Qytetet shqiptare nen administraten e Venedikut

Ndikimi i madh që Venediku ushtronte prej shekujsh në jetën ekonomike e kulturore të qyteteve bregdetare shqiptare, e lehtësoi kalimin e këtyre të fundit nën sundimin e tij. Në Durrës, Lezhë, Shkodër, Ulqin e në Tivar kishte grupe të tëra shoqërore që ishin të lidhura ngushtë me Venedikun. Këta mund të ishin tregtarë, pronarë anijesh, detarë, artizanë. Por rrethi i marrëdhënieve me Venedikun përfshinte gjithashtu edhe sektorë të popullsisë joqytetare, fisnikë dhe bujq, sidomos të rrethinave, që eksportonin produktet e tyre në Venedik, ose që garantonin lëvizjen e tregtarëve venecianë në brendësi të vendit. Republika diti të tërhiqte në orbitën e vet edhe mjaft fisnikë të vegjël rrotull qyteteve, të cilëve u paguante provizion të përvitshëm në këmbim të sigurimit të qetësisë në rrethinat dhe në vetë qytetet. Në shek. XIV elementë të veçantë të parisë së qyteteve bregdetare, por edhe të aristokracisë së tokës, kishin fituar qytetarinë veneciane, madje ndonjëri kishte arritur edhe të pranohej në Këshillin e Madh të Republikës. Pas tyre kishte edhe shumë të tjerë, kryesisht tregtarë e artizanë, që gëzonin privilegje të veçanta dhe që, siç thuhej, “e mbanin veten për venecianë” (pro Veneto expediantur). Në mjedise të tilla Venediku gjeti mbështetjen e tij shoqërore para dhe gjatë sundimit të tij në Shqipëri.
Republika e Venedikut e realizonte qeverisjen në zotërimet e saj shqiptare me anën e nëpunësve të dërguar enkas nga Venediku (rektorët). Një flotë e posaçme bënte roje të përhershme pranë brigjeve shqiptare, e gatshme të ndërhynte sa herë që cenoheshin interesat e Venedikut. Bajl-kapedani i Durrësit dhe kont-kapedani i Shkodrës, ishin funksionarët e nivelit më të lartë në Shqipëri. Nën urdhrat e tyre ishin një numër zyrtarësh të tjerë, si komandanti i kështjellës (castellanus), komandanti i flotës lokale (admirali), komandanti i trupave të kalorisë (comestabilis), ruajtësi i thesarit (camerarius), gjykatësi (magister iuratus), sekretari (cancellarius). Në Drisht autoriteti më i lartë venecian ishte podesta, kurse në Lezhë kështjellari. Në rastet kur vendi i qeveritarit në një qytet të caktuar mbetej i zbrazët, Venediku dërgonte aty proveditorët, funksionarë me një mandat të kufizuar. Konsujt venecianë, që vepronin si përfaqësues tregtarë dhe shpesh si informatorë, vepronin prej kohësh në qytetet kryesore dhe që luajtën rol të rëndësishëm në përgatitjen e kushteve për kalimin e këtyre qyteteve nën flamurin e Venedikut, në mjaft raste morën poste të rëndësishme në administratën veneciane. Qendra i çmonte veçanërisht njohuritë dhe lidhjet e tyre me vendin dhe me njerëzit.
Në kushtet e zhvillimit të invazionit osman, Venediku ishte tejet i interesuar që në zotërimet e tij shqiptare të ruhej paqja shoqërore. Një gjë e tillë parakuptonte pjesëmarrjen e aristokracisë qytetare në qeverisje, si dhe njohjen e strukturave dhe të institucioneve tradicionale bashkiake, gjë që binte ndesh me interesat e Venedikut. Në fakt, institucionet bashkiake, siç qe, p.sh., ai i magister iuratus, i kancelarit apo i admiralit në Durrës, ose u uzurpuan nga shtetas venecianë, ose u dubluan apo u zhvleftësuan, duke iu nënshtruar vullnetit të qeveritarit. Megjithëse në çastin e marrjes në dorëzim të qyteteve shqiptare, Republika e Venedikut u kishte premtuar bashkësive vendase se do të respektonte ligjet dhe doket e vjetra të vendit, administrata veneciane nuk vonoi të krijojë pakënaqësi e të bjerë në konflikt me popullsinë vendase. Në Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin e në Tivar qeveritarët venecianë shpërfillnin statutet e vendit dhe udhëhiqeshin nga praktika koloniale. Qytetarët duhej të kryenin një sërë shërbimesh e punësh angari për shtetin venecian, të punonin për meremetimin e mureve të qytetit, shpeshherë duke e paguar me shpenzimet e veta lëndën e parë të ndërtimit dhe duke e transportuar po vetë në vendin e duhur. Me shërbime dhe angari të tilla ngarkohej edhe popullsia e fshatrave përreth, nën juridiksionin e kështjellave.
Qytetarët detyroheshin gjithashtu të kryenin shërbimin e patrullimit të qytetit dhe të rojes në portat e tij, me kohëzgjatje e kushte mjaft më të rënda nga ç’e përcaktonin këto shërbime statutet e qytetit. Këto të fundit përcaktonin gjithashtu që qytetarët të kryenin shërbime të caktuara ushtarake, por vetëm brenda qytetit, megjithatë qeveritarët venecianë nuk ngurronin të nxirrnin trupat vullnetare të qytetarëve edhe jashtë. Qeveritarët venecianë abuzonin me statutet deri në atë masë saqë në Drisht, p.sh., ua kërkonin kryerjen e shërbimit të rojës edhe klerikëve, gjë që ishte në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore të atij qyteti.
I vendosur në politikën e tij për t’i mbrojtur zotërimet e veta në Shqipëri me sa më pak shpenzime e forca, Venediku u mundua të përfshinte në sistemin e mbrojtjes së qytetit edhe krerët feudalë të rrethinave, duke i bërë këta për vete me të holla e privilegje. Ruajtja e Durrësit dhe e prapatokës së tij mbështetej së shumti edhe në aleancat me krerë nga familjet fisnike Topiaj, Skurraj, Muzakaj etj. “njerëz me pushtet e fuqi të madhe ushtarake”, të cilëve Venediku u paguante provizion të përvitshëm, u akordonte liri e privilegje të veçanta dhe u lejonte hyrje-daljen e lirë në qytet, ndërkohë që përgjithësisht zotërit feudalë shiheshin si rrezik për qytetet në fjalë. Në zonën e Shkodrës, ku vazhdonte të mbijetonte një shtresë e fuqishme proniarësh, qeveritari venecian arriti të sigurojë një mbështetje të rëndësishme shoqërore, për sa kohë mundi t’i bëjë për vete ata. Por, edhe pse u pranua si një alternativë e pushtimit osman, në përgjithësi sundimi i Venedikut në qytetet shqiptare dhe rrethinat e tyre u shoqërua me pakënaqësi, konflikte e deri kryengritje të vendasve, siç qenë ato të viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419. Në sfond të tyre qëndronin arsye të ndryshme, por ato ekonomike zinin vendin qendror. Republika e Venedikut parashikonte që barra e shpenzimeve për mbrojtjen e bregdetit shqiptar nga rreziku osman të përballohej me burimet e vendit, ndaj që në fillim ajo nxitoi t’i shtjerë në dorë këto burime. Nën administrimin e drejtpërdrejtë të qeveritarëve venecianë kaluan të ardhurat nga taksat, doganat, tregjet, peshkoret, dajlanet, kriporet, që shpesh u jepeshin në sipërmarrje personave të veçantë, kryesisht shtetas venecianë, të cilët prireshin t’i rrisnin ato duke rënduar popullsinë vendase. Të ardhura të mëdha Venediku nxori nga vendosja e monopolit të vet mbi produkte të caktuara shqiptare, siç ishin drithërat dhe kripa. Lidhur me drithërat, tregtimi i tyre u orientua kryekëput drejt tregut venecian. Akoma më i rreptë ishte kontrolli që Venediku vendosi mbi kripën. Ai përfshinte edhe prodhimin e saj. Republika e ndaloi në mënyrë kategorike ndërtimin e kriporeve dhe prodhimin e kripës nga sipërmarrës privatë shqiptarë. Tregjet shqiptare, nga Tivari deri në Pargë e në Prevezë, duhej të furnizoheshin me kripën e prodhuar në kriporet e Sinjorisë në Korfuz e në Durrës, kuptohet me çmime të caktuara nga shteti venecian. Edhe ky monopol venecian mbi tregtinë e kripës u bë burim konfliktesh të ashpra me bashkësitë shqiptare dhe me mjaft krerë shqiptarë, të cilët e konsideronin kripën një burim të rëndësishëm të ardhurash: “kripa është buka ime”, do t’i shkruante më 1401 Gjon Zenebishi senatit të Venedikut, duke shtuar se midis tij dhe Venedikut do të mund të kishte paqe e mirëkuptim vetëm në rast se ky i fundit hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë ose për të shkatërruar kriporet e tij të Sajadhës, në Çamëri.
Gjithsesi, bashkësitë qytetare e fshatare shqiptare që hynë nën sundimin e Venedikut kishin shumë arsye për të qenë të pakënaqura nga qeverisja e tij. Kjo pakënaqësi pasqyrohet në ankesat e shumta që ato bashkësi i drejtuan pushtetit qendror venecian, ku demaskoheshin arroganca dhe praktikat shfrytëzuese të qeveritarëve venecianë në Shqipëri. Shpeshherë pakënaqësia ndaj qeverisjes shpërthente në formën e sulmeve e të raprezaljeve kundër zyrtarëve e shtetasve venecianë apo deri edhe në kryengritje të vërteta popullore. Këto fitonin më shumë mbështetje, kur drejtoheshin nga fisnikë po aq të pakënaqur vendas. Kështu ndodhi në kryengritjet e viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419 në trevat veriperëndimore të udhëhequra nga Balshajt, që e rrezikuan seriozisht sundimin venecian dhe që përfunduan edhe me humbjen e përkohshme të qyteteve të Shkodrës, Drishtit, Ulqinit e të Tivarit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama