Pushimet shqiptaret shpenzojne 840 milione euro

Pushimet, shqiptarët shpenzojnë 840 milionë euro
Shqipëria mund të konsiderohet ndër të vetmet vende në botë që nga turizmi siguron dhe humbet të ardhura në shuma pothuajse të barabarta. Nëse të ardhurat nga ky sektor për 9 muajt e parë të vitit ishin rreth 900 milionë euro, shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë për arsye të ndryshme kanë shpenzuar afro 840 milionë euro. Diferenca është 60 milionë euro në favorin tonë, por shumë pak nëse mendojmë që Shqipërinë e kanë vizituar rreth 2 milionë të huaj ose shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Sipas BSH-së, shërbimet e udhëtimit kanë zënë peshën kryesore si në eksportin ashtu edhe në importin e shërbimeve, duke kontribuar me përkatësisht me 78% dhe 72% të vlerave të përgjithshme të shërbimeve. Megjithatë, diferenca prej 60 milionë eurosh paraqitet me një përmirësim të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila regjistroi një suficit prej 54 milionë eurosh. Eksporti i këtyre shërbimeve, gjatë këtij nëntëmujori ka sjellë rreth 900 milionë euro të ardhura dhe një rritje vjetore prej 19%.

Këto prurje në valutë kanë qenë rreth 27% më të larta se të ardhurat nga eksporti i mallrave. Rritja e të ardhurave nga shërbimet e udhëtimit të ofruara në territorin e Shqipërisë, ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të shqiptarëve që kanë vizituar vendin e tyre, rritje kjo prej rreth 36%. Nga të dhënat e vrojtimit për shërbimet e udhëtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rezulton se rreth 47% e udhëtarëve jorezidentë bëjnë pjesë në kategorinë e emigrantëve ose personave me kombësi shqiptare, që jetojnë në vende të tjera. Përfaqësimi i kategorisë së emigrantëve në grupin e vizitorëve jorezidentë, është veçanërisht i lartë gjatë tremujorit të tretë, periudhë në të cilën një numër i konsiderueshëm emigrantësh vizitojnë Shqipërinë për qëllime personale. Ndërkaq, vlera e udhëtimit të rezidentëve jashtë Shqipërisë është vlerësuar në rreth 840 milionë euro, vëllim ky rreth 20% më i lartë krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë. Numri i udhëtarëve, i rritur me 24% ka qenë përcaktuesi kryesor i kësaj rritjeje. "Rritja në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vendet e Eurozonës, të cilat janë destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë, ka ndikuar gjithashtu në rritjen e shpenzimeve mesatare për udhëtimet dhe rrjedhimisht, në vlerën e përgjithshme të importeve të shërbimeve të udhëtimit", shpjegon BSH-ja.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama