Qazim Mulleti - Antizogisti qe u sherbeu fashisteve

Qazim Mulleti - Antizogisti qe u sherbeu fashisteve
Të rrallë janë personazhet e politikës shqiptare që janë nëmur ndonjëherë më shumë sesa ish-prefekti i Tiranës Qazim Mulleti. Falë një pjesë teatrale, realizuar nga ish-hyzmeqari i tij, të cilin dikur e kish ndihmuar, ai do të mbetet për dekada të tëra i anatemuar dhe i përqeshur. Megjithatë, historia është shumë më tepër. Ashtu si mund të tregojë antizogizmin e tij, mund të rrëfejë shumë mirë edhe servilizmin e tij të pafre ndaj fashizmit...”JAVA” po boton betimin e tij patetik fashist, vetëm dy muaj pas ardhjes së pushtuesve dhe një urdhër internimi ndaj një familje antifashiste...

Për Qazim Mulletin, historianët e erës komuniste, nuk janë lodhur shumë. Dhe, nuk kishin sepse ta bënin tek e fundit. Një njeri i letrave, që ai dikur e kish ndihur të vogël, e kish hiperbolizuar aq shumë negativitetin e tij, saqë për dekada me radhë, ajo “fliste” shumë më tepër sesa realiteti i tij, si zyrtar i bindur i fashizmit. Siç mund të ndodhë me gjindjen shqiptare, që e pëlqen gallatën e këtij lloji, kjo i erdhi shumë për shtat njerëzve të zakonshëm. Ndërkaq, familja e pakët e tij, do të pësonte një nga persekutimet më të egra të kohës. Dënimi që i bëri dramaturgu i kohës kish qenë antiprofesional, pasi si radhë herë personazhet përmbanin emrat e vërtetë të atyre që luheshin. Askush nuk mund të thotë sot nëse Qazim Mulleti në emigracionin e tij të radhës do e ketë ditur ekzistencën e kësaj pjese. Vetëm se një gjë e ka ditur mirë: Shqiptarët e tij ishin ‘mosmirënjohës’ ndoshta edhe për ato që ai u bëri në të gjallë!
 
Për Qazim Mulletin

Nëse do të flasësh me një tiranas të vjetër, nga ata që sot po shuhen një nga e një, mund të dëgjosh histori bamirësie pafund të tij. Për to betohen me kuran, shpirt dhe ndershmëri. Pinjoll i njërës prej familjeve më me rëndësi të qytetit, Qazim Mulleti kalon shumë vite jashtë. Kur vjen ka mundësi të dijë mirë nevojat, por edhe sikletet e bashkatdhetarëve të tij. Burrë serioz, ambicioz dhe me shkollim të mrekullueshëm për kohën, kthehet të jetojë dhe të bëjë karrierë në Shqipëri. Ka mbaruar “Zosimean”, pastaj studimet në Gallatasaraj dhe më pas përfundon për dy vjet në Vjenë. Thjesht, këto lëvizje, të bëjnë të mendosh se duhet të ketë marrë një formim të mirë për kohën dhe të njohë disa gjuhë. Në dokumentet që po botojmë e hasim në një lavdërim publik, që në krye të herës, i cili afishohet në fletoren zyrtare për punën e tij si Nën/prefekt i Kavajës më vitin 1921. Të mendosh është vetëm 26 vjeç. Duket se në ato vite karriera i shkëlqen para syve.

Një dëshmi tjetër historike, që duket disi e ekzagjeruar, e nxjerr si një nga njerëzit, i cili shërbente pranë Princ Vidit. Ka një kontradiktë, që lidhet pak me panegjirizmin që i kap shpesh njerëzit që shkruajnë tek ne dhe që shkruajnë për të. Që 19 vjeçar është truprojë e Princit fatkeq, ka bërë “Zosimean” në Janinë, “Gallatasarajn” në Stamboll dhe shkollën në Vjenë!!! Kështu shkruhet. Në të dhënat që jepen, ata që janë përpjekur të bëjnë historinë e tij, e lartësojnë sërish si figurë patriotike, por këtë herë si komandant të forcave vullnetare në luftën kundër serbëve dhe më vonë e shohim të afrohet me Fan Nolin.

E çuditshme është se për këtë lidhje s’ka evidenca. Pas Kongresit të Lushnjës është në parlamentin e kohës dhe një farë kohe shërben dhe si prefekt i Matit. Por kaq. Ka ardhur koha e Zogut. Bashkëkohësit dhe historianët e tij nuk na ndihmojnë sërish të dimë si duhet armiqësinë e tij me Zogun. Qazim Mulletin tashmë e ndjekim me anë të kujtimeve të Sejfi Vllamasit, që na ka lënë disa nga njoftimet më interesante të bashkëkohësve të tij. Nuk përmenden në fakt këto atribute të fryra, që i japin historianët e sotëm. Ai është një nga të shumët, që merr rrugën e emigracionit, dhe si të gjithë bashkëvuajtësit, në pritje të ndonjë ndihme prej Beogradit apo Romës...
 
Në Emigracion

Nga Italia një pjesë e armiqve të Zogut kalojnë në Jugosllavi diku andej nga Kroacia. Ndërkohë krerët e emigracionit shqiptar formojnë organizatën “Bashkimi Kombëtar” me një komitet të përkohshëm kryesuar prej Sotir Pecit, Xhemal Bushatit, Angjelin Sumës me sekretar Ali Këlcyrën. Në grup janë dhe Rexhep Mitrovica që është i sëmurë në Vjenë, Bahri Omari etj. Anëtarët e tjerë të “Bashkimit Kombëtar” Ismail Tatzati, Spiro Koleka, Dhimitër Bala, Koço Muka, Leonidha Frashëri vinë nga Greqia. Ndërkohë, një pjesë e emigrantëve të KONARE dhe Komitetit të Kosovës, vendosen në Zara, Porto Franko pasi jetesa atje është më e lirë, citojmë Vllamasin…Në këtë kohë, me anë të një barke Xhemal Bushati, Ahmet Dakli, Qazim Mulleti, Dan Hasani, Riza Dani shkojnë në Preko dhe që këndej në Zagreb. “Atje na takon Vukotiç shefi i marrëdhënieve me Shqipërinë në MPJ dhe na këshillon të shkojmë në Paris po ne shkuam në Vjenë…

Kështu u formua “Bashkimi Kombëtar në Vjenë” me Komitetin Qendror me anëtarë Xhemal Bushatin, Angjelin Sumën , Ali Këlcurës etj”, shkruan Vllamasi. Por historia vazhdon. Gjithnjë, sipas Vllamasit, Hasan Prishtina ndihmohej prej Italianëve me një shumë prej 30.000 lira italiane në muaj. Me atë shumë përballonte nevojat e tij dhe tepricën. Mustafa Kruja e donte ndihmën sllave, por pastaj kur ia refuzua, iu kthye dhe përshëndeti Musolinin për traktatin që bëri me Zogun. Si shpërblim, një pjesë e parave të Hasan Prishtinës 30.000 lira i jepet M. Krujës që mban për vete një pjesë dhe tjetrën e ndan me Riza Danin, Xhevat Korçën dhe Lin Kamsin…Kurse Qazim Mulleti me don Frano Karmën si indipendentë, ndiheshin nga Italia, shton ai…

Në vitin 1931, Qazim Mulleti, do jetë një nga njerëzit kryesorë që realizojnë atentatin ndaj Zogut në Vjenë, që ekzekutohet nga kapiten Azis Çami dhe toger Ndok Gjeloshi. Gjykata e liron shpejt Qazim Mulletin dhe Angjelin Sumën dhe që këndej bashkë me Hasan Prishtinën, Nikoll Ivanajn, ai kthehet në Paris. Biografët e kohës thonë se atje Qazim Mulleti bëri një restorant me të vëllain?! Se ku gjenden paratë, për këtë nuk thuhet!! Pak vite më vonë në kronika politike, emri i Qazim Mulletit është sërish tashmë fill pas kryengritjes së Fierit më 1935, kur u bë një bashkim politik me të gjithë strukturat e emigracionit shqiptar me emrin “Lidhja nacionale liberale”. Mustafa Kruja, që merr pjesë në Kuvend bashkohet në formimin e “Lidhjes nacionale liberale” por nuk pranon mënyrën e formimit të programit dhe bashkë me Qazim Mulletin nuk e nënshkruajnë sepse, sipas Vllamasit, nuk ka qejf tu presin ndihmat. Me intuitë duhet të kuptojnë se Italia shumë shpejt do të jetë në Shqipëri...

Epilogu

E vërteta është se llogaritë përkohësisht i kanë bërë mirë. Qazimi kthehet shpejt në Tiranë. Dy muaj pas pushtimit bën betimin e tij të servilosur fashist tejet patetik për besnikëri. Kjo tregon se rrënjët i ka të thella me Italinë ashtu si do të tregojë më vonë dhe aktiviteti i Mustafa Krujës. Besnikëria me Italinë do të jetë proverbiale, edhe pse si tiranas i mirë nuk i braktis kurrë ata që mund të ndihmojë. Bashkëkohësit e tregojnë se bën ndere deri te komunistët, kur janë tiranas. Njerëzit, që e lavdërojnë, tregojnë se ai punon shumë për institucionin e bashkisë së Tiranës, por ndjek dhe kundërshtarët e fashizmit. Në një nga këto momente është edhe ky dokument i veçantë i viti 1942, ku ai udhëheq Komisionin e dëbimeve dhe dënon me internim familjen e Shyqyri Këllëzit me 5 vjet internim pasi gjejnë një material të tërë subversiv në shtëpi...Në një hamendje të thjeshtë, duhet të jetë hipotetike, gjetja e këtij arsenali, ndërkohë që vetë i lartpërmenduri është arratisur. Ky është një nga vendimet, por sigurisht që duhet të ketë dhe shumë të tjerë, që e ulin jo pak figurën e tij. Në fakt nuk mund të bëjë ndryshe, shërben nën pushtuesin dhe ai me formimin që ka duhet ta kuptojë mirë këtë fakt....

Lufta merr kundër idealit të tij. Edhe njëherë tjetër,  rreshtohet në barrikadën e gabuar. Me kapacitetin e tij, që i atribuohet, sërish nuk e kupton të ardhmen e vendit të tij. Qazimi do iki sërish në emigracion por këtë herë për të mos u kthyer më. I biri 14 vjeçar me të shoqen përfundojnë në kampin e Tepelenës, ku e shoqja vdes e harruar dhe e persekutuar  tmerrësisht më ‘80 në Savër. Ai vetë ka vdekur më parë më 28 gusht 1956. Si profesion i shkruhet “nëpunës” dhe kohë më parë poeti Gëzim Hajdari zbulon se trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri që më 2004 në pritje për ta marrë familja e tij...Komunistët e persekutojnë moralisht, fizikisht dhe materialisht, ndërsa më vonë edhe regjimi i ri, kur teatrin që e stigmatizon për të e japin rregullisht. Qazim Mulleti vuan zgjidhjet e tij të gabuara, ndërsa fati e dënon pamëshirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama