Qeveria nxjerr ne shitje asetet e fajdeve ankandet ne maj

Qeveria nxjerr ne shitje asetet e fajdeve, ankandet ne maj

Një sërë objektesh në pronësi shtetërore si dhe të ish-shoqërive huamarrëse “Xhaferri”, “Gjallica” e “Vefa”, mes të cilave përfshihen magazina, apartamente dhe objekte të ndryshme të përdorimit utilitar, janë planifikuar të hidhen në ankand muajin e ardhshëm. Ja si po administrohen mbetjet e fajdeve

Gjatë muajit maj pritet të shiten me ankand një sërë objektesh në pronësi shtetërore, si dhe të ish- shoqërive huamarrëse “Xhaferri”, “Gjallica” e “Vefa”, mes të cilave përfshihen magazina, apartamente dhe objekte të ndryshme të përdorimit utilitar.

Vendimi për këto ankande është botuar së fundi në Fletoren Zyrtare. Ndër objektet me pronësi shtetërore që pritet të dalin në shitje me ankand janë disa zyra, kantinë vere, ofiçinë etj.

Ankandet pritet të nisin në datën 6 maj dhe çdo person i interesuar për blerje duhet të paraqesë në kohën e duhur pranë komisionit kërkesë me shkrim për blerje, e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave, garancinë bankare, ose mandat-pagesën në origjinal që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave, si dhe një dokument identifikimi. Grupi i Mbikëqyrjes së firmave piramidale do të shkrihet, ndërkohë që kreditorëve u lihet një afat 10-vjeçar për të kërkuar kompensimin e pjesshëm.

Një projektligj që ka miratuar qeveria dje, ia kalon të gjitha kompetencat e Grupit të Mbikëqyrjes, Ministrisë së Financave për likuidimin e plotë të procesit. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave ka marrë në dorëzim për shitje dokumentacionin e të gjitha aseteve të paluajtshme të fajdeve dhe të zhvillojë procedurat e shitjes në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të ardhurat nga shitja të derdhen në llogaritë e subjekteve të kontrollit, të vëna në dispozicion nga administratori. Të gjitha proceset gjyqësore në ngarkim të debitorëve të shoqërive subjekt kontrolli, do të vijojnë të ndiqen nga administratori, i cili do të kryejë edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë deri në momentin që veprimtaria e tij do të vazhdojë.

Me shpalljen të mbyllur të veprimtarisë së administratorit, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë do të kryhet nga Ministria e Financave.

Ministri i Financave vendos për kohën dhe procedurat e mbylljes përfundimtare të procesit të administrimit të shoqërive subjekt kontrolli, në përputhje me ecurinë e procesit të shitjes së aseteve, si dhe të proceseve gjyqësore me palë shoqëritë subjekt kontrolli.

Fondet që janë të depozituara në bankën e nivelit të dytë, e cila po realizon pagesat e kreditorëve të shoqërive, do të jenë në dispozicion të këtyre të fundit për një periudhë 3-vjeçare nga hyrja.

Pas këtij afati, të gjitha mjetet monetare të patërhequra do të depozitohen në një llogari të veçantë, të hapur nga Ministria e Financave, në një bankë të nivelit të dytë. Personat përfitues apo trashëgimtarët e ligjshëm të tyre mund të kërkojnë pranë Ministrisë së Financave kalimin në llogarinë e tyre personale të shumave takuese përkundrejt paraqitjes së dokumentacionit që provon të drejtat e ligjshme të tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama