhe prokurorin edhe gjyqtarin. Por një gjë, ne nuk do të bëjmë sehir përballë kësaj farse dhe korrupsionit në gjyqësor. Ne do të bëjmë një reformë të drejtësisë pa marrë përsipër të bëjmë gjykatësin dhe prokurorin, por nuk mund të mbyllim sytë përballë gjykatësit dhe prokurorit të korruptuar që në gjithë këto vite ia morën frymën këtij populli.

Kalojmë te pakti detar…

Sa i përket ndëshkimit, vazhdoj të shpresoj që Prokuroria do të vihet në lëvizje. Vazhdoj të shpresoj që Prokuroria do të çojë përpara një sërë çështjesh shumë të rënda që i ka në tavolinë: çështje që janë publike dhe çështje që nuk i kemi bërë publike, se s’kemi dashur të bëjmë publike çështje të rënda implikimesh që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe të sigurisë kombëtare. Ju siguroj që Prokuroria ka në tryezë jo një, por shumë çështje të rënda që implikojnë drejtpërdrejt ministra, që implikojnë drejtpërdrejt kryetarë shumë të lartë të lidhur me majën e piramidës. Ne çdo gjë mund ta bëjmë, por që të marrim përsipër të bëjmë edhe prokurorin, edhe gjykatësin, këtë nuk duhet ta presë njeri. Por nga ana tjetër, nuk duhet të ushqejë njeri iluzion se ne do rrimë duarkryq, nuk duhet të ushqejë njeri iluzion se ne do të vazhdojmë të bëjmë sehir përpara kësaj farse të madhe të njerëzve të përlyer kokë e këmbë në sistemin gjyqësor me korrupsionin. Nuk do të bëjmë dhe as nuk diskutohet që nuk do të bëjmë sehir, sepse rrallë e kam ndier veten keq përpara dikujt si shqiptar. Ashtu siç jam ndier përpara Kancelares kur më ka bërë pyetjen: Zoti Kryeministër, unë i kuptoj të gjitha arsyet tuaja se ju këmbëngulni pse Shqipëria duhet të marrë mbështetjen nga ne dhe duhet të shkojë përpara në rrugën e integrimit, por dëshiroj që ju të më përgjigjeshit sinqerisht: A mundet që një vend me drejtësinë që ka Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së?! E çfarë përgjigjeje mund t’i japësh tjetër përveçse “Jo”, kjo është e pamundur. Përgjigjja ime ishte që për t’u bërë anëtarë të BE-së në një proces normal ne do të na duhen 10 vjet dhe këto do të jenë 10 vjetët që pa asnjë dyshim duhet që ta transformojmë nga rrënjët drejtësinë në Shqipëri.

Si do ta bëni këtë?

Ne do të bëjmë një reformë të drejtësisë dhe ne do të jemi në veprim të vazhdueshëm, pa marrë përsipër të bëjmë as gjykatësin, as prokurorin, por ne nuk kemi mandat për të mbyllur sytë përpara gjykatësve që shkelin ditën për diell njerëzit, drejtësinë, dhe shkelin mbi të gjitha aspiratën e këtij populli për të parë të ndëshkohen ata të cilët ua morën frymën gjithë këto vite. Ne sehir nuk do të bëjmë.

Meqë folët për zonjën Merkel, a do të jetë ajo një ambasadore e mirë në Europë në ato vende që shprehen skeptike ndaj zgjerimit? Kancelarja gjermane na ka rezervuar një pritje të denjë për një qeveri që gëzon besimin se do ta bëjë më në fund Shqipërinë një vend europian. Dhe unë personalisht dhe pjesëmarrësit në atë takim ndihemi të detyruar ndaj të gjithë shqiptarëve që këtë besim dhe këtë mbështetje që po marrim nga Gjermania ta kthejmë në rezultate. Integrimi europian për mua s’ka qenë një udhëtim për të shkuar diku, por integrimi për mua është që të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu dhe jam shumë i vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë. Por, ju siguroj se falë një dinamike krejtësisht të re që ka marrë sot politika e jashtme, meritë për të cilën ka ministri ynë i Jashtëm dhe falë rezultateve që po arrijmë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, meritë për të cilën në radhë të parë ka ministri i Brendshëm dhe falë të gjithë proceseve të tjera që janë në kantiere reforme ne po i kthejmë Shqipërisë një dinjitet që i kishte humbur prej kohësh, ku do të shihni që Shqipëria do të jetë një faktor edhe për rajonin.

Do të marrim statusin në qershor?

Kur unë thosha në dhjetor që Shqipëria u penalizua nga ekstremistë në vendet anëtare, shumëkush dhe me gjithfarë mënyrash e përqeshën këtë që thashë unë, ndërsa sot jemi përpara provës, jo vetëm Shqipëria u penalizua, por që nga ana tjetër, vetë BE po penalizohet për shkak të rritjes së këtyre forcave ekstremiste dhe unë kam qenë shumë i hapur me të gjithë ata që kam takuar. Ua kam thënë në sy që rruga e zgjedhur nga disa prej forcave të moderuara për të luftuar me këta idiotë që duan të shkatërrojnë BE, që janë shprehje e tendencave raciste, antimyslimane, që janë me forcë të prirur që ta refuzojnë dhe përbuzin Shqipërinë dhe gjithë rajonin…

Sapo quajtët një të tretën e Parlamentit Europian idiotë. Në një intervistë keni quajtur injorantë 90 të deputetëve duke u thënë që nuk njohin mekanizmin e dhënies së statusit. Mendoni që këto deklarata nga Kryeministri i Shqipërisë ndihmojnë kur kanë mbetur pak ditë nga statusi?

Unë u qëndroj deklaratave të mia. Dhe kam quajtur të paditur 90 për qind të deputetëve të vendeve anëtare që nuk e dinë ndryshimin mes statusit, negociatave dhe anëtarësimit dhe kjo është e vërtetë.

Edhe njëherë do e marrim apo jo statusin?

E rëndësishme është që Komisioni Europian thotë po dhe ky është matësi ynë. Ne na duhet një raport pozitiv nga Komisioni dhe këtu e kemi kryer detyrën dhe në momentin që vendet anëtare ulen për ta diskutuar… një pjesë kanë probleme të mëdha me veten.

Ajo deklarata juaj që nuk ka krim të organizuar shqiptar…

Nuk ka, sepse krimi i organizuar është i përbashkët. Nuk ka krim të organizuar shqiptar, shqiptarët janë të lidhur me grekët, italianët etj. Mesazhi që përcjellim kudo është që Ballkani dhe Shqipëria i duhen Europës, aq sa na duhet Europa ne, sepse një Europë e siguritë është një Europë e integruar. Ndërveprimi në luftën kundër krimit sjell më shumë rezultate. Unë nuk e pranoj kurrë që krimi i organizuar qenka shqiptar, prostitucioni qenka shqiptar. S’mund të identifikohet Shqipëria me prostitucionin, sepse tregu i prostitucionit është në Europë, jo në Shqipëri. Sot ne jemi shumë të vetëdijshëm, jemi një vend i vogël, jemi një vend në mes të Europës, por kemi zërin tonë dhe nuk lejojmë njeri, as që të na marrin nëpërkëmbë, as të na marrë budalla. Shqipëria nuk do të merret më nëpërkëmbë sa herë që do të jetë nevoja.

Ka rezonancë mes shqetësimeve të opozitës dhe ndërkombëtarëve?

Zero! Nuk ka. Sot ambasada amerikane bëri një deklaratë ku tha se duhet të reflektojë Sali Berisha. Flasin kur ka diçka për të thënë dhe nëse do të ishin të gjitha këto që thotë opozita do të kishte shpërthyer gjithë Europa që këtu ka shpërthyer korrupsioni, ka ardhur karteli i drogës etj. Është arrestuar një gjeneral i korruptuar dhe ai sot doli në mbrojtje të tij. Ne nuk e shikojmë opozitën si një problem, e shikojmë si një ndihmë, sepse nëpërmjet kritikave të saj na ndihmon të sistemojmë pozicionet.

Akuzoheni se po i merrni kompetencat e Presidentit…

E pavërtetë. Draftet në Ministrinë e Mbrojtjes janë përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ka vetëm disa ndryshime ligjore në përputhje me Kushtetutën duke hequr ato atavizmat e vjetra.

Keni premtuar shëndetësinë falas…

E di që e kemi premtuar. Po them ata që kanë njerëz në nevojë për ilaçe në shtëpi mund ta dëshmojnë që u kemi premtuar që do të heqim taksën mbi ilaçet dhe i kemi hequr, që do të japim alternativa për ilaçet e rimbursueshme dhe që do të shkojmë drejt uljes së çmimeve të ilaçeve dhe jemi në atë rrugë dhe kështu do të ndodhë. Po vazhdojmë të reformojmë sistemin pjesë-pjesë, as spitalet sot nuk janë ato që ne kemi premtuar, por do të bëhen ato që ne kemi premtuar në fund të mandatit kur të japim llogari. Ka ndryshime të rëndësishme, por nuk jemi aty ku kemi premtuar. Po punojmë dhe jemi në një ndryshim radikal të zyrave publike. Kemi ardhur në qeveri dhe s’kemi gjetur asnjë projekt.

Çfarë u bë me Byronë e Hetimit?

Është pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe brenda këtij sesioni do të miratohet në Parlament.

Do ta rishikoni buxhetin 2014?

Mund të ketë nevojë për rishikim, por kemi nisur edhe diskutimin e buxhetit të 2015. Ajo që është e rëndësishme është që ekonomia ka rifilluar të marrë frymë. Nuk them që ka rifilluar të vrapojë dhe ajo që më bën më shumë krenar në gjithë këtë proces është fakti që kush realisht do të punojë, sot ka mundësi më të mëdha për ta tentuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama