Pushime me beben 7 keshilla te vlefshme per udhetimin

Pushime me beben, 7 keshilla te vlefshme per udhetimin

Po mendoni për pushimet dhe nuk dini se ku të shkoni me të voglin tuaj?! Ja disa këshilla për zgjedhjen e destinacionit dhe mjetit të përshtatshëm të transportit

Në det

Përveç rrezikut të djegies nga dielli dhe dehidratimit (janë të domosdoshme; krem dielli, ujë, çadër, kapelë dhe syze dielli!), ajri i detit është gjallërues për fëmijët, sidomos nëse vuajnë nga ekzemat. Kujdes ama, ndryshimi i klimës mund t’i bëjë nervozë fëmijët që janë vetëm pak muajsh dhe përgatituni, se për disa ditë do të kenë probleme me gjumin. Ju këshillojmë të shkoni me pushime në plazh vetëm një herë, derisa fëmija juaj të dijë të rrijë ulur, sepse do të jetë më e lehtë të shmangni bezdisjen e shkaktuar nga rëra, dhe mos harroni: nëse fëmija është nën 6-muajsh, një orë në ditë plazh do të jetë më se e mjaftueshme.

Në mal

Nëse preferoni malin, mos u ngjisni shumë lart, përtej 1500 metrave mbi nivelin e detit, fëmijës ka të ngjarë t’i shkaktohet një “otit barotraumatik” –sëmundje e veshit, e shkaktuar nga  ndryshimi i  papritur i presionit të ajrit gjatë ngjitjeve apo zbritjeve shumë të shpejta.

Mos merrni teleferik apo impiante të tjera ngjitjeje dhe bëni gjithmonë nga një copë herë pushim për t’u përshtatur kur ndryshoni lartësi. Merrni një karrocë fëmijësh për udhëtim ose një çantë alpine që mban fëmijën me pjesë të fortë nga ana e shpinës. Në dimër, mbani mend se temperatura e trupit të fëmijës bie shpejt. Në verë, vishini këpucë të përshtatshme fëmijës, sidomos nëse ka nisur të hedhë hapat e parë. Ajri i malit u bën mirë fëmijëve, por mos harroni se edhe atje dielli rreh fort, kështu që ruajeni me kremra të përshtatshme.

Në fshat

Fshati është destinacioni ideal për  një fëmijë të vogël. Fëmija juaj, që ende fle shumicën e kohës, ka nevojë për një ritëm të qëndrueshëm dhe fshati ka një klimë të butë, të matur dhe ju ofron të gjithë qetësinë që mund të dëshirohet. I vetmi rekomandim që mund t’ju bëjmë është të keni gjithmonë me vete produkte të dobishme kundër mushkonjave. Në  treg ka lloje specifike për fëmijët.

Jashtë vendit

Të eksplorosh botën e madhe në shoqërinë e një fëmije të vogël kërkon guxim dhe përgatitje. Para se të niseni, informohuni cilat janë vaksinat e detyrueshme (tifo, verdhëza, malaria …) për të hyrë në vende të caktuara dhe kërkojini analizat e nevojshme pediatrit tuaj. Merrni  diçka kundër mushkonjave për natën dhe mos harroni pasaportën e fëmijës! Gjithashtu përpiquni të imagjinoni se cilat janë problemet që mund të hasni në vend (ku të gjeni pelena, si të sterilizoni biberonin nëse uji i rubinetit nuk është i pijshëm …) dhe si t’i zgjidhni ato.

Në çdo rast ju këshillojmë të shmangni zonat tropikale, që gëlojnë nga parazitët për shkak të lagështisë  dhe të drejtoheni më shumë nga  vende me infrastrukturë të fortë mjekësore (Evropë Perëndimore, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara).

Të udhëtosh me makinë

Organizoni çantat në bagazh, për të parandaluar që të bien mbi fëmijën tuaj në frenimin e parë të fortë, dhe vendosni  gjërat bazike (pelena, ndërresa, biberona …) në një çantë dore. Ndenjësja e fëmijës duhet të jetë e testuar dhe nëse e mbani atë në sediljen e pasme, mos harroni të çaktivizoni airbag –un. Bëni një pushim çdo dy orë; të gjithë keni nevojë të shpini këmbët! Kurrë mos e lini fëmijën vetëm në makinë, edhe nëse është në gjumë, dhe informohuni më parë se ku ka vende buzë rrugës ku mund të ushqeheni dhe të ndërroni pelenat e fëmijës.

Të udhëtosh me tren

Treni është mjeti i transportit ideal për një fëmijë të vogël! Mund të kujdeseni për fëmijën 100%, pa pasur nevojë të mbani një sy nga rruga. Një tjetër avantazh i trenit: lëvizja e tij duket sikur e përkund fëmijën, i cili do të flejë në shumicën e udhëtimit. Për të mos prishur qetësinë e udhëtarëve të tjerë, prenotoni një kabinë dhe mos merrni shumë bagazhe.

Të udhëtosh me avion

Ky mjet transporti nuk rekomandohet për foshnjat e sapolindura dhe fëmijët e vegjël,  të cilët shpesh vuajnë nga infeksionet e veshit. Për të shmangur dhimbjet e veshit te fëmija,  jepini për të pirë para, gjatë dhe pas fluturimit, duke u siguruar që të ushqehet mirë.

Për të mbajtur të zënë fëmijën tuaj gjatë fluturimit përgatit një qese me librat, lodrat dhe kukullën e  preferuar. Kur udhëtoni në avion me një fëmijë mund të përfitoni nga disa shërbime: shpesh bileta është falas për fëmijët nën 2 vjeç, mund të përfitoni duke hipur të parët, një djep portativ dhe një tualet për të ndërruar pelenat janë në dispozicionin tuaj gjatë fluturimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama